Krahasimi i rezultateve zgjedhore në nivel lokal dhe nacional

24 tetor 2017 17:00

Pas shpalljes së rezultateve preliminare në zgjedhjet lokale 2017, në mediet e Kosovës nisi me të madhe krahasimi i performancës zgjedhore në nivel lokal dhe nacional. Vrullit të akuzave për "dështim" në zgjedhje iu nënshtrua sidomos Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë për bazë numrat absolut të votave në nivel lokal, dhe duke i krahasuar ato me numrat absolut të votave të fituara në zgjedhjet nacionale në qershor 2017, tek të cilat figuronin më të vogla. Lëvizja Vetëvendosje "dështoi" përkundër faktit se rriti, dikund më shumë e dikund më pak, përqindjen lokale të votës në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Këtë e vërtetoi një llogari e thjeshtë e bërë nga Armend Muja në nivel të komunave, ku rezultoi se bilansi pozitiv i rritjes i takoi Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa bilansin e humbjes së bazës zgjedhore e përjetoi më së thelli Partia Demokratike e Kosovës.

Sido që të jetë kjo, ky s'tatus ka të bëjë në radhë të parë me demonstrimin se krahasimi i numrave absolut të zgjedhjeve lokale dhe interpretimi i tyre në nivel të mbështetjes nacionale është i pakuptimtë. Ky është një fakt i njohur për studiuesit e zgjedhjeve dhe të sistemeve elektorale por një konsideratë e pa marrë parasysh nga shumë analistë dhe liderë partish të Kosovës, që krahasojnë numrat bruto sikur ato kanë kuptim të njëjtë, mollat me molla, ndërkohë që po i krahasojnë mollat me dardha. Më saktësisht, ky krahasim supozon se vota e dhënë në zgjedhje lokale korrespondon drejtpërdrejtë me atë të dhënë (ose që do të jepej hipotetikisht) në zgjedhje nacionale. Kjo llogari në dukje e thjeshtë matematikore injoron faktin se konteksti politik i zgjedhjeve lokale është tjetërfarë nga ai i zgjedhjeve nacionale; se motivi i votës dallon, si për nga çështjet që dalin në pah (komunale, jo nacionale) ashtu dhe për formën e mobilizimit të votës, e cila është më e drejtpërdrejtë dhe, në kontekstin e Kosovës, e varur më shumë nga lidhjet personale e familjare që bëhen të theksuara sidomos në kontekste lokale.

Dy fakte empirike e demonstrojnë këtë. E para, ajo që i dallon zgjedhjet lokale nga ato nacionale është pjesëmarrja më e lartë në zgjedhje lokale. Ky është një fakt interesant sepse në shumicën e demokracive, trendi është i kundërt. Personalisht nuk mund të jap një shpjegim për këtë meqë do të kërkonte një studim më të thellë të të dhënave dhe trendeve, por mund të supozoj se në zgjedhje lokale janë më efektive lidhjet personale e familjare që e mobilizojnë votën. Siç vuri re një koleg, në zgjedhje lokale kandidojnë mbi 7.200 kandidatë, krahasuar me më pak se 1.000 në zgjedhje nacionale. Nëse secili mobilizon lidhjet personale e familjare (në një kontekst shoqëror si të Kosovës ku ato janë tepër të rëndësishme), kjo ndikon dukshëm në rritjen e pjesëmarrjes në votime.

Image


Krahaso më sipër me pjesëmarrjen në Gjermani, në zgjedhje federale, të Landeve, lokale dhe ato evropiane, më poshtë:
 

Image

Fakti i dytë që i bën numrat absolut të pakrahasueshëm është performanca e partive individuale në zgjedhje. Këtë më së miri e tregon performanca e dallueshme e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në nivel të votave të përgjithshme. Kjo parti, suksesin në zgjedhje lokale nuk ka arritë asnjëherë ta përkthejë në mbështetje në zgjedhje nacionale. Ky fakt më së shumti vë në dyshim tezën për korrespondencën midis votës lokale dhe asaj nacionale, gjë që, mbase, empirikisht mund të vlejë më shumë për disa parti se për tjera (për arsye që duhet të studiohen veçmas).

Image


Për fund, duhet theksuar se në çdo demokraci, krahasimi më i saktë i performancës relative dhe absolute të partive, si dhe shprehja e fuqisë së tyre relative politike, është kontrolli i mandateve në nivelin e përfaqësimit i cili i nënshtrohet kontestit elektoral. Numrat bruto vlejnë për aq sa përkthehen në mandate, qofshin ato në nivel lokal, qoftë në nivel nacional. Këtë na e përkujton mirë fakti i mëposhtëm.

Image

 

24 tetor 2017
17:00

Besnik Pula