Ana qesharake e inkonsistencës së kosovaristëve

15 shtator 2016 16:31

Pa dashur të përfshij veten time në gjakimet identitare që tash e një kohë kulturalistët përpiqen të na imponojnë, në këtë shkrim sall dua të spikas anën qesharake të dy pozicionimeve inkonsistente të atyre që mendojnë se kombi kosovar, dhe rrjedhimisht kombëtarja kosovare, janë në konsolidim e sipër në Kosovë.

Dhe gjithashtu, të paktën për aq sa më lejon takati im prej diletanti në këto punë,  t’i përgjigjem një reagimi të paradoditshëm të Abit Hoxhës, ku ai, siç dhe mund ta keni vërejtur, i kundërvihet me frenezi disa gjërave që kam thënë në një status të para ca ditëve në Sbunker, me titull “Kombi, Kombëtarja dhe Përfaqësuesja e Kosovës.”

Por meqenëse shkrimi është paksa i gjatë, propozoj që ta ndajmë në dy pjesë: në pjesën e parë të paraqesim shkurtimisht problematizimin e dy qëndrimeve inkonsistente të kosovaristëve postmodernë; dhe në pjesën tjetër, atë të dytë, pra, t’i trajtojmë edhe shqetësimet e ngritura nga Abiti në statusin e tij me titull “Kombëtarja apo Përfaqësuesja?”

Të fillojmë me inkonsistencën e parë të kosovaristëve, atëherë.

Inkonsistenca e parë, mendoj, qëndron në atë sesi i qasen në përgjithësi kombit si kategori socio-historike. Në njërën anë, ta zëmë, na mbajnë ligjërata sesi gjoja kombet si formacione socio-historike janë ide të tejkaluara tashmë. Këtu, natyrisht, nuk harrojnë të na rikujtojnë edhe faktin sesi hyqmi i globalizmit dhe i strukturave supranacionale i ka bërë kombet, me demek, thjesht të panevojshme, të parëndësishme; dhe, mbi të gjitha, kumtojnë ata, tejmase të rrezikshme.

E megjithatë, pikërisht këta që shqiptojnë gjepura të tilla—kosovaristët postmodernë pra—shihen ironikisht të zënë; tepër të zënë, do të thoshta, duke ndërtuar kombe të reja në Evropë, siç është, bie fjala, ndërtimi i kombit kosovar, i kombëtares kosovare, i letërsisë kosovare, i të folurës kosovare…. Mbase një ditë, tamam në stilin e presidentit kinez, Xi Jinping, nuk është larg mendsh se kanë për të ndërtuar edhe Ëndrrën Kosovare. Kuptohet, si ekuivalente e Ëndrrës Kineze.

Sinqerisht, të paktën me aq sa arrij ta fiqiroj këtë punë unë, nuk ma ha mendja se mund të ketë ironi më të madhe se kjo që thonë e bëjnë kosovaristët tanë. Sepse, ta themi hapur edhe këtë: nëse vërtet qëndron kjo që thonë ata, se jetojmë në një botë postkombëtare, ku kombet janë thjesht relikte të së kaluarës, atëherë cfarë dreqin janë duke bërë ata vetë me ndërtimin e kombit anakronik kosovar?

Vërtet e kam të pamundur ta kuptoj këtë gjë unë. Veç e veç, sigurisht, do t’i kisha kuptuar pa asnjë kokërr problemi.

Dhe inkonsistenca tjetër, mendoj, qëndron në raportin që kosovaristët postmodernë gjithashtu kanë me historinë; ose, thënë më mirë, posthistorinë. Në njërën anë, ta zëmë, gjithë ditën e lume na tregojnë se rrojmë në një botë posthistorike ku liberal-demokracia është pika përmbyllëse e evoluimit ideologjik njerëzor (një tezë kjo mjaft e popullarizuar mbas një vulgarizimi që një idiot si Fukuyama i ka bërë interpretimit të Kojève mbi Hegelin). Ndërkaq, në anën tjetër, i shohim pikërisht këta—kosovaristët postmodernë—duke u krekosur lumturisht sesi me librat e tyre, shkrimet e tyre, paraqitjet televizive, statuset në rrjete sociale, dhe një dreq e dinë se çka tjetër në përkrahje të kombit kosovar, janë duke bërë namin dhe historinë e botës.

Tash, të besosh përnjëmend në fundin e historisë me ‘h’ të madhe; dhe në të njëjtën kohë të thuash se je duke bërë diçka historike, vërtet ky është kulmimi i budallallëkut njerëzor.


Lexoni edhe:

Krenar Gashi  "Jam shqiptar e kosovar"

Jusuf Thaçi "Kosovarizmi jo-shqiptar vs. Kosovarizmi brendashqiptar"

Armend Mazreku  "Kombi, kombëtarja dhe përfaqësuesja"

Abit Hoxha  "Kombëtarja apo Përfaqësuesja"

Armend Mazreku  "Disfatat e pushtetit, fitoret e popullit"

Dritan Dragusha Poshtë fitoret e popullit 

 

 

15 shtator 2016
16:31

Armend Mazreku