25 nëntor 2015
10:13

Sbunker pyet: 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore filluan. Si do të përfitonte shoqëria nga barazia gjinore?
Barazia gjinore promovohet duke u mundësuar të gjithë personave të drejtat e tyre themelore, pavarësisht nga seksi apo gjinia e tyre. Tek shoqëritë në zhvillim dhe ato patriarkale, gratë përjashtohen dhe diskriminohen nga aspekte të ndryshme të jetës shoqërore e publike për shkak të roleve tradicionale që pritet nga to t’i luajnë; pra rolin e nënës dhe të gruas që përkushtohet në mënyrë të pakushtëzuar. Ky rol i pakushtëzuar shpesh rezulton në dhunë nëse ato nuk arrijnë të përmbushin këto pritshmëri tradicionale. Dhuna ndaj grave në Kosovë mbetet fenomen shqetësues shoqëror. Kjo dhunë jo vetëm që po shkel të drejtat themelore të tyre, por gjithashtu po i pengon ato që të inkuadrohen në shoqëri në mënyrë aktive dhe të shëndoshë.
Për të adresuar dhunën në baza gjinore përmes fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”, Klubi ‘Bonu Burrë’ që punon për emancipimin e burrave të rinj, është fokusuar në promovimin e atësisë si element shumë i rëndësishëm për të ndërtuar shoqëri të barabartë, ku asnjë formë e dhunës nuk tolerohet. Ne besojmë që baballarët e përfshirë në mënyrë aktive në jetën e fëmijëve të tyre, është vlerë e domosdoshme për shoqërinë tonë. Por për t’i përfshirë baballarët në një shoqëri patriarkale si kjo e jona, duhet shumë punë për përmbysjen e sterotipeve maskuline për një baba si të distancuar dhe të paaftë të shfaqë emocione.
Klubi ‘Bonu Burrë’ insiston që çfarëdo forme e angazhimit të baballarëve, qoftë në përgatitje të ushqimit për fëmijët e vet, duke i dërguar ata në shkollë apo çerdhe, duke ndihmuar në detyrat e shtëpisë, apo thjesht duke luajtur me ta, ndihmon shumë që një burrë të ndihet i vyeshëm si baba. Kjo ndikon që fëmijët dhe baballarët të krijojnë raport të ngushtë emocional dhe që çfarëdo forme e dhunës në bazë gjinore të mënjanohet.
Studimet nga organizatat ndërkombëtare që avokojnë për barazi gjinore duke punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me burrat si Care International, dëshmojnë që përfshirja e baballarëve në jetën e fëmijëve dhe jetën familjare sjell dobi të mëdha. Kur baballarët janë më të përfshirë në jetën e djemve dhe vajzave të tyre, fëmijët kanë shëndet më të mirë fizik e mendor, arritje më të lartë akademike, aftësi më të mira kognitive dhe sociale, nivel vetëvlerësimi më të lartë, më pak probleme me sjellje dhe tolerancë më të lartë në përgjithësi.
Përfshirja e burrave në jetën familjare, pra të partnereve dhe fëmijëve të tyre krijon një mundësi për barazi, dhe dobitë e kësaj përfshirjeje janë për gratë, fëmijët, dhe për vet burrat. Këto dobi reflektojnë në shëndet dhe mirëqenie më të mirë në nivel të familjes dhe shoqërisë, në ulje dhe parandalim të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, dhe me barazi gjinore ndërmjet partnerëve në jetën familjare dhe profesionale.
Autori është koordinator i Iniciativës së Burrave të Rinj “Klubi Bonu Burrë” organizata Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar “PEN”
____
Kjo Përballje është një nismë e përbashkët mes Sbunker dhe UN Women, në kuadër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, si pjesë e fushatës 16ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo fushatë globale ka për synim ngritjen e vetëdijes publike dhe rritjen e vullnetit dhe burimeve politike për parandalimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave kudo në botë. Në Kosovë, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore së bashku me shumë organizata vendëse dhe ndërkombëtare mbajnë marshe, ekspozita, shfaqje filmash dhe shfaqje teatrale gjatë këtyre 16 ditëve. Për më shumë, vizitoni: http://www.16-dite.com/
25 nëntor 2015
10:13
Sbunker pyet: 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore filluan. Si do të përfitonte shoqëria nga barazia gjinore?