Si të nisësh një luftë civile?

22 mars 2016 13:55

Sot në Kosovë, dhuna po bëhet një mjet normal dhe i përditshëm në realizimin e interesave politik. Dhuna patjetër që në shumicën e rasteve është e jashtëligjshme, dhe përdorimi i saj prenë rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhme prosperuese, por i njëjtë është edhe korrupsioni, keqpërdorimi i detyrave zyrtare, keq-qeverisja etj.

Por, sikur dhuna potenciale që mund ta kthejë Kosovën mbrapa, njëjtë dhe korrupsioni, keq-qeverisja dhe mospërgjegjësia institucionale, stagnojnë Kosovën në rrugën e saj për zhvillim.

Bashkërisht këto koncepte kanë kategorizim dhe efekt të njëjtë, garantojnë status-qou’në në raport me shkuarjen përpara.

Marx dhe De Tocqueville e kanë konsideruar se revolucioni dhe rrëzimi i regjimeve të vjetra ishte më i realizueshëm nëse punëtorët e organizojnë veten politikisht në rast se injorimi i tyre do të vazhdonte më tej, kështu polarizimi mes grupeve sociale edhe u bë shkak për Revolucionin Rus e madje edhe të grushteve të shtetit që bënë nazistët në Gjermani duke sjellë fundin e Republikës së Veimarit, fashistët në Itali, komunistët në Kubë e kështu me rradhë.

Përderisa në atë kohë nuk ekzistonin oponentët politik në vendet e ndryshme ku polarizimi shoqëror shkaktoi revolucionin, vetë pluralizmi politik në Kosovë ka ofruar një alternativë tjetër të polarizimit, e në të njëjtën kohë një motiv tjetër për revoltën, dhe mundësi për të organizuar pakënaqësinë ndaj qeverisjes së keqe.

Vazhdimi i polarizimit politik dhe metodat që po prodhohen në skenën politike do të qonin Kosovën hiq më shumë e hiq më pakë se në lutë civile, diçka që te të gjithë merr formë mirazhi, por askush nuk merr guximin ta përmend.

Krejt kjo do të ndodhte si pasojë e polarizimit të skajshëm në skenën politike në Kosovë, përderisa vetë polarizimi po rrezikon paqën dhe sigurinë në territorin e Kosovës, dhe në kuptimin e Montavle dhe Reynal-Querol, ky polarizim përbënë evidencë që paraljmëron konfliktin e mundshëm civil, i cili do ta qonte Kosovën në një rrugë të pakthyeshme. Pra, sa më i madhë polarizimi, aq më jostabile është skena poltike, dhe aq më fragjil bëhet sektori i sigurisë.

Sipas Joan Esteban dhe Debraj Ray, polarizimi vjen si pasojë e interaksionit brenda grupor dhe refuzimit ndërgrupor. Pra anëtarët e një grupi identifikohen me idetë, ideologjitë apo aksionet e grupit që i përkasin dhe legjitimojnë veprimet që anëtarët tjerë të grupit ndërmarrin për të realizuar qëllimt politike, duke i konsideruar të huaja dhe të dëmshme të njëjtat elemente të grupit tjetër.

Sipas Esteban dhe Ray, edhe rrezikshmëria dhe niveli i konfliktit rritet përbenda nivelit dhe thellimit te polarizimit, gjë që veç ka ndodhur në skenën politike në Kosovë nëse shohim mjetet e përdorura përgjatë krizës së fundit.

Një shembull të polarizimit politik e gjejmë në Kosovën e pasluftës, ku atëherit njerëzit identifikoheshin në dy kampe shumë armiqësore, Krahu i Luftës, i reprezentuar nga PDK dhe AAK, por dominuar nga PDK, dhe krahu tjetër i LDK’së. Besoj të gjithë e mbani mend se si ky polarizim ka arritur të shkatërroj edhe raportet shoqërore e familjare, për arsye të identifikimit me njërin grup ose tjetrin dhe kundërshtimit të thellë mes tyre.

Gjithashtu roli i elitave në këtë polarizim ka qenë konfrontues dhe jo bashkëpunues, gjë që është përsëritur në politikën Kosovare me hyrjen e Vetëvendosjes në Kuvend.

Kjo gjeneroi një polarizim të skajshëm mes partive politike, specifikisht mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera të kuvendit, i cili në fakt nuk bazohet në premisa parimore por më shumë në bazë të inateve që politikanët kanë në mes vete.

Si në Kosovën e pasluftës, sidomos gjatë dy krizave politike të fundit, partia u shëndrrua sërish në formë të rëndësishme të identitetit social të qytetarëve të Kosovës.

Në Kosovë, polarizimi ekonomik dhe social nuk ka arritur të dominoj deri tash, madje as ai etnik. Kjo nuk ka ndodhur për shkak se një polarizim i tillë nuk ekziston, por për shkak se ai është lënë nën hije si pasojë e polarizimit të thellë politik. Ky polarizim brenda skenës politike ka qenë deri në një masë i relativizuar gjatë periudhës 2005-2010. Dhe gjatë kësaj periudhe nëse e vrojtojmë, ka qenë koha kur më së shumti ka kulmuar dhe është vërejtur kampanja e KFOR’it për solidaritetin etnik me ato billboard’ët qesharak. Kjo ka ndodhur për vetë arsyen se polarizimi politik ka qenë i relativizuar, dhe ai etnik ka dalur si më i theksuar, gjë që prapë është relativizuar pas ritheksimit të polarizimit të skenës politike Kosovare.

Për më shumë, kjo ndarje nuk prodhoi debat konstruktiv apo komunikim midis fuqive politike, por i distancoi dhe armiqësoi ato mes vete, e njëjtë edhe anëtarët dhe militantët e grupeve respektive. Teoricienët e identitetit social si Henri Tajfel dhe John Turner cilësuan se në kompeticionin midis grupeve, përkatësia në një grup rezulton me vlerësim pozitiv ndaj individit përderisa anëtarësia në grupin tjetër rezulton me vlerësime armiqësore ndaj individit.

Edhe pse studiuesit e lartëpërmendur janë marrur me kontekstin ekonomik dhe racial të polarizimit, e njëjta prodhohet edhe tek polarizimi politik në Kosovë, përderisa aktivisti i Vetëvendosjes e asocion simpatizantin e PDK’së dhe LDK’së me krimin e organizuar, korrupsionin, keq-qeverisjen dhe tradhëtinë dhe si rrezik për të ardhmen e vendit, e në anën tjetër simpatizanti apo anëtari i LDK’së apo PDK’së e asocion aktivistin e Vetëvendosjes me shkatërrimin, huliganizmin, anarkizmin dhe rrezikun e të ardhmes së vendit dhe ‘miqësisë‘ me ndërkombëtarët.

Sikur që Donald Trump me retorikën e tij po shkakton paraqitjen e dhunës në skenën Amerikane, njëjtë edhe retorika e liderëve politik në Kosovë ndaj njëri tjetrit po prodhon dhe drejton dhunën në Kosovë.

Kundërargumentin që mund ta keni në mendje, kur përfshij në këtë mes të gjitha figurat kyqe të politikës, përbënë faktin që anëtarët e PDK’së dhe LDK’së nuk po shkaktojnë dhunë. Eh po kjo duhet parë nga një kënd tjetër. Edhe PDK edhe LDK po shkaktojnë dhunë, njëjtë sikur Vetëvendosje, përveçse mungon nevoja që kjo dhunë të shprehet përmes anëtarëve të këtyre grupimeve, për shkak se këto parti kanë nën kontroll aparatin shtetëror, dhe dhunën nuk kanë nevoj ta realizojnë përmes militantëve, por e bëjnë përmes aparatit shtetëror.

Në shoqëritë demokratike, “dhuna është e paarsyetueshme“, pavarësisht nëse ajo vjen prej qytetarëve apo është e organizuar dhe manifestohet përmes aparatit shtetëror, dhe kjo dhunë mes grupimeve ka qenë e vazhdueshme për pothuajse tetë muaj të krizës politike.

Në sistemet demokratike, dhuna në vetëvete është e paligjshme, dhe shteti është e vetmja strukturë që ka monopol mbi dhunën, dhe e rregullon përdorimin e saj në mënyrën sa më strikte të mundshme. Por në Kosovë, si vend me demokraci sipërfaqësore, dhuna është e decentralizuar, secili grupim politik ka kapacitetin e vet për të gjeneruar dhunë, dhe vetë dhuna shtetërore është e politizuar dhe instrument i interesave politik të partive në pushtet.

Kjo dhunë e decentralizuar, realizohet në praktikë si pasojë e retorikës që politikanët polarizues përdorin në diskursin publik, duke e margjinalizuar edhe qytetarin më jo-politik të mundshëm. Kështu liderët politik vazhdimisht bëjnë dallimin mes “ne dhe ata“, ku njëra palë është sinonim i të drejtës dhe tjetra e të gabueshmes, dhe në këtë rast nuk ka mes, gjithësecili detyrohet të orientohet në njërën ose tjetrën anë.

Kjo gjë reflekton përgaditen e terrenit për ndërmarrje të masave të dhunshme midis palëve, e mund të qoj deri tek tentativat për grusht-shtet, në rast se tensionet politike nuk menagjohen dhe nuk drejtohen drejt debatit dhe zgjidhjes paqësore.

Në librin Technique Du Coup D’Etat, Curzio Malaparte studion dobësitë e shtetit modern në raport me teknikat revolucionare duke marrë si shembull Leninin, Trockin, Musolinin, Hitlerin, Kapp’un, Pilsudskin dhe Primo di Riveran. 

Malaparte e përshkruan shtetin si një makinë gjigande, e cila drejtohet nga ata që ai i quan “mekanikët”.

Ai përshkruan se si Trocki me taktikën e tij, pikërisht përmes këtyre “makinistëve” arriti ta realizoj revolucionin rus të tetorit, dhe spjegon dështimin e Trockit për të bërë të njëjtën gjë ndaj Stalinit në vitin 1926. Sipas autorit, Stalini kishte mësuar nga taktika e Trockit dhe kishte krijuar një strukturë “mekanikësh” që të mirëmbanin shtetin dhe të parandalonin realizimin e një grushti të mundshëm të shtetit.

Në kuptimin e fjalorit që përdorin politikanët e opozitës kjo përkthehet si kapje e shtetit, dhe duke qenë se kjo kapje e shtetit është e fortë tentimi për të ndryshuar pushtetin përmes dhunës do të prodhonte kundëreaksion që do të qonte vendin drejt luftës civile.

Andaj, rruga e vetme që mbetet si rruga më ideale për të ndryshuar realitetin politik në Kosovë, është përmes metodave që nuk shkelin kornizat ligjore.

Situata e nderë politike, zgjidhet vetëm përmes vullnetit konstruktiv të liderëve partiak dhe lënjen mënjanë të inateve personale në të mirë të qytetarëve të vendit, “vizioni” i të cilëve e ka sjellë vendin në këtë pikë, dhe çdo qasje tjetër do të shpinte në katastrofë shumëdimensionale për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të Kosovës.

 

22 mars 2016
13:55

Arbër Ahmeti