07 korrik 2016
15:20

Gratë janë nga Venera, Burrat nga Marsi. Një shprehje, tashmë klishe, mori dhenë në vitet e 90-ta, kur u publikua libri i John Gray, i cili thotë që arsyeja kryesore e problemeve ndërgjinore në një lidhje është fakti që gratë dhe burrat janë të ndryshëm psikologjikisht, sikur të ishin nga dy planete të ndryshme.
Tash, në 2016, ne, njerëzit e tokës, vetëm kemi mbërri’ në Mars, dhe për sa kemi pa’, nuk ka asnjë burrë atje. Venera, duke qenë pak më larg, nuk mund ta dimë se a është tërësisht e populluar me gra. Do të thotë, nuk jemi përnjime’ nga dy planete të ndryshme, vetëm psikologjikisht të programuar ashtu që të sillemi si të tillë. Po as kjo nuk është bash e vërtetë, apo jo?
Dominimi i ndasisë gjinore, nëse në çfarëdo niveli është psikologjik, është i tillë sepse diçka rrënjoset në psikologjinë tonë pas shekujve të bindjes për mënyrën sesi duhet të jemi. Gratë dhe burrat nuk janë nga planete të ndryshme, po jetojnë në botë krejtësisht të ndryshme. Këto botë në të cilat jetojnë, janë rezultat i konstruktit shoqëror të rolit të secilit. Të rritesh me mendimin që mund të bësh gjithçka (dhe jo vetëm në kuptimin që mund të arrish gjithçka) është shumë më ndryshe se të rritesh i ekspozuar nga kufizime dhe nga rregulla sesi duhet të sillesh e të veprosh.
Edhe djemtë rriten duke u mësuar të sillen si burra të fortë, e çka duhet të bëjnë për të qenë të tillë, por shumë më shpesh ata mësohen se çka nuk duhet të bëjnë që të mos e humbin burrninë. Sigurisht që është e vështirë. Por ata gjithashtu janë shumë shpesh të shfajësuar nga veprimet e tyre nën pretekstin se “djemtë qashtu jonë.” Jo. Unë refuzoj ta besoj që ekziston diçka e tillë si “djemtë jonë qashtu,” e cila nuk është e mësuar.
Absolvimi i burrave nga përgjegjësia e veprimeve të tyre nën pretekstin e programimit të tyre psikologjik, është paralele me brendësimin e fajit nga ana e grave. Kur ka veprime, gjithmonë ka edhe veprues. Nëse shoqëria është e konstruktuar mbi idenë që veprimet e burrave, sidomos kur ato janë problematike (thënë më së paku), rezultojnë nga natyra e tyre e jo nga vendimet e tyre të vetëdijshme, atëherë, shumë shpesh gratë i brendësojnë pasojat dhe e fajësojnë veten.
Të kuptohemi, nuk ka arsyetime, as psikologjike, as biologjike, as natyrore, në atë që burrat i ngacmojnë gratë, i sulmojnë, i abuzojnë, i dhunojnë. Fakti që realiteti i pranueshëm në shoqëri është ai se burrat janë të programuar në atë mënyrë, do të duhej të ishte pikë së pari ofenduese për burrat. E kemi dëgjuar shpesh, por vlen të përsëritet gjithmonë, se në momentin kur i absolvojmë burrat nga pasojat e veprimeve të tilla nën pretekstin se është në natyrën e tyre, dhe kur i fajësojmë gratë për provokim të veprimeve të tilla me vetë ekzistencën e tyre, ne si shoqëri i shohim burrat si dhunues fillimisht, e çdo gjë tjetër pastaj.
Raporti i Rrjetit të Grave të Kosovës e ilustron më së miri këtë problem në shoqërinë tonë. Ky raport, përveç të dhënave tejet brengosëse të nivelit të lartë të ngacmimeve seksuale në Kosovë, prezantoi diçka edhe më tmerruese, mbrapshtinë e shoqërisë sonë. Po them mbrapshtinë, se fakti që shumica e grave ndihen fajtore vetë nëse ngacmohen seksualisht, nuk është asgjë tjetër përveç mbrapsht. Në këtë raport, statistikisht një e treta e të anketuarve pajtohen se ngacmimi seksual rezulton nga tërheqja, prej të cilëve më shumë burra se gra pajtohen se kjo sjellje është në rregull. Ende më brengosës është fakti që rreth 40% e të anketuarve mendojnë që vajzave u pëlqen të ngacmohen seksualisht (!!!). Mbi të gjitha, ajo që e vulosë mbrapshtinë, është fakti qe rreth 74% besojnë se vetë gratë janë ato të cilat i sjellin vetes ngacmimin seksual, me veshje ose sjellje “provokative”, prej të cilëve mbi 77% e grave pajtohen me këtë pohim, në krahasim me 70% të burrave.
Vitin e kaluar gjatë kampanjës Nata është e jona, njëri nga sloganet më domethënëse, e që besoj i ka prekë “n’tel” shumicën, ishte “Mos e ndal çikën me dalë natën, edukoje djalin.” Është shumë domethënëse kur një gjini e tërë, në një shoqëri të tërë, me një fjali aq të thjeshtë, kuptohet shumë mirë. Nuk ka vajzë e cila nuk është ligjëruar nga prindërit të ketë kujdes natën, derisa, jam e sigurt që në masë dërmuese, vëllai i saj asnjëherë nuk është mësuar të mos veprojë ashtu që t’i bëjë vajzat të ndihen të pasigurta.
Ne i mësojmë vajzat e gratë se “e lypin” nëse dalin të veshura shkurt, e ngushtë, e nëse “hypin” në taka. Gjë që (1) nuk është e vërtetë, sepse ngacmimi vazhdon edhe nëse nuk je “veshë e ndreqë”, e ende më me rëndësi (2) nëse mundohesh të arsyetosh ngacmimin seksual se nuk po mundesh me u përmbajtë kur e sheh një vajzë që është veshur në çkado qoftë që ti po e konsideron provokative – problemi është te vetëpërmbajtja jote. Po, privilegji i tepruar dhe përgjegjësia e pamësuar, të cilat shoqëria ua rrënjos djemve, është problemi.
Rebecca Solnit, në njërën nga esetë e saj, shkruan rreth mungesës së besimit ndaj grave të cilat i akuzojnë burrat për sulme ndaj tyre. Shoqëria është e konstruktuar e tillë që mos t’i besojë grave, nëse ato në çfarëdo mënyre e sfidojnë pushtetin – që në lidhje të ndërsjellë gjinore, pushteti është gjithmonë te burrat. Si rezultat i kësaj, shumica e dhunimeve e sulmeve ndaj grave mbesin të paraportuara, shumica e atyre të raportuara mbesin të padënuara. Kur rritesh me idenë se duhet me pasë kujdes se si po sillesh, po veshesh, e po ecë, se mos po e provokon dikë që nuk paska kapacitet me u vetëkontrollu, e kur norma janë akuzat se “po rren” ose “hajt se ki pasë qejf,” kur anketohesh, normalisht që do të përgjigjesh se mendon që vetë ke faj kur ngacmohesh seksualisht. Edhe nëse e din që nuk është ashtu, edhe nëse është e pamundshme me e racionalizu këtë përgjigje me vetveten.
Nuk besoj që ka njeri në botë, që hijen e vet e njeh më mirë se një vajzë ose grua të cilës i bie të ecë vetëm rrugëve natën. E njohim hijen tonë, që të jemi të vetëdijshme nëse ka ndonjë hije tjetër përreth. Për ata që nuk e kanë çdo ditë të jetës betejë për mbijetesë, dhe që nuk duhet të jenë në çdo moment vigjilente për të mbijetuar nuk e kuptojnë që jo, NUK “KEMI QEJF!”.
Fakti që ekzistojnë aplikacione në telefona, për të raportuar ngacmimin seksual, është dëshmi rreth botëve të ndryshme në të cilat jetojmë. Gratë jetojnë në botën ku çdo moment janë në rrezik të sulmit, ndërsa burrat jetojnë në botën e privilegjuar në të cilën veprimet e tyre nuk raportohen, e kur raportohen, nuk dënohen. Lufta për barazi gjinore, lufta kundër dhunës dhe ngacmimit, nuk është vetëm e grave, kjo luftë është e të gjithëve, e do të fitohej shumë më lehtë nëse të gjithë do të angazhoheshim.
07 korrik 2016
15:20