Mbi autoritetin tradicional dhe si të tejkalohet ai

Autoriteti përfshin marrëdhënie të pabarabartë pushteti ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Marrëdhënia e këtillë nuk është e dhënë dhe e natyrshme. Andaj, ajo duhet të justifikohet dhe të rimendohet në vazhdimësi. Përndryshe, krijohet krizë e autoritetit dhe zëvendësohet me forcë e dhunë. Një fushë në të cilën shfaqet kjo marrëdhënie e autoritetit është raporti ndërmjet brezit të ri dhe atij të vjetër. Ndërmjet shijeve e interesave të të rinjve dhe të moshuarve ka një tension që vështirë tejkalohet. Andaj, institucionet e shoqërisë, e sidomos universiteti duhet të luajë rolin e lehtësuesit të tejkalimit të autoritetit tradicional, që të çelen rrugë të reja për brezin e ri.

28 mars 2016 15:25

Ta zëmë se një ditë prej ditësh një person i moshës së rritur ka dalë në mëngjes prej shtëpisë, por në vend që të shkojë në punë, siç është dashur, ai ka takuar miqtë e tij dhe e ka kaluar ditën me ta duke u zbavitur. Ta zëmë se fëmija e tij e kupton këtë dhe, për pasojë, e ndëshkon prindin për këtë, duke mos e lejuar atë të takohet me miqtë e tij gjatë tërë javës. Prindi nuk ka rrugëdalje tjetër veçse t’i bindet urdhrit të fëmijës së tij. Tingëllon absurde, apo jo? Edhe po edhe jo. Po, sepse fëmija nuk e bën këtë. Jo, sepse si fëmija, ashtu dhe prindi janë njerëz dhe të barabartë nga aspekti i të qenit njeri. Prindi, më përpara se të bëhet prind është njeri, siç është edhe fëmija. Nëse prindit ia heq përgjegjësinë që ka për me e rritë dhe me e mbajtë fëmijën, ai zhvishet edhe nga autoriteti që e ushtron mbi fëmijën.

Në mënyrë analogjike, kjo mund të thuhet edhe për raportet e tjera të pabarabarta ndërmjet njerëzve dhe grupeve. Në ilustrimin e dhënë, zëvendëso, për shembull, “prindin” me “një polic”, “fëmijën” me “një qytetar” “mosshkuarjen në punë” me “shkelje të ligjit nga ana e qytetarit” dhe “ndëshkimin” me “arrest të qytetarit” dhe ke me gjetë se raportet e pushtetit mbesin, pavarësisht se kush janë aktorët.

Në rastin e policit dhe qytetarit, raporti josimetrik i pushtetit ndërmjet tyre na duket i dhënë dhe gati i natyrshëm, anipse nëse shohim më thellë, që të dy, si qytetari, ashtu dhe polici kanë një tipar themelor të përbashkët: të qenit njeri, e së këndejmi janë të barabartë. Polici, më përpara se të bëhet polic është njeri. Nëse policit ia heq uniformën, ai mbetet veç njëri nga qytetarët. E kuptueshme, pra, që uniforma nuk është veç një komplet rrobash karakteristike, por simbolizon autorizimin që dikush (shteti) ia ka dhënë njërit prej qytetarëve që të ushtrojë forcë legjitime e cila buron nga shteti. Uniforma, si me thënë, e vesh një qytetar të zakonshëm me pushtet të autorizuar, me autoritet. E bën polic, pra.

Pushteti ndërmjet forcës dhe justifikimit

Autoriteti nënkupton të drejtën për të ushtru pushtet, domethënë për të detyru ose komandu të tjerët e për t’u dhënë urdhra atyre. Kësisoj, autoriteti i ka dy komponentë: pushtetin dhe të drejtën. Pra mundësinë ose aftësinë për të komandu si edhe të drejtën për ta bërë atë. Mundësia për të ushtru pushtet ka të bëjë me aftësitë, mjetet, mekanizmat e instrumentet që mundësojnë ushtrimin e pushtetit, ndërkaq, e drejta për ta zbatuar këtë mundësi mund të ketë aq burime sa ka raporte josimetrike të pushtetit. Në ilustrimet e mësipërme, e drejta e prindit për të komanduar fëmijën e tij ka një burim tjetër nga e drejta e policit për të komanduar qytetarin.

Kjo do të thotë se pushteti lyp të justifikohet, përndryshe pushteti që ushtrohet vetëm pse një aktor mundet ta bëjë atë, është thjesht forcë për të ushtruar pushtet. Një filozof, këtë e ka thënë me këto fjalë: "Edhe më i forti nuk është aq i fortë sa të jetë përherë zot, po nuk e shndërroi forcën e tij në të drejtë dhe bindjen ndaj tij në obligim." Për ta ilustruar, prindërit, pra brezi i vjetër don me e ruejtë pushtetin e tij, por nëse nuk arrin me e justifiku atë (d.m.th. me e shndërru në të drejtë dhe obligim: me u pranu prej të rinjve), pushtetin e ushtron në mënyrë autoritare, pra me zor e dhunë. Në raste të këtilla flasim për krizë të autoritetit që manifestohet për shembull te marrëdhëniet konfliktuale ndërmjet brezave.

Mirëpo, veç kësaj, autoriteti gjithmonë është i kufizuar. I kufizuar në kuptim të fushave ose çështjeve në të cilat ushtrohet ai. Nuk ka autoritet për të gjitha fushat ose çështjet, por për një ose disa sosh. Kur pushteti ushtrohet ose pretendon të shtrihet edhe në fushat, në të cilat nuk ka aftësi ose të drejtë, atëherë ai nuk mund të legjitimohet. Kriza e autoritetit thellohet në raste kur brezi i vjetër don ta shtrijë autoritetin në më shumë fusha, duke pretenduar pushtet totalitar.

Për ta përmbledhur: marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit nuk janë të natyrshme ose normale. Pra kur një individ a grup ushtron pushtet ndaj individëve ose grupeve të tjera, kjo është e panatyrshme. Prandaj kur njerëzit e pranojnë këtë marrëdhënie të pabarabartë e të panatyrshme, këtë e bëjnë veç me një arsye të fortë dhe duke e kufizuar në fusha të caktuara. Ndryshe pushteti është veç një formë e dhunës së pastër.

Tradicionalizmi ndërmjet dogmës dhe kritikës

Brezi më i moshuar ushtron pushtet në raport me brezin më të ri, e kjo është e pranishme në shumë raporte shoqërore, për shembull, prindërit në raport me fëmijët, arsimtarët në raport me nxënësit e studentët, elitat politike e kulturore në raport me juniorët në politikë, kulturë, shkencë e art, e kështu me radhë. Analiza e dinamikës dhe e tensioneve ndërmjet këtyre marrëdhënieve të pabarabarta na ndihmon të kuptojmë shumë transformime strukturore dhe kulturore në shoqëri.

Pushteti që brezat më të moshuar e ushtrojnë në raport me të rinjtë nuk është një marrëdhënie që tenton të jetë e qëndrueshme, ngase konflikti ndërmjet kërkesave, shijeve e interesave të të moshuarve dhe atyre të rinjve është një forcë drejt destabilizimit dhe ndryshimit të këtij raporti josimetrik të pushtetit. Prandaj, që të mirëmbahet ky raport i dominimit të më të moshuarve ndaj më të rinjve, në vazhdimësi lyp që jo vetëm të riprodhohen bazat e justifikueshmërisë së këtij raporti, por edhe të rimendohen e ndryshohen ato. Pra, raportet e pushtetit ndërmjet të rinjve dhe më të moshuarve duhet të rishikohen në vazhdimësi.

 

Nëse njohim dhe vlerësojmë nevojën për tradicionalizëm (se kështu trashëgohen mbërritjet njerëzore – dija, kultura, vlerat – nga një brez në tjetrin), nuk kemi sesi të jemi kundër tradicionalizmit. Në kohën kur rebelimi ndaj autoritetit të të moshuarve është bërë modë në mesin e “bulevardierëve” të shoqërisë, e di se më joshëse tingëllon me u pozicionu kundër traditës e tradicionalizmit. Mirëpo, nëse kërkojmë me qenë real, tradita është forcë që na formëson ne si shoqëri (pra si entitet mbi-individual): pritshmëritë sociale, presioni social, çfarë presin prindërit që të bëhen fëmijët e tyre, si na formësojnë shkollat etj., shumë prej këtyre kanë të bëjnë me traditën. Kjo është edhe në funksion të kohezionit shoqëror, ngase kështu e zhvillojnë njerëzit ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit, lidhjen me familjen, komunitetin, atdheun, shtetin, vlerat, kulturën etj.

Siç është bërë e ditur, tradita është e nevojshme nga njëra anë. Mirëpo, nga ana tjetër, pranimi gati absolut i autoritetit të traditës bëhet pengesë për progres në shumë drejtime, pasi që të rinjtë mbesin në “shejtninë e plakut” në famije, në shkolla e universitete, si dhe në vend të punës, dhe nuk imagjinojnë dot perspektiva të reja. Pra, udha e moderuar është jo një tradicionalizëm dogmatik, që pa kushte pranon autoritetin e brezave më të vjetër, por për një tradicionalizëm kritik që njeh mirë arritjet e vlefshme të brezave të shkuar, vlerëson ato me një qasje kritike, dhe tejkalon ato duke ndërtuar të renë mbi këtë përpunim të traditës.

Narracionet ndërmjet bindjes së verbër dhe emancipimit

Përgjatë dekadave, e sidomos viteve të fundit, shoqëria kosovare ka kaluar nëpër transformime të shumta e të shpejta. Kjo e lë shoqërinë në një konfuzion dhe njerëzit i kthehen besimeve e  vlerave të vjetra për të hequr dyshimet dhe shëruar frikën që vjen me ndryshime. Mirëpo, narrativat e vjetra, të cilat në të kaluarën – në kontekste të tjera politike e kulturore – i jepnin kuptim jetës, historisë e aspiratave tona si kolektivitet, nuk kemi arritur t’i rimendojmë e t’i zëvendësojmë me narrativa të reja të përshtatshme për kushtet e sotme që do të pranoheshin gjerësisht edhe nga brezat e rinj dhe do të legjitimonin shoqërinë e re.

Pra kemi delegjitimim të narrativave të vjetra dhe boshllëku që po mbetet, nuk po plotësohet nga narrativa të reja. Brezat e rinj nuk po gjejnë kuptim në të vjetrat (narrativat e vjetra, pra), por po mbesin të hutuar në një gjendje anomie. Tash për tash, kemi narrativa partikulare që nuk integrojnë anëtarët dhe segmentet e shoqërisë në një entitet shoqëror më gjithpërfshirës. Për pasojë, na shfaqen ideologji që sfidojnë normat tradicionale mbizotëruese në shoqëri (si nacionalizmi, patriarkalizmi, jomobiliteti) dhe ato që po tentohet të instalohen që nga paslufta (si liberalizmi, proeuropianizmi, kapitalizmi, mobiliteti).

Rëndësia e këtyre narrativave, përveç tjerash, është se anëtarëve të kolektivit ua plotëson nevojën e përkatësisë dhe pranimit. Mungesa e një narrativi emancipues e integrues e përçan shoqërinë, pasi që segmente të ndryshme të të rinjve nevojën për t’i përkitur një grupi identitar e plotësojnë në grupe e organizime segmentare. Kur kemi parasysh edhe gjendjen pashpresë të rinisë, shkollimin e papërshtatshëm, papunësinë e varfërinë, atëherë të rinjtë e të rejat joshen lehtë  nga predikues e ideologë sekularë e fetarë, që ofrojnë përgjigje të gatshme për gjithçka e premtime për shpëtim. Dhe këto dy oferta shkëmbehen me bindjen e verbër tek autoriteti i këtyre predikuesve e ideologëve dhe kërkesat e tyre.

Universiteti ndërmjet indoktrinimit dhe mendimit kritik

Besoj që secili brez ka nevojë t’i rimendojë narrativat e brezave të kaluar dhe të ndërtojë të tijat, d.m.th. shpjegimet dhe interpretimet për përvojat e tyre dhe historinë e brezave paraardhës, për vlerat, për ngjarjet, për heronjtë, për luftërat, për marrëdhëniet shoqërore, e kështu me radhë. Kjo ndërmarrje kolektive pasohet nga përfytyrimi i vizionit për të ardhmen e brezit.

Natyrshëm që ka me pasë konflikt dhe nuk ka me qenë i lehtë ndërtimi i narrativave dhe i vlerave të reja, pasi këto të rejat bien ndesh me ato të brezit më të vjetër dhe ky ka me i ndalu e pengu ato sa të mundet. Por, për të tejkalu këtë vështirësi, rol kyç luan sistemi arsimor, e sidomos niveli universitar, i cili duhet të organizohet e të funksionojë në atë mënyrë që kandari i tij të rëndojë përherë për një shkallë në krah të imagjinatës së brezit të ri.

Prej universitetit pritet që të jetë jo vetëm në shërbim të pranimit dhe ripërsëritjes së dijes nga e kaluara, por edhe të mësojë të rinjtë të mendojnë vetë dhe të krijojnë vetë dije të reja. Mësimi i arritjeve intelekuale të të parëve pa i rimenduar ato, është indoktrinim. Universiteti ynë u jep studentëve “të vërtetat” e nuk u hapë udhë për të gjetur ata vetë “të vërtetat” e veta. Mirëpo, universiteti duhet të edukojë brezat e rinj, e kjo në radhë të parë nënkupton të rimendohet dija tradicionale e pranuar dhe të shkohet përtej saj. Kjo do të thotë – para së gjithash – me i mësu të rinjtë se çfarëdo që thonë profesorët, qëndrimi a priori i studentëve duhet të jetë dyshues, pra të dyshohet në dijen që merret. Por, ky është një proces dhe nuk ndalet këtu.

Dyshimi është veç hapi i parë, që i lejon studentët të cilët dijen e nxënë t’ia nënshtrojnë vlerësimit kritik dhe gjykimit të mendimit të tyre e të arrijnë vetë te konkluzionet, pra te dija e rimenduar. Kjo do të thotë se studentët duhet me i inkuraju me mendu vetë, me e shpërbly këtë, mos me e kufizu horizontin e të menduarit dhe me i mësu jo çka e qysh me mendu, por me mendu vetë dhe për vete. Me fjalë të tjera me ua mësu mendimin kritik. Sepse, mendimi i mirëfilltë është mendim kritik, doemos!

 

28 mars 2016
15:25

Gëzim Selaci