Përmes industrializimit tek inovacioni: Schumpeter dhe Reinert

Pjesa e parë

13 shtator 2016 10:19

Paramendojeni një situatë të cilën ekonomistët shumë shpesh e përmendin: situatën kur ekonomia është në ekuilibër. Në këtë situatë, nuk ka mbiprodhim as mungesë të produkteve apo shërbimeve. Të gjithë njerëzit janë të punësuar – apo së paku ata që dëshirojnë të punojnë – dhe të gjithë marrin rrogën sipas kontributit të tyre. Me rrogën e tyre, ata blejnë produkte, dhe kësisoj paraja qarkullon tek prodhuesit. Mirëpo, për shkak të konkurrencës së tregut, në gjendje ekuilibri nuk ka profite. Të ardhurat e prodhuesve mund të konsiderohen si rrogë për veprimtarinë e tyre. Ndërsa investimet janë vetëm mirëmbajtje – pra blihet një makinë e re prodhimi veç sa për ta zëvendësuar të vjetrën, e jo për të rritur prodhimtarinë sepse jemi në gjendje ekuilibri.

Kjo situatë nga fiziokratët ishte përshkruar si Rrjedha Qarkore e të Ardhurave (Circular Flow of Income) e që më vonë do të përdorej edhe nga shkollat tjera të mendimit ekonomik. Qëllimi i saj ishte të shpjegojë si funksionon ekonomia dhe të përshkruajë procesin e pafund ekonomik të qarkullimit të parasë dhe të prodhimit. Në versionin e tregut të lirë, në këtë ekuilibër ka vetëm firma (biznese) dhe familje. Ky model mund të komplikohet edhe më tej nëse fusim bankat, qeverinë, ekonominë e hapur ndërkombëtare, etj. mirëpo esenca nuk ndryshon. Kjo në esencë është ekonomia. Nëse ka ndonjë ndryshim, po themi në politikat shtetërore apo në stokun e kapitalit, atëherë gjendja parësore ndryshohet dhe vjen tek ekuilibri i ri.

Ekonomia kësisoj funksionon si natyra inorganike. Ligjet e saj janë si ato të fizikës. Një trup qëndron në qetësi apo në lëvizje në të njëjtën shpejtësi dhe drejtim, përveç kur një forcë tjetër ndikon në të; ashtu sikur rrjedha e parasë dhe e resurseve qëndron në ekuilibër, përveçse nëse një forcë e jashtme (qeveria, pushtuesit e jashtëm, tragjeditë natyrore, etj.) ndikojnë në të.

Gjithçka duket në rregull në këtë pikëpamje, derisa të ngrihet pyetja e profiteve. Profitet janë prezentë në të gjitha anët kur shohim ekonominë nga dritaret tona, por nuk janë askund në këtë situatë që veç sa përshkrova. Pra, pse ekzistojnë profitet? Si mund të shpjegohen profitet? Këto ishin pyetjet që kishin brejtur Joseph Schumpeter-in e ri. Në kohën e Schumpeter-it, ende nuk ishin zhvilluar idetë e tregut imperfekt (që mund të shpjegojnë një pjesë të profiteve). Teori mbi profitin kishte shumë, por ato kishin tendencën të binin në dy kampe: kampin pro tregut dhe kundër tregut. Ata që ishin pro tregut mendonin që profitet vijnë si rrjedhojë e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, e cila për pasojë shkatërron konkurrencën dhe si e tillë prodhon situata ku disa kompani të afërta me shtetin përfitojnë nga situata monopolistike. Nga ana tjetër ishin marksistët të cilët besonin që kapitalistët përmes shfrytëzimit të punëtorëve, arrijnë që të paguajnë punëtorët më pak sesa ata që meritojnë të paguhen, dhe kësisoj marrin surplusin e punës së tyre si profit të vetin.

Po ashtu, problematike bëhet edhe çështja e zhvillimit ekonomik. Nëse ekonomia është në ekuilibër, a nuk nënkupton kjo që nuk ka rritje ekonomike? Zhvillimi ekonomik në atë kohë – e edhe sot nga shumë ekonomistë – konceptohej si akumulimi i kapitalit. Pra momentin kur ke kapital, atë kapital e investon me një kthim të caktuar. Kësisoj, një shumë e vogël e kapitalit sot, përmes investimit mund të rritet pas shumë viteve. Kështu pra, rritet pasuria e bashkë me të zhvillohet edhe ekonomia. Mirëpo, në ekuilibër nuk ka profite dhe në mungesë të profiteve nuk kemi as akumulim të kapitalit. Pra nuk kemi zhvillim ekonomik.

As përgjigjet për profitin e as misteri i zhvillimit ekonomik në ekuilibër nuk e kënaqnin Schumpeter-in. Si rrjedhojë, ai i hyri rrugës për të gjetur një përgjigje tjetër. Në moshën 27 vjeçare publikoi librin “Teoria e zhvillimit ekonomik”. Në këtë libër ai pretendonte se kishte gjetur zgjidhjen për të dyja. E përgjigjja është shumë e thjeshtë: inovacioni. Ajo çfarë ndodh kur kemi një inovacion në gjendje ekuilibri është që një pjesë e resurseve largohet nga qarkullimi qarkor i të ardhurave për t’u kombinuar në një mënyrë të re. Ky kombinim i ri i resurseve në mënyrë që të jetë ekonomikisht i arsyeshëm duhet të jetë me efiçient se ai i vjetri. E ky kombinim mund të jetë një produkt i ri, i cili përmbush nevojat më shumë se ai i vjetri, apo një metodë më e sofistikuar e menaxhmentit të kompanive, apo edhe një metodë e re e prodhimit që është më efiçiente se metoda e vjetër.  

Inovacioni nuk është gjë e lehtë. Pikë së pari, jo gjithkush ka ide inovative. Të jesh inovativ është të mos jesh i zakonshëm. Por edhe sikur të kishin, jo gjithkush ka guximin të ndjekë këto ide. Filozofia konservatore ka një apelim të madh te shumëkush: ajo që ka funksionuar gjithmonë, do të vazhdojë të funksionojë, e rrjedhimisht nuk ka rrezik. Ndërsa të provosh diçka të re, të biesh pra një inovacion, gjithmonë mbart një rrezik: rrezikun e dështimit, i cili largon shumëkënd që nuk ka dëshirë të prishë rehatinë e krijuar.

Si i shpjegon inovacioni profitet dhe zhvillimin ekonomik? Shumë lehtë. Inovacioni me definicion është diçka e re, dhe diçka e re është unike. Momentin kur një kompani krijon diçka të re, ajo gjendet e vetëm në treg për atë gjë. Si rrjedhojë, ajo ka fuqi monopoli për atë periudhë derisa në treg të hyjnë kopjuesit. Përderisa një kompani ka fuqi monopoli, ajo do ta shfrytëzojë atë duke rritur çmimet për atë produkt. Kësisoj edhe krijohen profitet. Ndërsa për vetë faktin që produkti i ri, pra inovacioni, është më efiçient se ai i vjetri, nënkupton që resurset përdoren në mënyrë me efiçiente. Me përdorimin e resurseve në mënyrë me efiçiente, vjen edhe zhvillimi ekonomik, pasi që produkti i ri kërkon më pak resurse dhe ato resurse që janë liruar mund të përdoren për tjera aktivitete ekonomike.

Por inovacioni i ka problemet e veta. Me prurjen e produkteve të reja, shuhen ato të vjetrat dhe kësisoj kompanitë që kishin prodhuar atë produkt domosdo do duhet të dalin nga tregu. Këtë proces, Schumpeter e quajti “shkatërrimi kreativ” (creative destruction). Me daljen nga tregu i disa kompanive, dhe ngritjen në treg të disa tjerave të reja, ndryshon edhe distribuimi i të ardhurave. Ata që ishin të pasur bëhen më të varfër, ndërsa ata që ishin të varfër bëhen më të pasur.

Nokia ishte kompania më e madhe e prodhimit të aparatëve telefonikë, por gjithçka ndryshoi kur Apple filloi prodhimin e iPhone. Apple, që sot është e para, shumë lehtë mund të ketë fatin e Nokia-s nëse ajo humb hapin e inovacionit. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për shtetet: disa janë më të pasura për shkak se kanë më shumë inovacione, ndërsa të tjerët janë më të varfër se kanë më pak apo hiç. Për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos përmes Luginës së Silikonit, i japin shumë produkte të reja tregut botëror prej të cilave mbledh profitet e monopolit, ndërsa Kongo tregut të botës i jep vetëm xehe, të cilat ballafaqohen me konkurrencën e ashpër nga e gjithë bota.

Për përshkrimin e distribuimit të të ardhurave, Schumpeter kishte përdorur analogjinë e hotelit. Në katin e sipërm janë dhomat e mira, ndërsa poshtë janë dhomat e zakonshme. Ai kishte deklaruar që hoteli është gjithmonë i mbushur, por dhomat mbushen gjithmonë nga njerëz të ndryshëm.

 

Pjesa e dytë 

 

 

13 shtator 2016
10:19

Dren Pozhegu