Vlerat e Kosovës

Mbi librin “Civic and uncivic values in Kosovo- History, Politics and Value Transformation.” CEU Press, 2015 të edituar nga Sabrina P. Ramet, Albert Simkus dhe Ola Listhaug.

23 dhjetor 2015 18:41

Krahasuar me vitet e para të pasluftës, kohëve të fundit Kosova nuk ka qenë objekt aq i shpeshtë i rasteve studimore, si të studiuesve të huaj ashtu edhe atyre vendor. Në fakt, janë të rrallë monografitë e sidomos librat e edituar që merren me Kosovën e paspavarësisë. Një përjashtim të mirë, bën këtu libri i edituar në kuadër të një projekti më të gjerë shkencor, e ku përfshin serinë e botimeve mbi vlerat dhe jovlerat qytetare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Libri përbëhet nga 17 kapituj nga kontribuues të ndryshëm, i ndarë në pjesën mbi historinë, politikën, transformimit të vlerave dhe përmbylljen, në gjithsej 450 faqe. Botues i librit është shtëpia botuese e Universitetit të Evropës Qendrore (CEU) me seli në Budapest dhe Nju Jork. Në vazhdim do të prezantohen e vlerësohen disa nga kapitujt më të veçuar.  

Në kapitullin e parë dhe hyrës, Sabrina P. Ramet, njohëse e shkëlqyer dhe autore e një varg librash mbi ish-Jugosllavinë dhe shteteve të dala nga ajo, fillon me historikun e shkurtë të Kosovës. Për të vazhduar më pas të trajtojë konceptin e vlerave qytetare, transformimin e tyre, si dhe faktorëve që ndikojnë në sistemin e vlerave. Ajo elaboron rendësinë e vlerave/virtyteve për zhvillimin, stabilitetin dhe konsolidimin e demokracisë liberale. Në kapitullin pasues, Roberto Morozzo della Rocca trajton historinë e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi që nga 1878 deri me 1998. Është tentim i kthjellët dhe objektiv që të përmbledh shkurtazi periudhat kyçe, që nga Rilindja kombëtare e deri te lufta e fundit, për të pasqyruar si pozitën e shqiptarëve ashtu edhe veprimet politike të pareshtura për liri e pavarësi. Kurse sa i përket vlerave qytetare si respektimi dhe barazia ndëretnike, ai pohon se asnjëherë deri tani nuk ka pasur ndonjë përpjekje sistematike në këtë aspekt.

Ndërsa historiani i shquar Oliver Jens Schmitt bën vështrim kritik e qortues të historiografisë në Kosovën e paspavarësisë. Duke u përqendruar në historiografinë pas vitit 2008, ai e fillon kapitullin me krijimin e brezit të parë të historianëve dhe rrethanave sociopolitike, me të cilat ata u ballafaquan gjatë krijimtarisë, sikurse ndikimin e tyre në brezat e rinj të historianëve. Ai ndalet pastaj te monografia mbi Kosovën e botuar prej Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Narracioni e gjuha e përdorur në këtë përmbledhje, në disa raste është me tone nacionaliste dhe shoviniste, dhe të gjeturat në raste tjera të punimeve të disa prej historianëve, është thjesht për keqardhje, siç e ilustron ai rastin me Jusuf Buxhovin. Duke ekzaminuar artikujt nga revista Gjurmime Albanologjike. Seria e shkencave historike, Schmitt vë në pah mungesën e qasjes së duhur shkencore në mjaft shembuj duke theksuar se kjo është ndër arsyet se pse historiografia e Kosovës nuk është fare prezent në nivelin ndërkombëtar. Përfundimi i tij, është se historia e Kosovës ka qenë dhe mbetet në shërbim politik e shoqëror, por që hulumtimi historiografik le ende shumë për të dëshiruar. Në këtë linjë mund të konsiderohet edhe kapitulli i Shkëlzen Gashit mbi pasqyrimin e Historisë së Kosovës nga 1912 deri në vitin 2000 në librat shkollor në Kosovë dhe në Serbi. Duke paraqitur dhe krahasuar historinë në tekstet shkollore del se janë dy pikëpamje diametralisht të kundërta dhe shpeshherë kundërthënëse e të falsifikuara. Në përmbyllje Gashi i përmbledh pikat ku dallimet bëhen të qarta dhe tërësisht kundërshtuese.

Ndërkaq në pjesën e librit mbi politikën, vlen të veçohet kapitulli nga Nita Luci dhe Linda Gusia që shtjellojnë angazhimin qytetar, emancipimin dhe transformimin e sferës publike nga aspekti gjinor. Ato ushtrojnë kritikë ndaj dominimit maskulinist të së kaluarës dhe kujtesës kolektive në sferën publike, përkundër faktit se angazhimi dhe kontributi i gruas në zhvillimet sociopolitike të Kosovës që nga vitet e 1990-ta, ishta mjaft i lartë dhe i rëndësishëm. Gjithashtu, kritikohet qasja e disa feministëve të huaja, të cilat vetëm sipërfaqësisht e trajtuan çështjen gjinore duke i shmangur angazhimin, vlerat civile dhe përvojat e tyre brenda kontekstit politik të kohës.

Një kontribut tjetër mjaft interesant dhe që përkon me aktualitetin rreth negociatave dhe krijimit të Asociacionit, është kapitulli nga Dušan Janji? mbi zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe bashkëpunimit rajonal. Autori fillon të sqarojë krijimin e ‘strukturave paralele’ të cilat, siç pohon ai, ishin imitim i sistemit paralel që kishin formuar shqiptarët gjatë regjimit të Milloshevicit. Më pas ai ndalet te çështja e veriut duke e konsideruar atë pjesë, jo si ‘konflikt i ngrirë’ por si ‘vatër e nxehtë’ e një konflikti potencial mes Kosovës e Serbisë. Gjithashtu, ai i analizon strategjitë e deritashme, si të Beogradit ashtu edhe të Prishtinës, për zgjidhjen e kësaj çështje mjaft komplekse. Që nga paslufta e deri më 2012, politika e Serbisë karshi Kosovës kishte dy plane, njëra të krijojë një ‘konflikt të ngrirë’  dhe plani tjetër të ndajë Kosovën. Plani i fundit i shpalosur që nga viti 2001 nga zv. kryeministri i atëhershëm serb Nebojsa ?ovi? u sforcua edhe më vonë nga Ivica Da?ic dhe asokohe presidenti Boris Tadi? dhe u bë plani thuaja zyrtar i Beogradit, duke i ftuar serbet e veriut të bojkotojnë zgjedhjet dhe bashkëpunimin. Mirëpo, pasi ky plan hasi në kundërshtim të prerë nga Angela Merkel dhe Hillary Clinton, qeveria e re e Serbisë filloi që me negociata të kërkonte zgjidhje më të favorshme. Në anën tjetër, qeveria e Kosovës në vitin 2010 hartoi ‘Strategjinë për Veriun e Kosovës’ me koordinator Ylber Hysen, duke hapur zyrën e përkohshme administrative në Mitrovicën e veriut dhe duke u përpjekur që të integrojë atë pjesë, gjë që nuk u realizua deri më tani. Meqë dy qeveritë nuk arritën zgjidhje të pranueshme, Janji? mendon se marrëveshja e 19 prillit 2013 do të ishte një pikënisje e mirë për një ‘zgjidhje tranzitore’, që do të mund t’i normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve. Zgjidhja e mundshme e kësaj çështje, sipas tij, do të ishte krijimi i një ‘miniregjioni evropian’ që do të mund të gjeneronte paqe dhe të rriste bashkëpunimin rajonal. Por, dilemën thelbësore se në suaza të kujt dhe si do të krijohej ky “regjion”, këtë çështje ai nuk e adreson këtu fare.

Kapitulli i Albert Simkus dhe Shemsi Krasniqit mbi dallimet në vlera ndërmjet dhe brenda shqiptarëve dhe serbëve, analizon të dhënat e ndryshme empirike nga matjet e opinionit publik mbi vlerat nga viti 2004 dhe 2008 duke i krahasuar ato dhe nxjerrë të gjetura interesante. Kështu, të gjeturat flasin se dallimet mes dy komuniteteve janë në qëndrimet e tyre rreth vlerave tradicionale dhe çështjeve gjinore por që dallime ka edhe brenda grupeve varësisht prej moshës, edukimit dhe vendbanimit urban-rural. Dhe përfundimisht analiza e tyre tregon distancën etnike të thellë mes tyre. Në kapitullin përmbyllës, Ramet dhe Simkus potencojnë rendësin që kanë vlerat dhe angazhimi qytetar për demokracinë dhe stabilitetin sociopolitik duke konkluduar se Kosova ka nevojë shumë që të punojë në krijimin dhe forcimin e këtyre vlerave, pa të cilat asnjë sistem politik e shoqëror nuk mund të jetë i qëndrueshëm në plan afatgjatë.

Si përfundim, mund të thuhet se libri është me interes të veçantë për të gjithë ata studiues e të interesuar rreth Kosovës, duke ofruar pikëpamje dhe tema të larmishme dhe të rëndësishme për të kuptuar sfidat dhe mundësitë që e presin vendin. Një lëshim i këtij editimi është se të dhënat duket se nuk janë aq aktuale sa do të dëshirohej në një punë aq voluminoze. Gjithashtu mangësi ka në pjesë, si ajo e politikës, që ka mundur të ketë thellësi më të madhe hulumtuese e argumentuese, pasi që pjesa përshkruese është më e spikatur sesa ajo empirike e analizuese. Sidoqoftë, kapitujt e shumtë dhe temat e mjaftueshme të trajtuara këtu ia shtojnë në përgjithësi vlerën librit. Si dhe ofrojnë burime të shkëlqyera dhe nxitje për punime e hulumtime të tjera mbi aspektet dhe dukuritë e ndryshme rreth Kosovës.            

 

 

23 dhjetor 2015
18:41

Bekim Baliqi