Russell: Gratë lidere kanë pasur rol kyç në zhvillimin e karrierës time

Sbunker pyet: Si përfiton shoqëria nga barazia gjinore?

24 nëntor 2015 10:29

Në rregull, nuk do ta mërzis lexuesin duke ia recituar të gjitha faktet që ekzistojnë mbi dobinë e shumëfishtë që barazia gjinore ia sjellë shoqërisë.

Mirë pra, meqë insistoni, ja vetëm një nga shumë të dhëna statistikore që mbështesin këtë argument: Studimet tregojnë se rritja e pjesëmarrjes së grave në forcën punëtore të ShBA-ve në këto tri dekadat e fundit, i ka sjellë vendit rritje deri në 11 për qind të GDP-së në vitin 2012.

Është e ditur që në Kosovë ka ende shumë punë deri në realizimin e vizionit që paraqitet në videon tonë “Profesionet nuk kanë gjini”…(ju lutem ndaloni së lexuari dhe shikojeni!).

Por ndoshta do të ishte interesante t’ju tregoja që:

1. Nëse nuk do të ishte një grua menaxhere e lartë (në atë kohë 28 vjeçare) në Agjencinë Kanadeze të Zhvillimit Ndërkombëtar, e cila rrezikoi duke punësuar një profesionist të ri të sapo diplomuar në vitin 1989, unë nuk do ta kisha pasur këtë karrierë të mahnitshme 26 vjeçare (deri më tani) në fushën e zhvillimit ndërkombëtar.

2. Nëse nuk do të ishte një tjetër grua menaxhere në UNDP (nga Turqia dhe gjithashtu 28 vjeçare në atë kohë), e cila më punësoi për detyrën time të parë në El Salvador një vit më vonë në 1990, unë me siguri që nuk do të isha këtu në Kosovë, duke shkruar këtë bllog.

3.  Një vit më vonë, po të mos ishte edhe një tjetër grua menaxhere në Divizionin e Amerikës Qendrore të UNDP-së (e cila më tha, “Të kam nën vëzhgim, Russell” gjatë një vizite në zyrat tona), ajo detyrë me UNDP-në në El Salvador me siguri do të kishte qenë e para dhe e fundit për mua.

Dhe meqë ra fjala, dy gratë e përmendura në #2 dhe #3, më pas u bënë Asistente të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Me lehtësi mund t’ju jap edhe dhjetë shembuj të lidereve të mëdha nga Kombet e Bashkuara dhe vende të tjera, të cilat më kanë mentoruar dhe mbështetur në çerek shekullin e fundit.

Këtu përfshihet Flora Macula, drejtoresha aktuale e UN Women në Kosovë.

Dhe jo, këto gra lidere nuk ishin gra të shkëlqyeshme vetëm pse besuan në mua.

Për mua ato të gjitha kanë qenë veçanërisht frymëzuese si lidere, për shkak të vullnetit të tyre për të ndërmarrë rreziqe të kalkuluara mirë, si dhe për shkak të të kuptuarit të tyre mbi rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve të mira. Stafi im në Kosovë më ka dëgjuar duke folur shumë këto dy vitet e fundit mbi rëndësinë e lidhjeve për suksesin e çdo ekipi apo organizate. Të gjithë talentët e mëdhenj në botë nuk mund të arrijnë dhe të ruajnë madhështinë, pa bashkëpunuar me të tjerët dhe pa i kushtuar vëmendje mirëqenies së ekipit në tërësi.

Ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm në menaxhment dhe lidership që kam mësuar gjatë karrierës time. Dhe e kam mësuar atë jo vetëm përmes një gruaje, por përmes shumë lidereve të jashtëzakonshme të cilat kam pasur privilegjin t’i njoh, që nga ajo ditë fatlume në vitin 1989.
Autori është Koordinator për Zhvillim në ekipin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

 

____

Kjo Përballje është një nismë e përbashkët mes Sbunker dhe UN Women, në kuadër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, si pjesë e fushatës 16ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo fushatë globale ka për synim ngritjen e vetëdijes publike dhe rritjen e vullnetit dhe burimeve politike për parandalimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave kudo në botë. Në Kosovë, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore së bashku me shumë organizata vendëse dhe ndërkombëtare mbajnë marshe, ekspozita, shfaqje filmash dhe shfaqje teatrale gjatë këtyre 16 ditëve. Për më shumë, vizitoni: http://www.16-dite.com/

 

24 nëntor 2015
10:29

Andrew Russell

Sbunker pyet: Si përfiton shoqëria nga barazia gjinore?