Një konsensus nacional për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm hapësinor në Kosovë

12 korrik 2016 15:00

Në rrëfimin e tij për arkitekturën dhe planifikimin, mbajtur gjatë Javës së Arkitekturës në Prishtinë, shefi i planifikimit urban në Tiranë rrëfente që “vija e vendosur në rërë” për ndaljen e ndërtimeve joformale në Shqipëri është shtyrë disa herë dhe tani si rezultat janë të evidentuara diku rreth 400 mijë objekte pa leje në gjithë territorin shqiptar, prej të cilave rreth 200 mijë prej tyre vetëm në zonën e Tiranës. Në këtë kuadër, ai në mënyrë të hapur shfaqi edhe shembullin e familjes së tij, e cila kishte zgjeruar paligjshëm apartamentin në Tiranë gjatë periudhës së viteve 2000, gjë që kishte ndodhur me shumë apartamente tjera në Tiranë, madje edhe në qendër të qytetit.

Përderisa po e dëgjoja këtë rrëfim, për një moment po mendoja se a është e vlefshme të marrim leksione nga përvojat e ndërsjella të lejimit të krimit urbanistik-arkitektonik në vendet tona apo do të duhej që së bashku si shtete në ndërtim e sipër të mësojmë nga përvojat e sundimit të ligjit në vendet demokratike perëndimore, aty ku arkitektura dhe planifikimi hapësinor respektohen nga shoqëria, nga shteti, nga qeveria.

Praktika e ndërtimeve pa leje në Shqipëri është një praktikë e ngjashme që ka ndodhur edhe në kryeqytetin e Kosovës, ku shumë apartamente në lagje të ndryshme të Prishtinës, po ashtu edhe në qendër të qytetit kanë pësuar ndryshime dhe zgjerime në hapësirë. “Pronarë” të këtyre shëmtive të kryeqytetit tonë janë njerëz të të gjitha pjesëve të shoqërisë, qofshin ata profesorë universitarë, politikanë, artistë, biznesmenë, ish-komunistë të konvertuar në demokratë, madje edhe arkitektë kosovarë të plejadës së Universitetit të Sarajevës, etj.

Këto, si dhe praktikat tjera edhe më flagrante që kanë mbizotëruar dhe po mbizotërojnë Kosovën dhe Shqipërinë në fushën e planifikimit hapësinor dhe në arkitekturë flasin jashtëzakonisht qartë për nivelin ku janë katandisur shoqëritë dhe shtetet tona jo vetëm në këtë fushë. Pandjeshmëria totale e shoqërive tona ndaj planifikimit urban dhe ndaj projektimit arkitektonik të objekteve, qofshin ato të banimit individual, shumëbanesor, apo objekteve publike të karakterit qeveritar, kulturor, arsimor, ekonomik, rekreativ-sportiv apo të objekteve të karaktereve tjera, dëshmon më së miri domosdoshmërinë e ndërtimit imediat të një vullnet të vërtetë politik për të vendosur prioritet të prioriteteve shtetërore planifikimin hapësinor, që është ndër fushat më të rëndësishme kudo në vendet demokratike perëndimore, e cila krijon mundësi të mira për t’i hapur rrugë zhvillimit të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të zonave tona urbane dhe rurale.

Dhe, ajo “vija e vendosur në rërë” për ndaljen e ndërtimeve joformale, që është tejkaluar disa herë me radhë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, edhe po të vendosej përfundimisht ”në rërë”, mund të thuhet në mënyrë figurative se do ta shlyenin përsëri dallgët e detit dhe nuk do të ekzistonte më. Prandaj, duhet vendosur vijë të vërtetë dhe më serioze të ndaljes së informalitetit në ndërtim, arkitekturë dhe të mbizotërojë rregullimi i kësaj çështjeje, bazuar në parimet e mirëfillta të planifikimit hapësinor. Vija kundër informalitetit së pari duhet të vendoset në kokat tona, në mendjet tona, në qeveritë tona, në bizneset tona, dhe pastaj ajo frymë e respektimit të ligjit do të reflektohet në çdo segment të shoqërisë, para së gjithash edhe në planifikim hapësinor dhe në arkitekturë.

Kultura e shoqërisë dhe institucioneve tona ndaj planifikimit hapësinor dhe arkitekturës

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është trajtimi i ndërtimeve informale në vendin tonë, por analizimi i qasjes së shoqërisë dhe institucioneve kosovare ndaj planifikimit hapësinor dhe arkitekturës, përkatësisht trajtimi i kulturës sonë shoqërore dhe institucionale ndaj këtyre dy fushëveprimtarive të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Në këtë drejtim, është me rëndësi të potencohet se në vendin tonë është në fuqi Plani Hapësinor i Kosovës, i miratuar në vitin 2010, i cili është dokumenti më i lartë ligjor në fushën e planifikimit hapësinor. Në nivelin kombëtar me Ligjin e Planifikimit Hapësinor të miratuar në vitin 2013 është paraparë edhe hartimi i Hartës Zonale të Kosovës, e cila do të ishte përmbledhje e të hartave zonale të komunave të Kosovës. Në nivel kombëtar, janë në fuqi edhe Planet Hapësinore për Zona të Veçanta, disa prej të cilave janë hartuar dhe janë në fuqi. Lidhur me planet për zona të veçanta është e vlefshme të vihet në pah joserioziteti dhe papërgjegjshmëria e institucioneve kosovare, të cilat edhe 17 pas luftës çlirimtare ende nuk e kanë hartuar Planin Hapësinor për Zonën e Veçantë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shtuar këtu edhe faktin se për këtë zonë dhe për zonat tjera historike të Kosovës, është themeluar një institucion i veçantë, i cili vitin e kaluar kishte tentuar që në mënyrë të jashtëligjshme të shpërblente me kontratë për hartimin e planit urbanistik për kompleksin memorial në Prekaz një konsorcium të dyshimtë dhe jokredibil, si nga ana profesionale, po ashtu edhe nga ana ligjore.

Ndërsa, në nivelin komunal, në shumicën e komunave janë hartuar apo aty ku ka skaduar vlefshmëria e tyre, janë në proces të hartimit Planet Zhvillimore Komunale, përderisa asnjë komunë ende nuk ka hartuar Hartën Zonale të Komunës, dokument ky i cili parashihet me Ligjin aktual të Planifikimit Hapësinor (ndërsa, Planet Zhvillimore Urbane të cilat sipas Ligjit që ishte në fuqi deri 2013 kanë zëvendësuar Hartën Zonale të Komunës, kanë skaduar), ndërsa Planet Rregulluese Urbane (apo Planet Rregulluese të Hollësishme) për pjesët kryesore të qendrave urbane kosovare janë hartuar.

Edhe pse si profesionistë të fushës së planifikimit hapësinor mund të diskutojmë gjerësisht dhe thellësisht për kualitetin e këtyre dokumenteve të kësaj fushe, unë kësaj radhe dua të vë theksin më shumë tek vullneti politik i munguar për zbatimin e këtyre planeve hapësinore, si dhe mungesa e vullnetit politik për zbatimin e Ligjit të Planifikimit Hapësinor, Ligjit të Ndërtimit dhe legjislacionit sekondar, qoftë në nivelin kombëtar, qoftë në nivelin lokal.

Në vazhdim, do prezantoj një shembull që dëshmon se sa respektohet legjislacioni i planifikimit hapësinor dhe i ndërtimit nga vetë institucionet e Kosovës: kohë më parë bashkë me një koleg arkitekt nga Gjermania kemi marrë pjesë në një konkurs projektimi për Kampusin Universitar në Gjakovë. Bashkërisht edhe me kolegë tjerë kosovarë dhe gjermanë, hartuam një zgjidhje urbanistike dhe arkitektonike të një kampusi universitar bashkëkohor, me hapësira publike, gjelbërim dhe shtigje që ndërlidhin të gjitha fakultetet dhe objektet tjera të kampusit. Kjo zgjidhje padyshim që ishte e bazuar në respektimin e Kushteve të Ndërtimit të miratuara nga Kuvendi Komunal i Gjakovës. Por, investitori, në këtë rast Ministria e Arsimit në mënyrë të paligjshme e shpall fitues një projekt që nuk respekton kushtet e ndërtimit të miratuara nga Komuna e Gjakovës, duke mos respektuar madje as gabaritin e përcaktuar të objekteve të fakulteteve, dhe as planin e paraparë të vendosjes së objekteve të fakulteteve, rektoratit dhe konvikteve, pasi me zgjidhjen urbanistike vendos fakultetet në atë mënyrë që e bllokon komunikim e hapur vizual mes tyre, zhvendos edhe objektet tjera nga pozicionimi urbanistik ku ishin paraparë me kushtet e ndërtimit, nuk krijon hapësira të përbashkëta publike, por i ndan ato, duke ngulfatur kështu hapësirën e planifikuar për një kampus të hapur universitar.

Është skandaloze që udhëheqës i jurisë vlerësuese të konkursit të kampusit universitar në Gjakovë është një ligjërues universitar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, i cili bashkë me anëtarët tjerë të jurisë (dy prej të cilëve arkitektë nga Shqipëria, të cilët kësaj radhe na e sollën “përvojën” e degradimit profesional etik si arkitektë) vlerësimin e projekteve e bëjnë të pabazuar në asnjë kriter të mirëfilltë profesional dhe ligjor, por vetëm në vlerësime të njëanshme dhe subjektive.

Duke ditur që kushtet ndërtimore janë kategori obliguese ligjore, të përcaktuara me Ligjin për Planifikim Hapësinor, për shkeljen e këtyre dispozitave ligjore, si dhe për shkeljet tjera të legjislacionit të prokurimit që ndërlidhen me vlerësimin e pabazuar në kriteret e përcaktuara të vlerësimit me dosjen e këtij konkursi, si dhe lidhur me shkeljet e bëra me mos hapjen publike të ofertave financiare, bashkë me disa kolegë tjerë u ankuam në organin përgjegjës për shqyrtimin e ankesave. Por, në mënyrë skandaloze ky organ, edhe pse i kishte të argumentuara tekstualisht dhe grafikisht të gjitha shkeljet e bëra të Ligjit të Planifikimit Hapësinor, të Ligjit të Ndërtimit dhe të legjislacionit sekondar të këtyre fushave, si dhe shkeljet e Ligjit të Prokurimit, merr vendim që të aprovohet dhënia e kontratës për projektin që nuk e respekton legjislacionin në fuqi të planifikimit hapësinor dhe të ndërtimit. Çuditërisht, ky institucion nuk i trajton fare shkeljet e bëra të Ligjit të Planifikimit Hapësinor, Ligjit të Ndërtimit dhe legjislacionit sekondar të këtyre dy fushave të ndërlidhura me këtë projekt.

Ja çfarë ndjesie ligjore kanë dëshmuar MASHT dhe OSHP ndaj respektimit të Ligjit të Planifikimit Hapësinor. Nuk e di se si ky projekt “fitues” do të marrë leje ndërtimore nga Komuna e Gjakovës, pasi ai nuk respekton kushtet ndërtimore të miratuara nga kjo komunë. Në javët apo muajt e ardhshëm do ta shohim se si do të veprojë Drejtoria e Urbanizmit e kësaj komune lidhur me pajisjen me leje të këtij projekti. Do të shohim a do të respektohet ligji apo jo nga kjo drejtori.

Investimet publike – pa respektuar planet rregulluese

Në anën tjetër, nisur nga përvoja ime dhe e kolegëve tjerë arkitektë dhe urbanistë kosovarë në hartimin e planeve rregulluese urbane, me plot përgjegjësi e them se në shumicën e rasteve këto plane rregulluese janë hartuar bazuar në hulumtime në terren, në diskutime publike me banorët e zonave dhe me akterët e tjerë të përfshirë në proces. Me përjashtim të disa planeve rregulluese të fillimviteve të 2000-ta që janë hartuar në disa komuna, madje nga disa profesorë universitarë, pa pjesëmarrjen e banorëve të atyre zonave në procesin e planifikimit, gjë që ka reflektuar në domosdoshmërinë e revidimit të mëvonshëm të atyre planeve për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Personalisht bashkë me disa kolegë kemi marrë pjesë në revidimin e një plani rregullues në qytetin e Gjilanit, në të cilin është paraparë ndërtimi i objekteve shumëbanesore, edhepse pronarët e parcelave në këtë zonë nuk kishin qenë të interesuar për këtë lloj banimi, për arsye se shumica prej këtyre pronarëve ishin qytetarë që jetonin dhe vepronin në diasporë dhe interesimi i tyre ishte për të ndërtuar objekte individuale të banimit, në të cilat do të kalonin pushimet e verës, e jo objekte shumëbanesore, ashtu siç është bërë trend i dhunshëm në shumicën e komunave të Kosovës. Këtë gjë e kemi vërejtur gjatë hulumtimit në terren që kanë bërë anketuesit e angazhuar, por natyrisht edhe vetë mosimplementimi i atij plani rregullues urban ka rezultuar me domosdonë e revidimit të atij plani.  Kjo dëshmon që ka kaluar koha kur janë hartuar plane rregulluese urbane pa përfshirjen e qytetarëve dhe akterëve tjerë në procesin e planifikimit.

Janë edhe dy sfida kryesore në të cilat kemi hasur gjatë këtij procesi të planifikimit të zonave urbane: mungesa e planeve zhvillimore komunale dhe urbane të mirëfillta dhe mungesa e koordinimit mes drejtorive komunale për implementimin e planeve rregulluese, që rrjedhimisht ndërlidhet me mungesën e respektit për planifikimin hapësinor nëpër komuna dhe me mungesën e vullnetit politik për të zbatuar planet rregulluese urbane.

Kjo qasje ndërlidhet për shembull me ndërtimin e infrastrukturës rrugore brenda qyteteve, në shpërputhje me rrugët e parapara me planet rregulluese urbane në fuqi, Këto veprime të drejtorive komunale, të cilat duke mos respektuar Ligjin e Planifikimit Hapësinor investojnë dhe tejkalojnë kështu edhe vetë drejtorinë e urbanizmit, madje investojnë edhe pa marrë fare leje ndërtimi nga kjo drejtori për implementimin e projekteve të infrastrukturës, janë një shembull jo i mirë i mosrespektimit të planifikimit hapësinor.

Kjo qasje mund të ilustrohet edhe me rastin e një objekti publik në qendër të Prishtinës, për të cilin fillimisht ishte marrë leje për një etazhitet të caktuar, që përkonte me objektin ngjitur tij, por më vonë ministria përkatëse që kishte investuar në ndërtimin e këtij objekti, ia kishte shtuar edhe disa etazhe objektit duke e prishur kontinuitetin e etazhitetit me objektin ngjitur tij dhe rrjedhimisht duke mos respektuar lejen e ndërtimit.

Mos të harrojmë se edhe projekti i papërfunduar i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë i shkel kushtet e ndërtimit të parapara me Planin Rregullues Urban të zonës së Qendrës së Prishtinës, në bazë të së cilit është paraparë se vetëm 15 për qind e hapësirës së parcelës së katedrales të jetë e ndërtuar, e në realitet është ndërtuar më shumë se 65 për qind e hapësirës së parcelës, duke asgjësuar kështu hapësirën publike të paraparë për gjelbërim dhe shesh. Po, ashtu edhe projekti i përzgjedhur për Xhaminë Qendrore në Prishtinë është në kudërshtim me Planin Rregullues Dardania.  Imagjinoni këtë situatë kur për objekte publike religjioze nuk respektohet plani rregullues, atëherë sa do të respektohet kjo rregullativë ligjore urbanistike nga ana e qytetarëve gjatë ndërtimit të objekteve të tyre të banimit.

Lidhur me qasjen institucionale ndaj planifikimit hapësinor, ja edhe një shembull skandaloz: një komunë e Kosovës para disa kohësh ka nënshkruar një kontratë me një kompani për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, kontratë kjo me një shumë prej rreth 10 mijë eurosh! Paramendoni, për përcaktimin e zhvillimit të gjithëmbarshëm hapësinor të një komune, kontraktohet një plan që do të kushtojë 10 mijë euro! Mund të imagjinoni se çfarë mendje profesionistësh mund të hartojnë një plan për këtë shumë parash, kur vetëm projekti i një objekti në kushte normale kushton shumëfish më shumë se çmimi i kontraktuar për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal!

Apo, edhe më keq: së fundmi shumë komuna kontraktuan kompani projektuese për hartim projektesh të investimeve komunale me çmim skandaloz prej më pak se 2 euro për metër katror! Ruana Zot se çfarë projektesh janë bërë dhe do të bëhen dhe çfarë objektesh janë ndërtuar dhe do të ndërtohen me këtë qasje të çmimeve “minimaliste” !

Pra, siç mund të shihet nga këto pak raste të prezantuara: ky është niveli aktual i respektimit të planifikimit hapësinor dhe arkitekturës në Kosovë!

Në vendet demokratike perëndimore, Plani Hapësinor i një vendi, si dhe planet tjera hapësinore, respektohen në nivel me Kushtetutën e një vendi! Kur do të ndodh kjo në vendin tonë!?

Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura – reprezentim i nivelit kulturor të një shoqërie dhe të një shteti

Me plotë të drejtë, mund të shtrohet pyetja se si të dilet nga kjo situatë në të cilën gjendemi, cila është zgjidhja!? Sipas vlerësimit tim, zgjidhja është një dhe e vetme: krijimi i vullnetit politik institucional për të zbatuar ligjshmërinë në fushën e planifikimit hapësinor dhe arkitekturës. Nëse me të vërtetë e duam atdheun tonë dhe nëse jemi seriozë në këtë aspekt, menjëherë mund të fillohet me reforma të domosdoshme, të cilat duhet të kenë për bazë zbatimin e ligjshmërisë dhe praktikave më të mira perëndimore në fushën e planifikimit hapësinor dhe arkitekturës. Nuk kemi kohë të merremi me të kaluarën e ndërtimeve joformale, por patjetër që duhet të mësojmë nga kjo përvojë e hidhur dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa të mençur dhe të guximshëm për të vënë në binarë të duhur planifikimin dhe zhvillimin hapësinor dhe arkitektonik të Kosovës. Nuk është ideja vetëm e pajisjes formale me leje ndërtimore, por e ndërtimit të një qasje të re të planifikimit hapësinor dhe rrjedhimisht edhe të një qasje të re në dhënien e lejeve ndërtimore. Ngase, në Prishtinë dhe në shumicën e qyteteve të Kosovës janë lëshuar leje ndërtimore për objekte të karaktereve të ndryshme, ku nuk respektohet hapësira e lirë e paraparë me plan rregullues, ku nuk ekziston fare hapësirë e gjelbëruar për rekreacion, ku hapësira e lirë është zënë tërësisht nga parkingjet, të cilat po ashtu nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, problemi nuk qëndron vetëm tek ndërtimet joformale, por edhe tek ato që janë pajisur me leje ndërtimore në mënyrë të paligjshme dhe pa i respektuar rregullat e planifikimit hapësinor dhe të arkitekturës.

Për të argumentuar këtë konstatim dhe për të qenë realë me vetveten tonë, vetëm duhet të shikojmë kah Prishtina kur zbresim nga Veterniku apo nga Bregu i Diellit, apo të shikojmë kur udhëtojmë nga hyrja e Prishtinës në Lagjen Kodra e Trimave, si dhe nga hyrja e rrugës Prishtinë-Fushë Kosovë dhe do të shohim se çfarë pamje ka marrë kryeqyteti ynë nga babëzia e ndërtuesve dhe mungesa e sundimit të ligjit. Duhet të shikojmë kaosin e komplekseve shumëbanesore në Lagjen Kalabria, kaosin në Lagjen Pejton, në Lagjen Dodona, Mati 1, 2 dhe në shumë lagje tjera të kryeqytetit, ku shumica e komplekseve të objekteve janë të pajisura me leje ndërtimore, edhe pse në këto komplekse mungojnë hapësirat publike, gjelbërimi, rekrerimi, ndriçimi natyral, mungon respektimi i linjës rregulluese, e shumëçka tjetër, që janë elemente të domosdoshme dhe bazike për jetë kualitative. “Linjat rregulluese janë lindje e pashmangshme e arkitekturës. Domosdoshmëri për rregull. Linja rregulluese është një garanci kundër arbitraritetit. Ajo siguron kënaqësinë shpirtërore” shkruante shumë dekada më parë Le Corbusier.

Prandaj, duhet të jemi të vetëdijshëm që Planifikimi Hapësinor dhe Arkitektura janë imazhi real dhe më i mirë i nivelit të një shoqërie dhe të një shteti. Nëse bazohemi në këtë konstatim, atëherë rezulton se nuk kemi ndërtuar ndonjë imazh shpresëdhënës. Për këtë arsye, mendoj se menjëherë duhet të ndërtohet një konsensus nacional shoqëror dhe institucional dhe një vullnet i vërtetë politik për respektimin e hapësirës apo territorit tonë, ngase është dëshmuar për të satën herë se hapësira pa planifikim të mirëfilltë e pengon zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Një kritik i mirënjohur amerikan i arkitekturës ka shkruar se Arkitektura është simboli identifikues më domethënës i një shteti dhe një shoqërie, është reprezentim fizik i kulturës, madje reprezentim edhe më kuptimplotë sesa vetë flamur i një shteti. Këtë konstatim ai e argumenton me objekte ikona të arkitekturës botërore, si Shtëpia e Bardhë, Kapitolli, Piramidat, Kulla e Ajfelit, Porta e Branderburgut, Opera e Sidnejit, Empire State Building, Golden Gate Bridge dhe shumë objekte tjera arkitektonike.

Nëse është kështu, atëherë unë do ta marr si shembull lagjen e banimit që njihet si Lagja e Universitetit në Prishtinë për të analizuar se çfarë reprezentimi fizik i kulturës sonë është arritur me arkitekturën e kësaj lagjeje. Më rastisë shpesh që duke e dërguar të bijën time në një shkollë të muzikës dhe të baletit në këtë lagje, të shoh se aty kanë rindërtuar e mbindërtuar shtëpi shumë profesorë universitarë. Nëse arkitektura e këtyre shtëpive është një prej simboleve reprezentuese të nivelit të emancipimit tonë kulturor, atëherë nuk del se i kemi punët mirë. Disa nga shtëpitë e profesorëve të ndërtuara në këtë lagje “universitare” sikur të ishin kështjella të mesjetës, si dhe babëzia për të ndërtuar objekte të stërmëdha të banimit individual, që nuk lënë fare hapësirë për oborr dhe gjelbërim dhe që nuk ndërthurin në vetë asnjë ide të mirëfilltë bashkëkohore arkitektonike, që do të reprezentonte vlera të qëndrueshme, flet për një mentalitet primitiv dhe provincial, që nuk garanton një shtet dhe një ekonomi të bazuar në dije, në punë, në konkurrencë të mirëfilltë të vlerave. Një kritik italian i arkitekturës këtë babëzi të disa shtëpive në Lagjen e Universitetit do ta quante mungesë e urbanitetit, pra, “një cilësi që u mungon njerëzve të fryrë, egocentrikëve, të eturve për të rënë në sy, për të pohuar personalitetin e vet: si te njerëzit edhe te ndërtesat”.

Besoj se është momenti i duhur që të ndryshojmë kahje: të ndërtojmë vendin tonë, kryeqytetin tonë, si një vend të vlerave të vërteta arkitektonike dhe urbanistike. Le Corbusier thonte: “Megjithatë arkitektura ekziston. Diçka e admirueshme, më e bukura. Produkt i popujve të lumtur dhe është ajo që prodhon popuj të lumtur. Qytetet e gëzuar kanë arkitekturë”. Është momenti i fundit ta punojmë për të qenë në mesin e popujve të lumtur, dhe t’a shndërrojmë Prishtinën dhe Kosovën në vende të gëzuara, ngase vetëm vendet e gëzuara, ashtu siç thoshte arkitekti i madh botëror, kanë arkitekturë! 

 

______________

Foto (me leje të autorit): Projekti i arkitektëve Arianit Bytyçi, Altin Ramabaja dhe kolegëve te tyre gjermanë në konkursin e arkitekturës për Kampusin Universitar në Gjakovë.

12 korrik 2016
15:00

Arianit Bytyçi