Mjerimi i shoqërisë

22 janar 2017 13:26

Shpeshherë thuhet se shoqëritë tribale dhe demokracia mund të bashkëjetojnë shumë lehtë, e që kjo mund të jetë e vërtetë, por ama që demokracia në një shoqëri tribale shumë lehtë mund të shndërrohet edhe në mirëmbajtëse të këtij tribalizmi. Andaj jo rrallëherë tek shoqëritë e tilla, ku sistemi socio-politiko-ekonomik është mjaft fragjil, demokracia bëhet e kundërta e asaj çfarë është në të vërtetë. Për këtë është e kuptueshme se në shoqëritë patriarkale, zhvillimet janë mjaft të zorshme dhe kjo mbase ekziston pothuajse për të vetmin shkak, autoritetin, si pjesë inherente e tyre. Pra, shoqëritë patriarkale priren nga autoritarizmi, madje kjo është rruga e tyre e vetme. Në pamundësi që ta kenë efektshmërinë e tyre mbi bazën e një lirie të ndërvarshme, këto shoqëri synojnë autoritetin si një garant edhe i vetë ekzistencës së tyre.

Siç edhe është e njohur, këto shoqëri konservohen në zona sa më të ngushta manovrimi, për shkak që kontrolli të jetë sa më efikas. Sa më të koncentruara linjat e komunikimit, d.m.th., aq më e zvogëluar hapësira e veprimit apo e shprehjes së lirë dhe normalisht kontrolli bëhet më i lehtë. Madje në shoqëri të tilla insistohet pareshtur që të centralizohet pothuajse çdo gjë. Mirëpo, duhet ta qartësojmë një gjë, këto shoqëri patriarkale sot e ushtrojnë autoritetin ndryshe nga mënyra që e kanë ushtruar dikur, ama pikënisja, pra, fundamenti ka mbetur i njëjti, sepse autoriteti si dikur, ashtu edhe sot si qëllim parësor dhe të vetmin ka nënshtrimin e tjetrit.

Duhet theksuar atë që Hannah Arendt e potencon kur flet për autoritetin, sesi ai nuk duhet identifikuar me dhunën apo me mjetet e jashtme të detyrimit. Madje Arendt mendon se: “(...) atje ku përdoret forca, autoriteti ka dështuar”. Kjo paskrupulltësi që shpie tjetrin përherë në nënshtrim, origjinën e ka në gjendje neurotike apo neuroza, e që në këtë rast këto shoqëri do të njiheshin edhe si shoqëri neurotike. Prandaj, jo rastësisht shoqëritë patriarkale krijojnë edhe elita politike me hendikepe morale, për arsye se ato oscilojnë në mes të së shkuarës dhe së ardhmes. Për këtë ky konflikt i brendshëm që prodhohet nga gjendja neurotike si pjesë e shoqërive patriarkale, elitat politike i vendosin në pozitat e abuzimit permanent.

Shoqëria jonë dhe ajo ballkanike në përgjithësi janë me prirje autoritariste. Edhe pse, kushtimisht të themi, se jetojmë në fshatin global të McLuhan-it, prapëseprapë kjo shoqëri nuk ka mundur të çlirohet nga patriarkalizmi. Madje tek ne shoqëria dhe elitat politike janë në një marrëdhënie sado-mazokiste. Bile-bile kjo është e vetmja formë e të ndërtuarit raporte.

Një marrëdhënie të tillë e gjejmë të shtrirë në tërë trupin e mundshëm të marrëdhënieve ndërshoqërore. Si në familje, në kopshte, në qytet, në shkolla, në universitete, në politikë etj., pothuajse në çdo raport interpersonal dhe institucional a grupor, kemi një mënyrë shumë të çoroditur të ndërtimit të raporteve. Kjo mënyrë e të reflektuarit të individit që është e ndërtuar nën diktatin e shoqërisë patriarkale, është bërë nyja gordiane e karakterit të tij. Të akomoduar në mendësinë patriarkale, si kusur për këtë benifit kemi mundësuar elita politike të papërgjegjshme, ashtu siç jemi edhe vetë.

Mirëpo, ajo çka i dallon këto elita politike nga ne, nga shoqëria pra, është se nëpërmes fuqisë që pushteti ua mundëson, kanë krijuar rrjetin e klientelës, ku nëpërmes saj kontrollohen, survejohen dhe përvetësohen të gjithë sektorët e shoqërisë. Një kapilarizim i tillë i përmasave të përgjithëshme ka krijuar ndërvarshmëri hierarkike, ku secila hierarki në llojin e vet luan rolin dhe autoritetin që ka. Dhe tërë ky ‘pallat’ që tani funksionon nëpërmes kontrollit, po e riprodhon veten, e që kjo e komplikon situatën edhe më shumë.

Kur sistemi politik arrin në limitet e tij, ai fillon dhe krijon një gjendje status-quo-je, sepse pasiqë tërë kontrollin e ka shtrirë në shtatin institucional dhe shoqëror, një gjendje e tillë përbrenda këtyre rrethanave fillon dhe konsiderohet e natyrshme. Për një shoqëri kjo gjendje është pothuajse pika më e largët për të shpresuar në ndryshimin cilësor. Pothuajse edhe shoqëria jonë ka mbërri’ në një labirinth të tillë dhe ka kohë që punojmë për ta bindur veten se pushteti aq thellë e ka shtrirë autoritetin e tij, saqë mundësia për ndryshim është e krahasueshme me një ëndërr të bukur.

Në bazë të kësaj del se pushtetet e fuqishme nuk janë ato pushtete që dhunën e kanë si mjet (Arendt), por të fuqishme janë ato pushtete që autoritetin e tyre e shtrijnë duke krijuar ndërvarshmëri, e sidomos atë morale, mes individëve në njërën anë dhe pushtetit në anën tjetër. Kjo qasje sikur e çarmatos qytetarin nga dinjiteti i tij dhe e bën skllav të përmbushjes së nevojave normale të tij. Pra, një rrethanë të tillë ku qytetari vihet në pozitat falënderuese ndaj pushtetiit për ndonjë ‘benfit’ të ofruar nga ky i fundit, krijon ciklin e marrëdhenieve sado-mazokiste.

E gjithë kjo gjendje si fundament i vazhdueshëm ka në qendër korrupsionin. Pothuajse çdokush në çdo marrëdhënie si mbështjellëse ka forma të ndryshme të korruptimit. Një mënyrë e tillë për ne gati sa është bërë mënyrë e jetesës. Dhe sigurisht pas një periudhe korrupsioni depërton aq thellë saqë rrezikon edhe substratin e linjave vitale të shoqërisë. Një gjithëpërfshirje e kësaj natyre fillon dhe bëhet mendësi.

Korrupsioni transformon metodologjinë e synimeve që ka individi, i ravijëzon në linja më të shkurtra dhe që kjo pastaj krijon njeriun monstrum. Kurrupsioni i suprimon sentimentet e individit duke i zëvendësuar ato qoftë me pushtet, qoftë me dëgjueshmëri dhe nënshtrim, por që në secilin rast do të ketë çarje në identitet. Një çarje e këtij formati e nxjerr në pah tanimë gjendjen skizofrenike të individit. Një skizofreni e tillë është e pranishme edhe në shoqërinë tonë. Kohë më herët, por edhe tani çdo ditë shohim dhe dëgjojmë sesi arritjet e ndryshme në mënyrë korruptive si në profesion, në pozicione partiake, administrative, politike, arsimore etj., cilësohen nga shoqëria si zotësi.

Individët apo grupe të ndryshme që pasurohen në kësi lloj procesesh, bëhen shumë autoritar, sepse tanimë atyre u është rrënuar ndërgjegjja, si një nga vektorët e rëndësishëm të karakterit. Si pasojë e krejt kësaj lindin klane politike dhe ekonomike me natyrë mafioze. Kjo është edhe e pritshme, mbase vjen edhe natyrshëm e edhe domosdoshmërisht po ashtu, sepse i tërë kapitali i çfarëdo forme është i përfituar nëpërmjet delikuencave të ndryshme dhe që kanë nevojë për mbrojtje, siguri.

Mirëpo, çka ndodh me/për një shoqëri kur jeton në një gjendje të tillë çfarë u tha sipër këtij ekskursi? Prej shumë problemeve mendoj se dy elemente janë të rëndësishëm. Elementi i parë është se një shoqëri e kësillojtë nuk mund të shkëputet nga tribalizmi, madje vetëm sa e forcon edhe më atë, sepse secili me secilin janë në borxh dhe që pastaj të gjithë janë të varur nga pushteti. Për këtë Karl Popper-i thotë se: “Tribalizmi domethënë theksimi i skajshëm i rëndësisë së fisit, pa të cilin individi nuk është asgjë...”, e që kjo si me automatizëm krijon nepotizmin. Prandaj, po ta skanojmë një gjë të tillë më thellë, kuptojmë se shoqëria jonë është shoqëri me predispozita të theksuara tribale.

Kurse elementi i dytë, tranzicioni i sistemit politik, që ka për synim demokracinë, fillon dhe stërkeqet deri në pikën sa kjo e fundit bëhet mirëmbajtësi ma efektiv i tërë kësaj gjendjeje, sepse tani krejt këto negativitete defilojnë nën kolonën zanore të demokracisë dhe demokratizimit. Krejt në fund kjo ‘frymë’ aq shumë e pengon shtetin saqë e zhvendos deri në kufijtë e një disfunksionaliteti total. Për këtë duhet të kemi parasysh, sesi individë, pjesëtarë të kësaj shoqërie, me veprimet apo mosveprimet tona individuale mund të sjellin një gjendje të atillë deri edhe në mosfunksionimin e shtetit. Është me rëndësi ta kuptojmë se secili veprim që bëjmë prek (direkt apo indirekt) edhe nivelet më të larta të shoqërisë.  

22 janar 2017
13:26

Dritan Dragusha