"Lopa" në gjuhën e "argumenteve të forta"

09 janar 2017 16:32

Asht ba tash si rregull që mas çdo ofendimi publik në teatrin e politikës, me vijue nji ofendim edhe ma i madh në formë të kërkimfaljes ose/dhe tërheqjes së fjalëve. Rri e prite. Pak a shum në stilin Grabovcian: “ups, më fal që më ke ndi”. S’ke ndryshe edhe në rastin e fundit, ku ofendimi që Kurteshi i bani Hoxhës, nuk përfundoi me “lopë”.

Kur po ia nisin me “kërkue” falje a me i “tërheq” fjalët e thanuna e me i “korrigjue” me naj fjalë tjetër, këtu tani vjen në shprehje ofendimi i vërtetë që çifti i Kurteshit ia ban jo veç personit të adresuem, por krejt popullit, sepse ose na llogarisin krejt injorantë ose nuk ua ndien hiç fundi i fundit se çka mendojna për ta. E kur nuk ua ndien çka mendojna për ta, kjo në vetvete tregon shum për raportin e tyne me ate çka ata pretendojnë që janë të zot me e ba (politikën) dhe për raportin e tyne me neve si votues potencial.

Por, jo ma pak, gjuha që politikanët përdorin në komunikim me njani tjetrin por edhe me neve, tregon diçka edhe për raportin e tyne me perceptimin e forcës të vetës si qenie, si burrë, si pushtet, si opozitë, si pretendues të fronit. 

Shpërthim emocional

Problemi i vërtetë në këto shpërthime “emocionesh” nuk asht që nji grue adresohet si “lopë”, por që zakonisht veç nji grue adresohet me nji emërtim kafshe e burrat në rastin ma të keq kanë me i thanë njani tjetrit: “hajn; injorant; mafi; tradhëtar; kriminel;…”. Kahnjiherë edhe “peder”, me demek: “ti s’je burrë”. “Çburrnimi” si ofendim.

Po pra, në botën e burrave, ka burra dhe burra. Nëse nuk e keni ditë, lexoni fushatën e fundit të OSBE-së që fton burrin me u ba burrë dhe vini re thojzat në shkrime të ndryshme ku flitet për burra të këqinj, aty keni me pa që burrat janë të mirë, me konë burrë në vetvete asht e mira, e krejt ata që s’janë “të mirë” në fakt nuk janë burra, por mujnë me u ba burra. “Çburrnimi” në formë të “pederit” ose thojzave nuk asht i përjetshëm, vjen veç si vlerësim i nji sjelljeje konkrete, vjen si shpërthim emocionesh burrnore. Por, rehabilitohet.

Pa hy ma thellë me e diskutue diskriminimin e fjalës “peder” dhe çka kjo na tregon se ku jena na kështu me demokracinë, po konkludoj vetëm kaq: jemi laaaaaaaaarg!

Ndërsa, çka “lopa” nënkupton përnime në këtë rast, po them veç kaq nji herë: lopa pjell edhe jep tamël, dhe “mendimi i saj mbi diçka asht muuuuuu” dmth. s’ka randësi (burimi: seriali “Friends”). Grueja gjithashtu “pjell” dhe “jep tamël”. E mendimi i saj zakonisht po asht veç kuotë. Kështu shihen gratë dhe mendimet e tyne tek na në politikë. Muuuu!

Zotnimi

Burrat tanë në politikë tashti ma e kanë zotnue përmbajtjen që i ban me u dokë si demokratë dhe ata e dinë që me u dokë si “demokrat” në politikë asht e mjaftueshme për marrëdhanie të brendshme e të jashtme me publikun dhe me donatorët. Se ndërkohë edhe ata e kanë mësue që ekziston diçka si “korrektësia politike” dhe kjo me përkthye shkurt i bjen: nuk i thuhet nji grueje krejt çka menon për te, veçanërisht jo nëse çka mendon për te asht brum i thellë i pushtetit tand mbi te si gjini. Prandaj, kur megjithatë “u rrëshqet naj lopë prej gojës” duhen shpërthimet emocionale si justifikim, sepse nën emocione të forta njeriu nuk asht krejt vetja. Gabim!

Njeriu nën emocione të forta mundet me reague ndryshe, mundet me thanë diçka që në nji gjendje ma të qetë emocionale nuk kishte me e thanë, mirëpo gjuha që del në pah emocionalisht në raste të tilla asht po aq pjesë e raportit të njeriut me botën dhe ai asht përgjegjës (duhet me qenë) për gjuhën që zgjedh pavarësisht sa shum i „vlojke“ gjaku.

Bile bile në rastin e grues, dhe ofendimeve që bahen ndaj saj, e dhunës që ushtrohet ndaj saj, janë pikërisht këto turbulenca emocionesh që po e nxjerrin në pah gjykimin patriarkal të burrave e të shoqnisë në përgjithësi, dmth. edhe të grave për aq sa vlen, ndaj grave. Emocionet vlojnë thellë, po aq thellë ku asht rrajësue patriarkalizmi.  Për këtë arsye shpesh dalin bashkë në sipërfaqe. Kahnjiherë dalin me fjalë, kahnjiherë me grushta, kahnjiherë përfundojnë në përdhunim. Dhe dalin e nuk çojnë shum peshë, sepse patriarkalizmin e ke gjithkah dhe sepse patriarkalizmi si kulturë e nji shoqnije asht e përvetësueme prej burrave e grave njisoj, në forma të ndryshme, por njisoj dhe përderisa rezultatet e këtij patriarkalizmi po bajnë “hedllajns” të mirë për lajme, ma shum se tre ditë nuk po i mbijetojnë heshtjes kolektive. Janë nji grusht njerëz, gra e burra, ma shum gra, ata që po tentojnë me e ba ndryshimin e me e luftue këtë fenomen. Nji pakicë, qyshdokoftë.

Gjuha që përdoret për me i dhanë kuptim botës tonë asht psikologjike dhe duhet me ia vnue veshin mirë. Gjuha na mëson diçka për raportet e njerit ose të nji grupi me forcën ose nënshtrimin e nji njeri ose grupi tjetër. Përmes gjuhës dalin në pah bindjet e vërteta, disa prej të cilave, tash që jemi ba ma të “vetëdijësuem”, e qysh mos me u ba me gjithë ato trajnime vetëdijesimi që na kanë mbajtë “nërkomtarët”, jena ba të zot me i mshefë. Por ama, bindjet bahen shprehi, e shprehitë po na tradhtojnë falë edhe emocioneve, por emocionet nuk guxojnë me u tolerue ma si justifikim. Boll!

A me reagu a mos me reagu asht pytja 

Nuk po asht e lehtë me e mbrojtë nji grue në politikë prej sulmeve seksiste e patriarkale prej nji burri, veçanërisht kështu kur ma së pari atë grue po e sheh si politikane të filan kampit partiak. Na kanë ardhë partië në maje të hundës. Mue po. Fundi i fundit, gratë tona në politikë mirren me politikë ma shum a ma pak me ambicie thuej se të njëjta partiake sikur kolegët e tyne burra. Dhe kjo asht në rregull. Por, kahnjiherë po e kam përshtypjen, që shum prej deputeteve tona janë "budallica". Mbi të gjitha sepse, unë po mendoj që ato nuk po e kuptojnë që përballë sulmeve seksiste prej kolegëve të tyne burra, kur sulmohet njana, sulmohen të gjitha, pavarësisht partisë. Sinqerisht, unë nuk mendoj që ato përnime janë budallica, ose qaq "budallica" qysh doken kahnjiherë, së paku jo ma shum se kolegët e tyne burra, por ato po tregohen shpesh të tilla, sidomos përmes pafuqisë që po e shfaqin tue u sillë si shërbyese të burrave që “i kanë pru” aty, e sikur nuk kanë kanë mrri vet kurrkund (që asht e vërtetë kjo për plot gra deputete, asht.) qoftë për me e përmbush nji kuotë demokratike, qoftë për shkak të nepotizmit që njerëzit në Kosovë e shajnë si fenomen, por ama veç kur ata vet nuk mujnë me hy në punë najkun me të njofshëm.

Nji numër i konsiderueshëm i grave tona në kuvend edhe vet mbajnë bindje patriarkale.  Kjo asht nji prej arsyeve pse rrallë e hiç i sheh tue fol njizani të bashkueme.  Ato vet shum rrallë e kanë të qartë sa e randësishme asht pozita e tyne në kuvend për barazinë gjinore e sa i randësishëm asht zani i tyne në këtë shoqni, pavarësisht partisë cilës i shërbejnë. Mos t’kish qenë kështu, tjera skena kishim me pa në kuvend kur nji grueje dikush kish me iu adresue me „lopë“, ose „ta shti gishtin në gojë“ ose „ma hangsh“.

Nji numër i madh i grave deputete (për aq sa vlen edhe i burrave) po shuejn përballë burrave të partisë të tyne e po reagojnë kundër diskriminimeve gjinore vetëm atëherë kur iu konvenon si parti. Kur them “konvenon”, mendoj natyrisht: shfrytëzimin “e lopës” si politikë partiake. Politika kosovare asht politikë partiake. Partia mbi të gjitha. Natyrisht edhe mbi çashtje gjinore. Ma së pari mbrohet partia, ndërsa çashtja gjinore shfrytëzohet, atëherë kur i konvenon, jo grave, por partisë, e partitë natyrisht burrat i kanë shefa. Në përgjithësi shefat në këtë shoqni janë burra. A e keni vërejt?

Me reagu

Duhet me e theksu që kur nji politikane, budallicë a jo, sulmohet me fjalor seksist prej nji burri (ose grueje) asht e randësishme me reagu, sepse seksizmi asht gjuhë që sulmon gruen si gjini, jo si ushtruese e nji detyre konkrete.

Natyrisht me reague tue i nda këto dyja mirë, tue e ba të qartë që nuk e mbroj budallicën, që “zhë sui jo budallica.” por ama si grue, “zhë sui çdo grue” asht gjithashtu e randësishme, sepse kena nevojë për gra në politikë, por ma shum se kaq kena nevojë për gra të dituna e të zoja në politikë (vlen edhe për burra, për aq sa vlen). Budallakitë e kurrkujt s’kena nevojë me i pranue as në emën të çashtjes gjinore.   

Kur politkanet tona NUK luftojnë për të drejtat e grave me determinim e pakompromis që kërkohet në çdo luftë për drejtësi e barazi, e nuk janë në gjendje me e pa këtë çashtje jasht interesave partiake dikush duhet me e ba këtë luftë, sepse dajakun ma të vrazhdë të diskriminimit gjinor e hajnë ashtu kështu gratë tjera, gra që nuk janë deputete e nuk e kanë lluksin ekonomik të mëditjeve e rrogave; gra që “nuk kanë za” hiç e që nuk kanë parti mas vetës e cila kishte me e shfrytëzu sulmin ndaj tyne si çashtje për sulm politik ndaj kundërshtarëve, ku mbrojtja e grave bahet veç si strategji mediale për krijim të imazhit si shpresë alternative politike, pa fije sinqeriteti, kuptohet.

Dyqysh, po më vjen mirë që po dëgjojmë burra që u adresohen grave me “lopë” ose u betohen që kanë „me ia shti gishtin në gojë“, shpresoj që shpërthejnë kështu edhe tutje, aq gjatë sa të jetë e nevojshme, sepse kjo asht gjendja reale mendore e emocionale e shoqnisë tonë patriarkale. Mirë asht kur del në sipërfaqe ashtu qysh vlon e gjallë me shekuj nën te. Kur nuk u thojnë grave “lopa”, dijeni që janë tue u përmbajtë. Sepse, përmbajtjen po ju vjen shum ma lehtë me mësue. Shum ma vështirë asht me i ndryshue bindjet me të cilat janë përkund në djep. Ndër të tjerash edhe sepse u mungon motivi me ndryshue përnime. A pat najherë ndëshkim? Jo.  Përmbajtja po u mjafton me na bind neve që ata “kanë ndryshue”. 

Bindjet natyrisht nuk ndryshohen lehtë, veçanërisht jo, kur konsekuencat e vetme ndaj bindjeve diskriminuese që shprehen përmes fjalorit ose veprës janë reagime në Facebook, e eventualisht, eventualisht naj protestë partiake dhe naj kërkimfalje idiotike që të nënçmon edhe trefish ma shum sesa ofendimi për çka kërkohet falje në radhë të parë.

Hipokrizia e organizatave në mbrojtje të grave; në mbrojtje të të drejtave të njeriut etj. rreth asaj se a me reagu a mos me reagu në sulme të tilla ndaj grave ose grupeve tjera të diskriminume në shoqni asht tani problem në vete, e asht ma pak problem i asaj se a me reagu për çdo rast individual, se sa asht problem i cilësisë dhe nivelit të reagimit në kuptimin e udhëheqjes së nji diskursi publik që i mbijeton ma gjatë gjumit apatik të shoqnisë kur asht fjala për tema të tilla “tre-ditore”.  Reagimet po e kam përshtypjen që kahnjiherë po bahen me kalkulim të pëlqimeve në Facebook, dhe në raste tjera po janë ma shum snobizëm sesa aktivizëm mirëfilli. Kjo vërehet kur për “lopat” e njanës parti njerëzit shuejn, e për “lopat” e tjetrës paradojnë sheshet e Facebookut. Ky selektim diskriminues i mbrojtjes së “lopave” vihet re ma së shumti në ndarjen e kampeve partiake përgjatë “kufinit” pozitë dhe opozitë. Ndoshta motivi i brendshëm këtu asht “ për inati të nuses më dektë djali”. Nuk e di.

Qyshdokoftë, me reagu kundër trajtimeve të tilla diskriminuese e ofenduese ndaj grave nuk asht detyrë e rezervume vetëm për organizatat jo-qeveritare, me reagu ndaj nji padrejtësie e kundër nji mendësie të tillë të ultë sikur që asht mendësia patriarkale, mundet secili që beson në drejtësi. Po them mundet, në kuptimin e: mundet, asht e mundshme, nuk asht e vështirë. Në fakt asht shum lehtë, nëse e ke kuptue dhe e beson që ti nuk je epiqendra e botës. Drejtësi ose ka ose s’ka për të gjithë. Nëse ka veç për ty, atëherë drejtësi s’ka.       

Asht e randësishme me e theksue, që kur flasim për përdorimin e gjuhës diskriminuese ndaj nji individi, apo nji grupi njerëzish në bazë të gjinisë, apo etnisë, apo orientimit seksual etj.  nuk jemi tue folë për nji fjalë këtu e aty, jemi tue folë për ate çka ato fjalë përfaqësojnë në kontekstin e raportit të forcës së nji njeri apo grupi njerëzish mbi nji tjetër njeri apo grup njerëzish. Pra jemi tue folë për “lopën” dhe gruen, aq sa jemi tue folë për “maxhupin” dhe romin në të njëjtën kohë.  

Gjuha e forcës dhe forca e gjuhës

Forca artikulohet ndër të tjerash edhe përmes gjuhës. Në fakt, ma së pari përmes gjuhës. Qoftë kështu në sisteme të ndryshme diktatoriale, tue fillu prej ngritjes në pushtet të tiranëve, qoftë në marrëdhanie shoqnore diskriminuese ndaj nji grupi apo individi në sisteme pseudo-demokratike, sikur kjo e jona.

A e keni pa sa pare investohen në fushata zgjedhore në sllogane, fjalime etj.? Fushatat zgjedhore bahen me gjuhë. Gjuha asht armë. Në përgjithësi në të gjitha raportet ndërnjerëzore gjuha asht instrument i randësishëm i artikulimit dhe themelimit të forcës por edhe i mirëmbajtjes e jetëgjatësisë së nënshtrimit brenda nji shoqnije. Gjuha vendosë kufinjtë e raportit ndërnjerëzor. Gjuha krijon botëkuptime dhe kuptime për “të vërtetat” që u servohen njerëzve. Mujna edhe me thanë që gjuha krijon “të vërteta” s’ka lidhje sa të rrejshme janë ato.

Asht e randësishme me e kuptue gjuhën e forcës: p.sh. „ta shti gishtin në gojë“; por, po aq e randësishme asht me e kuptue forcën e gjuhës: p.sh. „hienë e cila kultivon kurvëri politike“; „lopa që kullosin fonde“, „njerëz me bishta“, etj. Dhe nuk asht veç formulimi ai që jep indikacion për forcën që ushtrohet këtu përmes gjuhës ose/dhe si gjuhë,  por asht pozita e gojës, besa edhe gjinija që e formulon këtë gjuhë; vendi ku artikulohet; audienca para cilës artikulohet; reagimi që merr ose nuk merr si pasojë si dhe prej kujt e merr ose nuk e merr këtë reagim ajo që i jep kuptim dhe legjitimitet forcës që ushtrohet e perceptohet këtu.  

Gjuha si armë në duer të të fortit asht nji vegël përmes të cilës i forti qartëson raportin e tij me pozitën e të nënshtruemit ose/dhe vendos rregullat e nënshtrimit përmes pushtetit të tij mbi te, koftë ky nji pushtet arbitrar apo dhe ma kompleks se kaq, që vjen në shprehje përmes ofendimeve publike, propagandës e retorikës manipuluese populiste. Qëllimi kryesor natyrisht asht me mashtrue masën, tue i folë masës e jo individit. Populizmi e ka zot faktin që “masa nuk mendon”. Gjuha si opium për masat.

Prandaj përderisa fjalori seksist e diskriminues ndaj grave asht fenomen e na tregon ma shum se që dëgjohet prej nji fjale aty a këtu, asht interesant me e konsiderue që najherë ofendimi ndaj nji grueje edhe mundet mos me qenë qëllimi kryesor i komunikimit në vetvete, por asht megjithatë artikulim i forcës së burrit mbi gruen si gjini dhe në shum nivele asht ushtrim pushteti edhe atëherë kur vjen si shpërthim emocioni.

Në nji gjuhë ku grueja nuk asht njeri, e „nji njeri“ automatikisht nënkuptohet si „nji burrë“, nuk asht fjala këtu ma për nji lopë. Por për forcën e burrit mbi „lopën“ dhe të gjitha „lopat“ tjera. Nuk asht fjala këtu për “nji hienë” që po e “kurvëron” politikën. Por për forcën e gjuhës me gjykue me autoritet patriarkal mbi moralin e grues në politikë në përgjithësi.

Gjuha qysh mundet me qenë instrument i artikulimit e ushtrimit të forcës në duer të patriarkatit, mundet me shërbye natyrisht edhe si instrument me luftue kundër nënshtrimit, kundër dhunës e diskriminimit që rrjedh po prej kësaj bishe. Pra, mundet dhe duhet me shërbye si forcë për ndryshime pozitive në shoqni. Gjuha si forcë mundet me shërbye për çka njerëzit vendosin që dojnë me ndërtue me te, e ndoshta forca ma e madhe e gjuhës asht që ajo mundet me i ndryshue njerëzit. Liria e shum grupeve të diskriminume në shoqni, por edhe e grave në këtë rast, ka fillue me gjuhë dhe jo veç tue kërkue drejtësi, por tue e definue drejtësinë që kërkohet me presje e pika.

Por ama, duhet me pasë parasysh që për me pasë forcë gjuha në ndryshim të nji kulture, ajo duhet edhe me u ndëshkue seriozisht kur asht diskriminuese e gjykuese moralisht, sikur që asht gati çdo herë në rastin e grave tona. Me randësi asht mos me shuejt, e mbi të gjitha debati me zgjatë ma shum se tre ditë.

Rreth patriarkalizmit asht e ranësishme me i theksu përmes gjuhës dy sene fillimisht. Nën nji: diskriminimi gjinor nuk asht çashtje e grave. Asht çashtje e njerëzve. I përket të gjithëve pavarësisht identitetit gjinor. Pikë.

Dhe  e dyta: tue qenë se gjuha asht instrument force, e kena obligim me e përdorë gjuhën për me kërkue llogari  dhe me e kundërshtue gjuhën patriarkale pavarësisht a shprehet si “lopë”; “ta shti gishtin në gojë”; “ma hangsh”; apo qyshdo tjetër.

Qe disa shembuj qysh mujna me përdorë forcën e gjuhës me e luftue patriarkalizmin, tue u pajtue fillimisht që në luftë kundër patriarkalizmit neve na takon me krijue “të vërteta të reja”, me fjalë tjera me i shkund konstruktet e vjetra dhe me i ndërtue të reja sa i përket rendit dhe kuptimit të njeriut e lirisë së tij në shoqni:

 - Burrat e vërtetë e të pavërtetë nuk ekzistojnë. Ekzistojnë burrat. 

- Djali kan dhe në rregull asht me kajtë, loti nuk ia zhdukë pecin.

- Patriarkalizmi asht dominim i burrit (mbretit) mbi gruen (popullin) në të gjitha aspektet e raporteve shoqnore mes njerëzve dhe na përket edhe grave edhe burrave njisoj.

- Patriarkalizmi si dominim i fuqisë së burrit mbi gruen nuk shprehet vetëm përmes dhunës, por edhe përmes “mbrojtjes së grues” (nera; fëtyra; virgjiniteti), bile bile edhe dashnisë dhe merr krahë përmes turpnimit dhe heshtjes që i mësohet asaj qysh në fëmijëni (virgjiniteti;fëtyra; nera).

- Patriarkalizmi asht nji sistem i rregullave që shkaktojnë padrejtësi të madhe në shoqni. Theji!

- Patriakalizmi asht budallaki që i kushton shtrenjtë ekonomisë së nji vendi. Refuzo me e pague!

- Burrat nuk kanë të drejtë me “iu bashkangjitë” çashtjes për të drejta të grave e barazi gjinore, por duhet me e pasë nevojë njerëzore dhe obligim. Këtu fillon barazia. 

09 janar 2017
16:32

Ardiana Shala Prishtina