08 shtator 2016
16:31

Argumentin se Kosova e pavarur nuk mund të mbijetojë ekonomikisht e kisha dëgjuar dhe lexuar shpeshherë – edhe para vitit 1999 – kryesisht nga kundërshtarë të politikave perëndimore. Këtu mes tjerash hyjnë edhe ekstremistë të krahut të majtë e atij të djathtë.
Në fakt, asnjë shtet nuk është i aftë të jetojë në autarki të plotë. Prandaj edhe ndodhë shkëmbimi i resurseve në mes të ekonomive, përderisa secili vend specializohet për veten e tij në lëmenj të caktuar, ku konsideron se ka përparësi krahasuese.
E vendi ynë ka mjaft të tilla. Faji për moszhvillim nuk qëndron tek mungesa e resurseve, por tek (keq)menaxhimi i tyre. Para së gjithash mungojnë institucionet e mirëfillta ekonomike dhe një masë kritike e njerëzve të duhur brenda këtyre institucioneve, që me politika të mencura do të mundësonin një rritje të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë.
Zhvillimi i një ekonomie konkurrente, e cila i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, mund të bëhet duke shfrytëzuar dhe kombinuar potencialet e burimeve njerëzore, natyrore dhe atyre të sektorit privat. Kosova i ka të trijat. Në vecanti të parën.
Ekonomia e Re sot bazohet pikërisht në potencialin e burimeve njerëzore. Zhvillimi ekonomik konsiston në idetë, iniciativën dhe zgjuarësinë e ndërmarrësve, shpeshherë të ndërmarrësve individualë (shih për shembull ndikimin e individëve si Elon Musk apo Jeff Bezos në ekonominë ndërkombëtare). Me një fjalë zhvillimi ekonomik konsiston sot para së gjithash në inovacion. Asnjë shtet nuk është zhvilluar ekonomikisht, nëse nuk ka pasur inovacion – përjashto ato me rezerva të shumta natyrore. Kosova i ka të dyjat! Vetëm dje pashë dy produkte inovative të dizajnuara nga të rinjtë e Kosovës (njëri në Prishtinë e tjetri në ShBA), që kanë potencial të pushtojnë tregjet botërore. Faktori i tretë që mungon, është prandaj ai katalizatori institucional që krijon një bazë të fuqishme zhvillimore, duke mundësuar arsimim dhe edukim të mirëfilltë, barazi ligjore, infrastrukturë ligjore dhe fizike dhe para së gjithash një vizion të qartë ekonomik. Këto sot nuk i kemi!
Të thuash se Kosova është e paaftë të mbijetojë ekonomikisht, është jo vetëm nihilizëm dhe diletantizëm, por edhe refuzim i përgjegjësisë për të bërë ndryshimin!
08 shtator 2016
16:31