18 prill 2020
11:20

Ka libra që janë të shkruar aq mirë, sa që nji behane s’ua gjen. Saktë, pedant, ngat përosunisë. Autori, duke qenë tepër i kujdesshëm për të prodhu një tekst pa të meta, shkruan vetëm gjëra të sakta dhe të tilla që e di se lexuesi pajtohet me to, ose së paku nuk i kundërshton ato. Lexuesi natyrisht, i lexon këta për arsye të ndryshme, por reagimi më i zakonshëm është: punë e madhe!
Këta janë, natyrisht, libra pa zarar, por të kotë, njikohësisht. Pa zarar, sepse nuk janë të shkruar me qëllim për të mbyllur mendimin a sforcuar dogmën. Të kotë në një kuptim specifik: jo të padobishëm në kuptimin se nuk shërbejë për diçka (si përmbledhje dhe sistemim i informaciont dhe dijes, etj.), por në kuptimin se as shtyejnë kufinjtë e mendimit dhe imagjinatës e as thellojnë njohjen.
Libra të vlefshëm, jo të kotë pra, janë ato në të cilët mundesh me gjetë behane; në faqet e të cilit mundesh me vnu gishtin nëpër rreshta dhe me thanë: kjo është gabim, ktë nuk e kuptoj, atë nuk e pranoj, këtu ia ka futë kot, aty e ka tepru, kjo s’mund të argumentohet, kështu nuk mund të thuhet, çka dreqin po don me thonë këtu autori, ose thjesht me thanë: ua!, hmm!, çkaa! joo!.. Eh, bash këta libra që na habisin, intrigojnë, provokojnë, përparojnë mendimin. Natyrisht, mund të jenë libra me zarar, nëse synojnë ta imponojnë një dogmë tjetër, ama to kotë jo se jo.
Libri “ua!” asnjëherë nuk pretendon të jetë lexim lehtë i pranuar dhe në përputhje të plotë me mendimin e lexuesit, por kërkon një lexues të edukuar i cili nuk e pret këtë prej një libri, dhe, duke lënë hapësira e vend për mospajtime, fton lexuesin të reflektojë dhe të shqyrtojë atë që e lexon.
(Ka edhe lloje të tjera librash: si për shembull, të kotë – sipas kuptimit të lartëshënuar – dhe me zarar, sepse janë shkruar të besohet në to; lexuesi i merr si rezultate absolute, finale a universale të dijes dhe kështu veç e forcojnë dogmën. Këta libra duhet ja me i diegë, por nëse u duket tepër inkuizitore a homeiniane, me i ruajtë veç si artefakte e objekte studimi larg duarve të publikut. Pastaj, ka libra që gjynah për drunjtë që janë pre për ta e për raftet që i mbajnë. Por, kjo është tjetër gjë.)
18 prill 2020
11:20