Strategjia e munguar e Politikës së Jashtme të Kosovës

Në faqet e Ministrisë së Jashtme asnjëherë deri më sot nuk është mundur të gjendet ndonjë dokument strategjik siç gjendet te shtetet tjera, apo edhe ndonjë pozicionim i Kosovës karshi temave të caktuara relevante të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

26 nëntor 2018 19:59

Fushata e shtetit serb kundër pranimit të Kosovës në Interpol, megjithëse e orkestruar dhe e implementuar haptazi, u tolerua pa asnjë reagim nga Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, zonja Frederica Mogherini. Në Kosovë, zhgënjimit të disfatës për mospranimin në Interpol dhe rolit të Serbisë në këtë dështim, iu shtua edhe vendosmëria e Qeverisë dhe qytetarëve, që tani e tutje të veprojnë sipas parimit QUID PRO QUO. Teoritë shkencore të negociatave, këtë parim e njohin me termin e tij në gjuhën angleze “Tit for tat”, e formuluar fillimisht nga Anatol Rapoport dhe e zhvilluar më tej si strategji negocimi nga Robert Axelrod në librin e tij “Evolution of Cooperation”.

Thelbi i kësaj strategjie bashkëpunimi është i thjeshtë: kur ke të bësh me kundërshtarë jokorrektë, gjithmonë fillo të luash ndershëm dhe paqësor, mirëpo pas çdo veprimi jobashkëpunues të palës tjetër, përgjigja duhet të jetë ndëshkuese. Kjo do të thotë, bashkëpuno vetëm kur edhe pala tjetër bashkëpunon sipas rregullave të caktuara. Përndryshe vepron kundër interesave tua.

Qeveria e Kosovës për herë të parë prej pavarësimit të shtetit e ka ndërmarrë një veprim mbi bazën e logjikës së parimit “Tit for Tat”. Pa u lëshuar në shtjellimin e argumenteve ekonomike rreth arsyeshmërisë së këtij veprimi apo efekteve anësore që mund t’i ketë për tregun dhe për qytetarët, pa asnjë dilemë ky veprim, parë nga këndvështrimi teorik i negociatave, ka qenë i duhuri dhe i vetmi që u përgjigjet veprimeve të njëpasnjëshme destruktive të Serbisë prej fillimit të dialogut e deri më sot. Prandaj edhe si i tillë, ky veprim, me pak vendosmëri e përkushtim, mund të krijojë një trajektore të re për dialogun Kosovë – Serbi, duke e shpallur dialogun e deritashëm si të kthyer në pikën zero. Nëse kuptohet si hapi i parë i një strategjie të re veprimi, rritja e taksës si akt e ka potencialin të ridefinojë të gjithë procesin e dialogut me Serbinë duke e deklaruar pikërisht strategjinë “Tit for Tat” si rregullin kornizë të negociatave. Por jo vetëm kaq. Më poshtë do të tregoj pse dhe si rritja e taksave mund të shfrytëzohet pozitivisht për politikën e jashtme të Kosovës.

Kosovës ende i mungon një strategji e politikës së jashtme. Në faqet e Ministrisë së Jashtme asnjëherë deri më sot nuk është mundur të gjendet ndonjë dokument strategjik siç gjendet te shtetet tjera, apo edhe ndonjë pozicionim i Kosovës karshi temave të caktuara relevante të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo mungesë e pozicionimit të qartë strategjik të politikës së jashtme është dëshmi e dy fakteve të dhimbshme, në njërën anë të pazotësisë së qeverive të deritanishme në përcaktimin e një vizioni largpamës për Kosovën dhe në anën tjetër të gabimeve të bëra gjatë rekrutimit të kapitalit njerëzor edhe ashtu të pakët në vend.

Sidoqoftë, megjithë vonesat dhe vështirësitë që rrjedhat e zhvillimeve t’i kthejmë në favor tonin, është momenti i fundit që të veprojmë me mend. Kjo nënkupton se tani duhet urgjentisht të krijohet një grup pune brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku do të përfshihej edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës, FSK-ja, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Diasporës, në të cilin do të kontribuonin edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe akademike me njohuritë e tyre specifike nëpër fushat e caktuara, në mënyrë që bashkarisht ta formulojnë një strategji të parë të Politikës së Jashtme të Kosovës. Për të pasur sukses, njëherazi duhet të pezullohet përkohësisht procesi i dialogut dhe të kumtohet se Kosova po e rishikon formatin dialogues me qëllim të ridizajnimit të tij sipas nevojave të shtetit kosovar. Kosova të drejtën për ta marrë këtë vendim e argumenton me shpalljen të pavlefshme të marrëveshjeve të deritashme të bëra me Serbinë nga ana e Serbisë, përmes shkeljes së pikës për fqinësi të mirë dhe mospengim në rrugën e Kosovës drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Pezullimi i procesit të dialogut do të na fitonte kohë që ne si shtet të nxjerrim një strategji të politikës së jashtme, e cila do të trashëgohej te cilido ministër i jashtëm si korniza, mbi të cilën duhet të bazohet puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Së dyti, kjo do të jetë sinjali i radhës, se prej tash e tutje, veprimet tona do të ndryshojnë varësisht sipas bashkëpunimit të pales serbe. Kjo duhet të kumtohet zyrtarisht në një shkresë të argumentuar mirë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të të gjithë akterëve relevantë, duke përfshirë vendet e Quintit, Bashkimin Evropian, Serbinë dhe publikun e gjerë. Dhe së treti, por jo më pak e rendësishme, Serbia do të jetë në presion shkaku i axhendës së saj me BE-në. Por neve nuk na bëhet vonë! Nuk është problem i yni integrimi i Serbisë në BE, është problem i BE-së. Prandaj duhet të gjejnë stimulus tjerë për ta joshur, e jo duke shkelur më tutje Kosovën e duke e rrënuar edhe më tutje dinjitetin e qytetarëve tanë.

Mungesa e një strategjie konkrete dhe koherente të politikës së jashtme, të vendosur në letër, ka krijuar konfuzion dhe e ka pamundësuar bashkërenditjen e domosdoshme të të gjitha veprimeve shtetërore e institucionale të Kosovës në raport me jashtë. Politika e Jashtme kosovare deri më tani ka qenë në fakt joekzistente, sepse ka funksionuar arbitrarisht sipas bindjeve dhe kompetencave të ministrave të jashtëm, pa ndonjë vizion, direktivë apo orientim strategjik shtetëror. E vetmja pikë që përmendet, kur flitet për politikën e jashtme kosovare, janë njohjet e shtetësisë së Kosovës nga shtetet tjera. Kohëve të fundit besa më shumë po flitet për tërheqje (sic!) të njohjeve!

Hartimi i një strategjie të politikës së jashtme natyrisht është një sfidë për secilin shtet, sepse përpos që si proces është i komplikuar, strategjia e politikës së jashtme duhet të burojë nga vlerat shoqërore dhe interesat shtetërore. Aq më e vështirë do të jetë për Kosovën, e cila vuan nga një anomi e thelluar dhe e shtresëzuar me probleme shoqërore e politike të natyrave të ndryshme dhe mbi të gjitha, nuk e ka qartësuar orientimin e saj në vlera konkrete. Por, hartimi i një strategjie të tillë është thelbësor për politikën e Kosovës, prandaj çdo vonesë e mëtejme do të ketë për pasojë humbje të radhës në arenën ndërkombëtare.

Strategjia, përpos planeve gjithsesi duhet të përmbajë edhe ndarjen e resurseve dhe afateve për objektivat e caktuara që duhet të zbërthehen në plane të detajuara të veprimit. Mirëpo, për të mos mbetur e pasuksesshme si strategjitë e fushave tjera (p. sh. Strategjia për Arsim), arritja e objektivave duhet të raportohet çdo gjysëm viti para një Këshilli Nacional për Politikë të Jashtme, që duhet të krijohet duke përfshirë po të njëjtit akterë, të cilët kanë hartuar strategjinë për politikën e jashtme. Për çdo mospërmbushje të objektivave në kohën e caktuar nga ana e zyrtarëve përgjegjës duhet të ndërmerren hapa për sigurimin e performancës dhe llogaridhënies. Kjo duhet të bëhet në të gjitha institucionet, por për sanime të institucioneve tjera dhe sfidave të shtetndërtimit mbase do të shkruaj tjetër herë.

Krahas hartimit të Strategjisë për Politikë të Jashtme, Kosova duhet t’i rishikojë profilet e diplomatëve të saj. Duhet të jetë kriter i panegociueshëm njohja e gjuhës angleze në nivelin më të lartë dhe njohja e së paku një gjuhe tjetër evropiane, përpos gjuhës së vendit nikoqir. Diplomatët duhet të kenë të mbaruar shkencat politike, të kenë njohuri për historinë e Ballkanit dhe Kosovës, të njohin historinë e letërsisë shqipe dhe kulturës kosovare dhe të kenë njohuri për ekonominë dhe të Drejtat Ndërkombëtare. Mbi të gjitha duhet të rritet stafi diplomatik i karrierës dhe të punësohen vetëm persona me profesionalizëm të lartë. Kjo tingëllon si kërkesë e ekzagjeruar për disa, mirëpo një gjë duhet ta kemi të qartë: diplomatët janë ushtarë, prandaj duhet të jenë të pajisur me shkathtësi maksimale për t’i arritur qëllimet. Nëse “lufta është zhvillim i politikës me mjete tjera” (Clausewitz), atëherë diplomacia është zhvillim i luftës me mjete tjera.

Është urgjente që tani të mobilizohen të gjitha kapacitetet për t’i dhënë një shtytje dhe kahe të mirëfilltë aspiratave tona për shtetndërtim dhe konsolidim. Pa një strategji të politikës së jashtme nuk do të jetë e mundur të kemi një politikë të jashtme të suksesshme, por do të mbetemi duke u përpjekur me disa aksione ad hoc dhe duke dështuar vazhdimisht.

-----

Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Mundësitë e Kosovës për pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse të BE-së” si pjesë e Shkollës për Integrime Evropiane – Moduli për Siguri dhe Politikë të Jashtme, me mbështetje të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

 

 

26 nëntor 2018
19:59

Luljeta Aliu