10 tetor 2016
10:12

Ndonëse nuk jam, dhe as që kam qenë ndonjëherë, anëtar apo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, kam ndjekur me mjaft përbuzje, kohët e fundit, përpjekjen dëshpëruese të Tre Kokëshkretëve—Enver Robellit, Halil Matoshit dhe Lumir Abdixhikut—për ta lidhur brutalisht një deklaratë të paradoditshme të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, me gjoja pozicionin e kahershëm të Lëvizjes Vetëvendosje rreth bashkimit politik të Kosovës me Shqipërinë.
Në një shkrim të tij, ta zëmë, Robelli tërhoqi vërejtjen se, mbas deklaratës së Daçiq-it, zyrtarët e Vetëvendosjes do të duhej të braktisnin përfundimisht idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë; sepse një ide e tillë, sipas tij, “mund të çojë ujë në mullirin e Serbisë.”
Ngjashmërisht, në mos edhe më ashpër se Robelli, Matoshi deklaroi si në vijim: “Njajt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe etnonacionalistat tjerë po mendon edhe Ivica Daçiq: Qysh me e shpërba shtetin sovran të kosovarëve?”
Rrjedhimisht, ithtarët e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas tij, janë armiqtë më të mëdhenj të Kosovës. Citoj: “Integristë e turbofolkloristë…duan ta shpërbëjnë shoqërinë dhe shtetin kosovar, si element antishtet që janë. Këta tipa janë armiqtë e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Porse kosovarët normalë nuk do të lejojnë avanturierë politikë që të luajnë kumar me lirinë kombëtare.”
Madje, ironikisht, Matoshi nuk harroi t’ua bëjë me dije edhe këtë gjë: “projekti i kombkrijimit dhe shtetndërtimit në Kosovë është projekti më i madh perëndimor pas zbarkimit në Normandi dhe me këtë projekt madhor nuk do t’i lejohet askujt e aq ma pak etnonacionalistëve shqiptarë që ta vënë në rrezik lirinë kombëtare të kosovarëve.”
Me fjalë të tjera, Serbisë, Listës Srpska, PDK-së dhe LDK-së mund t’i lejohet kjo gjë; por ithtarëve të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë assesi.
Sido që të jetë, në linjë të njëjtë mendimi u shfaq, si zakonisht, edhe Lumir Abdixhiku; i cili në pyetjen e një analisti tjetër: “Cila është e keqja më e vogël—PDK-ja apo Vetëvendosja?” dha përgjigjen tipike për të: “Refuzoj të zgjedh mes klanit Pronto dhe atyre që provojnë me çdo mënyrë rrënimin e shtetit.”
Pra, pozicionin e neutralit dhe të pavarurit; ndonëse, ironikisht, nuk rezistoi gjatë dhe e nxori atë që e mendonte sinqerisht: “rreziku më i madh,” tha ai, “vjen nga ata që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.”
Pra, Lëvizja Vetëvendosje.
Po sa qëndrojnë këto dokrra të analistëve?
Aspak, do të thosha.
Madje jo vetëm që deklarata e Ivica Daçiq nuk ka të bëjë asgjë me atë çfarë deklaron Lëvizja Vetëvendosje, por është radikalisht e kundërt me atë çfarë angazhohet ajo.
Po si?- do të pyes shumëkush.
Së pari, duhet sqaruar një herë e mirë se, ndryshe nga nga zyrtarët serbë, Lëvizja Vetëvendosje nuk thotë asgjëkundi që për bashkimin politik mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vendosë shteti serb dhe ai shqiptar. Përkundrazi, pozicioni i Vetëvendosjës në këtë pikë, besoj unë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet tejet i qartë: për fatin e këtij bashkimi politik vendosë vetë shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.
Pra, jo Serbia.
Madje Serbia as që ekziston në këtë ekuacion.
Së dyti, por jo më pak e rëndësishme, Lëvizja Vetëvendosje nuk thotë asgjëkundi se bashkimi politik mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet bërë në kurriz të integritetit territorial të së parës.
Këtë, sigurisht, e synon Serbia. Por jo Vetëvendosja. Qëndrimi i saj, siç dihet botërisht, është që ky bashkim politik të bëhet në kufijtë ekzistues të të dyja shteteve. Pra, pa u copëtuar fare territori i asnjërit shtet.
Në fakt, njëri ndër argumentet pro-bashkimit është pikërisht shpëtimi i territorit të Kosovës; përndryshe, Veriu i vendit do ta ketë fatin e Republikës Srpska.
Së treti, Lëvizja Vetëvendosje, për dallim nga Serbia, nuk thotë në asnjë vend që bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë duhet të ndodhë si rezultat i një marrëvesheje midis elitave në Serbi dhe Shqipëri.
Po, këtë e dëshiron Serbia.
Ajo që Vetëvendosje angazhohet, sidoqoftë, është që ky bashkim të realizohet përmes mjeteve demokratike. Pra, përmes një referendumi popullor që do të testonte vullnetin subjektiv të qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
(Madje nganjëherë e kam përshtypjen që kosovaristët më shumë e kanë hallin me demokracinë se me bashkimin kombëtar. Por për këtë cështje, shpresoj, të shkruaj një radhë tjetër).
Dhe së fundmi, në mos më rëndësishmja, Vetevëndosje është kundër idesë së purifikimit kombëtar. Po, Serbia dhe zyrtarët serbë angazhohen për krijimin e shteteve mono-kombëtare në Ballkan, ku shqiptarët do të jetonin një një shtet të tyre; serbët në një shtet të tyre; kroatët në një shtet të tyre, e kështu me radhë. Në shikim të parë, kjo ide mund të tingëllojë atraktive, por shtete të tilla do të ishin, pa asnjë mëdyshje, fashiste.
Personalisht; si shqiptar po flas, do të refuzoja kategorikisht të jetoja në një shtet të tillë.
Por, fatmirësisht, kjo nuk është ajo që sugjeron Lëvizja Vetëvendosje. Përkundrazi, Vetëvendosje insiston që bashkimi politik mes Kosovës dhe Shqipërisë të mos bëhet në kurriz të komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri. Së këndejmi; dhe që ta përmbyll këtu, edhe në rast të një bashkimi të mundshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, komunitetet e tilla si grek, serb, rom, ashkali, egjiptas, turk, e kështu me radhë, do të vazhdonin të jetonin si qytetarë të barabartë me shqiptarët.
Pa asnjë lloj diskriminimi kombëtar, racor, religjioz, orientimi seksual, e kështu me radhë.
Prandaj do të ishte e udhës që analistët të fillojnë të fiqirojnë pakëz më shumë rreth atyre që thonë dhe shkruajnë; sepse, për besë, jemi në hall me ta dhe pallavrat e tyre.
10 tetor 2016
10:12