Kombëtarja apo Përfaqësuesja?

09 shtator 2016 10:04

Në statusin e Armend Mazrekut të datës 07 Shtator 2016 të quajtur ‘Kombi, kombëtarja dhe përfaqësuesja e Kosovës’, ai shpjegon ndjenjat e tij për zhvillimet e fundit në sportin e futbollit në Kosovë dhe refleksionet që ka edhe ekipi i Shqipërisë në Kosovë në këtë sport. Nuk munda të qëndroj indiferent ndaj statusit, prandaj ja një reagim i shkurtë pa hyrë thellë në konceptet për kombin, etninë, komunikimin politik dhe aspak pa e komentuar futbollin.

Armendi përmbledh në tre paragrafë thukët sesi “dashuria për kombin është kthyer në dashuri për Kombëtaren, përfaqësuesit në Kosovë paskan zëvendësuar dashurinë për kombin në dashuri për përfaqësuesen e Kosovës si dhe ka një komunitet që dashuria e të cilëve për kombëtaren dhe përfaqësuesen e Kosovës u buron nga dashuria që kanë për kombin shqiptar në përgjithësi”.

Duhet thënë këtu se autori bën gabime në statusin e tij duke e kontrabanduar termin Përfaqësuese e Kosovës’ pa e diskutuar fare faktin se ky ekip që i referohet nuk është marrë me tender për të përfaqësuar Kosovën, por është selektuar dhe është ekipi legjitim i Kosovës, pra kjo e bën këtë ekip ‘Kombëtare’ po aq sa edhe kombëtarja tjetër në fjalë. Këtu qëndron edhe esenca e debatit të kohës së fundit dhe implikimit të debatit rreth identitetit kombëtar që po zhvillohet së fundmi në Kosovë, d.m.th. tek definicionet.

Nëse Kosova plotëson kushtet klasike nga e Drejta Ndërkombëtare (Konventa e Montevideos, 1933) që ka territorin e vet, popullatën, qeverinë e vet (pa marrë parasysh legjitimitetin dhe autoritetin e saj), dhe kapacitetin për të bërë marrëdhënie ndërkombëtare, është shtet dhe rrjedhimisht ekipi i saj është kombëtare dhe jo përfaqësuese. Bile përdorimi i fjalës përfaqësuese duhet të ishte ofendues në rastin e Kosovës dhe nuk duhet të përdoret në media fare, sepse paragjykon statusin e Kosovës si shtet, kuptohet joformalisht.  

Në fund, autori e vendos veten në komunitetin që “dashuria e të cilëve për Kombëtaren dhe Përfaqësuesen e Kosovës u buron nga dashuria që kanë për kombin shqiptar në përgjithësi”. Duhet shpjeguar se dashuria për Kombëtaren shqiptare dhe Përfaqësuesen kosovare është dashuri jo "fer". Ja një pyetje kurioze dhe jo pa qëllim: Pse për shembull të mos jetë e kundërta? Përfaqësuesja shqiptare (pasi përfaqëson më shumë se një shtet) dhe Kombëtarja kosovare?

 

09 shtator 2016
10:04

Abit Hoxha