17 janar 2019
10:29

Eda Poetike është një nga burimet kryesore të miteve pagane skandinave, pavarësisht se ajo është shkruar tri shekuj pasi islandezët nuk i praktikonin më besimet e tyre pagane dhe ishin shndërruar në të krishterë.
Eda Poetike përshkruhet në tërësi nga dy marrëdhënie thelbësore: nga marrëdhënia me vdekjen dhe nga marrëdhënia me dijen.
Në botëkuptimin e Edës Poetike çdo gjë vdes: kafshët, njeriu, hyjnitë dhe gjithësia në vetvete. Asgjë nuk do i shpëtojë vdekjes. Është një botëkuptim që s'të fal asnjë shpresë përfundimtare. Çdo gjë ecën vazhdimisht drejt vdekjes tërësore dhe fundit të gjithçkasë, të cilën paganët skandinav e quanin “Ragnarok”.
Vdekja tërësore e gjithësisë përshkruhet në disa poezi të Edës Poetike, por trajtën më të qartë ajo e merr te poezia "Voluspa". Voluspa janë parathëniet e shtrigës. Odini, hyu kryesor i paganizmit skandinav, e zgjon shtrigën e vdekur nga varri dhe e pyet për fillimin dhe fundin e gjithësisë. Shtriga i parathotë Odinit vdekjen e tij, pasi ai do të vritet nga një ujk, dhe Vdekjen Tërësore të Gjithçkasë. Te poezia "Voluspa" shohim që vdekja e besimit, vdekja e vlerave dhe vdekja e njeriut, shërbejnë si një paralajmërim i Vdekjes Tërësore.
Më shumë sesa një besim te Hyu Odin, Hyu Thor apo Hyjnesha Frey-ja, Edda Poetike shpreh një besim të plotë te Vdekja Përfundimtare. Vdekja do i shpëtojë hyjnive, por hyjnitë nuk do i shpëtojnë dot Vdekjes. Në këtë kuptim, paganizmi skandinav nuk shfaq asnjë ngushëllim por vetëm një pranim fatalist të fundit.
Marrëdhënia tjetër thelbësore është marrëdhënia me dijen, e cila nga ana e saj është e lidhur ngushtë me marrëdhënien me vdekjen. Odini ngrihet kundër vdekjes. Ai nuk e pranon dot vdekjen dhe mundohet vazhdimisht që ta tejkalojë fatin e tij të paracaktuar. Në mënyrë të pareshtur, Odini shfaqet si një hyjni që kërkon ta shmangi vdekjen nëpërmjet dijes së tij.
Por ajo që shohim te Edda Poetike është se dija nuk ka asnjë fuqi mbi vdekjen, pasi kjo e fundit është një përfshehtësi që dituria nuk arrin ta ceki dot. Dituria është një njohuri rreth gjërave në jetë, gjëra të cilat i kemi përjetuar ose janë përjetuar nga të tjerët. Por asnjë nuk e ka përjetuar vdekjen, prandaj dhe ajo është jashtë fushës së dijes. Pikërisht këtë pamundësi të dijes për të kuptuar vdekjen ne e shohim te poezia Vafthruthnismal, e cila përshkruan garën midis Odinit dhe thurësit të gjëegjëzave. Thurësi i gjëegjëzave di gjithçka, përveç asaj që Odini i pëshpëriti djalit të tij të vdekur te veshi.
Marrëdhënia midis vdekjes dhe dijes e bën Eddën Poetike një vepër tepër bashkëkohore dhe një lexim të detyrueshëm. Në ditët e sotme shkenca dhe teknologjia kanë marrë rolin e Odinit: një përpjekje për të anashkaluar vdekjen nëpërmjet diturisë.
17 janar 2019
10:29