Dekonstruktim i një rrëfenje mbi dialogun

22 nëntor 2018 11:35

Në një intervistë të tijën, të dhënë për një portal në Kosovë, këshilltari i presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, riprodhonte një klishe të vjetër që e kemi dëgjuar që njëzet vjet: “Kosova gjithmonë ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog dhe kompromis. Kjo është e saktë sot, nesër dhe gjithmonë, sepse ne asnjëherë nuk kemi humbur nga përfshirja në dialog. Përkundrazi, Kosova gjithmonë ka dalë fituese kur ka qenë pjesë e proceseve dialoguese dhe humbëse atëherë kur nuk është përfshirë.”

Që Kosova “ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog dhe kompromis,” këtë e dimë të gjithë. Por që “Kosova gjithmonë ka dalë fituese kur qenë pjesë e proceseve dialoguese dhe humbëse atëherë kur nuk është përfshirë”, këtë nuk arrij ta rrok mendërisht. Së pari, sepse ka një problem: nëse “Kosova gjithmonë ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog dhe kompromis”, nuk ka mundësi të ketë refuzuar ndonjë lloj dialogu deri më tani, apo jo? Përndryshe, nuk do të mund të pohonim se “Kosova gjithmonë ka qenë dhe mbetet e gatshme për dialog”, apo jo? Për më tepër, si mund të thuash që Kosova, sa herë që nuk është përfshirë në dialog, ka dalë humbëse - kur, siç dihet nga kushdo, deri më tani nuk kemi refuzuar asnjë lloj dialogu me shtetin serb?

Së dyti, dhe më me rëndësi akoma, si ka mundësi të konstatohet që Republika e Kosovës ka dalë gjithmonë fituese nga dialogu me Serbinë kur, siç dihet botërisht, ky lloj dialogu nuk ka përfunduar akoma? A nuk do të duhej që, fillimisht, të prisnim përfundimin e këtij dialogu dhe, më pas, të shpallnim humbjen apo fitoren përfundimtare në raport me shtetin serb? Mos, vallë, po mendoja me veten time, vetë pjesëmarrja ynë në një dialog me Serbinë ka qenë një dështim? Një prolog, ose një prelud për dështimet e mëpastajshme që kanë ndodhur prej vitit 2011 e tutje?

Dhe, së treti, nëse është e vërtetë se Kosova ka dalë “gjithmonë fituese nga dialogu me Serbinë”, siç po thotë këshilltari i presidentit Thaçi, çfarë dreqin është duke bërë shefi i tij në Bruksel, atëherë? Mos, vallë, është saktësisht e kundërta? Pra që kemi përfunduar duke e rihapur “çështjen e Kosovës”, pikërisht ngaqë nuk kemi dalë fitues nga ky lloj dialogu? Nuk do mend, është e dyta. Ndryshe, po të dilnim fitues nga ky lloj dialogu, nuk do të ndodheshim fare në një pozicion të tillë të rrezikshëm, apo jo? Por pikërisht ngaqë kemi dështuar në këtë lloj dialogu, kemi përfunduar në këtë derexhe, siç do të thoshte një cinik i vjetër i LDK-së.

 

22 nëntor 2018
11:35

Armend Mazreku