Vendi i dëshmisë dhe kujtesës

11 korrik 2016 09:54

Qysh në fillim të qërojmë hesapet. Pa pranuar asnjë justifikim. Dhe asnjë teori. Të këqijat më të mëdha që i kanë shkaktuar qenies njerëzore tronditjet më të thella shpirtërore dhe fizike, kanë rrjedhur nga ideologjitë politike. Rrjedhimisht nga kafshët e vendosura në krye të një sistemi politik. Natyrisht nuk e kemi në mend ta përjashtojmë edhe religjionin. Por kësaj here besoj se do të mjaftohemi me diçka tjetër. Në këtë kohë kur përpëlitjet e fundit të madhështisë njerëzore janë zbehur për të mos thënë janë fashitur, gjithë çfarë kemi për ta kuptuar të vërtetën e asaj se kush jemi, mbetet kujtesa. Nuk ka pikë dyshimi se armiqtë më të mëdhenj të së drejtës njerëzore për lumturi janë liderët politik. Po ta shohim pak më hollë megjithëse kjo argumenton fatkeqësinë tonë të trashëguar nga fatkeqët, nuk ka asnjë kohë që ishte e njerëzve. E gjitha ishte e fuqisë korruptuese të mendjes dhe shpirtit. E fuqisë së politikanëve të lig, që për çudi ende i mban toka. Dhe këtu nuk ka nevojë për keqardhje megjithëse ajo është e nevojshme. Duket se kokëfortësia e së keqes është triumfuese përderisa koka e së mirës është zhytur thellë në krahërorin e paaftësisë për t'ia dalur mbanë. Koha rrjedhë dhe arma e vetme në duart e bardha sërish është kujtesa. Si njësi themelore e shpresës dhe si strukturë unike për të besuar në mrekullinë e dinjitetit dhe qetësisë së gjakut njerëzor, për ta mposhtur pisllëkun e padurueshëm të shpirtit. Nëse ia dalim.

***

Muzeu historik ,,Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës,, në Shkodër, është i vetmi vend kujtese i ngritur në Shqipërinë e tensionuar, si shenjë përkujtimi për viktimat e regjimit ç’njerëzor komunist. Të bëhemi pak më miqësor. I vetmi vend që më detyroi të merrja një stilolaps dhe të mbaja shënime në faqet e zbrazura të një libri që po e lexoja. Duhej të dukesha i mërzitshëm duke parë dhe duke shkruar. Si një turist klasik që ishte dëgjues i mbarë dhe që shprehte interes ndaj gjërave, më shumë se sa ishte e duhur. Si gjithmonë. Të dalim tek esenca e dhimbjes. Persekutimi komunist në Shkodër përfshinte 2890 të burgosur, 1924 të internuar, 601 pushkatime prej tyre 61 klerikë dhe 136 të vdekur nga torturat. Në të vërtet ndjeva gjendjen e kurreshtjes superiore përzier me gjendjen e shqetësimit përderisa po ecja nga hyrja e deri tek qelitë, që njihej si rruga e vuajtjes. Apo drejt vuajtjes. Si të doni ju. Në hapësirat e muzeut mund të ndjesh jetëra të mëhershme që nën diktatin e një ideologjie shfarosëse ende gjallonin dhe forconin dëshirën për të rezistuar ndaj shëmtisë së një pushteti mizor.

E gjithë kjo rezistencë e thjeshtë morale vinte si dallgët e pasigurta të detit, përmes lugëve të drurit dhe kutive të duhanit të punuara në burg apo përmes gjërave të tjera si nga fletorja e shkrimtarit dhe përkthyesit Zef Zorbës (i dënuar për agjitacion dhe propagandë), mbushur me citate nga kryveprat botërore përfshirë Hamletin. Kjo sa për ta shtuar forcën e detajit jo se unë çmendem pas Hamletit. Më pas një vepër, kopja e së cilës kishte qëndruar e groposur nga viti 1967 deri në fillim të vitit 90, lëshon zërin e saj në hapësirën e sallës së ekspozimit. Bëhet fjalë për veprën e Hafiz Ali Krajës, njërit prej teologëve më të shquar të Islamit, ku gërshetohet besimi fetar me traditën e filozofisë antike. Në mes letërkëmbimeve familjarësh të ekspozuara mund të gjenden edhe letrat e shkruara në fletat e duhanit që fsheheshin nën qemerin e pantollonave të Ndoc Dedës, aktor i teatrit të Shkodrës. Në mesin e shumë fotografive të procesit të urdhërit për ekzekutime mund të qëndrosh përballë fytyrës dinake të gjeneral kolonel Enver Hoxhës, duke u derdhur nga kënaqësia. Domethënë ekzekutimet ishin të rëndomta dhe nënshkrimet me vdekje ishin si të mos ishin asgjë. Kështu thoshte Blerta, që më rrinte në krahë duke më treguar vullnetet e fundit të disa prej të ekzekutuarve. Njëri prej tyre kishte qenë Qerim Sadiku, i cili pak para ekzekutimit i paska falur ata që urdhëruan ekzekutimin e tij e poashtu edhe ata që do ta ekzekutonin. Duket se të ekzekutuarit ishin përtej lutjes së Jezusit dhe falnin atë që duhej ta falte Zoti i asgjësuar i asaj toke. Në muzeun e dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, mund të kuptosh rrëfimin e arratisjës së tre të rinjve që dëshironin një jetë më të dinjitetshme përtej kufinjve të vendit, që ishte i vetmi në botë me një nen kundër idesë, e cila si e tillë kishte qenë fatale. Pas pamundësisë së tyre për t’a njohur ,,botën e ndaluar,, qëndronte një përndjekje dhjetë orëshe nën akuzën ,,tradhti e lartë ndaj atdheut,,. Një atdhe i denjë vetëm për qeniet që njohin pushtetin e lumturisë në saje të vuajtjes rreth tyre. Një atdhe me një dhomë të padurueshme torture, e gatshme të ja fuste elektricitetin në vesh atyre që mendonin ndryshe prej atyre që, ta themi për t’i përbuzur, mendojnë në të mirën tonë të përbashkët. E gjithë ajo kohë barbare e cila mund të jetë larg përfytyrimit tim vetjak, më vinte e tragjikisht e dërrmuar, përmes makinës së shkrimit Olympia, makina që prodhonte urdhrin e vdekjes për gati 50 vite me radhë në Shkodrën e biçikletave e në Shqipërinë e zhurmës. Përderisa nga një makinë e llojit të tillë kudo nëpër botë u tha ajo që u mendua nga Woody Allen, Bob Dylan, Danilo Kish, Anais Nin, John Updike, William Burroughs, Julio Cortazar, Charles Bukowski, Tennessee Williams.

 

***

Që ta kemi të qartë. Lëkura njerëzore ende valëvitet në erë.

11 korrik 2016
09:54

Shpëtim Selmani