“Mendoj për ty” – Memorial për të mbijetuarat e dhunës seksuale

14 gusht 2015 15:26

Ngjarjet tragjike kërkojnë përkujtime. Ato i gjejmë gjithkund, sepse secila shoqëri ka nevojë t’i identifikojë dhe kujtojë protagonistët e traumave kombëtare. Por, si t’i përkujtojmë ato që nuk pranojnë të identifikohen edhe gjatë kohës kur kërkojnë që përjetimet e tyre të njihen?

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës janë sfidë e veçantë e kujtimeve, si në Kosovë ashtu edhe gjithkund tjetër. Ato duan që tragjedia e tyre të njihet me gjithë peshën e saj, por shumë pak prej tyre janë të gatshme të dëshmojnë. Të gjithë dinë për ekzistencën e tyre, por ato vazhdojnë të mos jenë pjesë e kujtesës publike. Megjithatë, nëse zërat e tyre mungojnë, kjo ndodhë për shkak se mungojnë edhe ata që janë të gatshëm për t’i dëgjuar e për të bashkëndjerë me to.

Me instalacionin e saj “Mendoj për ty”, që u ndërtua me 12 qershor 2015 në stadiumin e qytetit në Prishtinë, artistja Alketa Xhafa-Mripa u përball me këtë mungesë. Ajo zëvendësoi dëshmitë verbale të të viktimave të përdhunimit gjatë luftës, me vendosjen pamore të fustaneve – pesëmijë sosh, të varura në 40 rreshta në tela rrobash përgjatë gjithë stadiumit. Artistja kërkoi nga shoqëria të dhurojnë fustane. Ajo prodhoi një dëshmi kolektive të një krimi të kryer ndaj grave që janë detyruar të heshtin nga trauma personale, stigma sociale dhe indiferenca politike.

Çfarë bartë një fustan?

Zyra e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, sponsoroi instalacionin “Mendoj për ty”, por produksioni i tij ishte një përpjekje origjinale. Pas ftesës së artistes, organizatat që punojnë me të mbijetuarat dhe madje vetë ato, mblodhën fustane në mbarë Kosovën.

Fustani, sipas Xhafa-Mripës, është simboli më i fuqishëm i femërores. Ai iu mundëson të mbijetuarave anonimitetin e kërkuar, ndërkohë që në mënyrë simbolike i lidhë ato me kolektiven. Ngjashëm, rrobat kanë qëndruar në vend të njerëzve edhe në tjera kontekste artistike, duke simbolizuar njerëzit në shumësi, por edhe individin që mbetet unik, edhe kur është pa emër.

Artisti francez Christian Boltanski ka përdorur rrobat që prej vitit 1988 si material për artin e tij. Rrobat kanë zëvendësuar fotografitë e ekspozuara në Menschlich (Musée d’Arte Moderne de la Ville de Paris, 1998), si mënyrë për të adresuar anonimitetin dhe veçantinë e individit brenda masës.

Në Personnes[1], Ekspozita Monumenta në Grand Palais nga Boltanski në vitin 2010, u shfaqën 69 katrorë (5x8m) me rroba të përzgjedhura të grumbulluara në dysheme, si dhe një mal më i lartë me rroba anash. Publiku u ftua të incizojë rrahjet e zemrës dhe këto rrahje të incizuara nga artisti në mbarë botën, shërbyen si tinguj sfondi për ekspozitën. Idetë e vdekjes dhe harrimit përhumbeshin në  Personnes, një instalacion që i ngjante një varreze apo kampi të vdekjes.

Kujtimi për atë që është harruar është themelor edhe për instilacionin e Xhafa-Mripës, por që në këtë rast mëton të ngritë vetëdijen, përtej reflektimit. Artistja që vepron në Nju Jork, Patricia Cronin, propozoi diçka të ngjashme me “Shrine for Girls” [2]. Ajo grumbulloi rrobat e grave – ferexhe nga Afrika, sari nga India dhe përparëse nga Britania e Madhe – për të mbuluar altarët e kishës së Shën Galit të shekullit XVI në Venedik, në Bienalen e vitit 2015. Synimi ishte të adresohen krimet e tmerrshme të kryera ndaj vajzave në mbarë botën: rrëmbimi nga Boko Haram në Nigeri; dhunimet nga bandat në Indi dhe vajzat që detyrohen të punojnë në Magdalene të Irlandës.

Fustanet jetojnë

Te “Mendoj për ty”, fustanet nuk ishin grumbulluar. Ato vareshin në tela rrobash në mjedis të hapur. Nuk ishin të venitura, të lëshuara. Ato frymonin me erën. Ishin pa emër, por jo krejtësisht anonime. Gratë ia sollën ato artistes dhe secila kishte një histori për të treguar, qoftë kjo në mënyrë të hapur apo e kundërta.

Ata pak burra që dhuruan fustane i kishin kërkuar nga nënat, gratë dhe motrat. Një burrë serb nga Zveçani, që nuk kishte ndonjë grua në familje, dhuroi një fustan që e kishte siguruar posaçërisht për këtë rast. Këto gjeste të solidaritetit i befasuan të mbijetuarat, që ishin mësuar të pranonin simpatinë e grave.

Kur gratë dhuronin fustane, ato dhuronin pjesë të vetes. Duke lënë fustanet që kishin kuptim për to, që bartnin kujtime, ato realizuan akte të vogla të dorëheqjes, të një natyre pothuajse religjioze. Për disa, kjo ishte mënyrë për t’u përballur me kujtimet e hidhura. Një grua dhuroi një palë pantallona të zi – ata që kishte veshur gjatë luftës. Një e mbijetuar, e cila pasi ishte dhunuar ishte braktisur nga bashkëshorti, ndjeu se instalacioni ishte vendi më i mirë ku do të pushonte fustani i saj i martesës.

Shumë të tjerë ndanë kujtime të dashura, si për ta pushuar bashkërisht tragjedinë e të mbijetuarave duke dhuruar kujtime të mira. Disa dhuruan fustanet që kishin veshur në ditën e fejesës. Një grua dhuroi fustanin të cilin vjehrra ia kishte dhuruar pas lindjes së fëmijës së parë, që erdhi pas disa shtatzënive të dështuara.

Shumë fustane kishin fytyra publike. Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në ShBA, dhuroi fustanin që kishte veshur gjatë nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Bukurije Gjonbalaj, ambasadorja në Itali, dhuroi çfarë kishte veshur në Konferencën e Paqes në Rambuje, në vitin 1999. Nazlie Bala, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje!, që njihet për veshjen e pantallonave, dhuroi të vetmin fund që kishte veshur në tërë jetën e saj. Sevdije Ahmeti, një ndër aktivistet e para dhe më të zëshme për hetimin e incidenteve të dhunimit, dhuroi një fustan veror, të preferuarin e saj, të fundit fustan shumëngjyrësh që kishte veshur, që prej vdekjes së bashkëshortit të saj.

Dhe pastaj, dy funde që nuk iu duhej prezantimi, sepse kishin gjetur zërin e tyre. Në ta, pronaret e tyre kishin shkruar me laps: “Ky fund ka fshehur një histori që nga pranvera e vitit 1998”. “Kam kujtime të hidhura”.

Këto dy funde ngjanin me një tjetër vepër të artit që synon përkujtimin e atyre, kujtimi i të cilëve fshihet në nëntokë, turp për shoqërinë: Aids Memorial Quilt (Jorgani Memorial i Sidës) [3], me disa kuadro (1m x 2m), secili kushtuar një individi që ka vdekur nga sëmundja e sidës, të krijuara nga miqtë dhe familja. Jorgani u ekspozua disa herë në Qendrën Tregtare në Uashington DC, herën e parë në 1987. Në vitin 1996, ai numëronte 45,000 kuadro. Pjesë të tij ende vazhdojnë të ekspozohen në mbarë botën. 

Emërtimi i viktimave?

Aids Memorial Quilt shndërroi të zakonshmen, një kuadro jorgani, në diçka të jashtëzakonshme; secili kuadro bartte emrin e një viktime të sëmundjes, një sëmundje që sikur homoseksualizmi, ishte e stigmatizuar. Individët e kishin shumë të vështirë, gati të pamundur, ta tregonin të vërtetën. Të folurit për rrethanat ishte po aq e vështirë për të dashurit, familjarët dhe miqtë – që kishin humbur dikë nga sida. Projekti mundësonte që emrat dhe historitë të dilnin në sipërfaqe dhe të njihen publikisht, falë pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të mijëra njerëzve që ndanë dhimbjen dhe kujtimet e tyre.

“Mendoj për ty” nuk e arriti dot të njëjtën shkallë të hapjes, sepse të mbijetuarat e dhunimit në Kosovë janë ende larg pranimit publik. Megjithatë, gjatë punës në produksionin e instalacionit, takova të mbijetuara që biseduan me mua dhe ma treguan historinë e tyre. Të tjera gra që dhuronin funde takonin Xhafa-Mripën dhe i pëshpëritnin, “Unë jam një prej tyre”. Dëgjuam se të mbijetuarat gjithashtu kishin biseduar me presidenten Atifete Jahjaga dhe ish-ministren për Evropë, Vlora Çitaku, gjatë takimeve private. Ato duan të flasin për atë që iu ka ndodhur.

Kur shkruante për traumën dhe Holokaustin, Dori Laub shkroi se “të mbijetuarve nuk iu mjafton të mbijetojnë për ta treguar rrëfimin e tyre; ata kanë nevojë ta tregojnë rrëfimin e tyre për të mbijetuar” [4]. Të mbijetuarat në Kosovë kanë një zë që është heshtur, me apo pa dëshirë. Për ta rikthyer zërin e tyre, ato kanë nevojë për dikë që t’i dëgjojë me simpati, sepse dëgjuesi, shkruan Laub, bëhet kopja e dëshmitarit.

Zërat dhe emrat të mbijetuarave janë të rëndësishëm pikërisht për shkak se rrethanat e traumës së dhunimit në kohë lufte janë politike dhe të kontestuara nga sektorë të ndryshëm. Janë të kontestuara nga vetë kryesit e krimit, forcat e sigurisë së Serbisë dhe nga liderët e tyre nacionalistë. Janë të kontestuara nga pjesë të popullit të Kosovës, përfshirë këtu familjet e të mbijetuarave, nga turpi dhe krenaria e lënduar. Janë të kontestuar nga faktorë ndërkombëtarë, të cilëve kujtimi i këtij krimi nuk iu përshtatet me agjendat paqësore të pasluftës.

Tridhjetë vite më parë, emërtimi i ushtarëve amerikanë të rënë në Luftën e Vietnamit u shndërrua në një mënyrë për t’u përballur me kontestimin e konfliktit, që ishte gjerësisht i pranishëm në shoqërinë amerikane. Emrat e gdhendur në Memorialin  e Veteranëve të Vietnamit në Uashington DC iu mundësuan familjarëve dhe miqve të vajtojnë publikisht për të humburit e tyre me dinjitet, diçka që nuk kishin mundur ta bëjnë më parë. Kjo gjithashtu i mundësoi mbarë kombit që ta kujtojë luftën haptazi, gjë që nuk ishte e mundur nën shtrëngimin e formës konvencionale të përkujtimit të heronjve.

Kujtesa kulturore e luftës

“Mendoj për ty” krijoi hapësirë për takime të shumta midis dëshmitarëve dhe atyre që dëgjonin. Suksesi më i madh i këtij projekti, ashtu si Aids Quilt, ishte krijimi i një kujtese kulturore të përbashkët. Ky është kujtimi i luftës së fundit për mijëra viktima civile, historitë e të cilëve nuk janë më në radarin e përkujtimeve zyrtare.

Lufta i ka prekur të gjithë në Kosovë, por të vetmit që janë përkujtuar deri më tani kanë qenë heronjtë e rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, pothuajse gjysma e popullatës shqiptare ishte brutalizuar dhe përjashtuar me dhunë nga vendi. Mijëra njerëz u vranë. Stadiumi i futbollit në Prishtinë, i mbuluar me fustane shumëngjyrëshe, zgjoi shumë kujtime të dhimbshme.

Mjedisi i hapur i stadiumit me një perimetër preciz simbolizon, sipas artistes, pamundësinë e viktimave të dhunimit për t’u fshehur apo për të ikur. Por bari i fushës së futbollit gjithashtu të kujton zonat rurale të Kosovës, ku lufta ishte më e vrazhdë. Gjithashtu, në pranverë të vitit 1999, stadiumi ishte një strehë për shqiptarët që më pas përmes trenave u dërguan në Maqedoni.

Çfarë bartë një numër?

Pesë mijë fustane qëndruan të varur për një ditë në stadiumin e futbollit në Prishtinë. A do të thotë kjo që janë pesë mijë të mbijetuara? Jo. Atëherë, sa gra janë dhunuar në Kosovë gjatë luftës? Askush nuk e di numrin e saktë. Janë rrëfyer vetëm 143 të mbijetuara, të cilat trajtohen nga Medica Kosova, një organizatë që vepron në zonën e Dukagjinit. Janë edhe disa tjera të cilat kanë rrëfyer në dy vitet e fundit, nën udhëheqjen e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Prishtinë. Në periudhën e menjëhershme të pasluftës, Human Rights Watch dokumentoi 90 raste të dhunimit [5]. Raste të tjera janë raportuar nga OSCE dhe Kombet e Bashkuara[6].

Një shifër shpesh e përsëritur dhe e kontestuar flet për 20,000 të mbijetuara. Prej nga erdhi ky numër? Është një numër sipas parimit të Goldilocks, brenda 23,000 dhe 45,600, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta. Këto shifra janë një ekstrapolim i të dhënave të pyetësorëve të mbledhur nga kjo qendër në vitin 1999 me gratë e zhvendosura, me ç’rast 4 deri në 6 për qind e 1358 të intervistuarave thanë se janë dhunuar[7].

Por numrat që kanë mbetur vërtetë mbrapa janë numrat e drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish-Jugosllavinë dënoi nën apel Vlastimir Dordevic, Ndihmës i Ministrit të Brendshëm të Serbisë, për “krimin e keqtrajtimit përmes dhunës seksuale si krim kundër njerëzimit” [8].

Gjenerali Nebojsa Pavkovic, komandanti i Ushtrisë së Tretë gjatë operacionit të Kosovës, u dënua nën akuzat e dhunës seksuale, sepse ato “ishin mjaftueshëm të parashikueshme për të” [9].

Që nga viti 2012, Njësia për Krime Lufte e EULEX-it ka ndjekur penalisht dy raste të dhunimit në Kosovë: njëri kundër një serbi që tani jeton në Serbi dhe tjetri kundër një shqiptari, bashkëpunëtor i forcave militare dhe paramilitare serbe. Aktualisht, të dy janë ende të lirë.

Alketa Xhafa-Mripa përdori pesë mijë fustane sepse aq kërkohej për ta mbuluar fushën. Synimi i saj ishte të ekspozojë dimensionet e tragjedisë dhe ta bëjë publikun ta vizualizojë atë, në përmasat e veta të mëdha. Në mënyrë të matur, ajo e solli të pathënën në sipërfaqe. Ajo ndërtoi një memorial që nuk do të bëhet i përhershëm, si gjithë ato monumentet materiale që janë destinuar, siç shkruan Robert Musil, të bëhen “të padukshme” [10]. 

*Anna Di Lellio është profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në The New School for Public Engagement dhe New York University. Ajo ia prezantoi idenë kreative të Alketa Xhafa-Mripës presidentes së Kosovës dhe së bashku me artisten, zhvilloi dhe zbatoi planin e instalacionit.

 

_________________

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10

 

 

14 gusht 2015
15:26

Anna Di Lellio