03 shtator 2016
18:48

Këto dy ditët e fundit, kam dëgjuar me vëmendje pushtetarë, analistë dhe gazetarë duke thënë se si tërheqja e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës nuk është as fitore për opozitën, as humbje për Qeverinë.
Një pushtetar me nam të keq, ta zëmë, deklaroi pardje në një debat televiziv se me këtë tërheqje të Marrëveshjes së Demarkacionit “nuk ka fituar as nuk ka humbur kush.”
Pothuaj në linjë të njëjtë mendimi, si zakonisht, u shfaqën njashtu analistët, opinionistët dhe gazetarët tanë mendjendritur. Një analiste, ta zëmë, pohoi e bindur në një debat tjetër televiziv se me tërheqjen e kësaj Marrëveshje “ka dështuar qeveria dhe opozita nuk ka fituar asgjë.”
Dy opinionistë tjerë, gjithashtu; nga ata që e mbajnë veten ashiqare si më të përndriturit e kategorisë së analistëve, thanë kokëfortësisht se “asnjëra palë nuk është fituese.”
E megjithatë; dhe, si thuhet, për t’ia zënë majën mirë gjithë këtyre rrëfimeve groteske u përkujdes, si gjithmonë, një gazetar i famshëm, i cili tamam në stilin prej polici konkludoi se “është zor në këto momente të dihet kush është fituesi e kush humbësi.”
Përkundër këtyre diskutimeve koti, qyshdoqoftë, konsideroj se tërheqja e djeshme e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi zbuloi si asgjë tjetër katër gjëra esenciale për karakterin e këtij regjimi, të cilat dhe do të përpiqem t’i përmend shkurtimisht në këtë status.
Së pari, mendoj se u vertetua trishtueshëm se humbjet e Listës Serbe (lexo: Serbisë) janë bërë njëkohësisht humbje dhe disfata të qeverisë së korruptuar PDK-LDK. Dhe anasjelltas—humbjet e qeverisë PDK-LDK humbje të Listës Srpska (Serbisë).
Vërtet ky fakt duhet të revoltojë secilin prej nesh; madje edhe ata që janë në pushtet.
Së dyti, u demonstrua qartazi se çdo disfatë, ama bash çdo disfatë e këtyre tre partive politike në pushtet—PDK, LDK dhe Lista Srprska—është njëherit fitore për popullin, shtetin dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Sigurisht, dhe anasjelltas.
Së treti, në mos më e rëndësishmja, u regjistrua fitorja e paralamentarizmit të deputetëve opozitarë (të opozitës dhe atyre të pozitës) kundrejt autoritarizmit të qeveritarëve në pushtet.
Dhe së fundmi, gjykoj se u konfirmua përfundimisht triumfi i argumenteve dhe fakteve shkencore; përkundër, të themi, manipulimeve dhe makinacioneve të shumta të ‘shkencës së pushtetit’ për të shtrembëruar të vërtetën e kësaj Marrëveshje.
Prandaj, tërheqja e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi vërtetoi pikërisht atë që Bertolt Brecht thoshte mrekullisht në shekullin që lamë pas, se “fitoret dhe humbjet e atyre që ndodhen lart dhe të atyre që ndodhen poshtë nuk janë gjithmonë të njëjta; aspak bile. Ka raste kur humbjet e atyre që janë poshtë në të vërtetë janë fitore për ata që janë lart.”
03 shtator 2016
18:48