Në Prizren po mbytet shpresa për UNESCO. Dhe jo vetëm.

30 gusht 2016 13:58

Vota negative e vitit të kaluar për Kosovën në UNESCO ishte edhe një thirrje, ndoshta e fundit për të konsoliduar sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend. Sado i dhimbshëm si moment, ai mund të përdorej për reflektim dhe mobilizim shtetëror e shoqëror. Gati një vit pas refuzimit nga UNESCO, kemi mbërritur në gjendje edhe më të rëndë. Në përgatitje për aplikimin e radhës në fund të vitit 2017, Kosova ka pajisur kundërshtarët e anëtarësimit të vet në UNESCO me argumente të reja bllokuese.

Gjatë vitit 2016, vetëm në Prizren – pjesa më e madhe brenda qendrës së mbrojtur historike – janë shkatërruar tetë shtëpi të vjetra. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë monumente të mbrojtura, ndërsa një numër i tyre ndërtesa me potencial të madh për t’u shpallur monument. Ky është trendi më i frikshëm i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore viteve të fundit. Më e keqja, të gjitha shenjat tregojnë që degradimi do të vazhdojë, me gjasë me ritëm të shtuar gjatë muajve të ardhshëm. Rrënimi i shtëpive të vjetra gjatë ditëve të fundjavës tashmë është shndërruar në rutinë. Pothuajse të gjitha rastet e shkatërrimit janë realizuar me lejen zyrtare të shtetit.

Ndërsa ky vit, në Prizren shënoi edhe viktimën e parë njerëzore të moskujdesit ndaj trashëgimisë kulturore. Nga dëmi material (e shpirtëror) kemi kaluar edhe në pasoja njerëzore. Shtëpia e cila ia mori jetën Xhenetës 3 vjeçare është në të njëjtën gjendje, vetëm se e rrethuar me gypa kanalizimi. Autoriteteve të shtetit nuk u mjaftoi as tragjedia njerëzore për të rritur seriozitetin.

Prizreni nuk e meriton më të quhet qytet i trashëgimisë kulturore. Në Prizren po mbytet shpresa për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe çdo rrënim i ri nënkupton një goditje të re për aspiratën e anëtarësimit. Por, më keq se kaq, nënkupton dështim total të shtetit karshi degradimit të trashëgimisë kulturore, i cili tashmë ka marrë përmasa alarmante.

Në Prizren po e humbim betejën me shkatërruesit e trashëgimisë kulturore. Dhe çmimi më i rëndë që do ta paguajmë nuk do të jetë refuzimi i dytë nga UNESCO.

 

 

30 gusht 2016
13:58

Hajrulla Çeku