Në mes rezistencës dhe së keqes

15 gusht 2015 16:08

***

Duke jetuar në njëfarë lloj kohe të egër ta merr mendja se më shumë se askund tjetër egërsia rritet brenda nesh. Dhe ajo rritet hapur gjithnjë duke qenë nën kontrollin e shqisave tona. Po ama kjo fare nuk rrit shqetësimin tek ne. Përkundrazi, disi e shton dëshirën tonë për të qenë të tillë. Dhe për më shumë se kaq. Ne kënaqemi me këtë gjendje, duke e ushqyer për çdo ditë të lume. Pa u ndjerë fajtor asnjë grimë. Ngase ka kohë që fajin e shohim si të domosdoshëm për qenien. Dhe qenien si të domosdoshme për fajin. Në fakt e gjithë përpjekja jonë për të rezistuar ndaj pisllëkut para hundës sonë, nuk ka më pikë kuptimi. E kuptueshme mbetet vetëm masa e mjerimit, që e mbajmë herë duke e përqeshur e herë duke e arsyetuar si diçka të pamënjanueshme. Pa çka se e dimë se esencialisht gati asgjë, nuk është e pamënjanueshme. Madje me ata që rezistojnë ndodh diçka ironike. Ata largohen në heshtje ngase në fund fare kuptojnë se rezistenca në vetvete është lojë e humbur. Një lojë që nuk luhet. Ose më e pakta është zhveshur nga çdo kuptim i mundshëm. Qe besa edhe i pamundshëm. Fatkeqësisht vetëm duke jetuar i pandjeshëm ndaj çdo gjëje, disi ja del mbanë. Ngase duke zgjedhur këtë rrugë, ne bëhemi të padobishëm. Dhe a ka dobi më të madhe sesa të jesh i tillë, në një kohë kaq të fëlliqur, gjendur nën kontrollin e një brezi të çuar peshë.

***

Elie Wiesel në librin e tij L’Aube (Agim), thotë diçka fundamentale. Diçka që goxha shumë i shkon për shtati gjendjes në të cilën jemi katandisur. Një akt kaq i pakufishëm sa vrasja, natyrisht që përfshinte jo vetëm vrasësin por edhe të gjithë ata që e kishin rritur dhe edukuar atë vrasës të ardhshëm. Ky mësim i rëndësishëm thotë më shumë se kaq. Ai mëton të na bëjë me dije se të gjithë ne bashkërisht, pa asnjë përjashtim, jemi përgjegjës për atë që e jetojmë çdo ditë. Turma kollofitë individin duke mos e dëgjuar ulërimën e tij. Duke e bërë të parëndësishëm. Dhe i fal pandjeshmërinë. Dhe e bën të parezistueshëm. Ose e dikton rezistencën e tij. Madje më shumë se kaq. E arsyeton këtë rezistencë dhe në këtë mënyrë disi e përjashton, gjithnjë, duke e propaganduar si të nevojshme. Krejt në fund e bën për vete ose e çmend fare. Që të dyja i shkojnë për shtati. Sipas asaj që thotë Wiesel ne të gjithë po e rrisim kaosin. Ne të gjithë po e rrisim të keqen. Po e edukojmë pisllëkun. Po e edukojmë marrëzinë. Ne të gjithë jemi të përfshirë në këtë lloj harbutërie shoqërore. Në forma të ndryshme. Në mënyra tona vetjake. Ne po i shërbejmë krizës. Krizës që del të jetë një pushtet i pathyeshëm. Një pushtet i hekurt. Që rrafshon dinjitetin. Dhe çdo gjë që ka të bëjë me të.


***

Në mes të rezistencës dhe shërbimit ndaj së keqes ngase kur është në pyetje kjo e dyta nuk ke se kah dreqin ja mban, unë më me dëshirë do të doja të mos ekzistoja fare. Natyrisht nëse kjo do të ishte e mundur. Të mos ekzistosh duke qenë gjallë.

15 gusht 2015
16:08

Shpëtim Selmani