23 qershor 2016
18:55

Vetëm pak javë na ndajnë nga fillimi i Lojërave Olimpike Verore të Rio de Janerio, ngjarjes më të rëndësishme sportive globale, ku mes 10 500 atletëve dhe 206 shteteve për herë të parë do të marrë pjesë edhe Republika e Kosovës. Anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014 duhet konsideruar si një ndër arritjet më të mëdha të diplomacisë së Kosovës dhe është materializimi i përpjekjeve të palodhura të institucioneve shtetërore dhe federatave sportive kosovare.
Edhe pse sporti tingëllon si dëfrim e qejf, shkuarja në Rio 2016 dhe anëtarësimi në UEFA dhe FIFA ka një impakt të jashtëzakonshëm politik në përmirësimin e pozicionit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky avancim në arenën e sportit ka çarë barrierën e formuar prej shteteve që nuk na njihnin duke siguruar një njohje “de facto” të ekzistencës së shtetit të Kosovës me simbolet e saj. Dy muaj më parë Majlinda Kelmendi me suksesin e saj ka bërë që himni dhe flamuri i Kosovës të ngrihen lartë në Rusi, në Kampionatin Evropian të xhudos, edhe pse ky shtet nuk e njeh Kosovën. Shteti pritës detyrohet të presë me nderet protokollare shtetërore përfaqësuesit më të lartë të vendeve pjesëmarrëse, gjë që do të thotë se Brazili edhe pse nuk na njeh do të detyrohet të sigurojë pritjen për kreun e shtetit të Kosovës, presidentin Thaçi.
Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie të çuditshme e paradoksale me Lojërat Olimpike. Nga njëra anë kemi pasur Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë që me qasjen absurde izolacioniste refuzonte të merrte pjesë në Lojërat Olimpike, e nga ana tjetër kemi pasur Kosovën në një betejë jashtëzakonisht të vështirë për të siguruar pjesëmarrje. Ende është e freskët në memorien e të gjithë pamundësimi i pjesëmarrjes së Majlinda Kelmendit në Londër 2012 në emër të Kosovës. Madje nuk e lejuan të garonte as si atlete e pavarur ( gjë që iu mundësua atletëve jugosllavë kur Jugosllavia u përjashtua nga lojërat e Barcelonës në vitin 1992) dhe u detyrua të garonte në emër të Republikës së Shqipërisë.
Regjimi totalitar enverist lejoi pjesëmarrje në Lojërat Olimpike vetëm në Munih në vitin 1972. Asokohe regjimi e pati një hapje të vogël qoftë në sport e qoftë në art (siç qe Festivali i 11-të i Këngës në RTSH), mirëpo me sa duket u bë pishman dhe iu kthye izolimit autarkik. Mandej tranzicioni i mbrapshtë postkomunist i Shqipërisë bëri që një pjesë e mirë e atletëve shqiptarë të largoheshin për kushte ekonomike jashtë vendit. Një pjesë e lanë fare sportin duke luftuar për mbijetesë dhe një pjesë tjetër iu përgjigjën ofertave të majme të huaja duke ndërruar shtetësinë dhe garuar në lojërat olimpike për shtete të huaja. Një hemorragji e vërtetë me peshëngritësit shqiptarë ku himarjoti Pirro Dhima siguron medaljen e parë të artë të Greqisë e mandej merr edhe dy të tjera. Ngjashëm me të u larguan e fituan medalje për Greqinë Luan Shabani me emrin Luanis Tsabanis, Viktor Mitro me emrin Vitoris Mitros, Agron Xhelili me Agronis Tzelisis, Mirela Manjani në Mirelas Manjanis, Leonidha Koka në Leonidas Kokas etj. etj.
Akoma më të çuditshme marrëdhënien e kombit tonë me Lojërat Olimpike e bën fakti që babai i vërtetë apo ai që zhvarrosi prej antikitetit lëvizjen olimpike ka qenë pikërisht një filantropist shqiptar. Bëhet fjalë për Vangjel Zhapën i cili lindi në vitin 1800 në fshatin Labovë të Madhe midis Tepelenës dhe Gjirokastrës, arsimin e parë e mori në Janinë në gjimnazin Zosimiea ku kanë kaluar një pjesë e mirë e rilindësve tanë dhe mandej u mobilizua si luftëtar fillimisht në shërbim të Ali Pashë Tepelenës e mandej luftoi përkrah Marko Boçarit kundër otomanëve në pavarësimin e Greqisë. Fshati i vendlindjes është i njëjti nga ku ka origjinën edhe dinastia e Gjikajve të cilët kanë qenë princër të Moldavisë dhe Vllahisë, kanë nxjerrë Dora D’Istrian si dhe kryeministria e ministra të ndryshëm në Rumani. Vazhdoi studimet në agronomi në Paris dhe si shumë shqiptarë të jugut edhe Vangjel Zhapa u zhvendos në Rumani, ku krijoi një pasuri të jashtëzakonshme duke përfituar nga njohuritë e tija të avancuara si agronom si dhe nga zhvillimi i vrullshëm i ndërtimtarisë dhe patundshmërisë rumune. Zhapa u shndërrua në një ndër filantropët më të mëdhenj të Evropës së asaj kohe dhe ka kontribuar në ndërtimin e 127 shkollave të reja në zonën e Labërisë e Çamërisë si dhe në botimet dhe veprimtaritë e shumta të kolonisë së madhe shqiptare të Bukureshtit.
Zhapa, i frymëzuar nga Panajot Soutsos iu ofrua mbretit Oto të Greqisë që të financonte ringjalljen e traditës antike të lojërave olimpike, gjë që për ca kohë ra në vesh të shurdhër. Mirëpo buja që mori ky propozim i tij bëri presion të madh tek mbreti i cili pranoi të lejojë organizimin e lojërave të para prej antikitetit në vitin 1859 ( ende pa lindur Pierre de Coubertin , i cili konsiderohet si themeluesi i lojërave olimpike ndërkombëtarisht). Zhapa mandej dhuroi një sasi të madhe fondesh me të cilat u zhvilluan lojërat olimpike në Greqi edhe në vitet 1870, 1875, 1889. Nga këto lojëra të zhvilluara në Athinë u inspirua mandej Baroni Pierre de Coubertin për të themeluar Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe për t’i bërë këto lojëra një aktivitet sportiv global.
Por Lojërat Olimpike nuk janë thjesht lojëra, pasi që në zanafillën e vet, pra në antikitet, ato e kanë pasur një dimension të theksuar diplomatik si pasojë e të ashtuquajturës Armëpushimi Olimpik, që niste shtatë ditë para zhvillimit të lojërave dhe përfundonte shtatë ditë pas. Gjatë kësaj periudhe garantohej siguri dhe qetësi për të gjithë atletët që udhëtonin nga poliset dhe kolonitë e shumta helenike për të marrë pjesë në gara dhe po ashtu u mundësohej paqja për zhvillimin e garave dhe për spektatorët që i ndiqnin ato. Asokohe faktikisht lojërat olimpike konsideroheshin në njëfarë mënyre si një arratisje prej jetës politike, ku grekët e lashtë largoheshin prej konflikteve të brendshme apo të jashtme e përqendroheshin në gara.
Prandaj është bërë traditë që lëvizja olimpike të asociohet me në lehtësimin e urrejtjes, zgjidhjen e konflikteve, uljen e marazit e mllefit si një mundësi për t’u njohur me njëri tjetrin, për të krijuar e konsoliduar marrëdhënie të ndërsjella mirëbesimi dhe miqësie. Kuptohet që Lojërat Olimpike janë përdorur edhe për të transferuar aty përplasjet dhe konfliktualitetin ndërkombëtar, sikurse ishte rasti famëkeq i Munihut në vitin 1972, kur terroristët palestinezë vranë 11 atletë hebrenj. Në këtë kuadër vëmendje të madhe gjatë lojërave marrin disiplinat sportive ekipore ku garat mes vendeve marrin përmasa të theksuara politike nëse dy vendet konkurruese kanë çështje të hapura në marrëdhëniet e tyre bilaterale.
Dimensioni kryesor politik lidhet me prestigjin dhe reputacionin që fitohet nëpërmjet rezultateve dhe marrjes së medaljeve, edhe pse 73 vende pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike nuk kanë fituar kurrë asnjë medalje. Mania për lavdi shtetërore nëpërmjet medaljeve ka krijuar një treg të mirëfilltë të “atletëve mercenarë” dhe këtë gjë sikurse përmendet më sipër e ka vuajtur në kurriz të vetë Shqipëria. Në lojërat e fundit olimpike të Londrës ra në sy Azerbajxhani, i cili pasurimin prej gazit e naftës që ka pasur gjatë viteve të fundit do ta përkthejnë në prestigj ndërkombëtar , prandaj nga 50 atletë, mbi gjysmën e tyre i kishte të huaj që kishin marrë shtetësinë rishtazi. Mirëpo kjo tendencë mbizotëron edhe në perëndim ku për shembull në të njëjtin vit vetë Mbretëria e Bashkuar i dha 9 atletëve të huaj shtetësinë britanike për të garuar për këtë shtet.
Sa herë që flitet për rolin e sportit në diplomaci të vjen në mendje e ashtuquajtura diplomacia e Pingpongut që shkriu akujt midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Popullore të Kinës. Mao Ce Duni e bëri pingpongun fillimisht si një instrument politik të shtet-ndërtimit, për të forcuar identitetin e përbashkët dhe unitetin e shtetit komunist kinez. Kjo ishte edhe një zgjedhje taktike sepse Tajvani ende nuk ishte pjese e Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut dhe anëtarësimi i Kinës mund të bëhej pa pengesa diplomatike. Mandej në fillim të viteve 70-të kur gjendej i kërcënuar prej Bashkimit Sovjetik, e zgjodhi si mjet për të shpallur ndryshimin e kursit diplomat, pra për të dhënë sinjalet e para të hapjes me amerikanët duke ftuar ekipin e SHBA-ve të pingpongut që të luaj në Pekin në 1971. Kjo vizitë për herë të parë e amerikanëve pas vitit 1949 ishte një urë e ndërtuar që mandej u konsolidua me vizitën e presidentit Nikson në Kinë gjatë vitit 1972.
Sikurse e përshkroi Mao këtë taktikë “një top i vogël vuri në lëvizje topin e madh, globin”. Kjo diplomaci pati impakt të drejtpërdrejtë edhe tek Shqipëria e vogël e Enverit e cila nuk e kapërdiu flirtimin mes Pekinit dhe Uashingtonit dhe filloi çarjen e aleancës së rrallë mes Tiranës dhe Pekinit. Një rol të ngjashëm për shkrirjen e akujve kanë luajtur ndeshjet në Hokejin mbi akull mes Bashkimit Sovjetik dhe përfaqësueseve të SHBA-ve dhe Kanadasë. Së fundmi, sporti si instrument diplomatik është përdorur në vitin 2011 për të zbutur tensionet mes dy fuqive bërthamore, Indisë dhe Pakistanit, duke pasur dy kryeministrat respektivë që merrnin pjesë në një ndeshje mes përfaqësueseve të kriketit.
Përveç Kinës ka raste të shumta ku sporti përdoret si instrument i forcimit dhe promovimit të identitetit kombëtar sikurse është sot veçanërisht i bujshëm rasti i Spanjës. Nga njëra anë ekipi i futbollit të Barcelonës është bërë simbol nacionalizmi për katalunjasit, ndërsa nga ana tjetër një rol të ngjashëm e ka pas luajtur për baskët ekipi i suksesshëm çiklistik Euskaltel–Euskadi. Njihet gjithashtu përdorimi politik nga vende diktatoriale si Shqipëria e periudhës së komunizmit, me qëllimin e krijimit të një shoqërie si e Spartës së Likurgut, ku sportet kishin si qëllim kryesor kalitjen dhe përgatitjen fizike për qëllime ushtarake.
Një ndër implikimet kryesore diplomatike të sportit ndërkombëtar dhe zhvillimit të Lojërave Olimpike ka qenë bojkoti, kështu për shembull në lojërat e vitit 1956 disa vende bojkotuan Lojërat Olimpike në protestë kundër pushtimit të Hungarisë dhe disa të tjera në protestë kundër krizës së Suezit. Në 1976, vendet afrikane bojkotuan kundër Zelandës së Re, e cila kishte luajtur me Afrikën e Jugut pavarësisht përjashtimit të kësaj të fundit për aparteid. Një tjetër bojkot i madh ndodhi për lojërat e Moskës në vitin 1980, si protestë për pushtimin e Afganistanit një vit më herët. Nga ana tjetër, sovjetikët morën hak katër vite më vonë në Los Angjelos duke i bojkotuar lojërat së bashku me 14 shtete satelitë të Bllokut Lindor.
Kur bëhet fjalë për lidhjen mes sportit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare përmendet ndikimi në përfundimin e Aparteidit në Afrikë të Jugut nëpërmjet presionit të përjashtimit e izolimit nga garat pasi shumica e ekipe refuzonin të luanin me ekipet e këtij shteti gjatë viteve 70-të dhe 80-të. Po ashtu, një moment emblematik ka qenë marshimi i Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut të Bashkuar me të njëjtin flamur dhe si ekip i unifikuar në Lojërat Olimpike të Sidneit në 2000.
Një tjetër dimension politik është padyshim konkurrimi për të qenë mikpritës i Lojërave Olimpike që është një çështje shumë e zjarrtë e diplomacive të vendeve pretenduese. Qenia nikoqir i Lojërave Olimpike përkthehet në prestigj, reputacion, vetëbesim, investim në infrastrukturë, tërheqje masive turistësh etj. Hitleri e përdori organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 1936 për të proklamuar superioritetin e Rajhut të Tretë dhe racës ariane, edhe pse këtu doli huq pasi afroamerikani Jesse Owens fitoi në mënyrë triumfale katër medalje të arta. Brazili e ka përdorur organizimin e Kupës Botërore të Futbollit gjatë vitit 2014 dhe të Lojërave Olimpike sivjet si një mënyrë për të promovuar imazhin si shteti lider i Amerikës Latine.
Po ashtu, përqendrimi i vëmendjes botërore tek Lojërat ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të mbajtur një qëndrim politik. Në Lojërat Olimpike të Qytetit të Meksikës në 1968, dy atletët medalistë amerikanë Tommie Smith dhe John Carlos bënë përshëndetjen e “Fuqisë së Zezë” kur hipën në podium, në shenjë proteste kundër racizmit. Në lojërat e kaluar në Londër, kur ekipi i Koresë së Veriut hyri në fushë pa nëpër video monitorë pamjet e flamurit të Koresë së Jugut, e konsideroi atë si provokim dhe u largua nga stadiumi.
Implikime të theksuara politik ka edhe përzgjedhja se cili sport përfshihet e cili lihet jashtë Lojërave Olimpike sepse pranimi i një sporti kombëtar është një akt krenarie. Që një disiplinë sportive të hyjë në listën e garave duhet që të ushtrohet në së paku 75 shtete dhe në të paktën 4 kontinente. Xhudo qe sporti i parë jo-evropian që është përfshirë në Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 1964 dhe duke ditur rezultatet e Kelmendit, padyshim qe një fat i mirë për ne. Po ashtu Korea loboi gjatë dhe më në fund ia doli që ta përfshijë taekwondo në lojërat olimpike të vitit 2000, ndërkohë që indianët po përpiqen që të fusin kriketin ndërsa Kina artin marcial wushu.
Duket qartë një tendencë e një lidhje gjithnjë e më të fortë të sportit me marrëdhënieve ndërkombëtare gjë që do të thotë se mundësimi i pjesëmarrjes së atletëve të Kosovës në garat më të rëndësishme botërore shërben drejtpërdrejtë në forcimin e subjektivitetit të shtetit më të ri në Evropë. Dekadave të fundit diplomacia publike ku edhe bën pjesë sporti, ka marrë gjithnjë e më shumë peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti. Ashtu sikurse ushtarët sot nëpër misione nuk angazhohen vetëm në misione luftarake tradicionale por angazhohen në aktivitete humanitare, në ndërtime, në ofrimin e shërbimeve mjekësore edhe diplomatët bashkëkohorë po merren më dendur me sport e kulturë.
Debutimi dinjitoz i përfaqësueses së Republikës së Shqipërisë dhe tifozerisë sonë super-simpatike në Kampionatin Evropian, si dhe shkuarja për herë të parë e Kosovës në Rio mund të konsiderohen si një ogur i mirë që paralajmëron normalizimin e marrëdhënieve tona me sportin ndërkombëtar dhe rritje të prestigjit të kombit tonë.
___________
Foto: Atos / Flickr Creative Commons [CC 3.0]
23 qershor 2016
18:55