Manushi në epistolarin poetik të Guido Cavalcanti-t

24 nëntor 2016 18:46

Ka pasë raste që nuk jemi çuditë nga gafat e ndryshme të përkthimeve në gjuhën shqipe. Pikërisht sepse asht ba e modës që me pasë të tilla, pra gafa. Qofshin këto përkthime në variantin tradicional të librit (cartaceo) apo produksioneve audiovizuale, e trajtave të tjera ku mundet me ekzistue përkthimi si formë komunikimi. Nuk asht e habitshme aspak me u përkthye figura mitike e Ajaksit, tek Odiseja, luejtë nga Kirk Douglas [Ulysses, 1954], si Horac. Asht skena e shpërfaqjes nga Hadi – mundsue protagonistit nga Kirke – të tre herojve: Agamemnonit, Akilit dhe Ajaksit – bashkëluftëtarëve të Odisesë në luftën e Trojës. Përkthyesit/es të/së platformës Digjitalb, simbas variantit të dubluem italisht, Aiace ia asht dukë se don me thanë Horac. Imagjinoni ç’ngatërrim kulturash dhe figurash! Të ngatërrohet heroi grek me autorin latin, e kjo jo nji herë por dy herë si pa të keq.

Nji rasti i ngjashëm, madje ma flagrant, – vu re prej meje me kohë, – asht dhe përkthimi i nji emni italian nga përkthyesi Arben Dedja në veprën e G. Cavalcanti-t [Poezia, Ombra GVG, Tiranë, 2007]. Bahet fjalë për sonetin LI dhe për nji korrespondent të autorit të Stilit të Ri e të Ambël me emnin Manetto. Larg çdo fantazie të mundshme, s’po flasim për përgjegjësi profesionale, përkthyesi e përkthen këtë emën me trajtën zvogëlore të disa antroponimeve të gjuhës shqipe, si: Vagjush, Prendush, Rrapush etc. Tue respektue kinse sufiksin deminutiv italian -etto. Dhe adresanti italian na del në tekstin poetik hiç ma pak, por Manush. Ja pra nji Manush, ku me e ditë prej cilin qytet të jugut të Shqipnisë, që na paska shkëmbye sonete me Guido-n. Kushedi sa sonete mund të kenë humbë mes Manushit dhe mësuesit të Dante-s, ku ai i ka folë italianit për kazanat e rakisë në hije të pemës, e aq ma tepër ka shkrue në nji formë poetike që në Shqipni – ma saktë tek Arbëreshët – do të lindte (tue marrë si referencë vitvdekjen e Cavalcanti-t, v. 1300) plot 477 vjet ma vonë, me N. Chetta-n. Eh Manush, more Manush!!          

24 nëntor 2016
18:46

Lisandri Kola