Për një copë pëlhure dhe një cipë lëkure

29 qershor 2016 11:20

Publiciteti tek gratë urrehet. ... Anonimitetin e kanë në gjak. Dëshira për t’u mbuluar ende i pushton”.

Virginia Woolf

 

Heshtja, anonimiteti, velloja dhe të mbuluarit tek gratë për mua përfaqësojnë diskriminim të përvetësuar simbolik. Ato ndërlidhen me ‘çiltërsinë’ e grave, me virgjërinë, me nderin e tyre, me obligimin që u është përcaktuar qyshkur kanë lindur femra. Feja dhe ritualet e adoptuara tradicionale e kanë romantizuar vellon (apo shaminë) dhe kanë imponuar standarde sjelljesh e dukjesh për gratë, dhe kjo vërehet në kultura të ndryshme. Sensualistët në anën tjetër i kanë thurur vargje virgjërisë, jo duke njohur dhe çmuar seksualitetin e grave por duke e mistifikuar atë. “Nderi i grave është shpikja më e madhe që ka bërë njeriu”, thoshte shkrimtarja dhe aktorja Cornelia Otis Skinner.

Velloja mbetet simbolikë përkushtimi. Përderisa velloja fetare shihet si përkushtim ndaj Zotit, velloja e dasmës mbetet përkushtim ndaj normave primitive shoqërore; ajo copë pëlhure që dikur simbolizonte virgjërinë (një cipë lëkure për të cilën gratë ende vriten e torturohen nëpër botë),edhe sot të ‘dorëzon’ nga njëri burrë tek tjetri, nga babai tek bashkëshorti. E në raste kur martesa dështon, prapë bashkëshorti të kthen tek babai.

Gjendja e tmerrshme e vajzave dhe grave përreth globit e posaçërisht në vende në zhvillim, ku gratë rrihen e vriten, ku shfytyrohen dhe gurëzohen, më përforcon dëshirën e flaktë që vajzat e gratë të tregojnë fytyrën, të flasin, të shprehen dhe të përfaqësohen lirshëm, pa frikën se për shfaqje të individualitetit, seksualitetit dhe vullnetit të lirë do të ndëshkohen e përjashtohen.

Emancipimi dhe Perëndimi

Grupe grash në shtete islame e gra myslimane në vende të tjera të botës, e mbrojnë bartjen e vellos si përkushtim ndaj Zotit dhe Islamit. Në shumë debate dhe shkrime, gra të besimit islam theksojnë që velloja është porosia e tyre; velloja është identiteti i tyre mysliman; është përkushtimi i tyre ndaj Krijuesit. Edhe shumë gra të islamit të moderuar, e mbrojnë vellon si zgjedhje personale, diçka që ato duan ta vënë, sepse ashtu vendosin vetë dhe kjo sipas tyre e bën vendimin e tyre zgjedhje feministe.

Shkrimtarja amerikane dhe “feminisja e keqe”, Roxane Gay, thotë se “vendimi për të vënë shaminë duhet të jetë vetëm i grave dhe se çka mendon Perëndimi për këtë nuk është relevante; ne nuk mund të vendosim për gratë myslimane se çka i shtyp ato e çka jo, pavarësisht se sa shumë e çmojmë vetë mendimin tonë.” Shkrimtarja indiane Arundhati Roy, po ashtu thekson se diskurset Perëndimore “po na imponojmë të mendojmë se i gjithë qëllimi i luftës është të rrëzojë regjimin taliban dhe t’i çlirojë gratë afgane nga shamitë e tyre.”

Në anën tjetër, aktivistja ateiste nga Somalia, Ayaan Hirsi Ali, me shtetësi holandeze dhe amerikane, mbijetuese e gjymtimit gjenital femëror, ka ikur nga Somalia si rrjedhojë e një martese të imponuar me një burrë që ajo nuk e ka njohur, dhe nuk e ka dashur as burrin e as martesën. Ajo e sheh vellon si mjet zaptues dhe izolues që i trajnon gratë për t’u bindur. Sipas saj “velloja është tregues i një lloj aparteidi, jo dominim i një race, por dominim i njërit seks.” Artistja afgane Malina Suliman, pohon se velloja për gratë nuk ka të bëjë me vullnet të lirë; ajo imponohet edhe për t’u mbrojtur nga sulmi me acid, sulm ky i shpeshtë që i shfytyron gratë, ndër tjerash, nëse ato vërehen të pambuluara.”

Gratë e mbuluara në Kosovë

Dy besime krejtësisht të ndryshme rreth krijimit të gjithësisë dhe jetës në tokë, dy qëndrime të ndryshme rreth roleve tona gjinore si gra, dy mendësi për mënyrën sesi e shohim veten dhe si duam të prezantohemi tek të tjerët. Këtu dallonim fundamentalisht unë dhe një grua e re në një trajnim për lidership dhe aktivizim në komunitet. Unë ateiste, ndërsa ajo myslimane e mbuluar.

Por kur patëm mundësi të njihemi më mirë, ne vërejtëm edhe të përbashkëtat. Format e ngacmimit seksual në shkollë e rrugë që mua më kanë penguar të lëvizi lirshëm dhe ta shijoj më shumë adoleshencën, janë arsyet pse gruas në fjalë ia ka ndërprerë mësimin babai i saj i cili është munduar t’ia mbrojë nderin që ajo të jetë “e pastër” nga fjalët e rrethit kur të vijë koha e martesës. Kjo grua e re më bëri të mendoj edhe më shumë sesi përfaqësohen gratë e mbuluara në Kosovë.

Psikologia Gyltene Dërguti e konsideron besimin, fenë dhe shaminë e saj si stil jete të cilin e ka zgjedhur vetë dhe sipas një interviste të saj, ligjet fetare nuk imponojnë vënien e shamisë. Për më shumë, ajo thekson se vajzat dhe gratë kanë presion rreth shamisë, si për ta vënë atë, e po ashtu për ta hequr në raste kur stigmatizohen. Në një emision televiziv fetar, ajo ofron një porosi për burrat gratë e të cilëve po ashtu punojnë dhe kontribuojnë financiarisht: “Përvilni mëngët dhe bashkëqeverisni punët e shtëpisë me gratë.”

Besa Ismaili, pro-dekane e Fakultetit për Studime Islame dhe Ambasadore për Paqe e zgjedhur nga Federata Universale e Paqes së OKB-së, avokon për liri ndërfetare, fuqizim të grave dhe përfaqësim të balancuar gjinor në institucione fetare në Kosovë. Sa i përket grave që marrin rrugën për Siri, në një debat televiziv, ajo thekson se atyre u mungojnë informatat themelore teologjike dhe kjo i bën zgjedhjet e tyre drejt misionit terrorist të painformuara.

Por qëndrime që bien në kundërshtim me parimet e fuqizimit të grave vërehen te shumë gra të tjera, përfshirë gra, të cilat janë të njohura për publikun. Labinotë Demi-Murtezi, deputetja e parë me shami në Kuvendin e Kosovës, ka propozuar amendamentin e edukatës fetare në shkolla dhe bartjes së shamisë tek të miturat, dhe në një debat televiziv këshillonte prindërit që t’i mësojnë fëmijët të frikësohen nga Zoti dhe si rrjedhojë t’i binden atij. Ylfete Dragaj, në anën tjetër, beson se shteti do të duhej të merret me vendimin se sa fëmijë mund të lindin gratë, duke rënë kështu në kundërshtim të plotë me parimin e lirisë riprodhuese tek gratë.

Tek të gjitha këto gra që promovojnë islamin mund të vërehen elementet totalitare në kuadër të së cilave funksionojnë pothuajse të gjitha fetë. Megjithatë, duke pasur parasysh ligjëratat e shumë hoxhëve që hapur e publikisht promovojnë dhunën ndaj grave dhe rolin e tyre inferior në familje, ku mësojnë burrat sesi të mbrohen nga dinakëria e grave dhe si t’i disiplinojnë ato, ku legjitimojnë përdhunimin nga partneri, sepse marrëdhëniet seksuale i prezantojnë si obligim i gruas ndaj burrit, zëri i këtyre grave duhet të dëgjohet më shumë e më shpesh. Pa kundërshtim të plotë për dhunën ndaj grave dhe mirëqenien e tyre, vështirë se mund të flasim për fuqizim të grave fetare.

Po qe se këto gra dhe këta burra do të përballeshin me pikëpamje, po të mos kishte ndarje gjinore në xhami e hierarki burrash në institucione fetare, diskurset fetare do të merrnin një kahje tjetër; kahje më të shëndoshë dhe më demokratike.

Empati dhe diplomaci

Pra, po aq sa ka gra të ndryshme me përvoja e prapavija të ndryshme, aq mund të ketë edhe qëndrime të ndryshme të grave rreth vellos, rreth mbulimit dhe statusit të tyre në shoqëri. Velloja, sikurse çka do tjetër, duhet të jetë e drejtë e secilës grua dhe vendim të cilin e merr ajo vetë. Por ai vendim duhet të jetë i informuar, dhe të mbrohet nga vetë gratë. Vlerat që ne gratë kemi për vete nuk na i përcakton domosdo velloja apo mungesa e saj. Atë e bëjnë qëndrimet tona rreth çështjeve bazike që prekin gratë: sigurinë, mirëqenien dhe lirinë e plotë të tyre.

Në anën tjetër, cilado grua që lavdërohet për shije bashkëkohore rreth muzikës apo modës, për një gradë masteri apo doktorate, për sensin artistik apo me faktin se sa shumë socializohet, por jep llogaridhënie për një cipë lëkure apo toleron dhunë nga partneri i saj, vështirë t’i jepet epiteti i një gruaja të emancipuar.

Përderisa një copë pëlhure na hesht e kategorizon dhe një cipë lëkure na ndëshkon, nuk mund të flasim për emancipim, me apo pa vello. Emancipimi është çlirim nga çfarëdo force që na mban të zaptuara, të heshtura, dhe në pozita inferiore. Ky proces çlirues ka të bëjë me vullnet dhe guxim për të vepruar kundër praktikave dhe besimeve që demonizojnë dhe ndëshkojnë gratë për mungesë ‘çiltërsie’ dhe i asgjëson të tjerat duke i verbuar me vello të rrjetëzuar edhe tek sytë.

Bell Hooks thotë që përderisa ne si gra i marrim përsipër politikat feministe pa e adresuar dhe transformuar vetë seksizmin tonë, lëvizja feministe gradualisht do të dëmtohet. Pra ne, si grupe të grave, pavarësisht karakteristikave të ndryshme, mund ta mundësojmë që publiciteti tek gratë të mos urrehet, anonimiteti të mos na karakterizojë, dhe dëshira për t’u ndrojtur të mos na pushtojë.

________
Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund -  Am I equal in Kosovo society

29 qershor 2016
11:20

Shqipe Gjocaj