Komuniteti i sigurisë

07 dhjetor 2016 13:27

Debati për çështjet e gjëra të sigurisë nuk mund të mbetet peng i idesë se shteti ka të drejtën ekskluzive të trajtimit të temave të sigurisë. Ky vlerësim përveç që është i tejkaluar, nuk është i saktë sidomos në kontekstin tonë ku shteti ende është në ndërtim e sipër dhe kërkohet rreshtimi i intelektualëve dhe shtresave të caktuara për t’i kontribuuar zhvillimit të studimeve bashkëkohore të sigurisë. Pra, edhe sikur të donim, shteti nuk mund ta mbajë monopolin e diskursit të sigurisë për vetë faktin që kapacitetet shtet-ndërtuese në Kosovë janë po aq të vjetra sa edhe formësimi kritik në fushën e sigurisë.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) zyrtarisht po fillon me një rubrikë të veçantë në kuadër të S’bunker duke menduar kësisoj se do të kontribuojë sadopak në mbledhjen e kontributeve nga studiuesit më të mirë që kemi. Këtu nuk mendojmë vetëm në studiuesit e sigurisë, mirëpo të gjithë ata të disiplinës së gjerë të shkencave shoqërore të cilët sigurinë e trajtojnë në kontekst gjithëpërfshirës. QKSS mendon që ka kredibilitetin e mjaftueshëm dhe resurse të nevojshme për të luajtur rolin e prijësit në këtë drejtim.. Me fjalë të tjera, ne synojmë të lehtësojmë kontributin në debatin e sigurisë duke pasur parasysh kompleksitetin në rritje dhe domosdoshmërinë që krahas pasurimit të diskursit publik ne të ‘ushqejmë’ politikat e ardhshme në këtë fushë.

Në fakt, kjo që QKSS po fillon nuk përbën fare risi për shtete tjera përfshirë dhe ato në rajon. Ideja e rreshtimeve të akademikëve dhe kritikëve të fushës së gjerë të sigurisë e marrëdhënieve ndërkombëtare është konceptuar rëndom si angazhim i komuniteteve epistemike (epistemic communities) e cila definoi rrjetet e platformave akademike e të politikave me qëllim të kontributit profesional dhe të ngushtë në këtë fushë. Paralelja e ngjashme konceptuale mund të ndërlidhet edhe me konceptin e komuniteteve te sigurisë (security communities), koncept ky i cili fillimisht u ideua nga Karl Deutsch ne vitet e 50-ta me qëllim të lehtësimit të një debati në Evropën e pas-luftës, duke kontribuuar kësisoj në përmirësimin e klimës së diskutimeve.

Pse këto dy koncepte mund të korrespondojnë në idenë tonë? Sepse kemi mungesë të një rreshtimi të intelektualëve të cilët do të kontribuonin në de-konstruktimin e disa tematikave të sigurisë që shkaktojnë amulli publike. Sepse ka hendek të madh në mënyrë se si interpretojmë dhe zbërthejmë disa tema jetike në funksion të sigurisë tonë individuale e publike.

Ne kemi shumë paqartësi dhe pozicione të larmishme në raport me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm, gjë që mendojmë ta trajtojmë posaçërisht. Tutje, kemi pasiguri në interpretimin e pozicionit të Kosovës në raport me vendet tjera e sidomos në kontekst të dialogut me Serbinë. Kontributet ekzistuese në de-konstruktimin e problemeve të integritetit e krimit të organizuar më shumë janë bërë nga perspektiva e pozicioneve politike të individëve se sa ato thjesht hulumtuese. E mos të flasim për temat ende më të rëndësishme për komunitetin që rrallë trajtojmë, nëse i trajtojmë.

Me fjalë të tjera, QKSS mendon të mbulojë sadopak boshllëkun akademik të fushës dhe tashmë, krahas kontributit të saj nëpërmjet dokumenteve të politikave e hulumtuesve brenda fushëveprimit organizativ, synon që të drejtojë potencialisht debatin e intelektualëve më të dalluar në temat e shumta të sigurisë.  Tani për tani, S’bunker përbën platformën më të suksesshme dhe ne kemi kënaqësinë që të kontribuojmë në fuqizimin edhe më të madh të kësaj platforme. 

 

07 dhjetor 2016
13:27

Florian Qehaja