22 nëntor 2016
15:41

Kohë më parë në sbunker, Bardhyl Salihu botoi një bllog për taksën e tokës. Në një analizë të shkurtë dhe të saktë, për të cilën Salihu ka kredibilitetin dhe kompetencën adekuate, ai e cilëson taksën e re të tokës si ‘arbitrare’ dhe hap ‘të gabuar’ nga qeveria e Kosovës. Këtë argument e bazon në faktin se Kosova veçse ka një bazë të ngarkuar të taksave, dhe, me të drejtë, e krahason TVSH-në në Kosovë që del të jetë më e lartë se ajo në Zvicër.
“Me shumë gjasë motivi është ai i zakonshmi: shtrydh sa më shumë para nga taksapaguesit që është e mundur,” shkruan mes tjerash Salihu.
Dhe përderisa nuk ia kontestoj bazën dhe qasjen në analizë Salihut, dhe, as që mundohem t’i përzihem në detajet profesionale, më duhet të theksoj mospajtimin tim të thellë me konstatimet e tij për rastin e Kosovës.
Këtë mospajtim e bëj, përkundër faktit që në bazë parimore ideologjike, pajtohem me argumentet e tij. Pra, nuk është se mendoj se analiza është e gabuar si proces dhe madje as si parim. Besoj që ajo është e gabuar për arsye se lë jashtë saj një mori informatash relevante kontekstuale, që kanë të bëjnë me tokën në Kosovë.
Toka dhe pronësia e tokës, sidomos asaj bujqësore, është keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme që prej pasluftës në Kosovë. Prej dallavereve me privatizim, atyre shitblerjeve të shumëfishta e të dyshimta, e deri te shpërlarja dhe deponimi i kapitalit të pistë, gjithçka thuajse ka shkuar përmes patundshmërive, gjegjësisht tokës, kryesisht asaj bujqësore.
Të paktën, shumë njerëz të profileve të ndryshme, biznismenë e politikanë, shumicën e kapitalit të përfituar në mënyrë të ligjshme apo gjysëm të ligjshme e kanë investuar në tokë. Kjo sidomos për shkak se toka bujqësore nuk është taksuar fare.
Dhe përderisa pajtohem parimisht me Salihun kur thotë se shteti po krijon barriera dhe jo lehtësira, më duhet të them që taksimi i tokës si politikë publike efektin e saj nuk e ka domosdoshmërisht të limituar ne aspketin fiskal. Pra, përmes taksimit të tokës, do të dekurajohet shpërlaja e parasë përmes shitblerjes së saj, dhe, rrjedhimisht, do të mund të vjelim taksa nga më të pasurit në Kosovë, e sidomos për ata të cilët pasurinë e tyre e kanë fituar në mënyrë kryesisht të paligjshme. Kjo pra, është e pakta që duhet bërë.
Në fund, duhet theksuar se Salihu ka të drejtë kur shkruan se “shtimi i një peshe tjetër mbi kurrizin e taksapaguesve do ta ketë efektin e drejtpërdrejtë të varfërimit të mëtejshëm të tyre”, andaj duhet të sigurohemi që ta evitojmë këtë.
22 nëntor 2016
15:41