Nën hijen e syzeve të errëta

30 qershor 2016 12:55

Dhejtë mijë vite më parë gjahtarët kanë fillue të përdorin copa të drurit apo të ashtit para syve, në mënyrë që të ruejnë sytë nga dielli i fortë apo reflektimi i diellit nga bora dhe uji.

Në vitet e 1100-ta, ne Kinë gjygjtarët filluen të bartin një lloj guri të tejdukshëm i cili është gdhendë dhe është vu para syve në mënyrë që të akuzuarit mos të kenë mundësi të përfitojnë duke shikue gjygjtarin në sy, dhe në atë mënyrë t’i lexojnë ndjenjat e tij.

Tek dikun në vitet e 1900 syzet e diellit janë futur në përdorim për t’i mbrojtur sytë nga drita. Në fillim, aktorët e filmit filluen të bartin syze të errëta në mënyrë që t’i ruejnë sytë nga reflektorët e fuqishëm të skenës.

Në vitin 1934, ndërkaq, Bausch & Lomb për herë të parë lansoi të ashtuquajturat syze të pilotëve me "ray ban", apo bllokues rrezesh.

Syri i njeriut, sikurse edhe syri i të gjitha shtazëve që kanë një shqisë të pamurit që shërben për orientim, gjatë evoulimit ka zhvillue mekanizma mbrojtës edhe ndaj dritës së fortë që shkakton dielli. Aparati i syrit ka zhvillue një instrument fantastik i cili rregullon masën e dritës e cila neve na nevojitet për të identifikue objekte dhe të orientohemi lirshëm në ambientin ku jetojmë. Ky instrument është bebëza e syrit, e cila tkurret dhe zgjerohet mvarsisht nga masa e dritës që vjen nga jashtë.

Përpos saj, gjatë evoluimit ne jemi pajisë edhe me një sasi të caktuem të pigmentit, mvarsisht prej pozitës gjeografike ku ne kemi jetue. Në viset ku njerëzit jetojnë dhe masa e dritës është e madhe, pra ku ka diell të fortë, me fjalë të tjera në vende ma të ngrohta, kemi një koncentrim ma të madh të pigmentit i cili edhe funksionon si filter për ndaljen e dritës në mënyrë që ajo mos të depërtojë brenda në retinën tonë. Në pjesën veriore, si dhe asaj jugore të globit, njerëzit kanë më pak pigment ne irisin e tyre dhe sytë e tyre kanë një ngjyrë pak a shumë më të kaltërt.

Shumica nga ne kemi mësuar në shkollat tona se drita nuk është asgjë tjetër përpos një tufë rrezesh te një gjatësie valore të madhësive valore në mes 400 - 700 nanometra. Ne gjithashtu e dimë se rrezet me gjatësi valore të vogël janë të dëmshme apo edhe ekstrem të rrezikshme për shëndetin tonë, pasiqë ato mund të depërtojnë nëpër trupin tonë pa pengesë dhe në këtë mënyrë e dëmtojnë strukturën gjenetike të qelizave tona.

Rrezet ultra vjollce janë rrezet e para të cilat vinë direkt nën rrezet e dritës, të cilat syri i ynë i sheh dhe kanë një gjatësi valore pak mbi 300 nanometra. Këto rreze mund të depërtojnë në pjesët e sipërme të lëkurës sonë dhe në këtë mënyrë, nëse i ekspozohemi këtyre rrezeve, ne mund të zhvillojmë kancer të lëkurës. Ekspozimi i gjatë ndaj këtyre rrezeve mund të dëmtojë rendë edhe thjerrëzën por edhe qelizat nervore që gjinden në retinën e syrit.

Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, vërejmë një zgjerim enorm të industrisë së syzeve të diellit. Syzet fillojnë të bëhen pjesë përbërëse e garderobës tonë, bëhen pjesë e pandashme e jona dhe përdoren, në shumicën e rasteve, për të lehtësue përditshmërinë tonë në natyrë, si psh gjatë pushimeve në det dhe në viset malore ku ka borë e cila reflekton pothuajse tërë sasinë e dritës diellore. Bartja e syzeve të errëta, përpos që lehtëson punën e bebëzës sonë, gjithashtu duhet të sigurojë mbrojtjen e syrit nga rrezet ultraviolete të cilat dëmtojnë rendë syrin po qe se syri i ekspozohet gjatë dritës së fortë. 

Është me rëndësi që gjatë përzgjedhjes së syzeve, të mendojmë se cili është qëllimi i blerjes apo bartjes së tyre. I blejmë syzet me qëllim të mbrojmë syrin nga rreze te rrezikshme apo me qëllim që ta zvogëlojmë sasinë e dritës që hyn në syrin tonë përmes pupillës, apo për të dy arsyet?

Nëse qëllimi është që ta zvogëlojmë sasinë e dritës që hyn brenda, atëherë është krejt e mjaftueshme me një palë syze të errta pa mendue shumë në kualitetin apo në dizajnin e syzeve. Por, me rëndësi të madhe është ta kuptojmë se syri normal i secilit njeri, nësë nuk ka ndonjë anomali apo sëmundje organike, është gjenetikisht apo historikisht gjatë evulimit i ndërtuem që ta përballojë një sasi normale të dritës diellore. 

Ajo çka është shumë e rëndësishme në përzgjedhjen e syzeve të diellit, nëse veç kemi vendosë të blejmë, është të evitohet bartja e syzeve me ngjyrë të kaltërt pasi që ato nuk ndalojnë fare rrezet UV. Është më mirë fare të mos barten syzet se sa të barten syze me ngjyrë të kaltërt apo edhe me ngjyrë violete. Syzet më të mira dhe më të përshtatshme për sy janë ato syze me ngjyra të verdha apo edhe nga e kuqja pasi që rrezet e dritës me ngjyra të "nxehta" janë ato rreze që fare nuk dëmtojnë syrin tonë.

Gjithashtu, është e rëndësishme që syzet të kenë "UV-filter" i cili bën reflektimin e këtyre rrezeve në qelqin e syzeve, dhe nuk lejon depërtimin e këtyre rrezeve brenda. Përpos kësaj, të kemi kujdes edhe në përzgjedhjen e ngjyrës së qelqit dhe të evitojmë syze me ngjyrë të kaltërt.

Përzgjedhja e formës, kornizave apo markave të syzeve është punë shije dhe punë e aftësisë blerëse dhe zakonisht nuk ka ndonjë ndikim të madh në shëndetin e syrit. Është me rëndësi të theksohet se shumica absolute e njerëzve, e kanë të krijuem gjatë historisë apo gjatë evoulimit një mekanizëm gati perfekt mbrojtës nga drita e fortë dhe fare nuk kemi nevojë për syze të diellit. Ajo çka duhet bërë është të bëjmë ashtu sic kanë bërë paraardhësit tanë, të evitojmë prezencën tonë kur ka diell të fortë, të përdorim dorën si "krijues hijeje" apo pse jo edhe kapela të ndryshme me "strehë" që krijon hije për sy.

Dhe krejt në fund, më së shumti duhet pasur kujdes nga besimi që kemi tek syzet e errëta. Ato shpeshherë krijojnë edhe kontraefekt – ne mund të shohim në drejtim të diellit me besimin e tepruar se jemi të mbrojtur me syze, edhe pse në të vërtetë nuk jemi.

30 qershor 2016
12:55

Rushit Arifi