Kombi, kombëtarja dhe përfaqësuesja e Kosovës

07 shtator 2016 11:53

Si shumë të tjerë, besoj, edhe unë e ndoqa me mjaft shqetësim, ditët e fundit, debatin rreth Kombëtares dhe Përfaqësueses së Kosovës. Përgjithësisht; dhe që t’i bie shkurt kësaj që dua të them në këtë status, arrita të nxjerr tre përfundime të vlefshme nga ky debat.

I.

Përfundimi i parë që arrita të nxjerr është se disa njëmend e kanë zëvendësuar dashurinë për Kombin me dashurinë për Kombëtaren; ose, thënë më mirë, me tifozëllëkun sportiv për të. Sigurisht, Kombëtarja është tejmase e rëndësishme, sidomos në këtë kohë të shkombëtarizimit, depoliticizimit, kulturalizimit dhe individualizmit posesiv. Ama ajo, besoj unë, nuk guxon kurrësesi të mbetet terreni i vetëm i artikulimit dhe identifikimit shqiptar.  

(Para së gjithash, mendoj unë, integrimi kombëtar (që të mos i frikësoj liberalët duke përdorur termin ‘bashkim’) duhet të ndodhë në politikë, ekonomi, ushtri, politikë të jashtme, energjetikë, arsim, shëndetësi; dhe, krejt më pas, do të thosha, në sport dhe, që të bëjmë pakëz humor, në Bashkim Evropian.)

II.

Përfundimi i dytë që arrita të nxjerr nga ky debat; por edhe nga diskutimet e përshfaqura në të kaluarën, është se disa të tjerë, kryesisht pushtetarë, analistë dhe gazetarë, e kanë zëvendësuar pandryshueshmërisht dashurinë për kombin dhe kombëtaren me përfaqësuesen e Kosovës. Sigurisht; të paktën për aq kohë sa shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të tjetërsuar në shtete të ndryshme, përfaqësuesja e Kosovës s’do mend se duhet përkrahur. Nëse për asgjë tjetër, do të të thoshin liberalët, të paktën për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Por nëse mëtohet që përfaqësuesja e Kosovës të (keq)përdoret ideologjikisht për të luftuar edhe më tej idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të përbashkët, atëherë me të vërtetë s’ka çfarë na duhet kjo përfaqësuese.

III.

Gjëja e fundit që kuptova, sidoqoftë, është se, përtej këtyre grupimeve që përmenda më lart, ekziston një komunitet i madh njerëzish, dashuria e të cilëve për kombëtaren dhe përfaqësuesen e Kosovës u buron nga dashuria që kanë për kombin shqiptar në përgjithësi. Me fjalë të tjera, kombëtarja (dhe përfaqësuesja e Kosovës), në pikëpamjen e tyre, reflektojnë thjesht dashurinë që kanë për kombin dhe atdheun e përbashkët shqiptar.

Në këtë komunitet bëj pjesë edhe vetë.

Dhe vetëm ky komunitet, them unë; sigurisht jo për faktin që bëj pjesë edhe vetë aty, është mundësia, kushti dhe garancia e subjektivimit dhe emancipimit politik shqiptar.

 

 

07 shtator 2016
11:53

Armend Mazreku