Udhëpërshkrimi i Miljo Ambien: Pjesa 2: Shqiptarët m'u dukën fetar?

22 gusht 2015 18:45

Përse ishte Ibrahim Rugova politikan i pazëvendësueshëm, përse është Hashim Thaçi politikan i pazëvendësueshëm? Si ndodh që shqiptarët përgjigjen si indianët, ose si ndodh që shqiptarët konfirmojnë vetë pretendimet e dikurshme më të poshtra kundër tyre?

I kishin pyetur njëherë banorët e një fshati të thellë indian se ç’lloj njerëzish mendonin ata, pra me çfarë atributesh, duhej të zgjedheshin në administratën e tyre ashtu që më në fund ajo të funksiononte e lirë prej ryshfeteve, korrupsionit, etj.

Fantazma.

Duhet të jenë fantazma ishin përgjigjur indianët.

Kur Ibrahim Rugova qe shtyrë për ta drejtuar lidhjen politike të shkrimtarëve të Kosovës, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, më së shumti kishte pasur dyshim në aftësitë e tij udhëheqëse. Ç’di ky kritik, që as letërsi s’ka shkruar, për administrimin? Ç’di ky duhanxhi kronik, me një shall e kravatë të lirë nga Franca, për politikën? Mirëpo, me kalimin e kohës, përceptimi për Rugovën kishte ndërruar aq radikalisht sa ai dikur shihej, nga njerëzit e rëndomtë sa edhe nga bashkëpunëtorët e tij, thjesht i pazëvendësueshëm, aftësitë e tij politike shiheshin të nivelit botëror. Hashim Thaçi e kishte nisur luftën e tij për ta rivalizuar Rugovën në kohën e popullaritetit të tij më të madh. Ç’di për politikën ky student historie i artikuluar dobët, me shpërthime emocionale publike, i veshur keq, që endet me vetura të gjata si të kapove nga Hollywoodi? I njëjti politikan i cili sot, madje edhe në qendrat më konservative të Kosovës, shihet si një mjeshtër politike, i pazëvendësueshëm, i pakonkurrencë.

Kjo ndodh sepse shqiptarët në thelb përgjigjen njëjtë sikur indianët.

E ç’është problemi këtu?

Problemi është se shqiptarët janë popull fetar, ndonëse shumica e tyre nuk e pranojnë, ose e mohojnë. Dhe ata shpesh janë të pavetëdijshëm për këtë, sepse fetarja u shfaqet jo në dëshirat, por në perceptimet dhe gjykimet e tyre.

Kur flasin për liderët që do t’i preferonin ata vizatojnë fantazma. Vizatojnë njerëz të edukuar mirë dhe pa asnjë njollë në CV-të e tyre, madje pa as edhe një njollë nga ana e moralit. E si mund të dalin liderët e edukuar aq mirë prej kulturës dhe universiteteve tuaja? Ku mund të gjendet ai njeri pa asnjë njollë kur mesatarisht, për shembull, çdo banor i rritur i Kosovës ka një lëndë kriminale të pazgjidhur në gjykatat e vendit? Ç’është ai morali juaj në bazë të të cilit e akuzoni dikë për mungesë morali? Në vend që t’i mendojnë liderët si zbatues të një kontrate të definuar qartë, me kohë u japin atyre statusin e një babai biologjik. Autoriteti i të cilit pranohet si fat njeriu, si nevojë që vjen prej zakoni për ta respektuar, për t’iu bindur, pavarësisht punës që bën. E kur punët shkojnë keq, gjithashtu ai është adresa e fajësimit. E vetmja adresë.  

Kur flasin për të ardhmen gjithnjë e më shumë janë fatalistë. Këtu kurrë nuk do të bëhet mirë, shqiptari nuk di të bëjë e të mbajë shtet, jemi vend i krimit; thonë. Dhe ky fatalizëm e ka për burim mungesën e informacionit ndonëse interneti është mjaftueshëm mirë i shtrirë. Shqiptarët sikur mendojnë që në politikën dhe administratën amerikane e europiane nuk ka korrupsion. Se atje nuk ka nepotizëm a punësim përmes kontaktesh. Se atje ligji është gjithmonë në anën e qytetarit. Se atje s’ka njeri që heq keq. Se atje të gjitha hallet e kësaj bote janë të zgjidhura. Dhe nuk ka asnjë perceptim më të paqenë. Mizoria juaj, korrupsioni juaj, kriminelët tuaj në krye të administratës nuk do të mund të garonin kurrë me historinë amerikane e europiane. Nuk është mirë që i keni; por është mirë që ta dini! Është mirë edhe ta kujtoni e kuptoni se në ç’bërllog keni qenë e ku ndodheni tash.

Kur flasin për politikën janë të mbushur me stereotipe. Këtu secili punon për interesa të veta, thonë! Por, a e keni takuar ndonjëherë dikë që nuk punon në ndonjë mënyrë për interesa të veta? Ti vetë, a nuk punon për interesa tua? Unë do të shqetësohesha më shumë prej atij që nuk punon për interesa të veta. Askujt nuk i ka mbetur autoritet okej. Nuk ka zyrtar që deri diku pranohet se është në rregull, nuk ka deputet, nuk ka medium, nuk ka diplomat, gjykatës, polic. E në të njëjtën kohë -- ndoshta është fati im i keq -- por nuk kam takuar asnjë bashkëbisedues civil, që e kam njohur më shumë, e që nuk ka dështuar pikërisht testin e këtij gjykimi stereotip.  

Dikur në Serbi shqiptarët kanë qenë bukëpjekës të mirë, shoferë të mirë, sharraxhinj të mirë. Serbët nacionalistë thoshin se shqiptarët nuk janë për më shumë, se, ruana Zot, nuk dijnë të drejtojnë shtet. E si erdhët tani ju vetë në përfundimin e njëjtë?

Sepse perceptimi i liderëve si fantazma të pagabueshme e të panjolla, sepse fatalizmi që vjen prej mungesës së informacionit kritik, sepse gjykimi shpesh stereotip është: jopolitik.

E politika është thirrje për arsye jo ndërmjet fantazmave, por ndërmjet njerëzve të barabartë. Sepse historia na tregon se shoqëri të ngulitura shumë më tepër në bërllog ia kanë dalë të rindërtohen e të funksionojnë në mënyrë më të dinjitetshme. Sepse shumë shtete tjera të zhytyra në krim e korrupsion, kanë lëvizur duke protestuar, duke bërë kontrata sociale, duke lufuar, duke e kuptuar se ai është i domosdoshëm për sigurinë dhe ndihmesën e jetës individuale. 

Politika do kujdes.

Sepse kur politika mungon, vendin e saj e ka feja ose e ka natyra. Dhe që të dyja janë më të këqija.

 

*Dr.Sc.Miljo Ambien (pseudonim) drejton një kilinikë analitike në shtetin e Michiganit. Është shqiptaro-amerikan i gjeneratës së tretë. Udhëtimet e viteve të fundit në hapësirat e banuara me shqiptarë në Ballkan e kanë frymëzuar të shkruajë. Atë e mahnit identiteti i brishtë i shqiptarëve - që përpiqet ta kuptojë.    

 

22 gusht 2015
18:45

Miljo Ambien