Çka do me thanë me qenë grue në Kosovë?

23 gusht 2015 08:38

Ky shkrim, pak ma i gjatë dhe i pari në Sbunker, nuk asht analizë teorike e feminizmit. Thjesht, asht shkrim i lidhun fort me faktin që e ndaj jetën me të tjerë në nji vend ku diskriminimi ndaj grave asht përditshmëni. E kjo përditshmëni më ban feministe. Ky kategorizim nuk asht zgjedhje për gratë në Kosovë – asht domosdoshmëri.

Po e nisi shkrimin me nji tregim qesharak, banal madje, që asht ma shumë si episodë e telenovelave sepse më ndodhë shpesh.

Kur dal me partnerin tem (mashkull) për ndonji pije, kamarieri vjen me marrë porosinë, e unë i them që po e du nji birrë, e partneri jem çaj. Kur kthehet kamarieri, partnerit tem ia vendosë përpara birrën, e mue çajin. Sepse për të, asht e pakapshme që të sfidohen rolet gjinore, qoftë edhe në nji cikërrimë të vogël si porosia e pijeve.

Kjo më ndodh në kryeqytet, në Prishtinë. E ju e dini që Prishtina nuk përfaqëson krejt Kosovën, e ndoshta e përfaqëson atë ma së pakti. Asht shembull relativisht banal për me u përmend, por unë mendoj që janë pikërisht këto përvojat e ”vogla” që tregojnë sa larg qëllimeve të mëdha jemi.  

Sikur të kishte qenë çashtje e zgjedhjes, atëherë definitivisht kishte me qenë çmenduni me vendosë me qenë grue në Kosovë. Por pasi që s’asht zgjedhje, me qenë grue në Kosovë nënkupton me qenë shumëçka, e me u çmend për krejt ato që je gati çdo ditë.

Po tingëllon sikur me qenë feminsite asht çashtje zgjedhjeje. Por jo nuk asht! Jo në Kosovë. Asht çashtje e urgjencës me mbijetue.

Kur flasim për gratë, nuk mendojmë për vaginat, kështu që kur unë them ‘mbijetue’  nuk e kam fjalën se s’do të kishte ma vagina në Kosovë. Por po mendoj se do të kishte shumë gra që do të ”rrisnin koqe” për me u pranue prej burrave: se me qenë a mos me qenë, në Kosovë përkthehet me pasë a mos me pasë – koqe.

Kjo nënkupton se gratë e forta do të ishin të denja për me u quejt “burrnesha”: që kanë të gjitha cilësitë që këtu te ne thuhet se e bajnë nji burrë burrë, sepse vetëm ato cilësi supozohen të jenë natyrshëm të mira. Prej burrave, kuptohet.

Çmimi që paguejnë gratë në Kosovë asht i paimagjinueshëm. Prej të quejtmit kurvë për veshjen e tangave, madje edhe nëse je presidente e vendit, e deri të emnimi si e shenjtë kur e mshelë gojën e i bindesh burrit veç për me majtë familjen bashkë pavarësisht çka ai të ban ose të thotë.

Po, kjo grue kish me u quejt edhe “gjynah” por kish me u respektue si krejt “gjynahat” në Kosovë edhe kish me u admirue si shembull i nji grueje të fortë me vlera morale shumë të nalta, si grue me e marrë shembull pra, nëse e pranon kryeultë këtë fat. Asht ky lloj i sakrificave që i ka ba nanat e këtij vendi të shenjta dhe asht ky lloj i sakrificave që lavdohet në folklor, njejtë si në fjalime politike të ministrave.


Na duhet me pranu që ky lloj “sakrificash” nuk asht i pashmangshëm, por zgjedhje që e bajmë; na duhet me diskutu mbi pozitën e varun e të varfun të grues në këtë shoqni për shkak të diskriminit sistematik (në të kaluemen sikur sot) ndaj saj; e me e kuptu që sakrifica e saj si rezultat nuk asht diçka për me u krenue, por diçka që duhet me u pa si synim me e ndryshue.

Problemi i lavdimit të sakrificave të nanave tona, nuk asht veç te e kaluemja, por edhe ma fort te mënyra se si na po vendosim me u ballafaque me të në të sotmen. Kemi ardhë në përfundimin romantik që vuejtja asht e barabat me heroizëm. Asht ky lloj admirimi ndaj vuejtjes së grues që historikisht asht mbjellë në kujtesën kolektive të shoqnisë, tue e shndrrue gruen në anëtare pasive të shoqnisë. Sërish, problemi nuk asht në të kaluemën, se kishim mujtë me vendosë me mësue prej saj. Problemi asht se po vendosim mos me mësue.

Në qendër të Prishtinës, së fundi asht inaguru nji monument i ri që për mue e ilustron ma së miri se çka do me thanë me qenë grue në Kosovë. Asht nji momument për heroinat e vendit, nji fytyrë pa identitet. Përderisa kishte dyshime të shprehuna nëse kjo ishte një vepër autentike e artit, askush nuk e vuni në dyshim kuptim e saj, sepse sërish aty asht ajo kujtesa kolektive e nanave tona të shenjta.

Problemi jem me këtë monument asht se, përderisa demografia e heronjve tanë mashkuj (që asht dyshimtë e naltë për nji popull kaq të vogël ) merr nji emën që e identifikon, dhe herozimi i tyne lavdohet me njohje dhe glorifikim të qartë të aktit të tyne heroik, herozimi i grave shihet si efekt anësor i rrethanave, prandaj mund të përmblidhet në nji fytyrë.

Sikur monumenti të ishte së paku nji vaginë, atëherë  do isha gjunjëzue e do i kisha sjellë lule çdo ditë. Sepse, vagina e nji grueje kish me reprezentue së paku diçka shumë të randësishme. Ajo kish me përfaqësue lindjen e fëmijëve për hatër të patriotizmit. Tolerimin e abuzimit në emën të mbrojtjes së “harmonisë“ në familje. Privimin e grues nga kontrolli mbi jetën e sensualitetin vetjak, të cilat ua rrëmbejnë burrat (psh. quhet nderi i burrit; babës; vëllaut ). E deri te pjesëmarrja në lufta krah për krah vëllezërve, bashkshortëve, baballarëve, e lania në hije mbas luftash prej po atyne. Krejt kjo do të kishte interpretime kuptimplote për një monument vagine. Sepse, le ta themi troç, vagina ishte dhe akoma asht ajo që e definon vlerën e nji grueje për shoqninë. Ajo asht vula e saj. Ajo asht delja e zezë e shoqnisë.  

Nji monument vaginë kishte me qenë ma real, ma pak patetik, sipas mendimit tem. Gjinjtë do ishin gjithashtu nji ide shumë e mirë. Por jo, monumenti që asht ndërtue me i respektue heroinat në këtë vend, asht nji fytyrë pa emën, asht nji fytyrë grueje e brishtë edhe pse metalike. Gati ta jep atë përshtypjen sikur kanë harrue me vendosë nji lot në atë fytyrë. Sepse, vetëm kjo asht si ndihesh së qenuni grue në kulturën kosovare.

Si grue, identiteti yt asht diçka që mundet me u përmledhë në fjalime politike, të drejta të grave e propozime projektesh për barazi gjinore. Sepse, ti je nji specie e mbrojtun në letër dhe ti je nji kategori e edukume me e nda fytyrën dhe gjithçka tjetër me gra të tjera brenda zonës së mbrojtun.

Çka dreqi i duhet nji grueje nji statujë e dedikume veç për te, kur ajo mundet me e nda nji me të gjitha gratë që ishin, janë e do të jenë në të ardhmen? Ndoshta, sepse kjo shoqni e ka të vështirë me i përmend disa gra të përveçme që kanë tregue akte të heroizmit. Jo që nuk ka, por përshkak se emnat e tyne nuk janë mbjellë asnjiherë në kujtesën kolektive të kësaj shoqnie.

Ne, si duket, as nuk kemi qartësi mbi definicionin e herozimit. Rrallë herë e shohim si trimni kurajon në nji kohë të caktueme me sfidu tabu p.sh. e drejta me folë; liria me veshë e me u deshë qysh të duesh; liria me u martue me kend të duesh; liria me u shkollue; guximi me kundërshtue familjen për me shkue në shkollë; guximi me kundërshtue krejt farefisin e me u martue me ate që don; kurajo me denoncu përdhunim brenda ose jasht ëfamiljes e me qëndrue shpeshherë e vetme pastaj si njollë e nderit familjar.

Asht e randësishme me tregue që gratë tona jo vetëm se kanë tregue heroizëm por ato kanë folë, kanë luftue dhe kanë derdh gjak për me ngritë këtë vend në kohërat ma të lavdueshme të tij deri tani, tue pasë nevojë shpeshë me u ngritë kundër familjes e miqve ma së pari. Kështu që në krahasim me burrat, ato shumë herë kanë luftue vetëm.

Pavarësisht rrjedhojave të pasluftës, përshak të korrupcionit dhe urisë të burrave të paedukuem (kanihere edhe grave) në politikë në Kosovë, gratë e kanë ba të mundshme paqen në Kosovë. Ato i kanë dhanë formë definicionit të paqes në këtë vend dhe tani ato mujnë dhe duhet të lejohen t’i japin formë kornizave të demokracisë, pa të cilën ky vend asht i humbun. E këta pikë së pari e bajnë tue u nënshrkue me emën e mbiemën, e jo me nji fytyrë të bukur anonime.

Në nji vend ku heronjët meshkuj kanë emna dhe identitet, gratë duhet t’i kenë gjithashtu. Ishin gra me emna dhe identitet ato që kishin ide, mendime, ndjenja, vullnet e guxim me e ba këtë vend nji vend ma të mirë. Pra me i quejt këto gra heroina e me ua mohue të drejtën e identifikimit me atë për çka kanë qëndrue e qëndrojnë: ja, bash kjo e përmbledhë shkurt se si asht me qenë grue në Kosovë.

Problemi tjetër i jem me monumentin e heroinave asht se përderisa simbolizimi tërheq vëmendje, në vetvete nuk asht i mjaftueshëm për me nxitë aktivizëm. Por, kishte me mjaftue me provokue debate e përmes tyne ndryshime paradigmash brenda kontekstit.

Sidoqoftë, nuk ban me u mohue që kur zgjidhet gabimisht ky simbol, mundet me e pasë efektin e kundërt, atë të “ngopjes”; ngopja nënkupton që bahet diçka në emër të diçkaje tue e prekë problemin vetëm sipërfaqësisht, për me muejt në lisën e obligimeve me e vnue shejën e “Nike-s”. Ngopja pretendon që qashtja asht parashtrue, shtjellue e konkludu në favor x, y, por realisht asht vetëm nji fasadë nën të cilën mbyten argumentet që i hyjnë e dojnë me i hy ma thellë çashtjes për me ndryshue diçka në të vërtetë.

Rreziqet e ngopjes i shohim gjithandej nëpër Kosovë, p.sh., krijohen ligjet që mbrojnë gruen kur vjen puna me marrë hisen që i takon prej familjes, por se sa në realitet ky ligj aplikohet me të vërtetë ose shfrytëzohet asht krejt çashtje tjetër, e pahulumtueme, e padiskutueme. Ata që ankohen, ngopen me përgjigjje të stilit, “qe ku asht ligji”. Ndërsa që tue fillu prej edukimit të fëmijëve, kryesisht të vajzave që mësohen qysh në fëmijëri që me marrë hise nënkupton me ia marr hisen vllaut, e kështu mësohen me u ba “vajza të mira“ e mos me pretendu hise, komplet mungon qasja holistike në ballafaqim me problemin.

Ne duhet me diskutu që diskriminimi nuk asht liri e shprehjes; që diskriminimi gjinor nuk asht veç mbetje kulturore, por ma përpara mungesë e zhvillimit kulturor që s’ka takat me i shërbye nji shoqnie të shëndoshë që pretendon me qenë e civilizume.

Nji shoqni ku gratë nuk janë të barabata me burrat, nuk mundet me u quejt e civilizueme dhe pikë. Dhe kjo në fakt vlenë përtej koncepteve gjinore, vlen për aftësitë, etninë, besimet e orientimet seksuale njejtë si për gjithçka tjetër. E vlenë pa dyshim edhe për përdorimin e fjalorit, ku Hana Marku me të drejtë e sjellë në shkrimin e saj ”Quhet përdhunim” në ndërgjegjjen tonë faktin, që përdhunimi nuk mundet me u quejt marrëdhanie seksuale dhe pikë, por që konteksti kulturor, ku hyjnë edhe vlerat tradicionale, e definojnë përdorimin e fjalorit në nji shoqni dhe përmes tij shprehet mentaliteti diskriminues ndaj të cilës kjo shoqni nuk po ban deri tash mjaft për me e sfidue kategorikisht.

Prandaj, unë jam feministe, se çdo grue te ne ka shumë hisenikë në trupin e shpirtin e saj, dhe kjo po që asht e vetkuptueshme bile e pranueshme politikisht. Asht e parafrazume edhe prej atyne burrave që në nji grue shohin detyrën e saj të shenjt me lindë e me rritë fëmijë; e mundësisht me e mbulue gjinin kur e ushqen; me ba çka t’asht e mundshme për me e lindë nji djalë, për me e përmbyll transakcionin e respektit që kanë në familje e shoqni. Jam feministe, pse kjo asht çka nënkupton me qenë nji grue në Kosovë; me i dhanë trashëgimi të ardhmes të këtij vendi nën supozimin që dëshira jote nuk asht çashtje e së drejtës, por e obligimit.

Jam feministe, se fytyra jeme nuk ka nevojë me u dallue brenda grupit gjinor që i takoj. Sepse, fundi i fundit unë thjesht kam ba detyrën teme, kurse burrat, ah burrat... Ata ngriten gjithmonë diqysh mbi detyrat e tyne, ashtu si kanë ba çdo herë në këtë vend, në luftë si në paqe.

Ata ngriten e ngriten e ngriten mbi kokat tona çdo ditë, ndërkohë që bijat tona hala edukohen me e majtë kryet poshtë, e nëse nuk e majnë atëherë ato janë... eh po, merreni me mend vetë.

Jam feministe pra, se me qenë feministe në Kosovë, nga kandvështrimi jem nuk asht çashtje e zgjedhjes, por e pozicionimit të nevojshëm përballë botërave tjera, për nji ardhmëni ma të civilizueme, e ma të mirë, njisoj, si për gra ashtu edhe për burra.Për me e thanë shkurt, krejt shkurt, jam feministe sepse refuzoj me u ngopë me fasada.

                                                

23 gusht 2015
08:38

Ardiana Shala Prishtina