Blla Blla Blla

24 qershor 2016 12:47

***

Më vjen pakëz si nxehtë rreth qafës kur e mendoj se jam bërë dikushi. Një dikush që ka kënaqësinë t’ia lejoj vetes t’i fus duart në raftin e kujtesës. Sa më shumë kujtesë aq më shumë e marrim vesh pushtetin e kohës. Që nuk resht së vepruari mbi ekzistencën kritike. Dielli po sundon dhe këngët e dashurisë gjithmonë kanë jehuar. Dua të them në mes gjendjes së ankthit njerëzor dhe nuhatjes së gjendjes tjetër, asaj të lumturisë. Ne jemi gjithnjë duke mbushur boshllëkun filozofik. Më lejoni të bëhem pakëz letrar nëse mundem. Ishte një natë vere. Pija alkool në masë të madhe. Shkrija mendtë për botën. Nuk kisha asnjë simpati për politikën. Në këtë pikë asgjë nuk ka ndryshuar. Ëndërroja një vend të qetë ku gjithë ajo se çfarë mund të bëja, ishte të shkruaja. As këtu nuk kanë ndryshuar gjërat. Pastaj me kufjet në vesh po dëgjoja një këngë mbi vashën, i ekzaltuar që kisha një kartë identiteti. Kisha shtrirë këmbët i mbështetur në shkallët e Bibliotekës Kombëtare dhe derisa jepja një intervistë po ndihesha një yll rocku. Pa çka se nuk isha unë në skenë dhe isha njëri prej të rëndomtëve në mes një audience të rëndomtë që luanin kokën me cigare në mes gishtash dhe shishe birrash në duar. Tmerrësisht të rinj. Tmerrësisht të pastër. Tmerrësisht të paprekur nga djalli (tani disa djaj lodrojnë në mua). Dhe nga njeriu i egër që jetonte jashtë kufinjve të muzikës. Ishte natë e bukur. Dhe do të duhej të isha vetmitari më tërheqës në atë mes. Kur gazetari më pyeti se cilat ishin këngët më të bukura të atij bendi fantastik në skenë. Nuk më kujtohej asnjë titull. U ndjeva jashtëzakonisht keq. Isha shumë i lumtur dhe shumë i alkoolizuar për ta thënë qoftë vetëm njërin prej tyre. Qoftë vetëm Babayaro. Ende më vjen keq dhe ende e kujtoj me kënaqësi koncertin open air të Blla Blla Blla. Në njërën prej netëve hedoniste të qershorit. Ta themi ironikisht. Të atij viti të largët 2008. Kur mendoja se bota ishte një mundësi e haresë së madhe. Ndërsa dielli priste që të na përvëlonte.

***

Bendi i krijuar në vitin 1988, nga artisti legjendar Idriz Ahmeti, sot e asaj dite karakterizohen nga kokëfortësia për ta shkatërruar fytyrën e padrejtësisë, për ta ngulur në gjoksin e së keqes shigjetën e pakënaqësisë njerëzore dhe për të mos lëshuar rrugë para kompromisit si e keqja më e madhe që shkatërron bazën e lirisë. Që aq shumë e kemi të nevojshme. Blla Blla Blla nuk njohin marrëveshje me asnjë gjë që rrezikon vajin e violinës së tyre. Ata janë njollë e pashlyeshme në ndërgjegjen njerëzore dhe një dorë e ngritur në mes një mase të qelbur injorantësh, që gjallojnë në një planet të gërditshëm komercial.

Kënga e tyre e fundit Komandant Skita është rrënqethëse. Me anë të saj Blla Blla Blla kanë arritur që me një saktësi të hatashme ta shpërfaqin gjendjen tonë shpirtërore. Të zhytur në të bëmat e politikanëve të pandërgjegjshëm që njohin pushtetin e forcës, të gjendur nën ethet e ekstremizmit fetar që thërret për heqjen e kokave, të heshtur në anonimitetin tonë të përjetshëm përballë çështjeve që shenjojnë fatin tonë të përbashkë kënga e Blla Blla Blla, është më shumë se një thirrje për ta hequr nga vetja petkun e të pafuqishmit. Ajo është një himn i mendjes që gati po vdes. Është një kovë e madhe uji hedhur në trupin e njeriut që pretendon të jetoj me dinjitet apo për më shumë se kaq është një demaskim i shkëlqyeshëm i politikanëve tanë që marrin trajta idiote të mitit. Muzika e tyre është përtej kufinjëve të fushës ku veprojnë. Dhe klithma e tyre me pështymën hedhur në fytyrën e audiencës është dhimbja që zë frymën e botës.

***

Në një ekspozitë arti para disa muajsh arrita që të njihem me Idrizin. Më në fund mora guximin dhe ndoshta për herë të parë në jetën time, luta dikënd që ta bëjmë një foto së bashku. Pavarësisht se ishte e bezdisshme për të, disi pranoi duke dashur të përfundoj sa më shpejtë që ishte e mundur ai çast i sikletshëm. Pastaj të dytë shkuam aty ku nuk kishim qenë kurrë. Të dytë shkuam në hënë. Dhe në xhepa kishim ruajtur një copë drite, për kohërat e errëta.

 

____________
Foto: Oscar Keys

24 qershor 2016
12:47

Shpëtim Selmani