Dialogu në sytë e qytetarëve të Kosovës: perceptimi për një dështim politikë

20 shkurt 2017 11:27

Ilustrimi: Big Eye

“Vetëm perceptim”... Një përgjigje tashmë e zakonshme prapa së cilës në mënyrë të vazhdueshme fshehet Qeveria e Kosovës, pas çdo publikimi në të cilën reflektohet opinioni i qytetarëve të Kosovës. Si duket qëllimi është që të krijojë përshtypjen gjoja se perceptimet janë te importuara nga diku tjetër, dhe jo si refleksion i sfidave me të cilat po ballafaqohemi në Kosovë.

Duke imponuar një logjikë të tillë, Qeveria e Kosovës vazhon ta trajtojë dialogun me Serbinë si një proces  të dobishëm, dhe të domosdoshëm për proceset politike në Kosovë. Për të, dështimi i këtij procesi në sytë e qytetarëve paraqet vetëm një “perceptim” dhe asgjë më shumë. Në ndërkohë që brengat e qytetarëve vazhdojnë të rriten, shpërfillja që po i bëhet atyre vetëm sa e thellon boshllëkun e botëkuptimeve në mes tyre.

E këto botëkuptime diametralisht të kundërta në mes qytetarëve dhe Qeverisë kanë rrënjë tashmë të qarta: mungesa e transparencës e cila e ka përcjellë nga dita e parë këtë dialog. Si pasojë, “ngujimi” i këtij dialogu enkas në nivel lartë politik, pa lejuar qasje qoftë edhe në nivel informimi nga akterë të tjerë e ka shkëputur këtë proces komplet nga konteksti i vërtetë.

Një qasje e tillë vetëm sa ka nxitur skepticizëm në raportin me dialogun. Madje, ka krijuar përshtypje që aty diskutohet për gjithçka pëpos interesave të qytetarëve të Kosovës. E një gjë të tillë më së miri e reflektojnë edhe matjet e ndryshme të opinionit publik. Një ndër to është edhe Barometri Kosovar i Sigurisë [që këtej: Barometri] i cili tashmë për gjashtë edicione radhazi bën matjen e opinionit të qytetarëve kundrejt këtij dialogu. Sipas kësaj ankete, dialogu me Serbinë edhe nga qytetarët cilësohet si proces i pakthyeshëm politik.

Ndonëse i nisur me “këmbë të gabuar”dhe pa një plan konkret për rrugëtimin dhe përfitimin e Kosovës nga ky dialog, qysh në vitin 2013 rezultatet e Barometrit tregojnë se qytetarët megjithatë kanë besuar se do të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Duket se synimi i proklamuar për të aritur eventualisht tek njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, nuk e mbajti gjatë perceptimin pozitiv ndaj dialogut. Ngjashëm, as mos-realizimi i  premtimeve nga BE-ja për të zbërthyer konstruktivitetin e palës kosovare gjatë këtij dialogu me gjoja përshpejtimin e  proceseve të saja integruese, rezultoi të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë sot, tre vite më pas, rezultatet tregojnë se ky proces nuk është as afër realizimit të qëllimeve fillestare. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi nuk duket askund në horizont. Jo aq premtues mbetet edhe progresi i Kosovës sa i përket integrimeve europiane.

Përkundrazi, mendimet e qytetarëve dhe paniku i krijuar në opinion në raport me sjelljen agresive të Serbisë, sikur na kanë kthyer prapa në vitin 2008-2009 kur marrëdhëniet në mes të dyja palëve kishin shënuar pikën më të lartë të acarimit.

(Mos) normalizimi i marrëdhënieve: Brengë për qytetarët

A mund të ketë normalizim në mes të dy palëve të pa-barabarta në tavolinën e dialogut? Qartazi, njëra palë ka “potencial për destabilizim të rajonit”, e tjera palë një shtet që nuk njihet nga pesë shtete të BE-së – facilitatorit të dialogut. Andaj, në tavolinën ku do të duhej të diskutoheshin marrëdhëniet në mes të dy shteteve, asnjëherë nuk është diskutuar njohja e Kosovës nga Serbia. Kurse, çështjet kryesore të diskutim janë punët e brendshme të Kosovës, e rrallëhere për çështjet që kanë për qëllim lehtësimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rreth 50 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu po dështon për të arritur normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky skepticizëm është bazuar në dështimin për të parë një qasje më të butë politike të Serbisë ndaj Kosovës, kryesisht në lidhje me pozicionimin e Kosovës në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Ky perceptim u forcua edhe më tej nga mungesa e vullnetit politik për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel. Disa të dështuara pikërisht për shkak të rezistencës së lartë nga Serbia për të krijuar një mjedis të favorshëm për zbatim më të mirë të marrëveshjeve. Në anën tjetër, rreth 40 për qind besojnë se ka deri diku normalizim, kryesisht duke ju referuar marrëveshjes për lëvizje të lirë – edhe pse e limituar për qytetarët e Kosovës.

Në mesin e marrëveshjeve që janë debatuar, ri-negociuar, apo nuk janë implementuar fare, marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave serbe mund të quhet si më e përfolura deri më tani. Kjo marrëveshje është parë si e dëmshme nga 80 për qind të qytetarëve, sidomos pas publikimit të përmbajtjes dhe diskutimeve në publik. Për më tepër, vazhdimi i këtij debati dhe mungesa e konsensusit politik në anën kosovare ka nxitur edhe më tej perceptimin negativ ndaj kësaj marrëveshje. Në mesin e këtij 80 përqindëshi ekziston frika se asociacioni nuk nxit krijimin e një shoqërie multi-etnike - siç thuhet në kushtetutë, por do të kontribuojë më tepër në krijimin e një shoqëri të ndarë etnikisht. Për më tepër, perceptimi negativ nuk rrjedh nga frika se asociacioni do të jep të drejta shtesë për minoritetin serb, por nga frika se ajo do të shërbejë si mjet kundër shumicës. Ky perceptim negativ mund të shënoje rritje në rast të krijimit të njëanshëm të asociacionit, siç po bëhet presion nga Serbia.

Kush po e fiton dialogun?

Kush është fituesi? Kosova, Serbia, të dyjat apo asnjëra? Konstatimi i Qeverisë është se Kosova po përfiton, mirëpo rezultatet tregojnë se vetëm 15 për qind e qytetarëve mendojnë kësisoj. Kjo përqindje përbëhet nga një numër i qytetarëve që marrëveshjen e MSA-së e shohin si një hap që Kosova ka bërë në raport me BE-në. Kësaj i bashkohet edhe minoriteti serb që megjithatë dialogun e sheh si hap drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Një numër i madh i qytetarëve, rreth 50 për qind, nuk do të pajtoheshin me konstatimin se Kosova po përfiton. Rruga për në BE po përshpejtohet për Serbinë, por jo edhe për Kosovën, e cila siç po shihet do të mbetet e stagnuar në këtë proces. Me Kosovën e mbetur jashtë regjimit pa viza të BE-së, dhe Serbinë në anën tjetër duke hapur kapitujt kryesorë në procesin e anëtarësimit në BE, qytetarët besojnë se Kosova po bëhet “trampolinë” e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.  

Nëse Qeveria e Kosovës dështon të pozicionohet fuqimisht kundrejt Serbisë, ekziston mundësia që provokime të tilla të përsëriten me qëllim të destabilizimit të vendit dhe defaktorizimin e Kosovës në arenën ndëkrombëtare.

Situata e krijuar në terren tregon qartë se dështimi i dialogut nuk është vetëm perceptim, qytetarët e Kosovës edhe pas gjashtë viteve nuk kanë arritur të shohin rezultatin e pritur të këtij procesi. Sot më tepër se kurrë kërkohet një konsensus i brendshëm politik në raport me dialogun, dhe një pozicionim më i fuqishëm ndaj Serbisë. Dështimi për të pasur një qasje unike mund të sjellë edhe më tej pasoja në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, por edhe të ketë implikime serioze në sigurinë publike në vend.

_______________

Dekonstruksioni i opinionit është i bazuar në përfshirjen e drejtpërdrejtë të autores në hulumtim në terren dhe në intervistat me të anketuarit dhe Edicionit Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë me Trendet e Perceptimeve të Publikut për Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë.

20 shkurt 2017
11:27

Donika Emini