Mbi gjumin politik të të rinjve

12 korrik 2016 11:21

Ekziston një perceptim i gjerë në opinion se pjesëmarrja e të rinjve në politikë është mjaft e ulët. Në vende të ndryshme të botës, ky pohim mbështetet edhe nga dalja e ulët e tyre në zgjedhje, sikurse evidentohet edhe nga të dhënat e ndryshme empirike të punimeve të ndryshme shkencore. Kështu, bie fjala në referendumin e fundit edhe pse shumica e të rinjve në Britaninë e Madhe votuan për qëndrim të mëtejshëm në BE, shkalla e daljes së tyre në këtë referendum ishte dukshëm më e ulët (36%) sesa pjesëmarrja e përgjithshme që ishte 72%. Gjë e cila ka ndikuar edhe në rezultatin përfundimtar, ku një shumicë e ngushtë u deklaruan për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Për arsyet e përgjithshme të apatisë dhe neglizhencës nga ana e të rinjve për proceset politike, jepen shpjegime nga më të ndryshmet. Njëra nga këto pohon se brezat e rinj janë shumë më pak të interesuar të marrin pjesë në proceset politike, sepse këto nuk i konsiderojnë si çështje me të cilat ata duhet të merren. Një interpretim tjetër pohon se të rinjtë nuk kanë besim në sistemin politik ose janë tepër të zhgënjyer nga politika dhe kështu abstenojnë si një formë legjitime kundërshtimi. Ndërsa ka edhe të tillë që këtë dukuri e shpjegojnë me faktin se të rinjve nuk u mundësohet sa duhet angazhimi politik si në partitë politike ashtu edhe në organizata tjera ku do të mund të kontribuonin. Cilado që të jenë arsyet e dhëna për pjesëmarrje të ulët, një gjë është e qartë, se të rinjtë pjesëmarrjen politike e bëjnë në mënyra të ndryshme dhe të shumta, dhe jo domosdo kjo duhet të lidhet vetëm me votimin, demonstratat, strukturat qeveritare apo anëtarësimet në parti politike. Kështu, fjala vjen, qysh viteve 1970, teoricienia e njohur Carole Pateman vinte theksin se angazhimi politik ose pjesëmarrja në jetën demokratike varet nga shumë faktorë dhe se nuk mund të reduktohet vetëm te dalja në zgjedhje. Ajo vinte theksin, në mes tjerash, në dy trajta themelore të pjesëmarrjesë në pjesëmarrje të plotë, ku qytetari ka fuqi politike të barabartë në rezultatin e vendimeve, dhe në pjesëmarrje të pjesshme, ku qytetari apo të rinjtë më shumë vlejnë si zëra këshillues sesa që mund të kenë pushtet real të vendimmarrjes.

Siç e demonstrojnë edhe mjaft studime bashkëkohore dhe hulumtime të opinionit, angazhimi i të rinjve në organizata të shoqërisë civile apo në aktivitete tjera vullnetare politike e sociale del të jetë më i lartë sesa pjesëmarrja në institucione e struktura të zakonshme politike. Madje një pjesë e madhe e hulumtimeve të opinionit në vende perëndimore mbi këtë temë, ka gjetur se identifikimi apo anëtarësimi në ndonjë parti politike ka pësuar rënie drastike. Por, pjesëmarrja politike ka marrë një kuptim tjetër, atë të angazhimit politik e social, sidomos në nivelin lokal. Në këtë kontekst, politologu amerikan Russell Dalton konsideron se duhet tejkaluar idenë e qytetareve “të detyruar” e lidhur me norma e institucione të zakonshme, në atë që mund të emërohet si qytetarë të angazhuar. Ideja e qytetarisë së angazhuar përfshin angazhimin në shoqëri, e shprehur nëpërmjet mbështetjes dhe solidarizimit me grupet më të rrezikuara ose më të varfër, pastaj përfshin paanësinë partiake e pavarësinë në veprimtari si politike ashtu edhe në sektorin e shoqërisë civile.

Mirëpo, nëse do të ndalemi dhe të fokusohemi në rastin e Kosovës, ku pjesa dërrmuese e popullatës i takojnë grupmoshës së re, dhe pjesëmarrjes së tyre politike, atëherë ne na paraqitet një tablo tjetër nga ajo e vendeve ku janë zhvilluar studimet e lartcekura. Kështu që në rastin tonë, qytetaria e angazhuar edhe pse në nivel të kufizuar nuk mungon, por që në një masë kjo e ka margjinalizuar rolin dhe angazhimin e të rinjve në jetën politike. Në anën tjetër, ka krijuar një hendek faktik, ku krijimi i kornizave legale e institucionale për politika rinore ekziston dhe i plotëson standardet e kërkuara ndërkombëtare por që mundësia për përfshirje dhe kontribut të mirëfilltë politik mbetet ende e pazhvilluar. Për ta ilustruar këtë po përmendim vetëm Ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrjee pap të rinjve, i miratuar qysh në vitin 2009, si dhe Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Rini 2010-2012 e aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Janë edhe me dhjetëra dokumente tjera nga OJQ-të nga kjo fushë, por që asnjëra nuk ka rezultate të matshme apo vazhdimësi të politikave të propozuara. Ndërsa nga studimet e pakta që trajtojnë çështjen e të rinjve në Kosovë, është hulumtimi i opinionit i bërë nga Fondacioni Friedrich Ebert nga viti 2012, që del se 64% konsiderojnë se nuk janë të përfaqësuar sa duhet në politikë dhe ku 51% nuk besojnë se me votën e tyre mund të ndikojnë në qeverisjen e vendit. Këto të dhëna nxjerrin në pah skepticizmin e theksuar në mesin e të rinjve në strukturat qeveritare dhe në sistemin aktual politik, gjë që rrjedhimisht ndikon dukshëm edhe në pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në politikë. Sidoqoftë, edhe në këtë hulumtim mungojnë provat empirike rreth pjesëmarrjes dhe angazhimit të të rinjve, për të na ofruar një pasqyrë më të mirë rreth kësaj dukurie.  

Për fat të keq, as këto gjetje ekzistuese nuk janë adresuar aspak as nga institucionet gjegjëse që të përmirësojnë gjendjen, por edhe më keq del situata nëse shohim partitë politike, të cilat shumë pak i kanë kushtuar vëmendje inkuadrimit të rinjve në strukturat e tyre vendimmarrëse. Pjesëmarrja e tyre në strukturat udhëheqëse, si Këshilli i përgjithshëm ose Kryesia është tepër e vogël dhe gati e papërfillshme, për t’u konsideruar si përfaqësim i denjë të kësaj strukture shoqërore në politikë. Ndërsa, nëse analizojmë tutje përfaqësimin e të rinjve në Kuvendin e Kosovës, Asambletë komunale apo edhe në Qeveri, del se numri është mjaft i ultë por edhe fuqia e atyre përfaqësueseve politikë ekzistues është tejet e kufizuar.    

Është e qartë se një pjesë e madhe e përgjegjësisë i takon vetë të rinjve, që angazhimin e tyre qytetar ta shtrijnë edhe më shumë dhe më fuqishëm edhe në sferën politike. Dhe këtë jo vetëm duke kritikuar për mungesë hapësire, por duke u organizuar brenda zhvillimeve politike që synojnë.

Në këtë situatë të krijuar me mungesën e të rinjve të angazhuar, paradoks është edhe fakti që përkundër shkallës së lartë të mosbesimit në institucionet publike, shumica absolute e të rinjve synojnë që të punësohen pikërisht në këtë sektor!

Përtej demagogjive politike dhe premtimeve boshe elektorale për ‘Evropianët e Rinj’ ose dhe rininë si e ardhmja e ndritur vendit, duhen bërë hapa konkretë që të rinjtë meritorë të gjejnë vendin e tyre në angazhimin politik duke mbrojtur interesat dhe përfaqësuar brezat e tyre.

12 korrik 2016
11:21

Bekim Baliqi