Vasha dhe demokracia

04 dhjetor 2015 11:16

Ilustrimi: Big Eye

 

?“Përse vashat tona e ndienin aq thellë mungesën e perspektivës? Kë dhe përse akuzonin vashat e Kosovës? ... Përse e preferonin vdekjen mbi jetën? Pastaj mu kujtuan përgjigjet në këto pyetje të rënda: ato instinktivisht, ndoshta, edhe me vetëdije, luftën e kishin kuptuar ashtu si ishte: si luftë për çlirim të dyfishtë: - nga prangat e imponuara politike dhe nga prangat sociale që forcoheshin me adetet e vjetra, me të drejtën zakonore, me injorancën kolektive të rrethit. Ato aq shumë e ndienin trusnin e këtij rrethi, të këtyre adeteve dhe të kësaj injorance, sa që dot nuk e shihnin perspektivën.” Ukshin Hoti, “Vasha dhe Demokracia”, Gazeta Dea, 1991

Ku është vashat sot, pas afro 25 vitesh kur ky shkrim i rëndësishëm nga ky burrë i urtë u shkrua?  Sot, 16 vite pas çlirimit nga prangat e imponuara politike të Serbisë, vashat dhe gratë shqiptare janë duke u zgjidhur nga prangat shoqërore, janë duke sfiduar adetet, dhe janë duke u përpjekur që injoranca kolektive e rrethit të mos përjetësohet.

Vasha sot po arsimohet, dhe gradualisht po pavarësohet. Vasha sot është më e fuqizuar ekonomikisht; ajo punon dhe fiton. Vasha sot është e dhënë pas politikës, artit, teknologjisë dhe fushave teknike; ajo po i ripërkufizon profesionet tradicionale gjinore. Vasha sot është revolucionare; ajo flet, shkruan, proteston, reagon. Vasha është kampione botërore në gara ndërkombëtare sportive. Vasha sot është më e vetëdijshme për të drejtat e saj riprodhuese; ajo refuzon të bëjë më shumë se dy fëmijë.

Vasha sot është ‘rebele’ politike. Ajo posedon pikëpamje politike, të cilat i mbron dhe vepron për to. Kur kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, iu drejtua grave të Vetëvendosjes që vendi i tyre është në shtëpi e jo në rrugë duke protestuar, Elona Kastrati, iu kundërpërgjigj atij me një veprim simbolik duke ngjitur peceta sanitare me mbishkrimin “Trimëria nuk lidhet me gjini”, në shtyllat elektrike të ndërtesës së Qeverisë.

Vasha sot është feministe. Ajo beson në barazi dhe drejtësi të plotë në mes të djemve e vajzave, grave e burrave, dhe vepron për ndryshimin e perceptimit të roleve gjinore dhe raporteve personale dhe shoqërore në mes tyre. Ajo po e jep shembullin e një gruaje të pavarur me pikëpamje e identitet vetanak përtej rolit të gruas dhe nënës, dhe po u reziston me krenari sharjeve që po pasojnë nga pikëpamjet konservatore.

Kampionet botërore në xhudo, Majlinda Kelmeni, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, po na sjellin një frymë demokracie dhe fitore të dyfishtë për shoqërinë. Përveç fitores për shtetin e Kosovës dhe sportin kosovar, ato po e sfidojnë besimin se gratë e kanë vendin në kuzhinë e shtëpi. Ato këtë po e bëjnë jo vetëm përmes sportit, por përmes sportit luftarak, që sfidon po ashtu besimin se ‘tiparet femërore’ nuk njohin forcën dhe agresivitetin si të përshtatshme për “natyrën femërore”.

Girls Code in Kosova, dhe Vajzat në TIK janë dy prej përpjekjeve që sot vashat po i kundërvihen pritshmërive tradicionale për përzgjedhje pune e profesioni. Ato sot kanë për mision fuqizimin e vashave që të synojnë profesion në fushat teknike dhe shkathtësive në teknologjinë informative dhe të komunikimit, ku numri i vashave (dhe i grave) të angazhuara është i vogël. Ato po përpiqen që të bëjnë ngritje të kapaciteteve në kodim dhe dekodim, dhe gjetjen e mënyrave për të angazhuar gratë që të punësohen, të angazhohen, dhe të gjejnë pasion e aftësi në këto fusha.

Vasha është inovative. Ajo është vigjilente dhe perceptuese dhe arrin t’i identifikojë problemet në komunën, qytetin apo fshatin ku jeton. Ajo ka ide sesi të ofrojë zgjidhje konkrete për ato probleme. Këto vasha sot po punojnë me bashkëmoshatarët e tyre djem drejt zgjidhjes së këtyre problemeve, dhe perspektiva gjinore është pjesë integrale e punës së tyre. Iniciativa Let’s See në Ferizaj, Qendra Kreative Cërmjan në Cërmjan, Bashkimi Rinor ‘E ardhmja e Ndritur’ në Ferizaj, Vushtri Antike në Vushtri, janë disa nga këta shembuj, ku vashat e djemtë bëhen bashkë për të zgjidhur problemet së bashku.

Megjithatë, pavarësisht arritjeve apo përpjekjeve të vashave të përmendura, vasha në Kosovë ende vazhdon të mos jetë pjesë e trashëgimisë në familje. As ajo vetë ende nuk e kërkon atë të drejtë me ngulm. Vasha nga komunitet pakicë, vasha rome, ashkalike, egjiptiane sot është e prekur nga diskriminim i trefishtë, në etni, gjini, e klasë shoqërore. Vasha me aftësi të kufizuara po ashtu preket nga diskriminim i shumëfishtë, përfshirë qasjen në të drejta elemente sikurse mundësia për shkollim.

Vasha ende është e ndikuar nga paragjykimet e rrethit për të si qenie seksuale; ajo ende nuk është emancipuar seksualisht. Diskriminimi kryesor ndaj vashave shpesh pohohet të ketë bazën tek seksualiteti dhe morali. Shoqëritë me pikëpamje konvencionale rreth roleve gjinore, nuk duan ta kuptojnë apo pranojnë që vasha (njëjtë sikurse djali) është qenie seksuale. Kjo nënkupton se edhe djemtë edhe vajzat prodhojnë hormone seksuale, ndjenjë epsh dhe atraksion seksual. Por kjo perspektivë përbën standard të dyfishtë. Kur është fjala për marrëdhëniet seksuale, djali mbetet djalë, ndërkaq vasha mbetet e ndotur.

Lajm i mirë është që modeli vashë dhe grua po pëson ndryshime çdo herë e më shumë. Para 25 vitesh, vasha ka pas për model nënën e saj e cila ka lindur fëmijë, ka bërë punë të shtëpisë (edhe nëse ka punuar) dhe është gjykuar e sharë nëse nuk e ka luajtur rolin e përkujdesëses. Sot, edhe pse nuk ka barazi, trajtim dhe perceptim të barabartë, dhe rolet diskriminuese gjinore janë në përmbysje e sipër, vasha ka për model vashat aktive të përmendura më lartë. Vasha ka burime konkrete për frymëzim dhe gjen mbështetje tek to për të synuar një jetë të plotë dhe të kënaqshme dhe pa pasur nevojë të sheh rolin e gruas e të nënës si përvojë konsumuese dhe padrejtësisht sfiduese.

Këto vasha janë model i vashave që përpiqen të bëjnë më të mirën nga vetja, që u qëndrojnë besnike qëndrimeve dhe pasioneve të tyre. Këto vasha i japin kuptim demokracisë dhe përpjekjeve për ta bërë demokracinë funksionale. Për më shumë, demokracia për vashat do të ketë kuptim edhe më të plotë, kur kjo shoqëri do të ketë për model një burrë sikurse Ukshin Hoti, kur ata të dalin zëshëm dhe krenarë si aleatë për të mos i penguar vashat e gratë të çlirohen nga prangat patriarkale dhe ta gëzojnë demokracinë si sistem e mendësi.


 

04 dhjetor 2015
11:16

Shqipe Gjocaj