Në PISA katastrofë, por qymyri i Kosovës asht ma i miri në botë

19 dhjetor 2016 11:08

Ka mënyra të ndryshme me u marrë me të kalumen. Por rruga që nji shoqni zgjedhë asht ajo që ia përcakton të ardhmen. Na zgjodhëm nji rrugë plot krime.  

Rezultatet e testit PISA, në të cilën Kosova morri pjesë për herë të parë në testimin e vitit 2015, nuk mujna me thanë që po na çuditin, megjithëse nashta në heshtje në vete kemi shpresu që s’jena edhe qaq keq. E po, jena keq, jena qaq keq, jena shum keq.

Mujna me nxjerr konkludime të ndryshme, varësisht me kend dojna me u krahasu, por nëse e shohim rezultatin prej perspektivës të së ardhmes që synojmë dhe të rrugës të cilës kemi ba deri këtu në emën të dijes, atëherë rezultati asht katastrofë dhe çdo tendencë me e zbutë asht gabim.

Pra, para krejt tjerave, na duhet me e pranue që jena keq, jo pse jena numër qikaq a qaq, por sepse nuk jena aty ku po dojna me qenë. Pikë.  

Fëmija jonë, me vite tashti po shkollohen në nji sistem që nuk po ua mëson as leximin qysh duhet. Mos të flasim për tjera. E këta fëmijë janë ba mjekë, janë ba akademik, janë ba mësues, janë ba avokat, çka kanë mujtë janë ba. Dami realisht asht ky që ata janë ba „diçka“, ndërkohë që s’janë ba kurrgja, sepse në mungesë të nji sistemi të mirëfilltë, e në mungesë të shkollave profesionale e alternativave tjera, atyne kurrë nuk iu dha nji shansë me u ba diçka që kishin me ia pa hajrin ata dhe shoqnia ma shum.   

Me rezultatet e testit PISA, nuk mujna me u tronditë, mujna me u ba kishe po tronditemi, por tue e pasë parasysh që e kemi dijtë, e edhepse teoretikisht mundesh me u troditë prej nji lajmi të keq edhe kur e pret, prap në këtë rast tronditja asht veç dramë, dhe jo e natyrshme. Qyshdoqoftë, me u tronditë me zor s’mundesh, veç mundesh me u ba kishe po tronditesh. Por, e fundit për çka kemi nevojë, asht me vazhdue me pretendime.

Ne kemi ndërtu shkolla të reja, që edhe të tilla, pra të reja, nuk i përmbushin as kushtet minimale të nji ambienti mjaftueshëm të mirë për mësimnxanje. E ma merr mendja që dal shum prej temës në këtë rast, nëse insistoj që shkolla s’duhet me qenë vetëm nji vend i “mësimnxanjes” por njikohësisht edhe nji vend kur fëmija formohet si individ në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij. Nëse i hyjmë kësaj teme, pastaj duhet me fol për ambientin në shkolla që jo veç që nuk asht i mirë por për fat të keq s’ka qysh me qenë ndryshe, pasi që asht thjeshtë nji reflektim i ambientit në përgjithësi në të cilin rriten fëmijët tanë në Kosovë.

Për aq sa vlen tash e sa vite, na jemi tue ndërtu nji vend shum anmiqësor për fëmijët tanë. Parqe? Jo.; Lodra? Jo.; Trotuar? Paj, jo.; Siguri në rrugë? Jo.; Shëndetësi cilësore? Jo.; Qetësi? Jo.; Ajr të pastër? Jo.; Dhunë? Po.; Kifle me të plasë në bark? Po.; Kamera me “parandalue” dhunën në shkolla? Po.; Gropa ku mbyten fëmijët? Po.; Mure që rrëzohen mbi fëmijë? Po.; Fontane idiotike nëpër qytet? Po.; Transport të sigurt? Jo.  Qysh shkruen Dren Pozhegu, përpos që jena të fundit në PISA, nisoj jena edhe në plot fusha tjera e nuk bëzajmë.

Ta marrim parasysh strategjinë e parandalimit të dhunës në shkolla me kamera, veç për nji moment: Njani në burg, tjetri në Harvard dhe zgjedhin të njëjtën “ide”, se kjo qaq asht për ta, ide, me parandalue dhunën. Po ndërtojmë imazhe në llogari të brumit, në llogari të së ardhmes. E tani po dojna me ua mësue fëmijëve shkencën, ndërkohë që as nji flamur s’jena në gjendje me e lidhë për banderi pa i injorue ligjet e fizikës! Normal që tani flamuri zhagitet për toke, sikur rezultatet e nxanësve tanë.

Mos u tronditni, sepse me u tronditë kishte me qenë gati sikur me u ba kishe s’e kena dijtë. E nëse vazhdojna me u ba kishe s’e kena dijtë, sipas gjitha gjasave kena me vazhdue me u ba kishe e kena ndërmend me marrë përgjegjjësi për këtë katastrofë. Për shembull: me nji strategji të re. Deri tash qishtu i kanë zgjidhë problemet në arsim. Strategji mas strategjie. Trajnime mas trajnime. Në të cilat kam pasë „nerën“ me vëzhgu disa herë. Tmerr. Llogari? Jo kurrkush. As s’ka dhanë, as nuk ka lyp kurrkush. Me u anku, jena ankue. Fakt. Por, ama zakonisht ankesat i kena me stil, i shprehim veç kur nuk e rrezikojmë vendin e punës. Që nënkupton shpesh herë që ata që ishin ma së afërti vendit të krimit, e që panë e dijtën ma së shumti, zakonisht folën ma së pakti e shujtën dhe nëse kurrgjo tjetër kjo i ban bashkëfajtorë. Kush janë këta? Paj teoretikisht, prej zyrtarëve të ministrisë, mësimdhanësë, e ekspertave të vetëshpallun të ndryshëm të organizatave jo-qeveritare, deri te prindërit që s’pritun me i nxjerr kuletat me i regjistru fëmijët e tyne pa merita në fakultet, krejt.  

PISA, njëjtë si muri në Mitrovicë, njëjtë si Thaçi kryetar shteti, njëjtë si afera Pronto, njëjtë si Astrit Dehari, mujnë me ardhë si traumë, por jo si habi.

Rreth numrave s’kena shum çka me filozofu. Vend për interpretime nuk ka shum, mundesh me ba krahasime me vende të ndryshme, mundesh me zgjedhë cilin vend e krahason me cilin vend dhe mundesh me ba analiza të ndryshme në pika të caktume, por numrat janë ato që janë. Dhe numrat po thojnë që nxan;sat e Kosovës s’dijnë me lexue. Që nxanësat e Kosovës s’dijnë me zgjidhë problem logjike.

Ani pse teoretikisht nxanësit tanë e dijnë në nivel të naltë sikur fëmijët e shum vendeve prej ma të mirave në PISA, se për me ardhë të dija në shkencë, duhesh me pasë evidencë empirike. Teoretikisht, jemi mire pra. Ani pse 67.7 % e nxanësve tanë në shkenca tregojnë performancë të ultë, nën nivelin dy, ata teoretikisht e dijnë çka asht shkenca. Jupiii!

Ndërkohë laboratoret për eksperimente në shum shkolla ku ka pasë donacione të tilla i ka mlue pluhuni. I kam pa me sytë e mi. Jutifikimi për pluhunin prej drejtorëve vjen në formulime të tilla sikur: “mos me i mshelë, i hajnë.” Pra PISA asht reflektim i sistemit tonë të korruptuem të arsimit ku në shkolla punësohen (kuptohet me preference partiake) drejtorë që tuten që nxanësit i hajnë instrumentet laboratorike. Drejtorë që i konsiderojnë nxanësit bisha. Drejtorë që ushqejnë idenë e konzervimit, dhe nuk shohin vlerë përtej pasunisë materiale që sjell ai laborator. Sa ma e papërdorun, aq ma e vlefshme. Më duket këtë filozofi po e përkthejnë edhe për përdorimin e trunit.

Në krahasim me nxanësit tanë, shtetet e OECD kanë nji përqindje prej 21.2% ndërsa Finlanda nji përqindje prej 11.5% të nxanësve në nivel të ultë në shkenca. Veç sa për ilustrim për me e pa sa larg jemi prej ku dojmë me konë.

Shkurt, numrat po thojnë që Kosova asht ndër tre vendet e fundit prej 72 vendeve që kanë marrë pjesë në këtë testim. 72 vende nuk janë pak, dhe po asht e vërtetë që nji numër i madhë i vendeve në këtë këtë testim, janë vende të zhvillume dhe me nji ekonomi shum ma të fortë se Kosova, por, nën nji: nëse arsimin dhe edukimin e shohim si ardhmëni atëherë me kend pos me vende të zhvillume ish dashtë me dashtë me u krahasue, dhe nën dy: PISA dëshmon që zhvillimi ekonomik i njji vendi nuk garanton cilësi ma të mirë në arsim, ani pse cilësia e mirë në arsim garanton zhvillim ma të madh ekonomik.  

Në pytjen se cili asht rezultati thelbësor i pjesëmarrjes së nxanësve 15 vjeçarë të Kosovës në testimin PISA, zotëri Andreas Schleicher përgjigjet për sbunker se rezultati “pjesërisht ka të baj me nji mungesë kronike të investimeve në ardhmëninë e Kosovës.” Sipas tij, kjo qyshdokoftë asht veç nji pjesë e tregimit, e ai na fton me mendu rreth asaj që “10% e nxanësve ma të margjinalizuem në Portugali tregojnë rezultate ma të mira se 10% e nxanësve ma të privilegjum të Kosovës.” Me fjalë tjera sipas tij “rezultati nuk asht pasqyrë e disa nxanësve të varfun prej lagjeve të varfuna të Kosovës, por i shumë nxanësve të shumë lagjeve të ndryshme në Kosovë.”

Kjo na fton me mendu ma shum rreth asaj se çka po nënkuptojna me “investim në arsim” na në Kosovë. Prandaj, para se me marrë yxhym me bo diçka, helbete me ndërtu naj shkollë najkun sikur që i kena ndërtue këto të rejat me probleme serioze në aspektin termik, e hapësinor, e besa edhe pa mendu hiç për fëmijët me aftësi të kufizume, që p.sh. duhet me lëvizë me karroca, asht e randësishme me e kuptue jo veç pse gabum në të kalumen, por ku gabum saktësisht, dhe çka tjetër përveç që kemi arsim jo cilësor, po na tregojnë rezultatet e PISA.

Niveli i arsimit të nji vendi nuk asht domosdoshmërisht reflektim i ekonomisë të atij vendi, asht reflektim i varfnisë së investimeve në arsim, por, sikur fëmija që asht pasqyrë edhe e prindit dhe kulturës në të cilën rritet, niveli i arsimit të nji vendi asht gjithashtu pasqyrë edhe e nivelit të kulturës e intelektit të udhëheqësve të saj. Kultura në vendin tonë e ka nji emën. Korrupcion. Varfnia kronike e investimeve në arsim për të cilat flet z. Schleicher, nuk ka të baj vetëm e ndoshta ma së pakti, me investimet kapitale në infrastrukturë.

Rezultati i PISA po na tregon që mungesa e investimeve ka të baj me nën nji, investime të gabume në përgjithësi, këtu hynë edhe “politikat” dhe nën dy me investime jo cilësore në formimin dhe zhvillimin e profesionit të mësimdhanësit si veçanti. Sepse cilësia e arsimit, në fund po kthehet në ate çka edhe shum studiues të fushës së edukmit e kanë pohu me vite të tana tash ma: në aftësinë dhe kapacitetin e mësimdhanësit. Shkurt e shqip: S’ka cilësi pa mësues të aftë e të dijshëm. Pikë.

Ndërkohë tek na mësues bahen ato e ata që nuk mujnë me u regjistru diku tjetër; ose ato e ata që i gëzohen pushimeve të gjata mes semestrave. Dhe në fund edhe ato e ata që nji vend pune në arsim e konsiderojnë garancion për nji vend të punës për tanë jetën.

Varfnia ekonomike e ultë dhe varfnia intelektuale e kulturore e ultë janë kombinim fatal për çdo komb. Dhe ne patëm fatin, i cili nuk na piki prej qiellit për aq sa vlen, me krijue nji klasë politike të përbamë pikërisht prej këtij kombinimi. Të untë, të pakulturum e të paditun. Recept për katastrofë. Prandaj në ardhmëninë e Kosovës, pra në arsim, nuk u investue, përkundrazi arsimi u ataku prej gjitha anët prej njerëzve të paditun për pozita e tituj akademik, për nji vend pune për interese politike e strategjike në garën e kapjes dhe mbajtjes së pushtetit. E po, prej kurrgjo del kurrgjo. Qe pse s’mujna me pretendu që rezultati i PISA asht tronditje.  

Kur librat e fëmijëve tanë janë plot budallakina të stilit “Kosova asht vendi i pasun me qymyr. Qymyri i saj asht prej ma të mirëve në botë” asht e qartë sa të randësishme e konsiderojnë cilësinë e arsimit ata që udhëheqin me ty, sa që veç çka s’janë tue ta çitë gishtin e mesëm në kopertinë të librit, me të kallxue që qysh lujnë me ty e sa shum iu konvenon me të majtë qaty ku je, të paditun e injorant. Sepse, ti u duhesh i paditun e injorant. Dikur Serbia të njëjtën u mundue me e arritë, tue na i mbylle shkollat, e na iu përgjegjëm me shilte. Sot këta tanët, s’patën nevojë me i mbyllë, bile hapën edhe tjera, por drynin dijës ia vnuen megjithatë, për mendimin tem, ma suksesshëm se Sërbia atëherë. Ec e mos plas!      

Organizatat jo-qeveritare

Problemet e cilësisë së arsimit në Kosovë janë evidente moti. Qysh prej kur ia nisën me doktorue brenda natës ministra e gra ministrash e me u ba asistenta çikat e djemtë e çikat e çikave e të motrave...e dajëve të tyne. Problemi asht qyshdokoftë, që pikërisht me këta kriminel që e kanë pru Kosovën këtu ku asht, tash e 17 vite organizatat jo-qeveritare, ndër ta nji kallabllak eksperta, bashkëpunojnë e nënshkrujnë marrëveshje bashkëpunimi mas marrëveshje bashkëpunimi.

Asht problematike, sepse këto bashkëpunime janë përkthye çdo herë në transakcione fondesh dhe kishe transformim të dijes, të cilat qysh po shihet tash, nuk e kanë arritë qëllimin. Dhe po, ia vlen me u përmend, në fakt e kemi obligim me e përmend, që shoqnia civile, pikërisht disa nga organizatat jo-qeveritare ma të „etablume“ në këtë fushë, janë elefant shum i madh në sofrën tonë të shtetndërtimit, dhe janë pjesë e madhe e tortës korruptive në Kosovë, në shum fusha jo veç në arsim. Gabojna nëse e injorojna. Si shoqni pytja që duhet me ia ba na vetës tashti asht, a po dojna me vazhdu me gabu? A po dojna me vazhdu me pranu në heshtje turlifarë hajduti me folë në emën tonin brenda ose jasht qeverisë?  

E vetmja mënyrë për me ndryshue përnjimend diçka asht, nëse ma së pari e bajna pytjen pse ata që u paguen me reflektue gjendjen e arsimit në Kosovë tash e sa vite dështuen dhe qysh mujna me i hjek qafe prej karrigave ku ushtrojnë pushtetin e tynë të budallës? Dhe kjo vlen për ministritë, njëjtë sikur për organizatat jo-qeveritare. Vendet e reja me kuvende të vjetra nuk bahen. Nuk bahen. Pikë.

Gjendja e arsimit në Kosovë nuk asht këtu sepse munguen strategjitë, apo planprogramet apo prap strategjitë, të tilla patëm „copy paste“ mjaftë, disa ma të mira , disa të sakatume gjatë përpunimit, e nuk munguen as fondet, arsyeja qyshdokoftë asht se ata që u thirrën me punue në përmirësimin e kësaj gjendje, nuk u identifikuen kurrë me punën që banin, shpesh as nuk e kuptuen çka ishin tu ba, i morrën paret, dhe nuk punuen ose në rastin ma të keq, punuen kundër. Nuk pat asnjiherë as investime e as në përgjithësi politika që sistematikisht ndoqën nji qëllim në arsim. Pat veç politika partiake, pa qëllim, pa sistem.

Brenda qeverisë, por për aq sa vlen edhe jashtë saj, Kosovën e sulmuen njerëz të paditun me nji mungesë të madhe të interesimit me e ndryshue seriozisht për të mirë këtë vend. Qysh me i vazhdue projektet ndryshe me vite e vite e vite?

Kam pa me dhjetra projekte, të qëndisuna si jo ma mirë, të cilat po hasën rrugës në ndonji gja që ua humb kuptimin e së paku kërkon prej tyne me rivlerësu situatën e me i marrë parasysh gjetjet e reja, në shumicën e rastit kjo gja ka me u injorue. Eventualisht rreth saj ka me u ndërtue kur të vjen momenti (që nënkupton kur të vjen naj thirrje e re prej donatorëve) komplet nji projekt i ri, por projekti nuk ka me dështue pse tereni po thotë që s’mundet me u realizu në projektimin që asht ba. Me fjalë tjera, shkurt e shqip, projektet ma së pari kanë me i shërbye justifikimit të ekzistencës së vet. Donatorët nuk bajnë shum pyte. Arsyetoja shpenzimet me fatura, e fatura me gjetë e me ba nuk asht vështirë, kjo mjafton. Arsye pse operime të tilla projektesh nuk bahen të mëdha e nuk dalin në shesh, në shumicën e rasteve asht e thjeshtë: sepse shumica ia bajnë kështu. Kush kujtë me ia çue gishtin atëherë? 

Kosova, për fat të keq, tash e sa vite shihet si nji projekt. Në mesin e këtyne ekspertave qeveritar e jo-qeveritar ka edhe të ditun, por njji numër i konsiderueshëm i tynë janë oportunista, hipokrita, njerëz të poshtër që prej projektit në projekt nuk panë kurrë dallim përderisa identifikimi kryesor i tyne ishte jo me çashtjen por me pagesën; njerëz për të cilët krejt Kosova asht veç nji projekt i madh.

Por ama, këta janë njerëz me kontakte të forta. Njerëz që ia fshehin njani tjetrit raportimet dallash të aktiviteteve që asht dashtë me ndodh e nuk kanë ndodh kurrë, prej shefave të huej. Njerëz që kanë hy në punë me të njofshëm. Njerëz që punësojnë fëmijë ministrash në organizatat e tyne. Po po, edhe shoqnia civile ka Adem Grabovca. Sa t’duesh. Çka ka lidhje kjo tash me PISA? O ka lidhje shum, sepse gjendja e arsimit asht ku asht edhe përshkak të heshjtes me vite ndaj krimeve qeveritare në arsim prej shoqnisë civile e cila mandatin e saj e arsyeton me qenë zani kritik i shoqnisë në njanën anë, e në anën tjetër, sepse këta eksperta të shoqnisë civile qëllimisht ose prej mosdijes (ec e vendos cila asht ma keq) e damtuen çdo mundësi për progres tue ngajtë mas pareve, ndjekën interesat e tyne personale ma shum se ato të shoqnisë, kaq e thjeshtë asht.

Shum rrallë shoqnia civile, ma saktësisht organizatat që quhen eksperte në këtë fushë, ishin za kritik në qashtje të arsimit, ma shum ishin bashkëpunëtor strategjik, pavarësisht defektit të strategjisë, si dhe partner të billbordave nëpër konferenca. Konkurrenca për fonde dhe imazh e organizatave jo-qeveritare, i ngjan nji lufte të ashpër për tituj, mirënjohje dhe kunorë të ekspertizës. Eksperti si profesion në vete. Secili tue u shty cili asht ma ekspert se tejtri. E po qe tash, urdhnoni titullin. 

Konkludimi asht, Kosovës i duhet nji forcë e re politike, kur them e re po menoj krejt e re, dhe po aq urgjentisht i duhet nji kulturë e re e shoqnisë civile e cila rolin e saj e sheh si vëzhgues i veprimeve të qeverisë e zhurmagji i ndërgjegjjes qytetare, shtytës i iniciativave të pavaruna, por jo si bashkëpunëtor i heshtun i qeverive në interes të zhvillimit të projekteve që përfundojnë me sukses veç në letër, ndërkohë që fondet rrjedhin.

Në Kosovë njëjtë si partitë politike, edhe nji numër jo i vogël i organizatave jo-qeveritare janë në fund të ditës, në shumicën e rasteve prona private të “themeluesve“ të tyne. Bordet, anëtarët, demokracia, përralla në letër.  

Pse jemi këtu? Si ndodhi? Ku ishim? Fajtorë moral jemi krejt bashkë. Kemi lejue me ardhë në këtë gjendje, sepse na ka konvenue me diplomue pa dijtë sen; na ka konvenue me angazhue filan evladin e filan ministrit si ekspert (me ia dhanë mijëra euro) për hartimin e modulit për arsim të lartë për x landën në projektin tonë x a y edhepse nuk ka pasë haber evladi i ministrit qysh bahet kjo; na ka konvenue, çdo herë na ka konvenue ky kaos, për me përfitu sa ma shum prej nevojës së madhe për projekte fuqizuese e për me e mbush boshllëkun e madh të cilësisë në arsim me shkolla private që kushtojnë kogja shtrejtë e ku zakonisht shkollohen fëmijët e ministrave a kryeministrave e qishtu me radhë (pa naj cilësi përnime ma të mirë, mos ta të keqe), dhe na ka konvenue krejtve me „kry shkollë“ lehtë. Ose së paku qashtu kemi mendue. Se tashti diploma morrëm krejt, por kamariera kena mujtë me punue edhe pa diplomë.

Ma ka thanë me gojë të vet nji drejtore e nji shkolle nji herë, që ka fillu „me pranu ma shum rom në shkollë edhepse po kundërshtojnë prindërit“, se po i japin fonde „e pse mos me i marrë?“. Fondet pra. Nuk e di sot e kësaj dite, çka dashti me më thanë, por e di që ajo s’duhet me qenë drejtore. Ajo s’duhet me u lejue afër fëmijëve se le ma me udhëheq nji shkollë. Por, ajo asht drejtore.

Qyshdoqoftë, dami asht shum i madh për me u marrë veç me pytje. “Fillimisht, sa për të fillUar” dikush duhet me dhanë dorëheqje. Pa asnji fjalë ma shum. Qoftë edhe nji dorëheqje sa për m’sysh, se kur ke njerëz të paditun e të poshtër në karriga, dorëheqjen e tyne s’mundesh me e repektue pavarësisht çka. I gëzohesh, por nuk e respekton. Për me respektue, ish konë nëse dikush e han burgun për këtë krim. Por na jetojmë në nji vend kur për të fortit dënimet me burg shqiptohen me „kusht“. E këta që e damtuen arsimin në Kosovë në këtë nivel, nëse kurrgjo tjetër definitivisht janë të fortë.

Ka mashtrim, dhe mashtrime që kushtojnë shtrejtë. Arsimi në Kosovë ma së vonti qysh prej masluftës, qe nji mashtrim i madh dhe shum i shtrejtë. E me shtrejtë nuk e kam fjalën “me u ba horë para botës.” por, “me ia çelë vorrin vetes“.  

Iniciativat tona me e përmirësu cilësinë në arsim duhet me fillu tue e rimendu komplet kuptimin që ka për ne si shoqni „shkolla“. Gjatë rrugës na duhet pa kompromis me e pastrue bërllogun prej oborrit. Ka „sene“ që mujnë me u ndreq, ka që s’mujnë dhe duhet me u ndrru e „ndërtu“ prej fillimit. Ka mënyra të ndryshme me „investu në të ardhmen“. Dhe „investimi“ që nji shoqni zgjedhë, asht ai që ka me u jetue. Pra asht e randësishme me e kuptue, që këtu po bahet fjalë për jetët tona.    

 

 

19 dhjetor 2016
11:08

Ardiana Shala Prishtina