Atdheu i majmunëve

16 gusht 2016 12:01

Ilustrimi: Big Eye

***

Nëse do të ju bie që në ndonjë mënyrë të rastësishme të më pyesni nëse unë ndihem krenar që kam këtë atdhe që kam, që kam këtë vend ku gjallëroj atëherë me gojën plot do të ju thoja aspak. Madje do të ju thoja se ndihem i fyer. I poshtëruar. Pa dinjitet dhe pa substancën më të çmuar njerëzore, pa pikë vullneti. Nëse doni mund të thoni, pa vullnetin si përfytyrim, në mënyrë që të ja dalim mbanë të tregojmë pak zgjuarsi. E gjitha çfarë mund të ju them pas kësaj është të ju rrëfej se si është e mundur që gjatë tërë kohës duke qenë i vetëdijshëm se jetoj në mut, të mos arrij t’ia dal. As të ndryshoj ndonjë gjë. As të bëhem një njeri shembullor. Duket se të gjitha mundësitë janë të shuara dhe ne sall jemi këtu për të ia dhënë kuptimin budallallëkut. Në të kundërtën edhe ekzistenca e budallallëkut nuk do të kishte shije. Domethënë unë jam këtu sall për ta fuqizuar budallallëkun dhe atë gjithnjë pa dashje. Nën pushtetin e ashpër të grupeve idiote partiake, që kanë ndarë qëllimet mbi kurrizin e djersitur të popullit të asgjësuar. Kjo kohë është e katastrofave atdhetare. E këlyshve kombëtar. Dhe e qenieve që të ngjallin mëshirë për shkak të grumbullit të plehut që e kanë brenda tyre. Mbretëria e pisllëkut është e pathyeshme dhe çdo rezistencë kundër saj nënkupton se ne dëshmojmë mungesën e autoritetit moral, që e ushtrojmë kundruall rendit e ligjit. Dëshmojmë qytetarinë tonë të nëpërkëmbur. Dëshmojmë njerëzillëkun tanë të shkelur në fyt. Dëshmojmë se nuk jemi qenie të gjalla. Dëshmojmë se nuk vërehemi. Dëshmojmë se jemi bërë të padukshëm, bash si grimca atomike, para prijësve tanë mendjengushtë, inatçor, hera herës agresiv, të paedukuar, jonjerëzor. Që kanë hequr dorë nga turpi, nga ndershmëria, nga çdo lloj virtyti. Që të jemi pakëz më të qartë. Jemi ne të mjerët dhe në anën tjetër janë politikanët. Ata me hallet e tyre për të grabitur sa më shumë që munden dhe ne me hallet tona, sa për ta shtyrë edhe një ditë. E vetmja armë që ka mbetur në duart tona është perpjekja jonë për ta mbajtur mendjen e shëndoshë dhe në çdo rast për ta vënë në gjoksin e tyre, si diçka që mund ta trazojë ndërgjegjen që nuk e posdeojnë. Pra edhe lufta jonë, siç po shihet, tund themelet e absurdit sepse si mund të renditemi kundër ndërgjegjeve që nuk janë, kundër përgjegjësive që nuk ekzistojnë apo kundër çdo lloj mbështjetje që është selektive. Idealizmi është i kotë dhe egërsitë e duarve lakmitare që fshijnë gjithçka duket se mbesin të vetmet shtylla të kësaj kohe, që është përcaktuar për ne. Për ne. Me zemrat tona të vogla sa një farë kungulli.

**

Përgjimet telefonike të disa individëve të rëndësishëm e mbase më të rëndësishmit në proceset politike që po i kalon ky vend, ku më ka rënë hise të katandisem dëshmojnë thellë, sa do që mund të harlisemi duke qeshur me tërë ato batuta e ato mendje të paskrupullta, se qeverisemi brutalisht nga turpi, nga injoranca, nga mendjemadhësia provinciale. Përgjimet e këtyre individëve, as që dua të them emrat, dokumentojnë pafytyrësinë e këtyre ish-luftëtarëve të lirisë, artikulojnë qartë ish-qëllimet e tyre dhe përçojnë dëshirën për ta braktisur tokën tënde, për të ja lënë vendin atyre përfundimisht pa çka se atyre as që ju kërcet. Ngase me keqardhje them se kanë triumfuar. Dhe e vetmja gjë, që për ta mbetet shqetësuese është që këtë triumf, ta bëjnë të përjetshëm.

***

Jam pesimist mizor. Nuk besoj se do të ketë diçka të hairit për shumë vite të ardhshme. Gjërat janë të thjeshta. Për ata që shohin objektivisht. Për të arritur në konstatime të tilla. Nuk i besoj asnjë brezi. Asnjë njeriu. Asnjë vepre arti. Në asnjë gjë të bukur. Thjesht më duhet të bëj kompromiset e mia, që më kanë rënë në kokë. Shpresoj që çmimi i tyre të jetë lehtësisht i përballueshëm dhe poashtu edhe të juajat, nëse më lejoni të ju drejtohem në këtë mënyrë. Atdheu është i majmunëve të mençur. Dhe meqenëse u lëshuam kaq shumë. Duket se e gjitha që më mban këndejpari ende është diçka e paemërtueshme. Derisa një ditë ujqit do ta bëjnë gjak edhe pjesën e fundit të trupit të kësaj gjëje. Thënë pak më hapur e me shpresë se do të më falni, e vetmja gjë që më preokupon ende është shpirti vigan, në përpjekje për ta arsyetuar lumnimin e ekzistencës në mut. Mbase ky është problemi i vetëm filozofik dhe jo broçkullat tjera të dala mode. Për ne të dalurit mendsh.

 

 

16 gusht 2016
12:01

Shpëtim Selmani