19 janar 2017
14:34

‘Gjuha ka një karakteristikë të magjishme: kur ne flasim apo shkruajmë ne i japim formë asaj që kemi për të thënë për ta përputhur me situatën apo kontekstin me të cilin komunikojmë. Por, njëkohësisht, sesi flasim apo shkruajmë krijon pikërisht atë situatë apo kontekst’, - thotë Paul Gee. Në anën tjetër, Micheal Hoey e trajton tekstin si një ‘koloni’. Sipas Hoey teksti është një evidencë përmes së cilit ndërveprojnë një apo më shumë shkrues dhe një apo më shumë lexues, në të cilin shkruesit jo vetëm që e kontrollojnë ndërveprimin, por edhe gjuhën përmes së cilit zhvillohet ky ndërveprim.
Gjuha/Diskursi politik dhe juridik i përdorur që nga Marrëveshja e Rambujesë, Planit të Ahtisaarit, e deri te Marrëveshja 15 pikëshe nuk i ka dhënë vetëm formë statusit politik dhe juridik të Kosovës, por, njëkohësisht ka krijuar edhe kontekstin për adresimin e statusit të papërcaktuar politik të Kosovës. Kësisoj, tekstet/dokumentet e mësipërme, që nga Marrëveshja e Rambujesë e deri te Marrëveshja për Normalizim, kanë qenë dhe janë ‘koloni’ ku autorët e këtyre teksteve/dokumenteve e kanë kontrolluar përmbatjen dhe domethënien e formulimeve brenda tyre. Rrjedhimisht, të gjitha këto tekste/dokumente nuk duhet të lexohen në mënyrë dogmatike.
Autorët e këtyre teksteve/dokumenteve me kalimin e kohës kanë riformuluar interpretime të reja të këtyre teksteve/dokumenteve si rezultat i ndryshimit të kontekstit politik qoftë brenda Kosovës qoftë jashtë saj. Pra, varësisht prej kontekstit dhe kohës, autorët e këtyre teksteve/dokumenteve, shtetet e Grupit të Kontaktit, e kanë avancuar në mënyrë inkrementale pozitën dhe statusin e Kosovës, por pa i dhënë, edhe sot e kësaj dite, qartësi të plotë këtij statusi. Duke marrë për bazë rezistencën e Federatës ruse dhe Serbisë kundrejt projektit ndërkombëtar për shtetndërtim në Kosovë, Grupi i Kontaktit strategjizoi përmes formulimeve të dykuptimta/shumëkuptimta në tekstet/dokumentet mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës.
UNMIK-u nuk kishte një strategji dalëse nga Kosova. Si rezultat i kësaj, të gjitha politikat që ishin ndërmarrë nga UNMIK-u dhe Grupi i Kontaktit për të ndërtuar institucionet dhe paqen në Kosovë dhe menaxhuar si shpresën e shqiptarëve për pavarësi ashtu edhe frikën e serbëve nga kjo pavarësi, ishin formuluar përmes gjuhës së ‘ambiguitetit’. Sipas Drazen Pehar, ‘në mënyrë që një shprehje të kualifikohet si ambiguitet nuk duhet vetëm të gjenerojë ‘të paktën dy domethënie/kuptime të ndryshme’, por gjithashtu dy domethënie/kuptime të palidhura dhe të papajtueshme”. Vetëm atëherë mund të thuhet se një shprehje në të vërtetë është ambige’. Grupi i Kontaktit, e ka përdoruar gjuhën ambige diplomatike në të gjitha dokumentet e hartuar për Kosovën që nga Marrëveshja e Rambujesë e vitit 1999 e deri tek Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Kjo strategji vendimmarrëse ka synuar avancimin inkremental të statusit politik të Kosovës, duke e marrë parasysh kundërshtimin e Federatës ruse për të gjitha proceset në Kosovë: që nga ndërhyrja e NATO-s dhe vendosja e administratës së UNMIK-ut e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Duke qenë të interesuar që ta adresojnë çështjen e shkeljes masive të të drejtave të shqiptarëve përmes intervenimit ndërkombëtar (NATO-s) dhe zbarkimit të administratës civile ndërkombëtare (UNMIK-ut), shtetet e Grupit të Kontaktit stategjizuan që përmes instrumentit të ‘ambiguitetit kreativ’ t’i përmbushin tri qëllime. Së pari, ta zbusin kundërshtimin e fuqive të mëdha kundërshtuese të Kosovës, si Rusia dhe Kina. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, që pasoi pas Marrëveshjes së Rambujesë, shpërfaqte gjuhën e këtij kompromisi mes këtyre fuqive. Së dyti, të merrnin një përkrahje të heshtur të Beogradit për zbarkimin e strukturave e NATO-s dhe UNMIK-ut në Kosovë. Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës, e nënshkruar nga Republika Federale e Jugosllavisë dhe Republika e Serbisë me 3 qershor 1999, parashihte që forcat e KFOR-it, do të operonin pa pengesë në tërë territorin e Kosovës dhe do të ndërmerrnin masa për garantimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së treti, përmes këtij ambiguiteti konstruktiv, UNMIK dëshironte që të sigurohej që, pas zbarkimit të stafit civil të tij në Kosovë dhe krijimit të kornizës ligjore dhe mekanizmave administrative, serbët kosovarë do të përfshiheshin në institucionet e Kosovës.
Në gjithë tranzicionin e saj të shumëfishtë politik në Kosovë, që nga ‘Korniza Kushtetuese’, ‘Standardet para Statusit’, ‘Deklarata e Pavarësisë dhe Opinioni i GJND’ ‘Pavarësia e Mbikëqyrur’ (ndonëse pa një rezolutë të re të KS), deri tek dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shtetet e Grupit të Kontaktit e kanë përdorur strategjinë e ‘ambiguitetit kreativ’ për ta avancuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Përmes këtij ‘ambiguiteti kreativ’ u krijuan faktet politike në terren, u formuan institucionet e Kosovës dhe Kosova u bë një rast i i veçantë.
Në mënyrë që të pranohej nga palët, respektivisht nga delegacioni i Kosovës dhe nga Serbia, versioni përfundimtar i tekstit të Marrëveshjes së Rambujesë u formulua me një gjuhë të dykuptimtë në shumë prej formulimeve të tij. Në këtë tekst, në lidhje me aspiratat e popullit të Kosovës, thuhej se do të merret në konsideratë ‘vullneti i popullit’, ‘i autoriteteve relevante’, dhe, pas tri viteve, do të përcaktohet një mekanizëm për të përcaktuar ‘statusin përfundimtar të Kosovës’. Por, njëkohësisht, përmendej Akti Final i Helsinkut, që nënkuptonte se ndryshimet e kufijve do të duhej të bëheshin me marrëveshje. Këto jo vetëm dy formulime të ndryshme, por krejtësisht kontradiktore me njëra tjetrën.
Njëri prej juristëve më të vëmendshëm të kohës, i cili do të angazhohet edhe në proceset e mëpastajshme të kohës deri tek mbrojtja ndërkombëtare e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vuri re se në tekstin e Marrëveshjes së Rambujesë kishte shumë ambiguitet, duke e përdorur për herë të parë këtë term. Në vitin 2000, Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën, në një studim gjithëpërfshirës të detajuar mbi luftën në Kosovë, përdori togfjalëshin ‘ambiguitet konstruktiv’. Sipas këtij Komisioni ‘do të ishte më mirë që çështjet rreth të ardhmes [së Kosovës] të lihen në limbo, meqenëse një ambiguitet konstruktiv rreth të ardhmes politike të krahinës do të ishte element lehtësues për të gjitha palët që të tejkalojnë ngurrimin e tyre për të punuar së bashku’.
Edhe në Rezolutën 1244, si një dokument kompromisi i kohës, formulimet e dykuptimta dhe kontradiktore niseshin qysh në adresimin e statusit të pazgjidhur politik të Kosovës. Siç shkruan Chesterman, ‘disa zyrtarë të OKB-së kanë raportuar se Kouchner pretendonte se e lexonte tekstin dy herë në mëngjes dhe ende nuk kishte një ide se çfarë do të thoshte ‘autonomi substanciale’.’ Në njërën anë, kjo rezolutë i jepte mandat UNMIK-ut që promovoi autonomi substanciale deri në përcaktimin e statusit të ardhshëm dhe krijimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës përmes zgjedhjeve të lira, në anën tjetër, Rezoluta 1244 nuk e anulonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë mbi Kosovën. Këto objektiva kundërthënëse ishin përqeshur me një cinizëm të kultivuar nga shkollarë të fushës. Me fjalë të tjera, gjuha dhe objektivat e dykuptimta brenda Rezolutës 1244 të KS ishin pjesë e këtij ‘ambiguitetit konstruktiv’.
Marrëveshja e Rambujesë dhe Rezoluta 1244 e KS, si dy dokumente politike të kohës që shpërfaqnin gjuhën e kompromisit të fuqive perëndimore dhe Rusisë për ndaljen e luftës në Kosovë, nuk e adresonin statusin përfundimtar të Kosovës. Sidoqoftë, derisa në këto dy dokumentet e para riafirmohej sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës Federative të Jugosllavisë mbi Kosovë, Korniza Kushtetuese nuk përmbante asnjë referencë të vetme eksplicite për integritetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Megjithatë, ende mbetej e paqartë nëse Korniza Kushtetuese e parandalonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës ose e mundësonte atë.
Duke e lënë statusin përfundimtar pezull, edhe ‘standardet para statusit’, ngjashëm si me dokumentet e mëhershme - Rezoluta 1244 dhe Korniza Kushtetuese - ishin pjesë e një makropolitike, që nga Komisioni Ndërkombëtar për Kosovën quhej ambiguitet konstruktiv. Politika e standardeve nuk e precizonte nëse këto ishin ‘standarde për autonominë e Kosovës brenda Serbisë demokratike’, ‘standarde për zbutjen e administrimit ndërkombëtar’, apo ‘standarde për trazicionin nga një mision i OKB-së tek një mision i BE-së’.
Nga 1999 deri më 2008, Kosova është ballafaquar me një status të paqartë politik dhe një tranzicion shumëdimensional. Nëse tentohet që të shpjegohej qeverisja ndërkombëtare mbi Kosovën që nga viti 1999 deri më 2008, ndoshta tri fjalë mund ta shpjegojnë këtë qeverisje: Paqartësi, Paparashikueshmëri dhe Pasiguri. Paqartësia dhe mungesa e përcaktimit të statusit politik të Kosovë ka vonuar si proceset demokratizuese nga brenda, ashtu edhe investimet potenciale nga jashtë. Kjo paqartësi e statusit e ka shndërruar jetën politike dhe institucionale në Kosovë në një jetë të paparashikueshme dhe të pasigurtë si për shumicën shqiptare ashtu edhe pakicat në Kosovë.
Që nga 1999 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit kishin ndjekur një qasje të ambiguitetit konstruktiv në adresimin e statusit të pazgjidhur politik të Kosovës. Supozimi bazë i vendeve perëndimore që e kanë mbështetur intervenimin e NATO-s, më pas fuqizimin e institucioneve të Kosovës dhe, në fund, që e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, ishte se pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës do të t’i jepte fund këtij ambiguiteti dhe Kosova si një subjekt i ri ndërkombëtar do të gëzonte një status të qartë politik. Në këtë vijë të arsyetimit qenë parë të gjitha planet e BE-së dhe SHBA-së sesi do të qeverisej Kosova e pas pavarësisë, cila do të ishte shkalla dhe mënyra e përfshirjes së Bashkimit Evropian në fuqizimin e institucioneve në fushën e sundimit të ligjit, policimit dhe doganave dhe sesi Këshilli i Sigurimit përmes një rezolute të re do të legjitimonte Planin e Ahtisaarit me çka do të pushonin kontestimet potenciale për legalitetin dhe legjitimitetin e shtetit të ri.
Deklarata e Pavarësisë nuk i dha fund ambiguitetit politik në Kosovë. Ahtisaari në propozimin e tij gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës parashihte që pavarësia e Kosovës do të mbikëqyrej nga Zyra Civile Ndërkombëtare, kurse UNMIK-u si një mision i Kombeve të Bashkuara do të zëvendësohej me një mision të ri evropian në fushën e sundimit ligjit në Kosovë, EULEX-i. Pos pranisë civile, në propozimin e Ahtisaarit ishte rregulluar edhe prania ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Të gjitha këto misione ishin paraparë të vendoseshin dhe funksiononin në Kosovën e pavarur. Për shkak të kundërshtimeve të partnerëve të Serbisë, sidomos Federatës ruse, Plani i Ahtisaarit nuk ishte aprovuar në Këshillin e Sigurimit. Në këtë mënyrë, përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë për aprovimin e një rezolutë të re për Kosovën dhe zëvendësimin e Rezolutës 1244 të KS kishin dështuar. Rezoluta 1244 mbeti në fuqi, UNMIK-u vazhdoi prezencën e tij në Kosovë.
Republika e Serbisë dhe serbët kosovarë kushtëzuan çdo vendosje të EULEX-it në Kosovë sipas Planit të Ahtisaarit. Këta aktorë vendosjen e një misioni të tillë në Kosovë e kushtëzuan trefish: që EULEX-i të refuzonte të zbatonte Planin e Ahtisaarit, që zbarkimi i EULEX-it të bëhej nën ‘çadrën’ e UNMIK-ut dhe Rezolutës 1244 dhe që ky mision të mbetej neutral kundrejt statusit të Kosovës. Më 26 nëntor 2008, Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaroi se EULEX-i do të respektojë Rezolutën 1244 dhe do të jetë neutral karshi statusit të Kosovës. Ky nuk ishte kompromis sido. Ishte kompromis me sovranitetin e shtetit të sapolindur të Kosovës. Misionet e reja të zbarkuara në Kosovë qoftë për të mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, qoftë për t’i ndërtuar kapacitetet ligjore dhe administrative të këtij shtetit, u metamorfizuan thelbësisht.
Kosova ka nevojë për qartësi të plotë politike edhe në raport me organizatat dhe integrimet euro-atlantike, dhe në raport me Serbinë dhe serbët. Paqartësia nëse ky shtet është i përfunduar ose jo mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për Kosovën dhe rajonin e EJL. Nëse kjo paqartësi vazhdon, ekziston ankthi se Kosova mund t’i ngjasojë Gregor Zamzës të Franc Kafkës, ku papritmas e gjen veten të shndërruar në një ‘kandërr’ pas një gjumi të thellë e të trazuar. Kosova nuk mund të jetojë përgjithmonë në ankth. Në një Shtetankth. Një shtet që ka ankth për vetveten. Për ekzistencën e vet të tashme e të ardhshme. Bac, u kry! Bac, nuk u kry! Bac, do t’kryhet! Bac, s’do t’kryhet!
19 janar 2017
14:34