QKUK, faleminderit NCUK

26 korrik 2016 22:01

Ilustrimi: Big Eye

Njeri i shëndoshë në spital nuk shkon. Por, edhe njeri i smutë, në QKUK shkon veç prej zorit. Dhe zori nuk asht aq shum sëmundja ose nevoja mjekësore, çkado qoftë ajo, por parja.

Me mujtë asnji njeri, edhe kur asht smutë, nuk kish me shkue në QKUK. NCUK, s’kish me shkue. Por, s’ke ku shkon tjetër, se privati ndërkohë qysh po e shofim prej dëshmive në rastin “stenta” edhe ma i zi, e jashtë vendit, përveç pares edhe procedurat e vizës çvizës, gati e ke të pamundshme me shkue. Ma zi, u ba vështirë me mrri edhe deri në atë pikë ku ta refuzojnë vizën, se as termin me aplikue s’mundesh me caktu. Me provue me shkue me ndihmë të shtetit, teorikisht për disa kategori asht e mundshme. Natyrisht, me kategori nuk e kam fjalën për relevancën mjekësore e trajtimin që nuk mundet me u dhanë në Kosovë, e kam fjalën për kontaktin e duhun, rekomandimin mjekësor të duhun dhe atëherë mundesh me shku edhe jashtë për shërim, besa sipas gjitha gjasave edhe nëse je i dekun. Apo, jo ministër, pardon ish-ministër? Ha, ha!  

Paramendoje, shtrihesh në QKUK për shkak të nevojës, dmth. zorit ekonomik, dhe natyrisht e para çka ka me të shkue në mendje asht me e gjetë dikend, që e njeh dikend, që e njeh mjekun i cili ka me të trajtue. Nuk asht fjala për me ble mjekun me pare, as nuk asht fjala këtu që mjeku blihet, jo, ka edhe që nuk blihen (po get), fjala asht për me e shti mjekun me e pa që personi që asht shtri në spital, asht njeri, i cili ka njerëz që e dojnë e që kujdesen për të.  Fjala asht që mjeku me e ditë që personi në fjalë që ka nevojë për ndihmën e tij mjekësore asht miku i nji miku, i nji miku të filanit, të cilin me shpresë mjeku e njeh personalisht e në rastin ma të mirë, për çfarëdo arsye, edhe e respekton (ose i tutet). Pra fjala asht që mjeku me e kuptue që pacienti asht njeri, dmth. pak ma i veçantë se pacientët e tjerë. Sepse, me pritë prej nji mjeku në QKUK, që ai me e respektue pacientin veç për çka asht, edhe pa ia ditë emnin, thjeshtë me e respektue pa dallim se kush asht e çka asht, a katunar a qytetar; a i pasun a i varfun; a i ri a plak; a shqiptar a maxhup, upps, pardon rom; thjeshtë me respektue si njeri, asht pritje që nuk përmbushet lehtë në QKUK.  Ncuk, nuk përmbushet lehtë. Sidomos, nëse tutesh. E në QKUK edhe ma shumë se era shurrë nëpër korridore, vjen era tutë. Tutë prej mjekut, tutë prej motrës, tutë prej dekës, tutë tutë tutë. Qysh dreqin mos me u tutë kur t’kanë në dorë në ato momente ligësie. 

Kjo natyrisht asht veç teori e jemja, e krijume prej çka kam pa vetë, por edhe në bazë të tregime të shumta të njerëzve, të cilëve unë u besoj; – ju s’keni nevojë me i besue, por unë s’kam nevojë me rrejtë, kështu që para se me vendosë mos me besue, hajt bile dyshoni pak.  Ju ftoj me shkue në QKUK e veç me këqyr seri: s’ka lidhje fort në cilën klinikë, se realisht gati në secilën mundesh me hy brenda kur të duesh, kurrkush nuk të pvetë ku po shkon; s’ka lidhje as orari, s’ka lidhje a je në korridor të kirurgjisë së fëmijëve a në korridor të emergjencës ku edhe me e bllokue krejt hapësinën bashkë me 15 kushërinjët që ke shkue aty; ty s’të ndal kurrkush. Mjekë ke me pa ma së rralli. E kur i sheh, i dallon menjiherë. Nëse nuk janë tue folë me za të naltë, prej nji skeji të korridorit në skejin tjetër me naj infermiere që ka qëllue qaty diku, atëherë janë tue folë në telefon (pardon smartfon). Motrat kur t’i sheh, zakonisht janë të mrrolta, shpeshherë me frizura kanagjegji e të lyeme e të ngjyeme – ama të mrrolta.

Por, çka ke me pa ma së shpeshti janë familjarët e pacientëve, nji a dy prej të cilëve vetëpunësohen përkohësisht në spital e vendosen në dhomë bashkë me pacientin.  Hyjnë e dalin, prej ma të afërmit deri te bishti mbas gardhit, krejt i ke aty, vijnë me rend a pa rend. Duket pa lidhje edhe të krijohet përshtypja që jena popull i mbrapshtë, pa kulturë, etj. etj. Por, kadale mos u ngut. Shyqyr që janë aty. Shyqyr që shkojnë, me ndrrime herë njeni herë tjetri, me e pa pacientin që e kanë të afërm ose bisht mas gardhi, por e konsiderojnë të vetin. Sepse, mos me kenë këta familjarë - me i çue pacientit me hangër; me pi; me e pastrue; me i çue naj shtresë a naj mbulesë; naj ilaç kundër dhimbjes; me e çue në nevojtore; me e thirrë motrën me ia ndrrue kesën e urinës; me e thirrë motrën me i tregue që pacienti ka temperaturë; me e thirrë motrën me i tregue që pacienti ka shum dhimbje; me e thirrë motrën me i tregue që infuzioni u harxhue; me e thirrë motrën me i tregu që pacientit po i vjen mundim, e cila a vjen a s’vjen menjiherë – varet prej vizitorëve që ajo i ka në zyrën e saj – sepse natyrisht edhe asaj i vijnë mysafir, e nëse e ke gjetë kambë mbi kambë, qysh e kam gjetë unë disa herë, atëherë ajo edhe mundet me të thanë “a u mush shum kesja aaaa?; s’kena barna!; hajt se më lodhët” (këtë as nuk ta thotë por ta gjestikulon me dorë) - pra, mos me kenë familjarët, pacienti shkon poshtë. 

Mos me kenë familjarët, këta të afërmit por edhe ata bisht mbas gardhi, sëmundja për të cilën u shtri pacienti në QKUK s’kish me kenë gajlja ma e madhe e tij. Ju mundeni me thonë, mirë bre po a s’mjafton nji familjar me nejtë me pacientin a? Jo s’mjafton: se përderisa njani duhet për me i nejtë te kryet e kohë mas kohe me ia matë pulsin me këqyr a asht gjallë pacienti, tjetri duhet me nga poshtë e nalt me nxanë naj mjek najkun e me pvetë çka po bahet, ndërsa i treti vyen me nga me ble barna, eventualisht edhe me gjetë gjak. Të tjerët vijnë tani me i ndrrue këta. 

Aty ndodh, thehet pjata dhe rrëzohet nji copë bukë në tokë, prej parmakut të dritares nji shishe jogurti pikon poshtë tanë ditën. Kurrkush nuk e largon. Motra thotë “nuk asht punë e jemja”; pastrueses i intereson seriozisht “e kush e bani?“. Dhe këto janë thuejse përralla të lezetshme në krahasim me ngjarjet horror që zhvillohen çdo ditë në QKUK.

Aq keq sillen, aq joprofesionale janë, saqë kur sillen pak ma mirë, të detyrojnë me i falenderue. Përmes këtij falenderimi, kur duhesh me i falenderue jo aq fort se po sillen aq mirë me ty, sa që nuk po sillen keq me ty, vjen në shprehje pozita jote nënshtruese ndaj tyne dhe inferioriteti yt përballë pozitës që kanë. Inferior, por në raste të tilla, së paku nihesh pak si njeri. Dhe aq shum preokupohesh me sjelljen e tyne, disponimin me të cilin të hyjnë në dhomë, saqë nuk të shkon mendja hiç me e vu në pyetje se a janë tue ditë çka janë tue ba. Që ta bajnë dorën mavi deri sa ta gjejnë nji venë, nuk asht kurrgja. Me randësi asht që nuk t’kanë bërtitë.

Sepse, ke parasysh që në QKUK, aty shtrihen pacientët mbi njolla gjaku të pacientit të kaluem. Bile vjen motra edhe ka guxim me i bërtitë pacientes “çu ndrequ pak, qysh je shtri mbi njollë të gjakut të huej.” Nuk i afrohet me i ndihmue. Ndërsa faktin që njolla e gjakut e pacientit të kaluem hala asht aty, nuk e konsideron turp të vetin. Kurse pacientja, prej momentit kur e kanë pru aty direkt prej emergjencës, pas nji aksidenti rrugor ku përveç saj kanë kenë të involvuem edhe fëmija i saj dhe burri, tue u ankue e rënkue prej dhimbjeve nuk gjen veshë. Hyn e dil, asnji njeri nuk e pvetë qysh je; as ku po të dhemb; as sa po të dhemb; as a po të bahet nevoja; as djalin e ke mirë, gjallë asht; as burrin e ke gjallë, mirë asht. E kam pa me këta sy, e kam ni me veshët e mi, e kurrë mos nifsha. Me e kapë me e rreh qaty me e ba pambuk motrën, qysh? A ia vlen me shkue në burg për nji hajvan. Me nejtë pa ba kurrgja, qysh? A durohet kjo çmenduni. Kështu që unë po shkruej, dhe n’daç besoni n’daç jo, po shkruej komplet e shtyme prej qëllimeve egoiste, që unë me mujtë me fjetë natën rehat tue i thanë vetes “nuk asht që s’je tu provue me bo najsen”. Ani pse asht vetëmashtrim. Unë jam e vetëdijshme që mujë me hangër mut ditë e natë, këtë katrahurë me fjalë në vete s’muj e bi.  Dhe faji asht te sistemi, por jo vetëm. Ky sistem me nji popull ma të mençëm nuk kish gjallnue kaq gjatë. 

Më kujtohet qysh në fillim të mandatit ministri i tanishëm i shëndetësisë bante thirrje për me i lajmrue parregullsitë. Qe numrin tem personal, thojke, lajmroni parregullsitë që ndodhin në QKUK e në institucione shëndetësore në përgjithësi. Ministër, seriozisht e keni a? O zotni, shkoni këqyreni me sytë e juej. S’ju vyen ma shum. Ama mos shkoni si ministër, se ju palohen krejt si pula. Shkoni si detektiv shkoni, e këqyreni me sytë e juej. Por, ju i keni pa e i dini të gjitha, apo jo?

Helbete, me qato 500 mijë euro shtesë (qe edhe si numër: 500.000 EUR) që po i kërkoni për trajnimin e stafit në kuadër të tenderit për modernizimin e kardiologjisë invazive (kuptohet nëse ju aprovohet marrëveshja, e elimonohet kundërshtimi rreth asaj se pse asht rrit shifra e eventualisht pse asht ditë fituesi hala pa u çel procedura e tenderimit, por nejse ato janë qashtje politike), a mos e keni në plan allahile me e trajnue krejt stafin e QKUK-ës qysh me u sjellë si njerëz ma së pari, e tani qysh me kenë profesionist i mirë ?  

QKUK, ncuk nuk asht për njerëz. QKUK-ja s’ka menaxhim. Me siguri ekziston naj repart, ku sendet së paku sipërfaqësisht duket se funksionojnë ma mirë, e kjo asht padyshim tani veç falë aftësisë menaxhuese të atij nji personi që e ka në dorë atë repart. Por në përgjithësi QKUK-ja duket sikur nuk ka zot shpije. Prej kesës së urinës, deri të skallperi për operacion duhesh me i ble vetë. Barnat kuptohet, po se po. Kambën e thyeme, të sapo operueme (për cilësi të operimit po tutna edhe me folë) ta stabilizojnë me do hekra të kambëve të karrigeve të ngjituna diqysh mes vete e me do shishe me ujë të varuna teposhtë prej hekurave. Vërejtje: nuk ke garancion që shishet e ujit të jenë prodhim vendor. Shërbimin sidoqoftë, e ke prodhim vendor 100%.  Vërejtje numër dy: Nëse punon najkun në naj institucion publik, mos të foli nëse ke emën publikisht të njoftun, qata të njejtit kanë me të këqyr ma mirë, qaq sa dinë, ama ma mirë, se të tuten, jo për najsen. Për ty, krejt çka s’mundet, bahet e mundshme, krejt çka mungon, gjendet. 

Nejse, tash mos ta baj krejt zi, se ka edhe ma keq, mundet me të dekë njeri në QKUK e as kufomën mos me ta lëshue pa i pague, sipas nji dëshmie prej rastit “stenta”. Mundesh me dekë, sepse, përderisa ti je tu luftue për jetë, trupin e randuem lëshuem në duer të të dashunve tu para hymjes të emergjencës, doktorat (qysh kanë qejf me i thirrë) janë tue kqyrë futboll. 

Me randësi asht që na jena krenar. A po bre? Me randësi asht që na jemi shqiptar. Me randësi asht që na kena paqe dhe qetësi dhe heshtje dhe …. dhe që pjellim ministra që kur ta dhijnë njanin sektor, i bajna ministra në tjetrin sektor.

E tani kur politikisht asht relevante për filan partinë a filani fistekun, kishe s’kanë ditë send ma herët, nji dekadë ma vonë ngrihen aktakuza (në raport me realitetin thuejse modeste) për filan ministrin, e na qetësohemi edhe ma shum. Sikur me kenë të lumtun që sistemi po funksionin, heshtim, e pse mos me heshtë kur sistemi funksionon? Pikërisht, sistemi po funksionon. Sistemi, pra! Ai që polli ministrat e korruptuem e krejt të zezat që na erdhën bashkë me ta, ai pra që tashti mendon që me flijimin e naj daje naj dosti, mundet me e la veten prej mëkateve e me na mashtrue që kena shtet funksional, përderisa Ai rrin në krye të tij. Forja asht, që na edhe do të mashtrohemi. Me këtë popull që asht mësue me vuejtë, nuk asht parashikim i vështirë që kena me u mashtrue.

Kur tryezat ku Agani na flet për lumtuninë, ditën që për vrasjen e nji fëmije i kërkohet dorëheqja dhe nji qytet (dhe jo çfarëdo qyteti, por qytet i qytetnuem) proteston; ditën kur i lexohet aktakuza për pazarllëqet e bame në kurriz të popullit e në llogari shtetnore, pikërisht atë ditë salla mbushet plot studenta të rinj (ose qysh po u thonë për me i mashtrue: ardhmënia e vendit) ma së voni aty e sheh që ky shtet lehtë pshtim nuk ka. E kanë mbjellë farën thellë. Përballë uzurpimit të shkollave e shkatërrimit të sistemit të arsimit në Kosovë, mbyllja e shkollave shqipe prej shkijeve në atë kohë, sot po duket gati si bekim. Zinxhirët atëherë i kena pasë në duer, në kambë, në fyt dhe i kena pa, këtu qëndron bekimi, me pa, përderisa sot na i kanë vu në tru e na po fluturojmë. Atëherë vuejtjen e robnimit e kena balsamue me andrrat për liri. Sot, liria po dhemb deri në mish, e andrra jonë ma madhështore asht qysh me ia ther prej këtu!     

26 korrik 2016
22:01

Ardiana Shala Prishtina