Mbi frikën

25 mars 2016 14:05

 

***

Sipas përkufizimit shkencor frika është reagim emocional i fuqishëm përballë përceptimit të një rreziku të vërtetë objektiv apo imagjinar, është një ndjenjë shqetësimi i thellë kur jemi përpara një rreziku që na kanoset drejtpërdrejt, përpara një rreziku të ardhshëm ose përpara një fatkeqësie. Që në fillim të asaj se çfarë e kemi në mendje të bluajmë, mund të arrijmë fare lehtësisht tek një konstatim jo shumë i pëlqyeshëm. Por ama që duhet ta themi. Për hir të së vërtetës. Që jo gjithnjë është sikurse duam. Më në fund bota ka një armik të përbashkët. Më në fund përballë saj bota ka një fatkeqësi të vetme. A doni më shumë se kaq. Ka një përbindësh para fytyrës së saj të lashtë, që trazon mendjet dhe arsyet e qenieve. Frikën. Frikën e cila na nënshtron të gjithëve. E cila na bën të barabartë. Ta forcojmë atë që e kemi në mendje ta themi. Sulmet terroriste kudo në botë duket se kanë arritur që frikën si të tillë, ta institucionalizojnë dhe ta bëjnë legjitime. Për më shumë se kaq ta palosin në ballin e rraskapitur të njeriut, simbolin e ankthit. Të pasigurisë dhe të llahtarit. Sulmet terroriste kudo mbi faqe të dheut, si pasojë e fanatizmit të mendjeve, i kanë dhuruar kësaj epoke kultin e traumës. Apo frymën nën diktatin e presionit të saj, që vepron egërsisht brenda nesh. Tani një shumësi kombesh gjenden nën ethet traumatike. Duke u mbledhur kruspull përballë frikës, që është thellësisht degraduese dhe që ka vënë kontakt të ngushtë me secilin prej nesh.

***

Më vjen keq ta them por nuk kemi nga t’ia mbajmë. Bota sundohet pikërisht nga pushteti i shqetësimit. Ta ilustrojmë pakëz më shumë. Afrikani i parë me ngjyrë i cili u nderua me çmimin ,Nobel, për letërsi në vitin 1986 (kisha jo kënaqësinë por frikën të lindja pikërisht në këtë vit) Wole Soyinka, frikën e koncepton si një pushtet të fshehtë, të padukshëm, një njësi që nuk përcaktohet nga kufijtë fizikë. Në ligjëratën e tij të vitit 2004, ai mendonte se ngjarjet e përmasave të jashtëzakonshme deri më sot (pra deri në atë vit), kanë bërë që çdo qoshe e planetit të bëhet praktikisht e cënueshme. Dymbëdhjetë vite pas asaj se çfarë thoshte, ish i dënuari me vekje nga regjimi diktatorial, profesori i nderuar Soyinka, gjërat vetëm sa janë përkeqësuar dhe bota vetëm sa është gjunjëzuar edhe më shumë ndaj regjimit të frikës. Prandaj sipas tij çfarëdo veprimi ose mosveprimi që inkurajon pandëshkueshmërinë, implikon nënshtrimin e tërë botës, ndaj këtij regjimi që gjithnjë e më shumë përhapet dhe që gjithnjë e më pak bëhet përzgjedhës. Dhe shpresat për të mbajtur gjallë mbijetesën e njerëzimit kurrë nuk shuhen. Domethënë nuk është në natyrën e shpresës të fashitet. Jo për diçka tjetër. Thjeshtë sa për të ja bërë qejfin vetes.

***

Lennoni thotë Zoti është njësia matëse e dhimbjes sonë. Për mua bota është fusha fizike, ku po shtrihet kjo dhimbje. Deshëm apo nuk deshëm ne. Vendi ku na bëhet e qartë shkalla e ulët e dobësisë dhe ku dëshmohet budallallëku i të qenit hero. Ndër shekuj frika është koncept i zëvëndësueshëm e cila nuk e përjashton veten nga pasiguria jonë totale, në mes një xhungle teknologjike dhe rreziku nuklear. Ajo vetëm ndërron fytyrën e saj dhe shfaqet në trajta të ndryshme. Si instrument i duhur për të kontrolluar atë që i shkon për shtati kontrolluesit djallëzor.

 

 

25 mars 2016
14:05

Shpëtim Selmani