02 nëntor 2017
16:31

Në ditën ndërkombëtare për ndalimin e mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, që shënohet çdo 2 nëntor, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë publikoi një raport për lirinë e shprehjes së mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Raporti meriton vëmendje për shkak se është hera e parë që IAP vlerëson lirinë e shprehjes së mediave dhe kritikon ashpër policinë, prokurorinë dhe gjykatat për mosefikasitet në trajtimin e krimeve ndaj gazetarëve.
Ai është inicuar si përgjigje ndaj shqetësimeve mbi cënimin e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve, bazuar në rastet e fundit të sulmeve ndaj gazetarëve të gazetës online “Insjaderi”, Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi, dhe ndaj ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, Arbana Xharra.
Avokati i Popullit thotë se sulmet janë pasojë e mungesës së zbulimit dhe gjykimit të autorëve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Përsëritja e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë është tregues i mungesës së efikasitetit të sistemit të drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve dhe mungesës së përkrahjes së gazetarëve nga shteti, thuhet në raport.
Rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve duhet të trajtohen me prioritet dhe të zgjidhen në mënyrë efektive nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor, sipas IAP-së. Tutje, kërkohet që të ketë koordinim të prokurorisë dhe policisë në hetimin e veprave penale kundër gazetarëve.
AIP kërkon ashpërsim të politikës ndëshkimore ndaj kërcënuesve të sigurisë së gazetarëve. Krimet e tilla kryhen me motiv të pengimit të lirisë së shprehjes së informimit të publikut, gjë që duhet marrë si rrethanë rënduese.
Gjykatave iu rekomandohet që t’i trajtojnë rastet e gazetarëve në pajtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), ndërsa qeverisë që të sigurojë transparencë të vazhdueshme në funksion të llogaridhënies.
Avokati i Popullit është i thirrur të mbrojë të drejtat dhe liritë e njëriut. Publikimi i këtij raporti shënon kontribut të rëndësishëm në adresimin e sfidave në realizimin e të drejtës së lirisë së shprehjes së gazetarëve në Kosovë. IAP nuk duhet të mjaftohet me një raport, por duhet të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të kërkojë vazhdimisht nga institucionet përkatëse garantimin e lirisë së shprehjes së mediave.
02 nëntor 2017
16:31