Shkolla si burim i dhunës ndaj fëmijës

10 tetor 2018 16:34

Para do ditëve, m’ra me pa një video vetëdijësuese për ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve (https://vimeo.com/289882970/77bb72ff8c), që me sa dukej i drejtohet publikut kosovar. Videoja në fjalë paraqet zënkat dhe konfliktin mes burrit e gruas si burim dhune ndaj fëmijës së tyre. Videoja sugjeron se, demek, dhuna ndaj fëmijës na qenka e kufizuar në familje dhe buron nga zënkat familjare ndërmjet prindërve të fëmijës në vatrën familjare ku burri e gruaja hahen për kushedi se çka mes vetes, duke harru ose neglizhu prezencën e fëmijës në shtëpi, ndërsa ajo përjeton dhunë tërthorazi.

Mirëpo, ndoshta nuk gaboj të hamendësoj se dhuna ndaj fëmijëve ushtrohet, jo tërthorazi, por drejtpërsëdrejti. Dhuna ma e shpeshtë që fëmijët e përjetojnë në familje nuk është pse prindërit i harrojnë ata, por pikërisht pse nuk i harrojnë ata; jo pse i neglizhojnë fëmijët, por pikërisht pse kujdesen për ta. Kështu, duke dashtë që fëmija i tyre të jetë i disiplinuar, i suksesshëm në shkollë, etj., prindërit ushtrojnë dhunë të madhe mbi fëmijët: i shtinë me mësu me zor, i qortojnë, kërcënojnë e dënojnë, ua kufizojnë kohën e lojës e argëtimit, e tjera.

Por, kjo nuk është një çashtje që buron në shtëpi. Në të vërtetë, burimi i kësaj është jashtë shtëpie: në publik dhe në institucionet publike. Ta zëmë, duke dashtë që fëmijën ta përgatisin për jetë në ambientin ku po rriten, prindërit ushtrojë dhunë jo të paktë mbi fëmijët, pasi që institucionet publike, në radhë të parë, shkolla, nuk i përgatitë fëmijët për një jetë të dinjitetshme kur të rriten. Kështu, duke dashtë me e kompenzu sistemin e papërshtatshëm arsimor: shkollën e keqe, klasën e mbipopulluar, kohën e shkurtër të kaluar në shkollë, arsimtarin e paaftë, tekstet dhe mjetet e papërshtatshme mësimore, prindërit kërkojnë prej fëmijëve ma shumë mësim, lexim e ushtrime mësimore në shtëpi. Dhe, si për të dashur me e fshehë këtë problem, videoja në fjalë, nga mesi, paraqet një ambient klase jo tipike të shkollave tona publike, por me sa duket të një shkolle private (gjykuar sipas dukjes së enterierit të klasës që nuk i përngjan shkollave publike). Sugjerimi është i qartë: shkolla—mirë, prindërit—fajtorë.

Mirëpo, këtë burim të dhunës ndaj fëmijëve në institucionet publike, sidomos në shkolla, videoja “vetëdijësuese” nuk e tregon. Sepse, sipas sugjerimit të saj, dhuna në familje na qenka dukuri që buron brenda familjes: në zënkat mes burrit e gruas. Prandaj, kjo video ma tepër se vetëdijësuese, është propaganduese.

 

10 tetor 2018
16:34

Gëzim Selaci