Hotel Mama

18 janar 2016 11:37

I ke 30 vjet plus minus 5, je “single” edhe jeton me prindërit. Ke një pagë prej diku 400 euro, nëse ke fat. Meqë rrallë ndonjë vend i punës në Kosovë është afatgjatë (kjo vlen për ata që janë të rëndomtë, që nuk u takojnë klaneve e partive politike) dhe lartësia e pagës nuk është shumë stabile, ato të holla nuk mund t’i investosh në banesë, se çmimet për blerjen e banesave në Prishtinë janë marramendëse për standardin që kemi. Për shumë arsye nuk mundesh as me marrë kredi për blerje të banesës: 1) nuk ke çka me shti në hipotekë, 2) banka nuk ta jep shumën që e don ti edhe 3) është hap i rrezikshëm -  kush të garanton që mundesh me i kthy ato të holla? E mos të flasim për kamatat që mbesin edhe më tutje shumë të larta.

As me dalë me qira nuk ta mbanë xhepi! Qiraja për një banesë me mobile jo të mira, në gjendje mesatarisht të pranueshme, në një lagje jo shumë atraktive të Prishtinës sillet prej 200-300 euro në muaj. Kur e qet në laps të mbeten edhe diku 100-200 euro për me pagu fatura e për ushqim. Për të jetuar nuk mbetet asgjë! Rrjedhimisht banon  me prindërit e tu. Ata vazhdojnë të të konsiderojnë si fëmijë, të pyesin pse vonohesh kur del. Ju duket që po del shpesh. S’ke privatësi. Kurrë nuk je vetëm që me sjellë një vajzë apo djalë në shtëpi. Edhe përkujdesja amnore vazhdon përtej moshës 30 vjeçare: Nëna i lanë teshat për ty, t‘i hekuros, t‘i palon, ta përgatitë ushqimin, ta rregullon dhomën. Nganjëherë ti e paguan një faturë aty-këtu për shtëpi, sa me e përmbushë një obligim familjar, por në shumicën e rasteve, në fund të muajit mbetesh t’u e pritë rrogën, për me dalë prapë.

Komoditeti në “Hotelin Mama” nuk të len me dalë nga zona jote e komforit. Nuk të len me marrë e ushtru përgjegjësi. Nuk të jep pavarësi të plotë për jetën tënde. Nuk të lejon as të emancipohesh seksualisht. Është për të ardhur keq që nuk ka fazë tranzicionale prej mënyrës së jetesës në familje deri te jeta kur del nga shtëpia e prindërve edhe krijon familjen tënde, nëse e ke në plan një gjë të tillë.

Komoditeti vs mentaliteti dhe çështja e parave

Mirëpo, me dalë me jetu vetëm nuk është vetëm çështje e mosprishjes së rehatisë. Nëse je kosovar i pamartuar dhe jeton në të njëjtin qytet me prindërit e tu është kafshatë e madhe për t’u gëlltitur që ta marrësh vendimin për të banuar vetëm, nëse veç i ke mundësitë financiare për ta bërë një hap të tillë. Nëse je femër është edhe më e papranueshme, bile edhe skandaloze të dalësh nga shtëpia e prindërve për të jetuar vetëm. Nganjëherë të kërcënojnë edhe që kanë me „të lëçitë“ nga familja, nëse veç të shkon mendja me e ndërmarrë atë veprim. Në shoqërinë tonë jeta në familje është forma dominuese e bashkëjetesës. Pavarësimi i fëmijëve të moshës madhore nga prindërit mbetet akoma pak i diskutuar në shoqërinë tonë. Janë kryesisht ata që vijnë për të studiuar në Prishtinë, që mund ta shijojnë jetën si të "pavarur" nga familja.

Mospranimi i vendimeve për të banuar vetëm është i lidhur ngushtë edhe me faktin se si shoqëri jetojmë për të tjerët dhe nuk mund t’i thejmë konceptet tradicionale në sytë e të tjerëve. Çfarë mendojnë të tjerët për ne na definon jetën. E si të lejojmë që dikush të guxojë të mendojë se djali/vajza paskan arsye të largohen nga familja për të banuar  vetëm, „të ndahen“. Largimi përjetohet si ndarje e familjes. Nuk merret fare parasysh që do të duhej të ishte fazë e një procesi natyror i pavarësimit si individ, gjatë së cilës i riu mësohet të menaxhojë me të ardhurat, mësohet të marrë përgjegjësi e të organizohet, por më shumë i druhemi asaj se çfarë do të thonë të tjerët për familjen tonë.

Sidoqoftë, pengesa kryesore deri te pavarësia mbetet gjithsesi çështja financiare. Me një shkallë të papunësisë te të rinjtë prej 61.0 %, dhe pagë mesatare prej 429 Euro në sektorin publik dhe 349 Euro në sektorin privat nuk është për t’u habitur që të rinjtë vazhdojnë të banojnë me prindërit e tyre. Opsione tjera nuk u mbeten, ngase në një vend të varfër si Kosova, buxheti shtetëror nuk mund të ofrojë përkrahje institucionale për të rinjtë, siç ndodhë në disa vende perëndimore.

Anketat e fundit të Generation and Gender Survey dhe një studimi i vitit 2012 i Eurofound lidhur me situatën sociale të të rinjve të shteteve anëtare të BE-së tregojnë  se edhe në BE faktori ekonomik është vendimtar nëse fëmijët e moshës madhore vazhdojnë të jetojnë me prindërit e tyre.

Studimi i Eurofound tregon që për shkak të krizës ekonomike, numri i atyre që jetojnë me prindërit në shtetet anëtare të BE-së është rritur në krahasim me vitet para krizës. Në vitin 2007 ishin 44% të fëmijëve të moshës madhore që banonin me prindërit e tyre, ndërsa në vitin 2011 përqindja u ngrit në 48%.

Image

Përqindja më e lartë e të rinjve prej 18-29 vjet që jetojnë me prindërit e tyre është në vendet më të prekura nga kriza financiare, si p.sh. në Malta, ku 85% e të rinjve banojnë me prindërit apo në Hungari me 76%. Më të pavarur janë të rinjtë nga Finlanda, ku vetëm 15% banojnë me prindërit e tyre. Sipas anketave dhe raportit, në vendet ku përqindja e atyre që jetojnë me prindërit është më ulët, ka programe përkrahëse shtetërore për të rinjtë me qëllim që të pavarësohen.    

Image

 

Përkrahja institucionale e të rinjve në Gjermani

Anketat e fundit tregojnë që vetëm 23% të gjermanëve të moshës madhore jetojnë me prindërit e tyre. Në Gjermani, përpos që është shumë e pranueshme dhe e zakonshme në shoqëri që fëmijët e moshës madhore të mos jetojnë me prindërit e tyre, shteti ka krijuar disa mekanizma për t’i përkrahur ata financiarisht që të banojnë vetëm.

Ata që janë studentë apo që janë duke kryer aftësim profesional, varësisht prej llojit të studimeve apo llojit të aftësimit profesional u takon përkrahje financiare nga shteti për banim. Mirëpo, edhe për ata që nuk janë studentë, ligjbërësit janë treguar të kujdesshëm: Një ndihmë financiare në formë të shtesave apo subvencionimit të qirasë (Wohngeld) u takon ndër tjerash atyre që kanë standard më të ulët jetësor, pra që janë të regjistruar si të papunë, apo që marrin ndihma sociale. Këtë përkrahje ua jep shteti qytetarëve të vet me qëllim që të sigurohen kushte të përshtatshme për banim.  

Nisma për krijimin e lehtësimeve në Itali

Sipas studimit të Eurofound, numri i popullsisë italiane të moshës 18-29 vjeçare që jetojnë me prindërit ka arritur në 80%. Për dallim nga shtetet tjera të Bashkimit Evropian, në Itali kjo shifër e lartë nuk është e lidhur vetëm me arsye ekonomike por është fenomen shoqëror. Kujdesi i tepruar i nënave italiane ndaj djemve është goxha i njohur. Edhe pse tingëllon si klishe, është dukuri e përhapur shoqërore që quhet "mammismo", që i bie djali mamit. Djemtë e rritur, të (pa)punësuar e të pamartuar vazhdojnë të banojnë me nënat e tyre edhe përtej moshës 30 vjeçare, sepse ato përkujdesen për të gjitha. Kështu që shtatë prej dhjetë meshkujve italianë të pamartuar jetojnë me prindërit. Por edhe kur martohen, nënat vazhdojnë të luajnë rol vendimmarrës në jetën e tyre. Saqë në rreth 30% të rasteve të shkurorëzimeve, ndërhyrja e vjehrrës në jetën e çiftit bashkëshortor është shkaku i ndarjes.

Nisma për zbutjen e këtij fenomeni shoqëror erdhi nga vet qeveria në Romë, në vitin 2010. U dha propozimi për krijimin e politikave të reja për t'i ndihmuar dhe stimuluar italianët mbi 30 vjeç, të cilët banojnë akoma me prindërit e tyre, që të pavarësohen. Ndër tjerash u propozua që të rinjve, të cilët duan të banojnë vetëm t'u jepet kredi pa kamatë, apo me kamata shumë të ulëta për blerje të banesës; bursa për banim për studentë; subvencione për qiranë mujore; dhe heqje e tatimin në qira për  qiradhënësit që ua lëshojnë me qira banesën të rinjve.

Ne, kosovarët padyshim që e kemi një rrugë të gjatë para vetes deri te pavarësimi i plotë edhe si individë. E ndoshta në të ardhmen dikush do ta bëj punësimin e të rinjve prioritet të vërtetë, e do të krijojë politika reale që përkrahin pavarësimin e të rinjve.

Deri atëherë duhet punuar në strategji të sofistikuar të bashkëjetesës për shmangien e konflikteve  të gjeneratave që jetojnë nën një kulm.

_______________

Foto: Arben Llapashtica

 

 

18 janar 2016
11:37

Nora Hasani Llapashtica