Njeriu i indinjuar

24 dhjetor 2016 13:37

Letërsia është zhgënjimi i njeriut, i shprehur si art. Ajo na jep mundësi që të çlirohemi nga komplekset. Ajo nuk na lë të na mbulojë pluhuri i harresës, prandaj, është klithja kundër harresës. Letërsia është e sotmja e cila rrëfen për të nesërmen, për të cilën jemi brengosur dje. Ajo insiston rrëfimin, në estetikën e rrëfimit, në makthin e tij. Letërsia përshkon skutave të errëta të ndërgjegjes njerëzore, të brishtësisë, të zemrimit, dashurisë, fajit etj. Pra, ndërgjegjja e njeriut është përherë në ankth dhe letërsia insiston të jetë skriba e këtij ankthi. Një formë të re, një zhbirim të tillë e bën edhe regjisori James Schamus në filmi Indignation, që është i bazuar në librin me po të njëjtin emër të shkrimtarit amerikan Philip Roth (ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe me titullin: Inati). Regjisori James Schamus në një mënyrë sa të thellë po aq estetike e shtrin në shiritin filmik indinjatën e Roth-it. Për më tepër mendoj se Schamus duke e ekranizuar librin e Roth-it, ai do të krijojë po ashtu diça që gjithsesi do t’mbartë me vete një origjinalitet.  

Ishin vitet e ’50-ta, ku shoqëria amerikane po kalonte një krizë të thellë. I riu Marcus Messner, është biri i një kasapi hebre. Ai është i rritur në një familje me rregulla strikte. Gjithçka është nën kontroll..., sidomos Marcus-i. Nga frika se do ta humbë, babai i tij gjatë gjithë kohës Marcus-in e mban nën survejim. Një kontroll kaq i rreptë djaloshin e irriton. Pasi që lufta kishte filluar dhe kërkoheshin që të rinjtë të angazhoheshin në të, ‘kasapi’ vendos që Marcus-in ta dërgojë në universitet. Meqenëse ishin një familje hebreje, vendosin që djalin ta regjistrojnë në një universitet ku rregullat janë shumë rigoroze. Që në fillim Marcus-i shpejt do të ballafaqohet me pakënaqësitë kulturore dhe shtypjen seksuale. Me të mbërritur në dhomën ku i ishte caktuar paraprakisht, Marcus-i gjen edhe dy studentë, po ashtu hebrenj (jo rastësisht), me të cilët nuk gjen mirëkuptim dhe shumë shpejt detyrohet që ta gjejë një dhomë tjetër. Që në ditën e parë e kupton se duhet të shkojë në faltore për ta dëgjuar fjalimin e Dekanit, gjë e cila e habit. Madje nga kolegët e tij i bëhet me dije se pjesëmarrja në këtë ngjarje është kushti për të diplomuar. Mirëpo, si karakter i ndrojtur që ishte, Marcus-i nuk pranon t’i nënshtrohet një forme të tillë. Studimi i pandërprerë e bën sa kokëfortë po aq edhe rebel. Edhe pse është nga një familje hebreje, e përkushtuar ndaj hyjnores, i riu Messner është një ateist i vetëshpallur. Ateizmin e tij, Marcus-i e mbështet në teorinë e Bertrand Russell, pikërisht tek eseja i tij, Pse unë nuk jam një i krishterë?   

Mbase një ndër skenat më të fuqishme në film është debati me dekanin e kolegjit, Dean Caudwell, i cili kërkonte nga Marcus-i që t’i ndjekë lutjet e mëngjesit. Mirëpo, si ateist që ishte, Marcus-i kundërshton fuqishëm pjesëmarrjen e tij në shërbesën e kapelës. Për Dekanin edhe përkundër se Marcus-i është ndër më të shkëlqyeshmit në mësime dhe po ashtu i sjellshëm, këto nuk përbëjnë ndonjë rëndësi, karshi faktit që Marcus-i nuk i ndjek ritet fetare që i kërkon kolegji i Dekanit. Debati tensionohet kur Dekani insiston të ‘dijë’ se për ç’arsye Marcus-i nuk e praktikon fenë dhe përgjigjja e këtij të fundit pa asnjë hamendësim është: ...sepse nuk kam preferenca që ta praktikoj asnjë besim. Mbase në këtë pikë Dekani si me një dashamirësi prej Jezusit (sic), kërkon ta dijë se kujt i lutet Marcus-i, prej nga e merr ai ushqimin shpirtëror. Pra, Dekani dëshiron të dijë se ku mbështetet i riu Marcus? Ku e gjen ai ushqimin shpirtëror? Sepse ta kemi të qartë, pushteti, në këtë rast shkolla, çdoherë brengoset për ne. Ajo brengosje nëse kemi deficite në melmesat për ta ushqyer shpirtin?! Siç shprehet Foucault se: Shkolla ka funksione sociale të njëjta si burgjet dhe institucioneve mendore që shërben për të përcaktuar, klasifikuar, kontrolluar dhe rregulluar njerëzit. Pra, shkolla është një nga levat për mirëmbajtjen e pushtetit. Dekanin e shqetëson fakti, pra jashtë mase e shqetëson ‘izolimi’ i Marcus-it dhe ai është këmbëngulës që atë ta socializojë, d.m.th., ta bëjë të dëgjueshëm..., pse jo edhe të besojë. Mirëpo, pozicionet argumentative të Marcus-it nuk janë vegime të një aventurieri. Argumentet e tij janë shpirti i karakterit të tij, janë bota e tij..., janë vetë ai.

Po ashtu, filmi trajton edhe marrëdhënien e Marcus-it me Olivia Hutton, ndaj së cilës ushqen sa një dashuri të fuqishme, po aq edhe një pasiguri të madhe. Dashuri, sepse ishte hera e parë që po krijonte marrëdhënie me një vajzë, dhe pasiguri, sepse në të njëjtën kohë ndihej i vetmuar në kolegj dhe në anën tjetër sjelljet e Olivias e friksonin se do ta humbiste. Duke marrë parasysh se Marcus-i kishte dashuruar vetëm njëherë dhe ajo ishte Olivia, raporti i tij me atë u bë shumë sensitiv. Marcus-i çdoherë ka një ndjenjë se Olivia nuk është vetëm e dashura e tij. Ai mendon se ajo është një e përdalë, në të cilën ky është dashuruar marrëzisht. Bile ndodh shpesh në një marrëdhënie të tillë të ndërtohen ngrehina imagjinare, vetëm dhe vetëm se në një rast na është krijuar një përshtypje negative. Dhe çuditërisht ky moment sa i çuditshëm, po aq paradoksal e përshkon pastaj tërë marrëdhënien e caktuar. Kur Marcus-i i kërkon Olivias që të rrëfejë për babain e saj, ajo acarohet përnjëherë. Një acarim i tillë i saj lë të kuptohet se i kërkohet të rrëfejë për pozicionin incestual. Këtë Marcus-i e nënkupton, bile-bile edhe duart e prera në kyç që transmetojnë një tentim vrasjeje në të kaluar e mirëkupton. Por, e ëma e Marcus-it i kupton ndryshe. Të prera në atë mënyrë asaj i kujtojnë një veprim të lig, e që mbrapa këtij veprimi fshihet një ngjarje e ndyrë. Kaq është horizonti i së ëmës, sepse kaq ishte dhe është horizonti i të kuptuarit edhe i shoqërisë. Nuk ka lidhje sesi dhe çfarë drame të ka ngjarë ty. Ajo që ka lidhje janë filtrat e shoqërisë sesi e nxjerrin këtë. Përshtypja e shoqërisë bëhët gjykimi për ty. Rregulli që ajo ka ndërtuar bëhet burgu yt, vdekja jote. Pasi që e ëma i kërkon që të ndahet nga Olivia, ose në të kundërtën e ajo do të divorcohej nga babai i tij. Marcus pothuajse e humb vullnetin për të jetuar.

I gjendur në situata paradoksale, përballë një shoqërie e cila për hir të mosprishjes së rregullave, shkatërron çdo marrëdhënie individuale. I përballur me mediokrritetin të veshur me pushtet, Marcus-i vendos që të shkojë në luftë. Ai nuk dëshiron të shkojë të luftojë, sepse ai nuk e kishte zgjedhur këtë, është shoqëria me idiotësitë e saj që e vendos në një pozicion të tillë. Prandaj, lufta për të nuk ishte në Kore (atje edhe ku zhvillohej realisht), sepse atje nuk ishin armiqtë e tij, madje as këtu nuk kishte (në kolegj) nuk kishte armiq, për më tepër nuk kishte armiq fare. Për këtë ai nuk shkoi në luftë për të vrarë. Ai vendos të shkojë në luftë që të vdiste, pasi që rrethi ku jetonte tanimë e kishte vrarë. Çkuptimsimi i ekzistencës së tij e bën të pakuptimtë jetesën, andaj dhe duhej dhënë fund.

Filmi Indignation na tregon fuqinë që mbart me vete letërsia. Ashtu sikur filmi ka fuqinë e imazhit, letërsia ka fuqinë e rrëfimit. Mbase, pothuajse askush tjetër si letërsia nuk ka ditur që t’i japë aq shumë formë shpirtit njerëzor. Madje, është e vërtetë kur T. S. Eliot thoshte se: Qëllimi i letërsisë është që ta kthejë gjakun në ngjyrë.

24 dhjetor 2016
13:37

Dritan Dragusha