Njerëzit me aftësi të kufizueme

23 prill 2016 12:37

Ligji për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë e definon si aftësi të kufizueme “kufizimin e qasjes dhe aktiviteteve të zakonshme në jetën e përditshme të një personi, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore ose mendore, që e pengojnë atë për pjesëmarrje në aktivitet e zakonshme ditore.” e njerëzit me aftësi të kufizueme i kategorizon si “ata persona që kanë dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afta-gjata [sic] të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në baza të barabartë me të tjerët.”

Afër mendjes, ky shtet pasi që ka definicion mjaft të qartë mbi aftësinë e kufizueme dhe njerëzit me aftësi të kufizueme, duhet definitivisht ma shpeshë se nji herë në vit për nji ditë caktueme në dhejtor me u përkushtue në zbatimin e këtij ligji, qëllimi i të cilit definohet si: “përkrahja ligjore dhe institucionale për aftësimin, riaftësimin, nxitjen dhe përgatitjen profesionale për punësim të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuar duke u mbështetur në principet dhe tretmanin e mundësive të barabarta përfshirë edhe mundësitë gjinore.”

Sipas Handikos-it në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona me aftësi të kufizueme. Kjo, bazohet në raportin e OBSH-ës që thotë se diku rreth 15 % e popullatës së botës janë përsona me aftësi të kufizume. Shumë prej tyne diskriminohen sistematikisht e veçanërisht kështu në tregun e hapun të punës, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik. Nuk janë shumë ato biznese, ndërmarrje publike apo institucione të ndryshme private ose shtetnore që në 50 të punësuem kanë punësue nji njeri me aftësi të kufizueme qysh i obligon ligji. Le të mbetet diskutim tjetër kufizimi ligjor që përcakton si drejtësi që në 50 të punësuem nji me aftësi të kufizueme asht mjaft. Po supozoj që si shtet hala jemi në fazën e demokracië së kuotave, ku vlerat demokratike imponohem. Nashta edhe me të drejtë kështu, nji herë për njji herë.

Njerëzit me aftësi të kufizueme diskriminohen gjithashtu në të drejtën për shkollim dhe zhvillim profesional; në qasjen e shërbimeve shëndetësore; aktiviteteve kulturore etj.  Janë të shumta rastet kur prindërit duhet me i lutë drejtorët e shkollave me ua pranue fëmiun me aftësi të kufizueme në shkollë. E nuk janë të ralla rastet kur drejtorët i thejnë shtatqindenji ligje, arbitrarisht, por pa frikë për ndëshkim, sepse ata nuk i vëzhgon askush dhe nji prind a dy të paknaqun nuk e sfidojnë dot autoritetin e tij.  Përgjigjje prej drejtorive të shkollave të llojit “nuk muj me i zbritë tash krejt klasët e para prej katit të dytë në të parin, veç përshkak se fëmiu nuk mundet me ec” shumë prind të fëmijëve me aftësi të kufizueme i kanë ndi ma shumë se nji herë. 

Megjithëse mungojnë statistikat për numrin e fëmijëve me aftësi të kufizueme që nuk vijojnë shkollën, asht vështirë të bahet nji konstantim se si qëndron puna me të vërtetë. Sepse, nuk kemi qysh me e dijtë se ata që e vijojnë shkollën, sa përqind të popullatës së përgjithshmë të fëmijëve me aftësi të kufizueme përbajnë. Prandaj, pa dashtë me paragjykue, thjesht mendoj se mund të thuhet që mungesa e statistikave nga institucionet e shtetit dhe organizatat jo-qeveritare për fëmijët me aftësi të kufizueme që nuk vijojnë mësimin, tregon nëse jo ngjyrën e saktë, së paku nuancën e errët të realitet kosovar për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizueme në arsim. Por, dokumenti mbi strategjinë për gjithëpërfshirje në arsim asht afër kryeveprës. Gjithë ata ekspertë që kanë punue aty, edhe s’mundet me qenë ndryshe, njejtë sikur për broshurat e MASHT-it kur arsimi gjithëpërfshirës definohet si e drejtë e secilit dhe “i dedikohet shkollave, nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve në institucione parashkollore dhe shkollave fillore dhe të mesme të ulta dhe të larta.”  Natyrisht, qëllimi i broshurës definohet si promovim, sepse të drejtat elementare duhet me u promovue me broshura të papagallizmave, ku përsëriten e citohen konventa, të drejta, vlera e përkushtime, ndërkohë që realiteti vazhdon me qenë brutalisht i randë për fëmijët me aftësi të kufizume në Kosovë. 

Tue i dhanë nji afat kohor 10 vjeçar, pjesëmarrësit e përpilimit të strategjisë për zhvillimin e arsimit parauniversitar në Kosovë 2007-2017, kanë përcaktue që vizioni si në vijim do të jetë realitet: “Kosova – shoqëri e dijes, e integruar në rrjedha evropiane me mundësi të barabarta për zhvillim personal të të gjithë individëve, të cilit i kontribuojnë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.” Probemi asht ky: na jemi në Prill të vitit 2016, dhe jemi larg shumë prej nji Kosove që mundet me u definue si shoqni e dijes, e integrume në blla blla blla me mundësi të barabarta për zhvillim personal të blla blla blla.
Ndër qëllimet kryesore që synohet të arrihen në dhjetë vitet prej hartimit të kësaj strategjie, dmth. deri ne 2017, janë:  “Qeverisje, udhëheqje dhe menaxhim cilësor e efikas në sistemin e arsimit; Sistem funksional për sigurimin e cilësisë së të nxënit i bazuar në standarde të krahasueshme me vendet e zhvilluara; Gjithëpërfshirje, barazi dhe respektim i diversitetit në arsim; Përgatitja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve; Mjedis fizik i përshtatshëm dhe i shëndetshëm për mësimdhënie dhe të nxënë; Lidhje e qëndrueshme e arsimit me zhvillimet globale ekonomike dhe shoqërore; Avancimi i gjendjes materiale të arsimit”. Kogja vizion optimist, nëse e shikojmë prej perspektivës së sotme, të muajit Prilli në vitin 2016. Në fund rezultati ka me qenë, dihet: nji strategji e re, me do vite shtesë afat. 

Ndër faktorët kryesorë që po pengojnë dhe do të vazhdojnë me pengue integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin e arsimit nuk janë mungesa e dijes së zyrtarëve e politikanëve tanë (se boll kanë shëtitë nëpër trajnime, seminare, punëtori, konferenca dhe kanë mësue. Ata krejt i dijnë, e fundi i fundit nëse hala ka mangësi, ajo mundet edhe me u huazue prej ekspertëve ndërkombëtarë, që vijnë me qef tue pasë parasysh pagesat që marrin) por janë kushtet e randa ekonomike të familjeve; mungesa e transportit; investimet e ulta në infrasktrukturë dhe në cilësinë e edukimit që ndërlidhen me zhvillimin profesional të mësimdhanësve dhe punësimin e asistentëve shtesë që do ta përkrahnin zhvillimin e orës mësimore në klasat me fëmijë me aftësi të kufizueme, dhe natyrisht arrogance politike e akterëve kyç, për me i numrue vetëm disa.

Ndër qëllimet themelore strategjia e lartpërmendun numron gjithëpërfshirjen, barazinë dhe respektimin e diversitetit në arsim, dhe premton që “deri në vitin 2017 krijohen kushtet për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsimin e obligueshëm”.  Të gjithë fëmijëve? Deri në vitin 2017?

Qe nji skenar prej realitetit: vajza 22 vjeçare, me aftësi të kufizume, lëzivjen e ka të mundhsme vetëm me karrocë. Pas shumë mundimeve ma në fund arrin me e vazdhue shkollimin. Tue i lutë ata të komunës. Komuna pranon me i’a sigurue transportin. Shkolla pranon me e pranue. Transporti, i cili zakonisht asht nji kombi që nuk i përmbush standardet e nji transporti të sigurtë, ma shumë rri i prishun se sa që funksionon, sepse natyrisht ky transport nuk asht kerr për ministra, por për fëmijët me nevoja të veçanta. Dhe ky asht veç nji rast. Dhe ky asht nji rast për shembull të mirë.  

Përveç mungesës së konsideratës me i integrue në shoqni ma mirë personat me aftësi të kufizueme nga ana e shtetit, stigmatizimi në shoqni ndaj njerëzve me aftësi të kufizueme asht problemi tjetër.  Historikisht perceptimi mbi aftësinë e kufizueme dhe mbi njerëzit me aftësi të kufizueme në Kosovë ka ndryshu. Ma nuk thuhet (haptas) që dikush në familje ka “hi në gjynah” e po ndëshkohet tash për gjynahet e bame me lindjen e nji fëmiu me aftësi të kufizueme; rastet kur prindërit i fshehin fëmijët me aftësi të kufizueme e nuk i regjistrojnë hiç, gjithashtu janë zvoglue; të verbërit tani janë të verbër e jo qorr dhe personat me dëmtime mendore e intelektuale nuk janë ma budallë por të “smut”.  Por sipas mendimit tem, ky ndryshim i perceptimit mbi aftësinë e kufizueme dhe njeriun me aftësi të kufizueme, nuk ka mrri larg. Dhe si pengesë kryesore unë e shohë korrektësinë politike: detyrimin me u ba demokrat si imponim politik e jo si vullnet e nevojë e natyrshme e organizimit të rendit shoqnor. Korrektësia politike kufizon dhe minimazon nevojën për vetëdijësim, sepse njejt sikur në fjalimin e ish presidentës me rastin e ditës ndërkombtare të persoanve me aftësi të kufizueme kur nëvizojë përkushtimet e qeverisë për çashtjen, korrektësia politike e ban gjithçka të duket ma bukur se që asht në të vërtetë.

Gjatë rrugës së shtetndërtimit, të mbushun me krenari që kemi shtet, kemi ngatrrue përmbushjen e standardeve/kritereve perëndimore në letër, me zhvillimin e mirëfillt të vendit. Sot nuk themi defekt ose retardim por aftësi e kufizueme dhe “përparimet” në fjalor po i marrim si indikacion që kemi ndryshue edhe sjellje. 

Gjatë nji hulumtimi të shkurtë nëpër shkolla, kur pyetsha mësimdhanësit nëse kishin nxanës me aftësi të kufizueme në klasë, kur kishin më thojshin tue përshpëritë “po ai/ajo aty”. Kur s’kishin më thojshin (tashti pa përshpëritë) “jo shyqyr, nuk kemi asishne në klasë”. “Asishne!””Shyqyr!” Po, pra.

Me qenë njeri me aftësi të kufizueme në Kosovë, e ta qartësojmë që këtu që ka qindra lloje të aftësisë së kufizueme, shpesh nënkupton izolim social; varësi ekonomike dhe përjashtim nga vendimarrja dhe/apo pjesëmarrja në procese politike, shoqnore e kulturore, sidomos kur për ty qysh si fëmijë mësimdhanësit kanë qëndrim të tillë që e konsiderojnë marre me ta përmend emnin pa përshpëritë, nuk dijnë qysh me punue me ty dhe këtë mosdije e përcjellin te shoqet e shokët e tu të klasës. Kur të mohohet qasja në arsim, nuk asht larg mendjes që nesër edhe diskriminimi ne treg të punës asht i mundshëm, bile pa u quejt i tillë, sepse nuk lejohesh në garë për arsye kualifikimi. Por nëse ke kualifikimin, atëherë shansa çdo herë specifikisht në rastin tand asht e madhe që dikush tjetër ka me qenë ma i kualifikuem se ti.  Po jeta private? Paramendoje nëse do veten me aftësi të kufizume, të atij soji ku levizja juej asht e mundshme vetëm me karrocë. Qysh je tu nejt do me shku diku, do me dal me pi naj kafe me shoqe a shokë e përveç barrierave gjatë rrugës, ti nuk mundesh me vendosë ku po të shkohet, ti ke me shkue aty ku mundesh hy brenda me karrocën tande pa pasë nevojë me të mbajtë najkush. Brenda ke me u ndi që krejt po të kqyrin, jo për të keq, por edhe ma zi, se ti je gjynah.

E këtu fillon diskrimini i shoqnisë ndaj personave me aftësi të kufizueme. Dhe vazhdon pastaj kur na nuk çuditemi pse në shkollën e fëmiut tonë nuk ka fëmijë me aftësi të kufizueme; na nuk habitemi as nuk bajmë pytje pse në autobusin që e marrim çdo ditë për punë nuk ka njerëz me karroca; na nuk bojna pytje pse prej 100 kolegëve nji bile nuk asht me aftësi të kufizueme? Sepse, na si shoqni kemi vendosë që këto janë çashtje të shtetit. Na s’kemi obligime. Por ama kur e shohim nji njeri me aftësi të kufizueme, sidomos të atij lloji që i shihet “defekti” e para çka kena me mendue asht “gjynah”.  Aty këtu si realizim madhor mbi kuptimin e jetës dhe krejt pyetjeve pa përgjigjje në këtë botë, menjiherë pas këtij gjynahi kena me ardhë në përfundim që “me randësi asht me kon shnosh, se ka edhe ma keq”.  Në njifar niveli kjo i bjen që “s’bon me u ankue se mirë jemi.” Natyrisht jemi mirë, përderisa ka edhe ma keq, problem asht që po mjaftohemi me qenë mirë vetë; e po presim me qenë keq vetë për me e pa të arsyeshme me folë.  

Njerëzit me aftësi të kufizueme janë njerëz të talentuem; të pa talentuem; të mirë; të kqinjë; të bukur; jo fort të bukur; të mëdhenjë; të vegjël; të ditun; jo fort të ditun; xheloz; jo xheloz; të hollë; të trashë; të sinqertë; rrenca; me ambicie; pa ambicie; me andrra; pa andrra; me depresione; pa depresione; të dashtun; të padashtun; të varfun; të pasun; me flokë kaçurrela; pa flokë hiç ….! Njerëzit me aftësi të kufizueme kanë nji identitet social.  Njeriu krijon identitetin e tij social përmes proceseve psikologjike që kanë të bajnë me konceptin mbi veten, i cili asht ndër të tjerash rezultat i identifikimit së vetes me nji grup apo disa grupe të shoqnisë. Por identiteti social nuk asht veç rezultat i perceptimit të përkatësisë së nji grupi, apo ma shumë grupeve por asht edhe i kushtëzuem prej vlerësimit të këtyne grupeve në krahasim me tjerat. Nëse në krahasim me grupe tjera, ti i takon nji grupi që nuk perceptohet aq pozitivisht sikur grupet tjera, apo në bazë të disa veçorive grupet tjera kanë përparësi e përfitime që të mohohen, ti natyrisht që do të ndjehesh i diskriminuem. Prej aspektit psikologjik, ndoshta para se me e definue veten si të diskriminuem, ke me u ndi i padashtun; i padobishëm; i dështuem; i panevojshëm; i pasigurtë; i tepërt etj..

Njerëzit me aftësi të kufizueme, janë njerëz pra, e si të tillë në këto tokë ata dojnë me me pasë qasje të barabart në shoqni. Ata muejn me u ba mjek; mësues; e pse jo edhe presidentë. Por, Kosova ka dëshmue që nuk i do ata. Për hatër të vertetës, ta themi që Kosova tash e 16 vite i ka harrue (ma së shumti) njerëzit me aftësi të kufizueme.  Për njerëzit me aftësi të kufizueme, sidomos për ata që mund të lëvizin vetëm me karroca, Kosova asht nji karrocë për në dreq të mallkuem. E kjo nuk e nënvizon aftësinë e tyne të kufizueme sa mungesën e aftësisë tonë si shoqni me u kujdesë për ta shkallë për shkallë, hap mas hapi. Problemet në të cilat hasin ata çdo ditë, janë nji prej shembujve që në çdo shkallë ku ata nuk munden me u ngjitë veç e veç te nalt, na po zbresim te poshtë komplet si shoqni.

Asht e çuditshme, sa shpejtë u mësuem me dashtë veç veten e edhe ma e çuditshme asht qysh me kaq pak dashni ndaj njani tjetrit po kemi guxim me pretendue që e dijmë çka asht me tu mohue drejtësia. Jo, na jemi në thelb si shoqni definicioni i mohimit të drejtësisë. Përballë hises tonë të përgjegjësisë për me ndërtue këtë shtet, nuk dallojmë shumë prej atyne që po na qeverisin. Sa të njejt jemi shihet ma së miri në drekat pompoze të konferencave të organizatave joqeveritare, të cilat duhej të ishin zani i shoqnisë, ku vendin e nderit e kanë zyrtarët e ministrive, prej ministrave e te poshtë.  Gjithçka e dokumentume me nji foto ne facebook dhe natyrisht me përkulje të etiketume para intereseve. Konferencat padyshim që bahen me shumë zhurmë, kritikat aty sidoqoftë, ngulfaten në kode “mirësjelljeje” të ndërsjjellta. Ky asht problemi jonë kryesor, prandaj edhe i kemi qeveritë që i kemi. Nuk kemi arritë hala me e pa sa keq jemi, pavarësisht e ndoshta pikërisht përshkak asaj se sa mirë jemi në krahasim me ata që “janë edhe ma keq”.

Pa drejtësi për njerëzit me aftësi të kufizueme, që nënkupton integrim të plotë të këtyne në shoqni (në tregun e punës; arsim; shëndetësi; shkencë; sport; kulturë; politikë etj.), andrra e nji Kosove demokratike kurrë s’ka me u ba, e mungesën e kësaj demokracie s’kanë me muejt me e zbutë as liberalizimi i vizave e asnji ndërmmarje tjetër politike drejt integrimit në BE.

Në BE hyhet edhe pa qenë demokrat. Këqyrni përreth shetet që kanë hy në BE. Romët diskrimohen sistematikisht në Çeki, Hungari, Bullgari, Rumani. Në Çeki dhe Hungari fëmijët romë dërgohen në shkolla për fëmijë me aftësi mendore të kufizueme.  Në rastin e Horváth dhe Kiss në vitin 2013 gjykata evropiane për të drejtat e njeriut tue iu dhanë të drejtë këtyne dyve ndër të tjerash nënvizoi që: „... ekzistonte nji histori e gjatë e regjistrimit të gabueshëm të fëmijëve rom në shkolla speciale në Hungari dhe në rastet konkrete autoritetet kishin dështue me i marrë parasysh nevojat e tyne si anëtarë të nji grupit të margjenilizuem dhe si pasojë i kishin izolue dhe u kishin ofrue edukim që vështirësoi integrimin e tyne në shoqni“.  Në rastin e Çekisë gjykata e njejtë erdhi në përfundim që përtej shkeljeve procedurale Çekia kishte diskriminue fëmijët rom tue i trajtue si mentalisht të kufizuem edhepse nuk ishin; tue i izolue (segregim) në shkolla speciale dhe tue iu ofrue nji planprogram inferior në krahasim me edukimin që merrnin fëmijët jo rom. E njejta gjykatë konkludoi që fëmijët rom, të cilit kishin sjellë akuzën kundër Çekisë pranë kësaj gjykate së paku kishin qenë indirekt të diskriminuem në bazë të racës/ përkatësisë etnike, pasi që nuk mund të përcaktohej nëse diagnostifikimi i tyne ishte i gabueshëm qëllimisht apo përshkak të neglizhencës profesionale. Sidoqoftë, ata kishin vuejt pasojat e këtij diskrimini, të qëllimshëm apo jo. [1] Të gjitha këto janë shtete të BE-së. Për me i përmend vetëm disa shembuj.

Shtete të forta të BE-së sikur Gjermania e Franca, ma së shumti i riatdhesojnë romët, në mesin e tyne edhe ata që kanë jetu gati dy dekada në perëndim. Krejtësisht në përputhshmëri me ligjin, kuptohet. Arguementi kryesor, por natyrisht jo zyrtar: të pa integrueshëm. Dhe i riatdhesojnë në nji vend ku papunësia për ta si grup etnik asht mbi 90 % e integrimi i predispozuem me dështue qysh në fillim. Gjermania nuk mërzitet fort, Kosova edhe ma hiç, në letër sidoqoftë marrëveshjet dëshmojnë suksesshëm bashkpunimin ndërshtetnor mes dy shteteve sovrane. Kjo, sa i pëket BE-së si peshore e drejtësisë dhe demokracisë. E nuk po thom që nuk ka demokraci në BE, por po du me thanë që demokracia gjithkund asht sfidë e përditshme.

Na për shtetin tonë duhet me i definue sfidat tona, e me i ba zgjedhjet tona pa pritë me na ngrehë veshin dikush për mos përmbushje të standardeve, kritereve a qysh do që po i thojnë tashti, thjesht në parim, ose dojna ose s’dojna me ndërtue nji vend demokratik. E nëse dojna, duhet me ba vend për njerëzit me aftësi të kufizueme. Na jemi vend i vogël për me ia lejue lluksin vetes, me bo hile me demokracinë.  

Drejtësia për njerëzit me aftësia të kufizueme nuk ka me u mrri pa ndryshue perceptimi i shoqnisë ndaj tyne si njerëz, por edhe ndaj përgjegjjësisë që ka vetë shoqnia për me e garantue zbatimin e ligjeve në mbrojtje të të drejtave të tyne.  Zbatimi i ligjeve fillon me shoqninë. Na jemi dëshmitarë të gjallë që perandorët rrëzohen.  Sa ma shumë përgjegjjësi që merr shoqnia, aq ma pak mbetet për qeveritë, të cilat në shembullin e Kosovës deri sot “mbajtjen e përgjegjjësisë” asnjiherë nuk e panë si sfidë apo detyrë, por si mjet fuqie dhe kontrolli dhe natyrisht strategji mediale me deklarue përkushtime kot.  Na si shoqni kemi aftësitë dhe mundësinë me marrë ma shumë përgjegjjësi, nuk asht çashtje politike, por çashtje e pozicionimit të përditshëm të nji njeriu mbi të ardhmen e tij. Natyrisht, aty këtu ndoshta duhet me rrezikue rrogën najherë, për me e thanë të vërtetën. Por sa ma shumë njerëz të bajnë kështu, aq ma pak mbetet për me u rrezikue. E jashtzakonshmja, bahet normë. Ndërsa deri sot ne si shoqni kemi dëshmue, që ma përpara e rrezikojmë krejt shtetin, sesa vendin e punës. E kuptoj, kjo ka të baj edhe me definicionin tonë mbi të fortin. Ai që ka pare asht i fortë.  Pa rrogë, ne konsiderojmë tjetrin e veten të dobët, e prej këtij kandvështrimi nuk po gjejmë dot sy me e pa e me e kuptue që në fund të ditës thjeshtë jemi thupra, pa grushtin që na bashkon, e nji nga nji po thehemi lehtë.

Pirro i Epirit pas fitores së nji beteje të ashpër kundër Romakëve në Heraklea, i dërmuem nuk diti a me u gëzue që fitoj a me kajt që humbi, se beteja që e fitoj e la thuja se pa asnji ushtar. Në këto momente dyshimi e pikëllimi, erdh në konkludim që edhe njji fitoreje si kjo dhe do të kthehej krejt i vetëm në Epir. Kosova s’asht Epiri, e unë kam frikë që as Pirroja s’ka me i’u kthye, nëse kjo nuk i kursen “ushtarët” e vetë e nuk i përzgjedh betejat që i konvenojnë, se shteti me “shpirtëra” as nuk bahet, as nuk mahet. Për Kosovën, kremtimet e përmbushjeve të kritereve që s’janë përmbushë, janë si fitorja e Pirros. Veç se, vajin do t’ia nijmë, si shpeshë herë deri sot, kur të shuhen thirrjet euforike të dehjes kolektive, festë ku njerëzit me aftësi të kufizueme nuk do të jenë të ftuem sepse, kur na sillemi sikur ata nuk ekzistojnë, ata detyrohen me jetue sikur mos me ekzistue.  

 

________________

[1] Report on discrimination of Roma children in education: Lilla Farkas - European Netëork of Legal Experts in the Non-Discrimination Field, European Commission Directorate-General for Justice, 2014

 

 

23 prill 2016
12:37

Ardiana Shala Prishtina