Kush po e dominon Ballkanin?

13 prill 2017 13:06

Historikisht, Ballkani ka qenë arenë e përballjes në mes të lindjes dhe perëndimit. Edhe pse gjeografikisht jo shumë i madh, Ballkani gjithmonë ka qenë një rajon fragjil. Shpërbërja e Jugosllavisë sikur shënoi triumfin e perëndimit dhe për një periudhë solli stabilitet në rajon. Ky stabilitet erdhi si pasojë e dy faktorëve relevant: perspektiva e Bashkimit Evropian - megjithëse ende e largët, ajo i inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor drejt reformave demokratike me shpresën që këto reforma do të shpijnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit, sikurse në raportin mes Francës dhe Gjermanisë. Pastaj ishte NATO-ja dhe ndjenja e sigurisë e mbështetur në të, që u pa si shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, rajoni vazhdon të mos jetë imun ndaj lëvizjeve gjeopolitike. Megjithatë, duket sikur anëtarësimi në BE është një nga opsionet më serioze – edhe pse për disa shtete më shumë e për disa më pak.

Përderisa shtetet e Ballkanit lëvizin ngadalë, të penguar skajshmërisht nga problemet politike dhe mosmarrëveshjet bilaterale, duket se interesat e BE-së mbi rajonin janë zbehur. Së fundmi, BE është duke u përballur me sfida të mëdha të brendshme. Çështje si Brexit-i, rritja e së djathtës ekstreme, konfliktet në Lindjen e Mesme, kriza e migracionit, kanë bërë që Bashkimi Evropian t’i mbyll sytë karshi shumë ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor. Marrë parasysh këto rrethana, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor duket të jetë pothuajse i pamundur.

Rasti i Brexit-it padyshim që do të ketë ndikim të rëndësishëm në progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE duke marrë parasysh faktin se Britania e Madhe gjithnjë ka qenë kritike dhe këmbëngulëse ndaj reformimit të agjendës evropiane. Prandaj, një BE jo solide dhe më pak e angazhuar do të reflektonte negativisht tek vendet e Ballkanit, si dhe do të vështirësonte vazhdimin e fuqizimit të kapaciteteve të ‘’buta’’ nga ana e BE-së. Në anën tjetër, duket qartë se administrata e tanishme e ShBA-ve nuk duket të jetë shumë e fokusuar në Ballkan. Kështu janë hapur mundësitë për rritje të ndikimit rus dhe turk në rajon.

Në vazhdën e përballjes së “titanëve” pasojat kryesore duket që po i bartë Ballkani, i cili gjithmonë për fuqitë e mëdha ka shërbyer si një fushë shahu në të cilën këto fuqi kanë garuar për të dëshmuar rëndësinë dhe influencën e tyre prej të fortit. Në këtë rast dy blloqet klasike të Luftës së Ftohtë po vazhdojnë garën ideologjike në Ballkan. Shtrohet pyetja se kush po humb e kush po fiton?

Rusia kohë pas kohe dëshmon që është “ujk i vjetër” me tendencën e saj të humbjes së ndikimit Perëndimor, sidomos të Bashkimit Evropian, tash kur po mundohet të përfitojë nga problemet e brendshme të BE-së. Zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor, si kriza politike në Maqedoni apo zgjedhjet e sapo-mbajtura në Serbi të cilat janë përcjellur me protesta masive, duket se i shkojnë për favor Rusisë kur dihet se këto vende që po përballen me konflikte kanë tendencë ta kenë më të përforcuar sentimentin rus. Të gjitha këto ngjarje po ia lehtësojnë Moskës të ushtrojë ndikimin e saj në Ballkan dhe të mbajë rajonin larg Perëndimit. Janë elitat politike të shteteve ato që po ua krijojnë ndjenjën qytetarëve të vet që nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian në një të ardhme të afërt.

Në anën tjetër, BE-ja sikur ka neglizhuar dhe nuk e ka afruar agjendën e Ballkanit Perëndimor drejt vetes. Në të njëjtën kohë Rusia po përfiton edhe nga e djathta ekstreme e shteteve perëndimore të cilat edhe më shumë e forcojnë distancën me Ballkanin. Kjo u dëshmua edhe në vizitën e Marine Le Pen në Moskë me ç’rast mori përkrahje nga Presidenti Putin, duke theksuar se qëndrojnë në të njëjtën linjë në platformën anti BE, dhe si mbrojtës të vlerave konservatore kombëtare kundër globalizmit perëndimor.

Është koha kur BE-ja duhet të bëhet më e zëshme karshi ngjarjeve që po ndodhin në rajon e që normalisht kanë implikime prej njërit vend tek tjetri, dhe për më shumë të dëshmojë se ende mbetet faktori më relevant në rajon. Gjithashtu, është koha që BE-ja të kthjellet kur vjen fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor veç e veç. Zgjedhjet e fundit në Serbi përsëri dëshmuan që BE ende qëndron e padenjë në lojën balancuese (me dy fytyra) kundër Rusisë, pavarësisht kandidaturës së Serbisë në BE. Edhe pse presidenti në ardhje Aleksandër Vucic në Serbi konsiderohet më pro BE sesa presidenti në shkuarje Tomislav Nikolic, përsëri ka rezerva dhe mbetet për t’u parë nëse mund të bëjë më shumë si president, madje në kampanjën e tij elektorale për president nuk ka pasur asnjë element që do të promovonte BE-në.

 Kjo për faktin se opinionet e qytetarëve tregojnë se mbështetja për integrim drejt BE-së ka rënë në 43%, krahasuar me vitin 2012 ku përafërsisht 70% të votuesve ishin pro Bashkimit Evropian. Kjo ka bërë që presidenti në ardhje Vucic të jetë më i rezervuar në promovimin e aspiratave evropiane. Megjithatë, prova kryesore e tij mund të jetë Kosova, ku do t’i duhej të pajtohet me realitetin e pavarësisë. Në këso raste kur liderët e zgjedhur janë potencial të shtrirjes së destabilitetit në rajon, BE duhet të jetë më e zëshme në vendosjen e sanksioneve. Dhe krahas kësaj, BE duhet ndaluar së konsideruari Kosovën si një aksesor i Serbisë.

Marrë parasysh faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor ende përballen me sfida të mëdha përfshirë problemet ekonomike, nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe nivelin e lartë të papunësisë, të cilat e ngadalësojnë dhe e bëjnë pothuajse të pamundur anëtarësimin në BE deri në 2025. Pavarësisht kësaj, integrimi i Ballkanit Perëndimor shihet si një alternativë e pashmangshme që duhet të vazhdojë, në të kundërtën bllokimi i integrimit në BE do të destabilizonte edhe më tej rajonin. Për shak të kësaj, duhet gjetur modalitete me shtetet të cilat bëjnë më shumë përpjekje në këtë drejtim, ashtu që t’u jepet mundësia të kyçen më herët, ndërsa ato që ngecin të integrohen më vonë. Pra, të jenë procese në vazhdimësi, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për demotivim. Mbase këtu do të zinte vend ideja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE e që do t’i jepte një sinjal distancimi Rusisë. 

13 prill 2017
13:06

Arife Muji