P?rmes industrializimit tek inovacioni: Schumpeter dhe Reinert (II)

15 shtator 2016 10:22

Në artikullin e kaluar folëm për Schumpeter-in, inovacionin dhe si inovacioni shpjegon profitet dhe zhvillimin ekonomik. Perspektiva e Schumpeter-it mund te ketë qenë interesante edhe mund të ketë kontribuar në të konceptuarit e ekonomisë. Mirëpo, në fund të fundit nuk është që ka thënë diçka shumë unike apo ka kritikuar teoritë e mainstream-it në mënyrë që t’i ndryshojë ato. Gjithashtu në nivel politikash, inovacioni sigurisht që është i rëndësishëm dhe një teori më shumë në këtë drejtim nuk është që bëri shumë dallim. Kjo ishte qasja e ekonomistëve mainstream dhe politikbërësve ndaj Schumpeter-it.

Por me një perspektivë të tillë nuk pajtohet Erik Reinert. Në librin e tij me titull të tmerrshëm, por me përmbajtje fantastike “Si vendet e pasura u bënë të pasura… dhe vendet e varfra mbesin të varfra” ai argumenton që jo të gjitha aktivitetet ekonomike janë të krijuara njësoj – pak a shume siç argumentojnë ekonomistët e mainstream-it. Ai bën dallimin ndërmjet aktiviteteve Schumpeteriane dhe atyre Malthusiane – të emërtuara në bazë të perspektivave ekonomike të Joseph Schumpeter dhe Thomas Robert Malthus respektivisht. Perspektivën Schumpeteriane vetëm sa e kemi përmendur shkurtimisht,  ndërsa perspektiva ekonomike e Thomas Malthus ishte një perspektivë e zymtë. Ai besonte që sado që prodhimi i ushqimit të rritej, këto surpluse, apo këto përparime, gjithmonë do të zhdukeshin nga rritja e popullsisë. Pra, në fund, njerëzimi gjithmonë do të ishte në nivelin e mbijetesës, dhe nëse stoku i ushqimit do të shtohej bashkë më të do të shtohej edhe popullsia, ndërsa nëse stoku i ushqimit do të binte, atëherë bashkë me të do të binte edhe popullsia. Kështu, njerëzimi ishte i dënuar të jetonte gjithmonë në varfëri. Në anën tjetër, produktiviteti i prodhimit të ushqimit bie me rritjen e prodhimit pasi që inputet gjithashtu shkojnë duke degraduar: njeriu më së pari vendos të punojë tokën pjellore e pastaj më pak pjellore e kështu me radhë.

Le të marrim një shembull për të dy këto aktivitete. Sa herë që shkojmë në qendra tregtare, shohim që dyqanet kanë zbritje. Por si mund të ketë zbritje në produkte? Nëse çmimi bie për 50%, a nuk nënkupton kjo që çmimi fillestar ka qenë i fryrë ‘artificialisht’? Apo ndoshta, me zbritje tash dyqani funksionon me humbje? Por si është e mundur të funksionosh me humbje e të vazhdosh të mbash biznesin?  Pra përgjigjja është tek inovacioni dhe konkurrenca joperfekte. Momentin kur një kompani ka krijuar një palë xhinse të reja, ato xhinse kanë qenë të rralla në treg dhe për këtë arsye kompania ka caktuar një çmim më të lartë për të shfrytëzuar pozitën monopolistike. Mirëpo, presioni i konkurrencës bën që çmimet të bien pas një kohe. Ajo çfarë është me rëndësi është që çmimi fillestar nuk reflekton koston e prodhimit – siç do të ishte rasti në një ekonomi në ekuilibër – por përfshin edhe kosto të monopolit, pra të konkurrencës joperfekte.

Përveç rentës së monopolit, inovacioni ka tendencë të shkojë krah për krah edhe me rritjen e kthimit në shkallë. Kjo ndodh sidomos kur inovacioni krijon një fushë të re, jo si në rastin e xhinseve. Për shembull, iPhone i parë i Apple nuk ishte aq i sofistikuar (për standardin tonë tani) dhe ishte i rrallë tek njerëzit, por sa më shumë iPhone që prodhoheshin aq më shumë sofistikohej dhe më shumë njerëz e kishin nën posedim. Kjo ndodh për shkak se me rritjen e prodhimit, kompania kishe shfrytëzuar ekonominë e shkallës, ku kostoja fikse ndahet në më shumë produkte, dhe kësisoj kostoja mesatare e një produkti bie. Përveç ekonomisë së shkallës, kompania gjithashtu mësoi më shumë rreth produktit dhe e sofistikoi atë më shumë. iPhone-t e tjerë ishin shumë më të sofistikuar. Sa më shumë që kompania prodhon, aq më shumë mëson, dhe aq më shumë e sofistikon produktin. Bile, mësimet nuk limitohen vetëm në kompaninë e cila kishte prodhuar atë produkt herën e parë, por ajo ka tendencë të shpërndahet gjithandej. Kështu, prej inspirimit të iPhone u krijuan Galaxy të Samsungut, e prej platformës Androidit – sistemit operativ të Galaxy – u stimuluan aplikacionet për telefona të mençur, e kështu me radhë. Pra një zhvillim, një inovacion, çon më pas edhe zhvillime tjera. Kësisoj kemi rritje të kthimit në shkallë.

Për dallim, asnjëherë – apo tepër rrallë – nuk ballafaqohem me zbritje në furrë të bukës. As në tregun e domateve, e as në tregun e metaleve, apo të materialeve tjera bazë. E gjithashtu kur ecën në qendër tregtare apo në sheshet e qyteteve nuk sheh zbritje të çmimeve të kafes, apo akulloreve. E arsyeja është e qartë tanimë: presioni i konkurrencës është aq i madh në këto sektorë që bën që çmimi të bie në minimum. Gjithashtu, në këto sektorë nuk ka hapësirë për inovacion apo mësim. Tekefundit, domatja është domate, dhe nuk ka çka tjetër inovohet në të, njëjtë siç hekuri është hekur, dhe buka është bukë.  E gjithashtu, nuk ka shumë mësime nga prodhimi i domates, apo nxjerrja e hekurit, apo pjekja e bukës. Këto aktivitete janë bërë me shekuj dhe rritja në produktivitet veç ka arritur kulmin. Kjo nuk do të thotë që rritja e produktivitetit në këto sektorë ka marrë fund, por që rritjet nuk mund të jenë shumë të mëdha.

Pra ky është dallimi që Reinert bën ndërmjet aktiviteteve Malthusiane dhe atyre Schumpeteriane. Dhe meqë, sipas tij, ka një dallim të theksuar ndërmjet këtyre aktiviteteve ekonomike, Reinert argumenton fuqishëm për ndërhyrje të shtetit në stimulimin e aktiviteteve ‘të mira’.  Kjo, mendon Reinert, është diferenca ndërmjet vendeve të pasura dhe të varfra. Vendet e pasura kishin – dhe ende vazhdojnë në shumë raste – të stimulojnë inovacionin dhe aktivitetet Schumpeteriane, ndërsa vendet e varfra kanë stagnuar në aktivitete Malthusiane. Për më shumë, këshilla e shumicës së ekonomistëve, sidomos atyre të mainstream-it, dhe organizatave botërore si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, këshillojnë vendet e varfra që shteti të mos intervenojë dhe përkundrazi ta lënë tregun të bëjë mrekullinë e tij përmes heqjes së barrierave tregtare, ligjeve dhe rregullimeve të tjera.

Këtu pra hyn në lojë industrializimi. Të flasim për inovacion është lehtë, por inovacioni nuk pikë prej qielli. Është vështirë të jesh inovativ kur gjithë aktiviteti i yt është mbjellja e domateve. Ndërsa me zhvillimin industrial, krijohen kushte më të favorshme për inovacion. Në fakt, vetë sektorët industrialë janë dinamikë dhe nuk mund të mbijetojnë në treg nëse nuk janë inovatorë. Tek shembulli i tekstilit, një kompani e ka të vështirë nëse në treg nuk bën dizajne të reja. Në mungesë të dizajneve të reja, një kompani mund të reduktohet vetëm në ‘punëtor’ të një kompanie tjetër më të madhe, e cila bën dizajnin por nuk humb kohë të prodhojë produktin vetë, pasi që prodhimin mund ta bëjë dikush tjetër më lirë. Kështu sot edhe funksionojnë kompanitë më të mëdha në botë: GAP nuk e prodhon vetë tekstilin, por ata bëjnë dizajnin dhe marrin rentën e monopolitit përderisa prodhimin e bëjnë fabrikat me fuqi të lirë punëtore në Bangladesh. Apple bën dizajnin dhe i mendon produktet, por montimi i iPhoneve, iPodeve dhe produkteve tjera bëhet në Kinë. Por me prezencën e industrisë në një vend, inovacioni bëhet më i lehtë pasi që dijenia (know-how) e prodhimit vetëm ekziston dhe modifikimet që mund t’i bëhen asaj janë relativisht të lehta në aspektin teknik.

Për fund, inovacioni është sinonim i zhvillimit, ndërsa rruga për tek zhvillimi shkon përmes industrializimit. Deri më tani asnjë vend nuk është zhvilluar pa pasur industri (India është i vetmi vend që ka arritur njëfarë shkalle të zhvillimit pa industri të theksuara, por nëse India do të vazhdojë rritjen mbetet të shihet), edhe pse shumica e vendeve të zhvilluara sot merren kryesisht me shërbime. Ndërsa, sa i përket ekuilibrit në ekonomi dhe jo vetëm, aty ku ka ekuilibër nuk ka zhvillim dhe aty ku ka zhvillim nuk ka ekuilibër.

 

15 shtator 2016
10:22

Dren Pozhegu