Me PDK-në në Pushtet, me PDK-në në Opozitë

18 janar 2020 16:51

Si ka mundësi që kritikët më të mëdhenj të Lëvizjes Vetëvendosje po e kërkojnë me kaq ngulm një ‘Qeveri Kurti’? A nuk ishin pikërisht këta që, në kohën zgjedhjeve parlamentare, na paralajmëronin rreth skenarëve më apokaliptikë të mundshëm në rast se Lëvizja Vetëvendosje do të dilte e para? Si ka mundësi që tani, kur po zhvillohen negociatat me Lidhjen Demokratike, po duan të na çojnë drejt fundit të botës? Janë në terezi këta, apo jo? Apo, ndofta, janë mbushur mend dhe besojnë njëmend tek Lëvizja Vetëvendosje? (Në cilindo rast, po të tregonin vetëm pakëz konsistencë në ato që kanë deklaruar nëpër studio të ndryshme televizive, do të duhej të bënin gjithfarë makinacionesh për të parandaluar formimin e ‘Qeverisë Kurti,’ e jo të kërkonin me ngulm formimin e saj, siç po bëjnë aktualisht).

Për më tepër, si mund të thonë se “fajin për mos-arritjen e marrëveshjes e ka z. Kurti, sepse s’po dëshiron të bëhet kryeministër?” O tempora, o mores! Po a nuk janë pikërisht këta që z. Kurti i thoshin vazhdimisht se është i etur për pushtet, se ka ndryshuar të gjitha parimet e qëndrimet vetëm e vetëm që të mund të bëhet kryeministër i vendit? Si bëhet tani që ai nuk dëshiroka të bëhet kryeministër? Tash, a është i etur për pushtet, apo nuk është? Për më tepër, çfarë sensi ka të thuhet se z. Kurti nuk po dëshiron me qëllim të bëhet kryeministër, ndërkohë që, kur është në pyetje marrëveshja me LDK-në, të njëjtit sugjerojnë se një marrëveshje e tillë nuk po bëhet mu për shkak se “z. Kurti po tregon një etje për pushtet?”

Me këtë, sigurisht, nuk dua të krijoj përshtypjen sikur vonesat i kontribuojnë ndërtimit të koalicionit me LDK-në. Larg qoftë! Megjithatë, një gjë që duhet vlerësuar tek Lëvizja Vetëvendosje, e që nuk po evidentohet sa duhet, është fakti që, përkundër kërkesave irracionale të LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje prapë nuk po e konsideron PDK-në si partnere alternative për të bërë qeverinë. Vetëm imagjinojeni sikur LDK të dilte e para në zgjedhjet parlamentare. Cfarë mendoni se do të ndodhte: do ta luste kaq gjatë Lëvizjen Vetëvendosje për të hyrë në koalicion me të, apo do t’i vardisej sakaq PDK-së? Përgjigjen, besoj, e dimë të gjithë.

Mirëpo, kësaj radhe, si duket, krerët e LDK-së kanë vendosur të bëjnë një koalicion tjetër me PDK-në: koalicion për të qëndruar tok në opozitë. “Më mirë në opozitë me PDK-në, se në pushtet me Lëvizjen Vetëvendosje.” Kjo, pak a shumë, është ajo që krerët e LDK-së po duan të thonë.

E megjithatë, një gjë është e sigurt. Nëse qytetarët e kanë ndëshkuar LDK-në për shkak të koalicionit me PDK-në në të kaluarën, në zgjedhjet e ardhshme—kurdo që ato do të mbahen—do ta ndëshkojnë sërish, por kësaj radhe përse nuk po bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

 

18 janar 2020
16:51

Armend Mazreku